Gani Pllana: Prof. Dr. Burhan Jukniu – kontribues i jashtëzakonshëm në edukimin profesional të inxhinierëve mekanikë
PROF. DR. BURHAN JUKNIU-KONTRIBUES I JASHTËZAKONSHËM I EDUKIMIT PROFESIONAL TË INXHINIERËVE MEKANIKË NË FUSHËN E TERMOENERGJETIKËS NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

Prof. Dr. Burhan Jukniu
lindi në qytetin e Shkodrës më 2 shkurt 1927, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm në gjimnazin e Shkodrës.
Studimet për inxhinier termoenergjetik i kreu në Institutin energjetik të
Moskës (1948-1953). Pas diplomimit ka punuar si inxhinier në kombinatin
energjetik të Tiranës dhe në TEC-in e Kuçovës në periudhën 1953-1957. Në vitin
1957 ka filluar punën si Pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, lektor i lëndëve
mësimore “Termo-elektrocentralet” dhe “Energjetikë” në Katedrën e
Termoteknikës të Fakultetit të Inxhinierisë të Universitetit Shtetëror të
Tiranës.
Nga viti 1957-1960 prof. Dr. Burhan Jukniu ka vazhduar studimet
pasuniversitare dhe ka mbrojtur aspiranturën. Ka përgatitur disertacionin e doktoratës në Universitetin Energjetikë
të Moskës, me temë: “Profilet racionale
të impianteve të kombinuara energjetike, pjesa e gazit e të cilave destinohet
për të mbuluar ngarkesat sezonale në sistem”, dhe e ka mbrojtur në vitin
1962 në USHT, Tiranë.
Titujt/gradat shkencore: “Inxhinier
i diplomuar” (1953), “Kandidat i
shkencave” (1962), “Docent” (1963),
“Profesor” (1995).
Pozitat dhe detyrat udhëheqëse në USHT dhe jashtë vendit
Prof. Dr. Burhan Jukniu
ka ushtruar pozita dhe detyra udhëheqëse në USHT, si në vijim:
·
1964-1973: Drejtues i Katedrës së
Termoteknikës (1964-1973);
·
1970-1973: Zëvendës dekan i Fakultetit
të Inxhinierisë në USHT; (1970-1973);
·
1971-1973: Profesor i ftuar në
Universitetin e Prishtinës (Kosovë ish-Jugosllavi) për lëndët mësimore “Gjeneratorët e avullit” dhe “Stabilimentet energjetike”;
·
1974-1985: Hartues i planeve mësimore
të degës mekanike;
·
1976-1980: Profesor i ftuar në
Universitetin e Prishtinës (Kosovë, ish-Jugosllavi) për lëndët mësimore “Gjeneratorët e avullit” dhe “Stabilimentet energjetike”;
·
1974-1986: Anëtar i Këshillit Shkencor
të Fakultetit të Inxhinierisë;
Titullar i lëndëve mësimore
Prof. Dr. Burhan Jukniu, pas mbrojtjes së doktoratës, ka qenë
titullar i lëndëve mësimore:
“Termoelektrocentralet
(TEC-e)”, ku përfshihej edhe
lënda: “Termodinamikës Teknike” (për degën elektrike) dhe “Energjetika”.
Fushat kryesore të
studimit, të punës dhe të kërkimit shkencor
Fushat
e kërkimit shkencor të prof. Dr. Burhan Jukniut janë:
· “Studimet
për përmirësimin e treguesve energjetikë të TEC-eve”;
për kogjenerimin, për projekt-idetë e TEC-eve teknologjike zonat industriale;
· “Bilancet
energjetike dhe për shfrytëzimin e energjisë diellore në sistemet e
integruara”. Nga kjo fushë ka referate dhe botime
të ndryshme.
Prof. dr. Burhan Jukniu
në veprimtarinë profesionale-shkencore është marrë kryesisht me:
·
Termoenergjetikë;
·
Termoteknikë;
·
Termodinamikë teknike;
·
Termoelektrocentrale (TEC);
·
Gjeneratorë avulli;
·
Stabilimente dhe impiante energjetike
·
Prodhim dhe shndërrim i energjisë termike;
Detyrat udhëheqëse në Universitetin e Tiranës
·
1964–1973: Përgjegjës i Katedrës së Termoteknikës.
