Musa Sabedini: Portreti letrar, kombëtar dhe kulturor i Mehmetali Rexhepit
PORTRETI LETRAR, KOMBËTAR DHE KULTUROR I MEHMETALI REXHEPIT
Mehmetali
Rexhepi – shkrimtari që e ktheu rezistencën në letërsi dhe fjalën në mision
kombëtar

Ka personalitete që lënë gjurmë në
historinë e një vendi me funksione publike, dhe ka të tjerë që ndërtojnë
historinë përmes fjalës, dijes dhe qëndresës. Në këtë plejadë bën pjesë
shkrimtari, eseisti, studiuesi dhe veprimtari i çështjes kombëtare Mehmetali M.
Rexhepi, një nga figurat më përfaqësuese të jetës letrare dhe kulturore të
Gjilanit dhe Kosovës. Sot, pas dekadash sakrifice, Mehmetali Rexhepi vlerësohet
si një prej personaliteteve më të veçanta të jetës letrare dhe intelektuale
shqiptare. Ai nuk ndërtoi vetëm një opus të pasur krijues, por la edhe një
testament moral se njeriu mund të burgoset fizikisht, por kurrë nuk mund t’i
burgoset mendimi, dinjiteti dhe dashuria për atdheun.
Në këtë kuptim, ai mbetet një simbol i
rezistencës intelektuale dhe një zë i ndërgjegjes kombëtare, që vazhdon të
frymëzojë brezat me veprën dhe shembullin e tij.
NGA QELITË E FTOHTA TE TEMPULLI I LETËRSISË
- RRUGËTIMI I PATHYESHËM I MEHMETALI REXHEPIT
Ka njerëz që historia i sprovon me
burgje, përndjekje dhe heshtje e imponuar, por që asnjëherë nuk arrin t’i
thyejë. Njëri prej tyre është krijuesi, studiuesi dhe veprimtari i çështjes
kombëtare, Mehmetali Rexhepi, i cili e jetoi një pjesë të jetës nën trysninë e
regjimit jugosllav, duke kaluar nëpër qeli të ftohta, përndjekje politike,
largim nga puna dhe privime të shumta. Megjithatë, ai nuk e humbi kurrë besimin
se Kosova do të bëhej një ditë shtet i lirë dhe i pavarur. Pikërisht kjo bindje
e mbajti të fortë në vitet më të vështira të jetës së tij.
Për Rexhepin, letërsia nuk ishte vetëm
art, por mënyrë mbijetese, akt rezistence dhe frymëmarrje shpirtërore. Kur
pushteti ia mbyllte dyert e institucioneve, ai hapte dritaret e mendimit përmes
poezisë, prozës, eseistikes dhe kritikës letrare. Shkrimi u bë arma e tij më e
fuqishme, ndërsa fjala e lirë u shndërrua në dëshminë më të fortë se idealet
nuk burgosen dhe se kultura është forma më fisnike e qëndresës.
Sot, pas dekadash sakrifice, Mehmetali
Rexhepi vlerësohet si një prej personaliteteve më të veçanta të jetës letrare
dhe intelektuale shqiptare. Ai nuk ndërtoi vetëm një opus të pasur krijues, por
la edhe një testament moral se njeriu mund të burgoset fizikisht, por kurrë nuk
mund t’i burgoset mendimi, dinjiteti dhe dashuria për atdheun. Në këtë kuptim,
ai mbetet një simbol i rezistencës intelektuale dhe një zë i ndërgjegjes
kombëtare, që vazhdon të frymëzojë brezat me veprën dhe shembullin e tij.
I lindur më 4 korrik 1951 në Gjilan,
Rexhepi i përket brezit të intelektualëve që paguan një çmim të lartë për
idealet kombëtare. Për shkak të bindjeve të tij patriotike, ai u burgos, u
përndoq politikisht, u largua nga puna dhe iu mohua për vite me radhë e drejta
për të ushtruar profesionin. Megjithatë, asnjë nga këto pengesa nuk e largoi
nga misioni i tij për arsimin, kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Studimet në Albanologji në
Universitetin e Prishtinës i përfundoi me ndërprerje, pikërisht për shkak të
represionit politik të kohës. Më pas, iu përkushtua edukimit të brezave si
profesor, duke lënë gjurmë të veçanta në arsimin e mesëm dhe duke drejtuar edhe
Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.
Veprimtaria e Mehmetali Rexhepit nuk
kufizohet vetëm në krijimtarinë letrare. Ai ishte ndër themeluesit e Klubit
Letrar “Rexhep Elmazi”, një nga institucionet më të rëndësishme të rezistencës
kulturore në vitet e okupimit serb, si dhe një nga themeluesit e Shoqatës
Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” në Gjilan. Po ashtu, ai ishte pjesë aktive e
lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, mbrojtjen e arsimit shqip dhe organizimin e
jetës kulturore në periudhat më të vështira për Kosovën.
