Faik Shkodra: Krijuese dhe studiuese e denjë për respekt – Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

1h më parë

KRIJUESE DHE STUDIUESE E DENJË PËR RESPEKT-

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Nga Prof. Dr. Faik Shkodra

Krijimtaria letrare dhe shkencore e prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha shënon vlera të çmuara nga shumë rrafshe të botës artistike, estetike, shkencore dhe kombëtare. Autorja ka bërë emër të zëshëm, si në fushën e letërsisë ashtu edhe në atë të shkencës së historiografisë. Në këto fusha prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha e ka derdhur tërë jetën në hartimin e librave e monografive me të cilat ka bërë mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe ruajtjen e identitetit dhe kulturës kombëtare në të gjitha hapësirat gjeografike shqiptare. Veprat e autores janë një pasuri e madhe shpirtërore e mendore, pasuri e veçantë historike, kulturore e kombëtare.

Profil origjinal në fushë të letërsisë dhe të shkencës së historisë

Në të gjitha veprat autorja vend qendror i ka dhënë kujtesës dhe vetëdijesimit të shqiptarëve si themele kryesore mbi të cilat bëhet ndërtimi i identitetit kombëtar. Dhe, siç është thënë nga një mendimtar, “Kujtesa nuk është thjesht një listë datash apo emrash të ruajtur në tekstet e historisë; është përjetim kolektiv i një populli që ka kaluar nëpër sprova të mëdha për të ruajtur qenien e tij.”

Veprat letrare dhe shkencore të Sabile Keçmezi – Basha me përmbajtjen, temat e motivet që trajtojnë mbeten gjithmonshëm krijime me vlera e mesazhe të qëndrueshme ndaj çdo kohe, si thesare të nevojshme për njerëzimin. Prandaj, pohojmë se krijimtarinë letrare dhe shkencore të prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha nuk e përshkon kurrfarë vjetërsie. Autorja, me kulturën e madhe dhe të gjerë, e ka të qartë të vërtetën se historia gjithmonë sjell të papritura dhe se njeriu duhet të ketë besim për të ruajtur aftësinë dhe shpresën për ditë më të mira. Në veprat e Sabiles në mënyrën më të spikatur është bërë kultivimi i asaj që e quajmë histori, poezi, roman dhe dramë e jetës.

Të shkruash një libër për intelektualen, studiuesen, shkrimtaren dhe shkencëtaren, prof. dr. Sabile Keçmezi - Basha do të thotë të respektosh, të çmosh e të nderosh botën imagjinatave e kulturore të saj, do të thotë të vlerësosh tëranshëm kontributin letrar dhe shkencor të saj, do të thotë të shprushësh gjurmët e saj të kaluara gjatë viteve, gjurmë që shpalosin një përvojë të pasur krijuese, të shndërruar në botën magjike të veprave letrare dhe shkencore. Libri me një zë origjinal ka për qëllim që në rend të parë të shprehë një nderim e përgëzim për personalitetin e autores, e cila me vite ka arritur të ndërtojë profilin e vet origjinal në fushën e letërsisë dhe të shkencës së historisë.

Tërë prodhimtaria letrare shkencore e Sabile Keçmezi – Basha shpalos ndjeshëm kujtesën kolektive dhe historinë e shqiptarëve, me qëllim të kujtimit të së kaluarës tragjike të shqiptarëve, kujtesës që nuk bën të harrohet, sepse, kur të kihen parasysh gjurmët e së kaluarës, në mënyrën më të mirë do të mësojmë se me çfarë sakrificash e vetëflijimesh kemi arritur ta ruajmë identitetin kombëtar, identitet ky i shpërfaqur në trajtën e hulumtimeve arkeologjike dhe hartimit të librave shkencorë të historisë e të veprave letrare në zhanre të ndryshme.