·
1970–1973: Zëvendës dekan i Fakultetit të Inxhinierisë.
·
1974–1985: Hartues i planeve mësimore të degës mekanike.
·
1971-1973 dhe 1977–1980: Anëtar i Këshillit Shkencor të
Fakultetit të Inxhinierisë;
·
Anëtar i
komisioneve për hartimin e planeve dhe programeve mësimore për degët mekanike
dhe elektrike (në kohën kur ka qenë edhe anëtar i Këshillit Shkencor të
Fakultetit të Inxhinierisë, ku përfshiheshin degët: mekanikë, elektrikë,
ndërtim, gjeodezi).

Prof. Dr. Burhan Jukniu ka pasur një
rol të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të lartë teknik, termoenergjetikës
dhe përgatitjes së inxhinierëve shqiptarë, ndërsa veprimtaria e tij lidhet
drejtpërdrejt edhe me industrinë energjetike shqiptare. Ndër më të
rëndësishmet, veçohen:
· Futja dhe konsolidimi i
termoenergjetikës si fushë universitare:
Ai dha lëndët “Termo-elektrocentralet” dhe “Energjitikë”, duke
kontribuar në formimin sistematik të inxhinierëve të parë shqiptarë të
specializuar në këtë fushë;
· Krijimi dhe forcimi i Katedrës së
Termoteknikës: Një nga
kontributet më të rëndësishme institucionale ishte drejtimi i Katedrës së
Termoteknikës, që lidhet me zhvillimin e mëvonshëm të strukturës së
energjetikës në Fakultetin e Inxhinierisë. Kjo ishte e rëndësishme sepse
termoenergjetika përfshinte njohuri thelbësore për termocentralet, gjeneratorët
e avullit, ciklet termike dhe pajisjet energjetike;
· Përdorimi i metodave të reja të
analizës në proceset dhe ciklet termodinamike dhe të analizës në ciklet
energjetike të TEC-eve: Një
punë të kualifikuar Prof. Dr. Burhan Jukniu ka bërë për futjen dhe përdorimin e
metodave të reja të analizës në proceset dhe ciklet termodinamike dhe të
analizës në ciklet energjetike të TEC-eve. Kështu ka futur për herë të parë në
botimet shkencore në gjuhën Shqipe në Termoenergjetikë krahas metodës termike
dhe atë entropike dhe eksergjetike. Përdorimi i metodës eksergjitike ka qenë
një nga drejtimet themelore të studimit të tij; në këtë fushë ka udhëhequr
punime të disertacioneve të doktoratave dhe ka botuar artikuj në Buletinin e shkencave teknike (BSHT)
etj. Njëkohësisht në kurset apo shkollat pasuniversitare ka zhvilluar leksione
të thelluara në lëndën: Analiza eksegjetike në impiantet termoenergjitike. Ai është marrë me kualifikimin pasuniversitar, në dhënien e
lëndës: “Analiza eksergjetike në impiantet termoenergjetike”, të cilën e
ka futur në kualifikimin pasuniversitar.
· Përgatitja e specialistëve për
industrinë energjetike: prof.
