Jahja Drançolli: Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare Akademik Prof. Emin Riza

1h më parë

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare Akademik Prof. Emin Riza, një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale!

Sakrificat e heshtura të pasluftës: Si e mbrojtën Akademik Prof. Emin Riza dhe ekipi kosovar trashëgiminë e Kosovës nga Strasburgu te Kullat e Dukagjinit?

Nga Jahja Drançolli

Në tranzicionet e mëdha politike, vëmendja e opinionit publik priret të përpitet nga debatet e ditës, duke neglizhuar shpesh betejat e heshtura kombëtare që kanë hedhur themelet e shtetësisë sonë. Një nga këto segmente pothuajse të harruara në shtypin tonë është historia heroike e mbrojtjes, dokumentimit dhe kopsitjes ligjore të trashëgimisë kulturore të Kosovës menjëherë pas vitit 1999. Me rastin e shuarjes fizike të Akademikut ikonë, Emin Riza, është detyrë morale dhe institucionale të zbardhim sakrificat e mëdha të një ekipi profesionistësh që punuan në kohë të minuara për të shpëtuar identitetin tonë kulturor.

Kur Kosova doli nga lufta në vitin 1999, institucionet e trashëgimisë ishin të shkatërruara, arkivat e zbrazura dhe monumentet po përballeshin me rrezikun e dyfishtë: rrënimin nga plagët e luftës dhe kaosin e ndërtimeve të egra. Në këtë pikë ktheshe, Akademik Emin Riza barti tërë përvojën e tij të jashtëzakonshme shkencore nga Shqipëria për t’u bërë udhëheqësi dhe mentori i një grupi elitë ekspertësh kosovarë.

Së bashku me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë – Akademik Mark Krasniqin, prof. dr. Fejaz Drançollin, arkeologun Fatmir Peja, arkitektët Njazi Halitin dhe Gjejlane Belegu-Hoxhën, Prof. dr. Masar Rizvanollin, Prof. dr. Gazmend Rizajn, Dr. Arbër Hadrin, e të tjerë – Profesor Emini nisi ngritjen e institucioneve të reja nga hiçi. Ky ekip nuk bëri thjesht punë administrative; ata bënë histori në terren nën kushte të jashtëzakonshme sakrifice.

Beteja për Ligjin në Strasburg dhe Rezistenca Ndërkombëtare!

Një nga kontributet më strategjike të Akademik Rizës dhe ekipit tonë ishte hartimi dhe mbrojtja e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore (Ligji Nr. 02/L-88). Gjatë periudhës së UNMIK-ut, ky ligj nuk ishte thjesht një dokument teknik, por një arenë e vërtetë përplasjeje gjeopolitike. Në Strasburg, pranë Këshillit të Europës, drafteve tona u viheshin filtra të rreptë ndërkombëtarë. Ndërkombëtarët shpesh shtynin përpara agjenda që rrezikonin ta ndanin trashëgiminë mbi baza etnike apo të krijonin zona eksterritoriale.

Në këto tryeza, autoriteti shkencor i Emin Rizës shërbeu si mburojë kombëtare dhe ndërkombëtare (si ekspert i UNESCO-s). Ai dhe ekipi arritën të bindnin ekspertët e Këshillit të Europës se Kosova po ndërtonte një legjislacion modern, europian, por që mbronte me xhelozi integritetin territorial dhe kulturor të monumenteve të saj. Ky ligj mbetet edhe sot vija e parë e mbrojtjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nga Kullat dhe çarshit e Dukagjinit te Kalaja e Prizrenit: Gjurma në Terren!

Kontributi konkret i Profesor Rizës dhe ekipit u shtri në çdo cep të Kosovës. Ishte pikërisht ky grup që përcaktoi kriteret strikte shkencore të konservimit dhe restaurimit emergjent për komplekset më jetike të vendit. Pasioni dhe përkushtimi i tij u derdhën në dokumentimin dhe shpëtimin e Kullave unike të Dukagjinit, Çarshisë historike të Pejës dhe asaj të Gjakovës. Puna e tij la gjurmë të pashlyeshme në studimin e Shtëpisë Qytetare Kosovare, si dhe në restaurimin e komplekseve të vjetra të Prizrenit, përfshirë Kalanë monumentale të Prizrenit. Ai insistonte me ngulm në parimen e ruajtjes së origjinalitetit (autenticitetit), duke luftuar çdo tendencë të rindërtimeve të egra që do të zhvlerësonin vlerën e tyre historike.

Paralelisht, një betejë tjetër e heshtur u zhvillua për thesarin e grabitur. Profesor Riza, bashkë me pjesën tjetër të ekipit tonë, punuan për katalogimin dhe rindërtimin e regjistrave për 1,247 eksponatet arkeologjike dhe etnografike që Institucioni i Dhunshëm serb i instaluar në Muzeun e Kosovës i kishte grabitur dhe dërguar në Beograd. Kjo dosje shkencore e përgatitur prej nesh shërbeu si baza e vetme që detyroi UNMIK-un në vitin 2002 të kthente "Hyjneshën në Fron" dhe mbetet edhe sot dokumenti bazë i kërkesës sonë të panegociueshme për kthimin e pjesës tjetër të thesarit.

"Një Popull, Një Histori": Mesazhi i Vizionarit

Vizioni i Akademik Emin Rizës nuk lindi në pasluftën e vitit 1999; ai ishte i mirëstrukturuar shumë më herët. Që në prill të vitit 1993, në Simpoziumin Ndërkombëtar "Çështja e Kosovës: Një problem historik dhe aktual" të mbajtur në Tiranë, në fjalën e tij hyrëse ai do të deklaronte me një mprehtësi profetike:

"Mos u merr me politikë kur duhet të bësh histori, dhe anasjelltas, kjo është një sentencë e urtë. Historiografia shqiptare, shumë e ideologjizuar, e kishte vënë historinë në shërbim të një ideje aq absurde sa edhe antikombëtare, të maskuar si internacionalizëm donkishotesk. Përkundrazi, historiografia serbe dhe më pas jugosllave, veçanërisht në trajtimin e çështjes shqiptare, gjithmonë ka favorizuar një politizim ekstrem të historisë. Internacionalizmi ynë ishte antikombëtar; politizimi i historisë shqiptare nga serbët, me qëllim spastrimin etnik dhe ekspansionizmin e mëtejshëm, ishte shovinizëm i pastër [...]. Historianët shqiptarë janë të vendosur të kompensojnë kohën e humbur, me përpjekje të bashkërenduara, të cilat tashmë s’i pengon asgjë, duke iu përkushtuar kërkimit të zellshëm dhe metodologjikisht të shëndoshë. Një arritje e madhe, një popull, një gjuhë letrare, duhet domosdoshmërisht të pasohet nga synimi binjak: një popull, një histori [...]."!