Veprat e Sabiles u ngjajnë yjeve të qiellit, që largohen ngadalë, por nuk shuhen kurrë, sepse prapa lënë dritën për t’i ndriçuar rrugët e shqiptarëve. Sabilja është zotëruese e shkencës dhe gardiane e fjalës së shkruar. Ajo shkruan me një stil të veçantë për shumëçka që e bën bosht trajtimi. Ajo është mjeshtre e çdo shkrimi, të cilitdo lloj qoftë. Ajo shkruan me aftësi, prirje, talent dhe pedanteri dhe, pa e tepruar, veprat e saj mbeten, siç e thonë latinët, vade mecum, i shqiptarizmit, mbeten, thënë në shqip, udhërrëfyese që ndihmojnë njeriun në situata konkrete.

Përmes veprave shkencore të historisë dhe veprave të shumta në numër të zhanreve të shumëllojshme të letërsisë, si romaneve, vëllimeve poetike me poezi për të rritur e për fëmijë e të rinj, dramës, studimeve, librave monografikë e publicistikë, veprave dokumentare, prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha e bën të përtashme thënien e Fridrih Niçes lidhur me librat e mirë se “duhet të jesh një gjeni i zemrës, nga prehja e së cilës secili do të ketë mundësinë të bëhet më i pasur, më i pasur në vetvete, ndoshta më i ndjeshëm, më i thyeshëm nga pasiguritë e furitë, por gjithnjë e gjithnjë i pajisur me vullnet të ri.”

Përmbajtjet e veprave letrare e shkencore e bëjnë autoren njërën ndër krijueset dhe intelektualet e shquara, e cila me potencialin e pasur krijues mban lidhje të qëndrueshme me jetën, me hallet e njerëzve dhe me realitetin shoqëror-historik dhe jetësor. Gjithë veprimtaria letrare e shkencore e autores frymëzohet nga jeta, nga atdheu, nga kujtesa historike dhe nga jehona e bëmave kolektive dhe individuale e popullit, frymëzohet nga dramat, tragjeditë dhe dhimbjet e papërshkrueshme që shqiptarët i përjetuan nga dhuna, tirania, barbaria dhe gjenocidi i shkaktuar nga sundimi barbar e shtazarak i regjimit serb, maqedonas, malazez e grek.

Ngritja mbi dhimbjen

Për krijimtarinë letrare të Sabile Keçmezi – Basha kanë shkruar e kanë folur emra e figura emblematike të letrave shqipe, kanë folur personalitete të njohura të letrave e të kulturës shqiptare, të cilët me fjalë të përzgjedhura kanë bërë lartësimin e figurës e të profilit të Sabile Keçmezi – Basha. Se çfarë vlerash i kanë atribuuar autores në procesin e hartimit të veprave letrare, këtë e dëshmojnë mendimet e vlerësimet e disa prej tyre që po i paraqesim në këtë shkrim.

Studiuesi, kritiku dhe vlerësuesi i poezive së vëllimit “Kohë epileptike” të Sabile Keçmezi – Basha, dr. Emin Kabashi, ndër të tjera, shkruan: “Në një varg poezish, poetesha ka krijuar një rrafsh të ri të komunikimit në mes të realitetit real dhe atij fiktiv; ka krijuar realitetin poetik, që është më jetëgjatë se dy rrafshet e para të mundësisë së komunikimit me jetën. Këto dy rrafshe janë ato nyjat kapërcyell, që e bëjnë poezinë art, sado që arti ka edhe mundësi të tjera, shpalime, mundësi të tjera komunikimi me njerëzit.”

Ndërkaq, për të njëjtin vëllim, dr. Shyqri Galica pohon: ”Vëllimi poetik ‘Kohë epileptike’ i Sabile Keçmezi – Basha është dhe një kronikë e atyre viteve të rënda që përjetoi populli ynë, që sjell dhe mesazhin konkret se përpjekjet shekullore kanë bërë që sot të komunikojmë të lirë dhe të lirë të jetojmë.”