Dr. Burhan Jukniu nuk ishte vetëm pedagog teorik. Para se të hynte në
universitet, ai kishte punuar si inxhinier në Tiranë dhe në Kuçovë. Kjo përvojë
praktike industriale u transferua në mësimdhënien universitare. Pra, një nga
risitë e rëndësishme të veprimtarisë së tij ishte lidhja e arsimit inxhinierik
me nevojat reale të industrisë energjetike;
· Zhvillimi i literaturës teknike
shqiptare: prof. Dr. Burhan
Jukniu është autor i teksteve universitare në një fushë që në atë periudhë
kishte nevojë të madhe për literaturë profesionale në shqip. Këto tekste kanë
pasur rëndësi të veçantë sepse standardizuan dhe sistemuan njohuritë
termoenergjetike në gjuhën shqipe, duke u përdorur në formimin e studentëve të
inxhinierisë. Ky është një kontribut shumë i rëndësishëm, sepse nuk lidhet
vetëm me një lëndë, por me organizimin dhe modernizimin e vetë formimit
universitar të inxhinierëve mekanikë;
· Kontribut në kërkimin shkencor mbi
impiantet energjetike: Disertacioni
i tij për gradën Kandidat i Shkencave kishte si temë “Profilet racionale të
impianteve (centraleve) të kombinuara, pjesa e gazit...”. Kjo tregon se kërkimi
i tij shkencor nuk ishte vetëm pedagogjik, por trajtonte edhe optimizmin dhe
strukturën e impianteve energjetike të kombinuara;
· Një risi interesante në fushën e
energjisë diellore: Efektiviteti
tekniko-ekonomik i impianteve diellorë për ngrohjen e ujit sanitar. Ky është
një element shumë interesant i veprimtarisë së prof. Dr. Burhan Jukniut, sepse
tregon se puna e tij shkencore u shtri edhe te shfrytëzimi i energjisë
diellore, pra te burimet alternative të energjisë dhe vlerësimi i tyre
teknik-ekonomik;
· Ndërtimi i impiantit të
parë me sistem ngrohës gjeotermal me anën e pompës së nxehtësisë ujë-ujë: Në vitet 1990-1993, u
ndërtua impianti i parë nga prof. Dr. Burhan Jukniu në Departamentin e
Energjetikës, Universiteti Politeknik i Tiranës. Është ndërtuar i pari
sistem ngrohës gjeotermal me anën e pompës së nxehtësisë ujë-ujë në
shkollën profesionale të Ersekës,
të propozuar nga misionari fetar amerikan Marku. Zbatimi i dytë është ngrohja
dhe freskimi i pjesës së biznesit në Pallatin e Kulturës në
Sheshin Skënderbe në Tiranë.
Udhëheqës shkencor për doktorata
Prof. Dr. Burhan Jukniu ka drejtuar
doktoratën e parë në Shqipëri për shfrytëzimin e energjisë diellore në sistemet
energjetike të integruara. Fusha kryesore e studimeve të tij shkencore kanë qenë:
“Studimet për përmirësimin e treguesve
energjetikë të TEC-eve; për përdorimin e kogjenerimit dhe për projektet e përqendrimit
të prodhimit të energjisë termike dhe elektrike nëpërmjet përdorimit të TEC-eve
teknologjike në zonat industriale të vendit e më gjerë ”, e cila ishte aktuale
për vitet 1980-1990, që ishin tema studimore të nivelit ministrie e qeveritar; si edhe në udhëheqjen e pesë doktoratave dhe në komisione për mbrojtje të disa të tjerave, si në
vijim:
1. Kandidati Agim Bejleri, tema me titull: “Studim mbi djegien e qymyreve të dobëta në përzierje me sasi minimale
të mazutit”, për gradën shkencore “Kandidat
i shkencave”;
2. Kandidati Angjelin Shtjefni, tema me titull: “Studim për vlerësimin e efektivitetit
energjetik të prodhimit të përqendruar dhe të kombinuar të avullit teknologjik
(nxehtësisë) me energjinë elektrike me metodën eksergjetike” për gradën
shkencore “Kandidat i shkencave”;
3. Kandidati Vasillaq Leno, tema me titull: “Studim mbi efektivitetin e shfrytëzimit të energjisë diellore me anën
e impianteve të thjeshta dhe të integruara me pompat e nxehtësisë” për
gradën shkencore “Kandidat i shkencave”,
4. Kandidati Ismail Demneri, tema me titull: “Studim mbi disa
probleme të bilanceve energjetike të prodhimit dhe të shfrytëzimit të energjisë
termike me potencial të ulët ”, për gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, USHT,
Tiranë, 1981.
5. Kandidati Gëzim Nushaj, tema me titull: “Studimi
teoriko-eksperimental i parametrave aerodinamike në sistemet e ventilimit të
fabrikave të pasurimit”, për gradën shkencore “Kandidat i shkencave”,
Tiranë, USHT, 1990.