Adem Gashi në shkrimin “Shtjella e skëterrshme” shkruan për dramën “Hadi” dhe, ndër të tjera, thekson: “Shembja e Perandorisë së territ, e Perandorisë së Hadit, në këtë dramë nuk është thjesht aspiratë e autores dhe as optimizëm bosh, por, para së gjithash, rrjedhojë logjike.”

Duke shkruar për vëllimin poetik “Malli për Itakën”, me një titull të goditur për mrekulli, ngritja mbi dhimbjen si njerizimi i shpirtëzimit të fjalës, Shefqet Rexhepi, ndër shumë vlerësime të vlefshme rreth vlerave të poezive të vëllimit dhe përshkrimeve të bukura që shprehin përmallimin ndaj Itakës, shton: “Pra, kur sheh se ka kaluar një rrugë bukur të gjatë duke u ngjitur Olimpit të ëndrrave me shekuj, heroi lirik mbetet i habitur, sall ankth për të ardhmen, me frikë e shqetësim se ç’do të ndodhë ditën e nesërme në këtë vend, që kurrë nuk diti ç’është jeta e qetë.”

Rreth librit “Anatomia e dashurisë”, poezi e përkthyer në gjuhën rumune, Monika Mureshan, ndër shumë vlerësime, ka dhënë edhe këto mendime: “Pasi ia lexova librin ‘Anatomia e dashurisë’, u takova me Sabile Keçmezi – Basha në ëndërr: Kjo muzë e bukur kosovare e kishte vënë tezgën në një breg të universit, nga e shihja duke rrëshqitur mbi do dërrasa të zverdhura, duke recituar mes meje dhe botës së blertë.”

Për të njëjtin vëllim, “Anatomia e dashurisë”, studiuesi dhe përkthyesi Baki Ymeri konstaton se “Fjalët e Sabile Keçmezi – Basha janë fluturime lirike, që kanë magjinë terapeutike, përmes hijeshisë dhe ndjeshmërisë, përmes elegancës me të cilën na fton në një aventurë ekzistenciale të veçantë dhe të guximshme, atë për të qenë ilaç i vetvetes përmes fjalëve dhe imagjinatës.”

Fjalë të rëndësishme e me vlera të veçanta estetike për vëllimin “Anatomia e dashurisë” ka shprehur edhe studiuesi e krijuesi tjetër rumun, Mihal Antonesku, kur shprehet: “Duke bërë fjalë për dashurinë, poetja shfrytëzon teknikat shumë pak të përdorura në tekstet e sivëllezërve të kohës dhe gjeneratës së saj, ngase koncepti i Sabile Keçmezi - Basha ka kuptim sa distributiv po aq është i kapshëm dhe i kuptueshëm përmes peshës dhe rëndësisë, duke synuar shkrirjen, tretjen, bashkëngjitjen me vetveten... Vëllimi respektiv tërësisht është fitore e shpirtit në poezi dhe një poezi e triumfit të kësaj poeteshe të shkëlqyer, e cila na kundron si një zanë dardane me syrin e fjalës së saj të frymëzuar.”

Anasi i autores, Nexhat Rexha, krijues, studiues e vlerësues i njohur i poezisë së Sabile Keçmezi – Basha, duke u bërë një vështrim vëllimeve poetike “Kohë epileptike” e “Nusja e gurtë” dhe vëllimit për fëmijë “Dy lule i ka mami”, ndër të tjera, shton: “Vetëdija kolektive ka ecur përpara dhe kjo e mundon armikun. Vizioni artistik i poeteshës nuk i lë shtegdalje, ia mbyll të gjitha rrugët dhe premton se kësaj radhe maratona e ka marrë flamurin në dorë dhe udhëton për ta ngritur atje ku e ka vendin e merituar.”