Prof. Dr. Burhan Jukniu-Pedagog në Universitetin e Prishtinës
Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm
është se prof. Dr. Burhan Jukniu ishte profesor i ftuar në Universitetin e
Prishtinës në vitet 1971–1973 dhe 1977-1980, ku dha leksione në shqip në
Fakultetin Teknik të Prishtinës, në degën e Makinerisë, për “Gjeneratorët e avullit”, “Stabilimentet
energjetike” dhe “Pajisjet energjetike me kondensim”, në kuadrin e
bashkëpunimit akademik Shqipëri–Kosovë. Kjo ka një rëndësi të veçantë
historike: një pjesë e njohurive moderne termoenergjetike iu përcoll brezit të
parë të inxhinierëve shqiptarë në Kosovë në gjuhën shqipe.

Prof. Dr. Burhan Juknkiu (i treti nga e majta), me disa studentë të Universitetit të Prishtinës, Prishtinë (1980)
Njohuri të gjuhëve të huaja: rusisht, italisht dhe frëngjisht.
Tekste dhe
punime shkencore të botuara nga prof. dr. Burhan Jukniu
Prof. dr.
Burhan Jukniu ishte në mesin e pegogëve të parë në Fakultetin e Inxhinierisë, në
Tiranë. Krahas një pune
cilësore me studentë, ka marrë
përsipër hartimin e teksteve universitare për studentë dhe për inxhinierë në industri. Po i
paraqesim disa me kryesoret, si në vijim:
Tekste
universitare
1. Jukniu,
B.; Demneri, I.; Pema, A.: “Termoteknika:
leksionet e termodinamikës teknike”,
208 f., Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1984 (ribotim, 1985).
2. Jukniu, B.; Agolli, H.; Demneri, I.; Pema, A.: “Termodinamika”, 400
f., Botues: SHBLU, Tiranë, 1990.
3.
Jukniu, B.: “Termoenergjetika-termodinamika
teknike”, 175 f., Universiteti i Tiranës, 1971 (ribotim 1982, 1985).
4.
Jukniu, B.: “Energjetika: për profilin e
impianteve të degës mekanike”, Dispensë, 184 f., UT “Enver Hoxha” Fakulteti
i Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike, Tiranë, 1988.
5.
Jukniu, B.: “Termoenergjetika. Termocentralet”,
142 f.: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë, Tiranë, 1972 (ribotim
1973, 1977, 1981, 1984).
6.
Jukniu, B.; Agolli, H.; Demneri, I.; Pema, A.;
Shtjefni, A.: “Termoteknika”, 390 f., Botues: “Mihail Duri”, Tiranë, 1984.
7. Jukniu,
B.; Agolli, H.; Demneri, I.; Pema, A.: “Termodinamika”,
400 f., Botues: SHBLU, Tiranë, 1990.
Punime
shkencore të botuara në Buletinin e shkencave teknike në Tiranë
1.
Jukniu, B.; Agolli, H.: “Drejtimet kryesore për kursimin e lëndëve
djegëse në energjetikë”, Buletini i shkencave teknike, Nr. 1, f. 5-8,
Tiranë, 1975.
2.
Jukniu, B.; “Mbi efektivitetin termik të prodhimit të
kombinuar të energjisë elektrike dhe termike në sistemin tonë energjetik”,
Buletini i shkencave teknike, Nr. 1, f. 11-22, Tiranë, 1978.
3.
Jukniu, B.; Kodra, A.: “Mbi
disa probleme të ekonomizimit në termoenergjetikë”, Buletini i shkencave
teknike, Nr. 2, f. 3-8, Tiranë, 1989.
4. Leno, V.: Jukniu, B.: “Analiza e efektivitetit energjetik të pompave të nxehtësisë të integruara me energji diellore dhe me burime dytësore energjetike”, Buletini i shkencave teknike, Nr. 3, f. 30-36, Tiranë, 1990.
Dekorata dhe mirënjohje
Prof. Dr.