Ndihem krenar çfarë nxënëseje kam pasur

Veprën “Një zë origjinal” e shkruaj për faktin se me kujtohen përgjigjet e autores si gjimnaziste, thënë për veprat e krijuesve të letërsisë së vjetër, të Rilindjes dhe të autorëve bashkëkohorë. Në ato përgjigje kishte gjithçka që përkonte me të vërtetën që kishin trajtuar poetët dhe këto dhunti diturore të Sabiles ishin të vërteta, prandaj, duke shkruar veprën e sipërpërmendur, ndihem krenar çfarë nxënëseje kam pasur.

Punën dhe arritjet e Sabiles i kam ndjekur me shumë admirim. Sabilja që në ato vite, përveç ligjeve biologjike të natyrës, i njihte edhe ligjet e artit. Në veprat e saj fiksonin për mrekulli të vërtetat se zhvillimin e kombit shqiptar nuk mund ta ndalë asnjë pushtues. Këto mendime dhe ide, të shpërfaqura në syzhetë e veprave të Sabiles, e vënë lexuesin në dijeni se autorja profilin e vet e ka ndërtuar përmes punës së lodhshme dhe të pandalshme, duke i dhënë rëndësi gjuhës dhe kulturës kombëtare. Ashtu siç porosiste i madhi Naim Frashëri në veprën “Mësime”, “E par’ e gjithë mbrothësive q’i duhen një kombi, është gjuhë e Mëmëdheut. Gjuha bashkon kombin, e ndriton, e nxjerr nga errësira, shpirtin e mendjen, e lartëson vetiajat, i sbukuron vetëdijen e njohën e lulëzon, vëllezërinë e shton dhe miqësinë e shumëzon. Gjuhë e një kombi s’është ndaluar as mund të ndalohet kurrë (Naim Frashëri Vepra 5, Rilindja, Prishtinë, 1978, faqe 41).

Natyrisht, vlerat që i përshkojnë veprat letrare e shkencore të Sabile Keçmezi – Basha dëshmojnë se autorja është krijuese që me një seriozitet të llojit të veçantë, me ndjeshmëri, vizion dhe shpirtorësi i vëzhgon problemet që manifestohen në jetën shoqërore, probleme që i hulumton, i analizon, duke ndërtuar brenda veprës një vetëdije sipas porosisë se stilistit më të spikatur në letrat shqipe, Faik Konicës, që me kohë kishte porositur: “Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, por me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur dhe kur në kulm bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdije që i hapi një udhë të re popullit.”

Në këtë vijë të mendimeve nuk mungojnë as fjalët më të çmuara të personaliteteve të shkencës, kulturës e të veprave të autorëve të njohur gjithandej trojeve shqiptare për punën e frytshme të Sabile Keçmezi – Basha. Duke i pasur parasysh këto vlerësime, në mënyrë asociative të ndërmendet thënia e Maksimilian Lambercit për figurën e Gjergj Fishtës: “Koha e ardhme do të dijë ta çmojë më mirë rëndësinë e këtij njeriu.”

Fjalët e Maksimilian Lambercit kanë një domethënie të madhe për emrin e veprën e Fishtës, por mund t’i atribuohen edhe Sabile Keçmezi – Basha, kur dihet se veprat e saj, përveç në gjuhën rumune, janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, si: frëngjisht, suedisht, anglisht, italisht, gjermanisht dhe arabisht. Përkthimet e disa veprave të autores në gjuhët e sipërthëna janë dëshmi që flasin se emri i autores i ka tejkaluar kufijtë kombëtarë dhe se veprat e saj përshkohen me vlera të larta artistike, estetike në kulturën dhe shkencën e historisë shqiptare, prandaj, falë vlerave ideore dhe stilistike që bartin veprat e saj, emri i saj ka marrë famën e merituar. Si krijuese me individualitet të shquar, i ka kapërcyer kufijtë e Kosovës dhe është bërë emër ndërkombëtar.

Lidhje të pashkëputura me fatin e popullit

Ky afirmim i autores do lidhur edhe me faktin se në të gjitha veprat letrare e shkencore autorja me një ideal të pathyeshëm mban lidhje të pashkëputura me fatin e popullit, me rrjedhat historike nëpër të cilat ka kaluar, mban lidhje me realitetin e kohës dhe me tokën ku jeton. Këto lidhje e bëjnë emrin dhe veprën e saj të respektuar dhe shembull të një krijueseje me ideale e moral të lartë kombëtar.

Autorja në veprat letrare e shkencore ka dëshmuar se në përdorimin e fjalës mban përgjegjësi. Kjo përgjegjësi ka bërë që fjala e përdorur në vepra nuk ka funksion të dekorit, por ka peshën e duhur të kuptimit e të mendimit. Po t’i analizojmë hollë e hollë veprat e Sabile Keçmezi – Basha do të bindemi se ajo me aftësi zotuese e kulturë gjuhësore ka arritur ngjashëm me gjuhëtarët emërmëdhenj t’u japë fjalëve një zgjerim më të madh leksikor sesa ato mbajnë në shprehje të zakonshme. Pikërisht kuptimin më të pasur të përdorimit të fjalëve autorja e ka dëshmuar në aspektin figurativ, ritmik, eufonik, melodik; estetik, simbolik dhe ideoartistik e ideoshkencor. Përmes përdorimit me veçanësi gjuhësore të fjalës, autorja e ka pasuruar gjuhën me shprehje të pasura, me ide të reja, me mendime të thella dhe në këtë mënyrë e ka rritur kulturën e komunikimit tonë kombëtar.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto merita e vlera të autores, vetvetiu të bëhen të përtashme mendimet e Frank Shkrelit, kur shkruan për Naimin e Fishtën, si dy kolosë të mëdhenj të letërsisë kombëtare: “Pa këta njerëz dhe pa rilindësit e tjerë, Faik Konicën, Luigj Gurakuqin, Mit’hat Frashërin, Ndre Mjedën apo Ernest Koliqin e Martin Camajn (unë do të shtoja edhe pa Ismail Kadarenë, Rexhep Qosjen, Adem Demaçin, Dritëro Agollin) kombit shqiptar do t’i mungonte vetë themeli i identitetit të tij. Do t’i mungonte gjuha shqipe e kultivuar, vetëdija kombëtare, ndjenja patriotike, arsimi kombëtar, kultura evropiane dhe rezistenca shpirtërore ndaj asimilimit.”

Autorja ka shkruar për guximin dhe dashurinë e të burgosurve, të përndjekurve politikë dhe i ka bërë një vlerësim në shkallë të lartë kontributit të tyre në çështjet kombëtare. Ajo i ka skalitur si njerëz të çeliktë, të farkëtuar nga guximi dhe dashuria për atdheun. Emrat e tyre kanë peshë të madhe për brezat e sotëm e të nesërm. Ata janë historia jonë më e ndritshme. Ne sot duhet t’u përkulemi veprave që i kanë falur atdheut.

Në veprat historiko-letrare Sabilja nuk sjell ide e mendime që mund t’i quajmë moralizime, por sjell mendime e pikëpamje me të cilat duhet të ndërtohet përbashkësia shqiptare dhe të formohet ndjenja e fortë kombëtare si vlerë e një atdhetarizmi modern shqiptar.

Çështja kombëtare - mbi të gjitha çështjet e tjera

Sabile Keçmezi – Basha, ngjashëm me gjuhëtarët emërmëdhenj, që nga Rilindja e deri në ditët e sotme, përmes veprave historike e poetike i ka dhënë gjuhës një shkëlqim që lidhet me bukurinë, thjeshtësinë dhe elegancën e shprehjes. Në veprat e Sabiles, me sa kam arritur të kuptoj, mendimet idetë dhe pikëpamjet e shprehura ruajnë koherencën.