Burhan Jukniu për punë
cilësore me student në Tiranë e Prishtinë, si edhe për industrinë shqiptare
është dekoruar me urdhra dhe mirënjohje, si në vijim:
·
Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të II-të për
kontribute të jashtëzakonshme në përgatitjen shkencore të brezit të ri; nga
Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë (1976);
·
Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të I-rë për
kontribute të shumëvlerësuar në mësimdhënie dhe për zhvillimin e industrisë
shqiptare; nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore të
Shqipërisë (1986);
·
Mirënjohje nga Universiteti i
Prishtinës për punën në vënien e themeleve dhe zhvillimin e suksesshëm të
procesit mësimor në gjuhën shqipe në Prishtinë, në vitet ’70, Prishtinë, 2002;
· Mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës për merita dhe kontribute të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe avancimin e procesit mësimor dhe shkencor, Prishtinë, 2005.
Përfundim
Prof.
Dr. Burhan Jukniu është pjesë e asaj elite profesorësh që themeluan Fakultetin
e Inxhinierisë (ku bënin pjesë degët mekanike, elektrike, ndërtim, gjeodezi)
të USHT, ku bënin pjesë profesorët, si:
Kiço Negovani, Besim Daja, Zija Këlliçi, Bardhyl Golemi, Fehmi Shehu, Reis Çani,
Kiço Rambi, Adnan Qatipi, Tahir Haxhiymeri, Pëllumb Karaulli, Dhimitër Mihali,
Luan Voshtina, Hysen Agolli, Thanas Gaçe, Ismail Demneri, Bashkim Baholli,
Zyhdi Caslli etj.; që me të drejtë mund të konsiderohen si pionierë të
konsolidimit të shkollës së lartë Universitare Politeknike, e më gjërë.
Prof. Dr. Burhan Jukniu konsiderohet
ndër themeluesit e shkollës shqiptare të termoenergjetikës dhe një nga
pedagogët që hodhën bazat e mësimdhënies së energjetikës në Universitetin e
Tiranës, duke kontribuar në formimin e kuadrove inxhinierike edhe në
Universitetin e Prishtinës. Përveç mësimdhënies, ai ka kontribuar në organizimin e lëndëve mësimore dhe
zhvillimin e plana programeve në fushën e energjetikës dhe
termoteknikës, çka ka ndihmuar në ngritjen e nivelit të edukimit teknik dhe
profesional të inxhinierëve mekanikë në Shqipëri dhe Kosovë. Emri i tij lidhet
me periudhën e zhvillimit të katedrave
moderne në inxhinierinë mekanike, ku ai ka pasur rol udhëheqës
në mësimdhënie dhe administrim akademik.
Prof. dr. Burhan Jukniu konsiderohet Pionier i Gjeotermisë dhe hartues i sistemeve ngrohëse gjeotermale në Shqipëri. Fusha e kërkimit të tij shkencor është mbi studimet për përmirësimin e treguesve energjetikë të TEC-eve; për kogjenerimin, për projekt-idetë e TEC-eve teknologjike, zonat industriale; për bilancet energjetike dhe për shfrytëzimin e energjisë diellore në sistemet e integruara. Ai ka kryer dhe botuar studime të rëndësishme në fushën e termoteknikës dhe energjisë diellore, si dhe ka qenë autor i teksteve akademike të kaldajave dhe pajisjeve termo-energjetike.
Bibliografia
1. Jukniu, B.: “Termoenergjetika.
Termocentralet”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë, Tiranë,
1984;
2. Jukniu,
B.; Demneri, I.; Pema, A.: “Termoteknika:
leksionet e termodinamikës teknike”,
Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1985;
3.
Jukniu, B.: “Termoenergjetika-termodinamika
teknike”, Universiteti i Tiranës, 1985;
4. Jukniu, B.; Agolli, H.; Demneri, I.; Pema, A.:“Termodinamika”,
Botues: SHBLU, Tiranë, 1990;
5. Buletini i shkencave teknike
(1973-1990).
6.
Londo, A.: “Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në
50 vjetorin e tij”, Tiranë, 2002;
7. Guxho, G.: “70 Vjet MCMLI-MMXXI Inxhinieri Mekanike në Shqipëri”, Tiranë, 2021.