Tërë krijimtaria shkencore e letrare e Sabile Keçmezi – Basha kryekëput ka kryefjalë lëvizjet kombëtare, veprat e saj janë shkëndija që ndezin vetëdijen për një përgjegjësi kulturë e ndërgjegje më të madhe ndaj çështjes kombëtare. Autorja nuk tregohet zemërngushtë ndaj popujve të tjerë, ajo gjithandej veprave dëshmohet internacionaliste dhe lumturinë e përparimin e popullit shqiptar nuk e sheh në fatkeqësinë e popujve të tjerë. Megjithëkëtë, çështja kombëtare për autoren mbetet mbi të gjitha çështjet e tjera.

Duke i pasur parasysh vlerat e tërësishme të veprave studimore dhe artistike të autores, në mënyrën më të natyrshme ato përkojnë me mendimet e studiueses së shquar të gjuhës shqipe, prof. dr. Shefkije Islamaj, thënë për vjershën “Qielli” të Naimit: “Megjithatë, në Shqipërinë e topave, në Shqipërinë e lodhur e të brishtë, në Shqipërinë që po përpëlitej t’i marrë këmbët nga zinxhirët e rëndë të shekujve otomanë, një muzë, për fat jo vetëm e vetmja, po shpaloste mrekullueshëm botën e vet mendore e ndjenjore, po shpaloste dashurinë, dëshirat e vizionet për trinomin e shenjtë: Shqipëri, shqiptarë, liri. (Shefkije Islamaj, Poezia “Qielli” e Naimit, model i gjuhës shqipe, Stili, 1997, ShShShM – Tetovë 1998, faqe 90).

Veprat e Sabile Keçmezi – Basha bartin elemente të shumta të zgjuarsisë nacionale e shoqërore, bartin elemente të bollshme artistike, didaktike dhe edukative. Elemente të tilla morale, kombëtare duhet të përcillen brez pas brezi me qëllim të forcimit të vetëdijes kombëtare dhe krenarisë liridashëse. Janë të shumta arsyet që veprat letrare dhe sidomos ato historike të Sabiles duhet të lexohen e të rilexohen nga lexuesit, sepse ato nuk përshkohen vetëm me vlera historiko-letrare, kulturore e gjuhësore, por mbi të gjitha përshkohen edhe me vlera politike e kombëtare.

Në fund, po shtojmë se ajo që më ka frymëzuar t’i kushtoj librin “Një zë origjinal” autores është e vërteta se në gjithë librin kryepersonazh e kam bërë ish-nxënësen time me tipare e vlera të panumërta, e cila me veprimtarinë krijuese është bërë emër që nderon fushën e letërsisë, të shkencës dhe të arsimit. Uroj nga zemra që autorja të ketë jetë të gjatë e frymëzim të thellë dhe me hartimin e veprave të reja ta pasurojë fondin me libra letrarë e shkencorë, sepse, siç thuhet në raste të këtilla, jeta e një krijueseje a krijuesi nuk matet me vitet që ka kaluar, por me opusin letrar e shkencor që lë pas.

Do të dëshiroja që këtë shkrim për prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha dhe krijimtarinë letrare dhe shkencore të saj ta përmbyll me fjalët e shkrimtarit të madh të letërsisë më të re moderne shqipe, Ismail Kadaresë, thënë për librin e Çabejt në parathënien që e ka shkruar: “Libri për Eqrem Çabejn, shkruar nga Prof. Shaban Demiraj, i bie në duar lexuesit shqiptar në një kohë që i duhet më shumë se kurrë. Sepse në orët plot trysni të një kombi, atëherë kur dikush rreket t’i sulmojë themelitë: gjuhën, kulturën, artin dhe mendësinë e tij, figura të tilla si ajo e Eqrem Çabejt ndriçohen edhe më fort, një lloj siç ndriçohen prej vetëtimave në kohë furtune malet e larta.”

Le të bëhen vetëtima edhe veprat e Sabile Keçmezi – Basha në ndriçimin e rrugëve më të ndritshme të popullit shqiptar në të gjitha fushat.