Në fushën e letërsisë, Mehmetali
Rexhepi është autor i një opusi të pasur që përfshin poezi, prozë, ese, kritikë
letrare, publicistikë dhe studime monografike. Veprat e tij, ndër të cilat
spikasin “Frymë e fërguar mynxyrave”, “Enigma e magjikes”, “Hirësia e Motit”,
“Hirësi e flluskuar”, studimi “Selatin Novosella – Kronisti i malbrezave” dhe
romani “Lëkura e gurit”, dëshmojnë një krijues që i ka qëndruar besnik cilësisë
më shumë se sa sasisë.
Shkrimet e tij janë vlerësuar nga kritikë
të njohur të letërsisë shqipe për origjinalitetin, gjuhën e pasur, mendimin
analitik dhe stilin modern. Studiues si: Shefik Shkodra, Prend Buzhala, Hysen
Matoshi, Faik Shkodra, Sherafedin Kadriu e të tjerë e kanë cilësuar Mehmetali
Rexhepin si një nga zërat më autentikë të kritikës, eseistikes dhe poezisë
bashkëkohore shqiptare.
Përtej librave, ai mbetet një model i
intelektualit që nuk e ndau kurrë krijimtarinë nga përgjegjësia qytetare. Për
dekada me radhë ka promovuar kulturën e leximit, ka organizuar qindra
aktivitete letrare, ka mbështetur autorët e rinj dhe ka qenë një prej shtyllave
të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, duke kontribuuar në ruajtjen e
kujtesës historike dhe identitetit kulturor shqiptar.
Sot, Mehmetali Rexhepi vazhdon të
shkruajë, të studiojë dhe të jetë një referencë e rëndësishme e mendimit letrar
shqiptar. Ai përfaqëson profilin e intelektualit që e ndërtoi jetën mbi tri
shtylla të pandashme: atdhedashurinë, arsimin dhe letërsinë. Në një kohë kur
vlerat shpesh relativizohen, emri i tij mbetet sinonim i integritetit, kulturës
dhe përkushtimit ndaj fjalës së shkruar.
NGA BURGJET E REGJIMIT JUGOSLLAV TE
PANTEONI I INTELEKTUALËVE SHQIPTARË
Mehmetali Rexhepi është ndër ata
intelektualë që idealin kombëtar nuk e mbrojtën vetëm me fjalë, por edhe me
sakrificë personale. Për veprimtarinë e tij atdhetare, gjatë viteve ’70, ’80
dhe ’90 ai u përball me represionin e regjimit jugosllav, duke u burgosur, duke
u larguar nga puna dhe duke u përjashtuar nga institucionet e Kosovës së asaj
kohe.
Megjithatë, asnjë formë persekutimi nuk
arriti ta largojë nga rruga e angazhimit kombëtar. Ai ishte pjesë aktive e
proceseve historike që shënuan ndërgjegjësimin e shqiptarëve, nga pajtimi i
gjaqeve dhe rezistenca kulturore e politike, deri te veprimtaria humanitare dhe
mbrojtja e arsimit shqip. Paralelisht, ndërtoi një profil të rrallë
intelektuali, duke dhënë kontribut të çmuar si pedagog, poet, prozator,
studiues, kritik letrar, eseist dhe publicist, me një veprimtari që tejkalon
kufijtë e krijimtarisë dhe shndërrohet në dëshmi të një jete të përkushtuar
ndaj kombit dhe kulturës shqiptare.
NJË OPUS LETRAR QË NDËRTOI IDENTITET:
MEHMETALI REXHEPI, KRIJUESI QË I DHA PESHË FJALËS SHQIPE
Rrugëtimi krijues i Mehmetali Rexhepit
nisi që në bankat e shkollës, kur si nxënës i klasës së shtatë hodhi hapat e
parë në letërsi me poezi. Me kalimin e viteve, krijimtaria e tij mori përmasa
më të gjera, duke u shtrirë në poezi, prozë, kritikë letrare, eseistikë dhe
publicistikë, fusha në të cilat ai ndërtoi një identitet të veçantë artistik
dhe intelektual.
Ndër botimet e para spikat vëllimi
“Agurrona” (1993), i realizuar së bashku me poetin Shefik Shkodra, i cili
përfshin poezi, prozë dhe vështrime kritike. Më pas pasuan vepra që dëshmojnë
pjekurinë e tij krijuese, si “Frymë e fërguar mynxyrave” (1997), “Kohëngjeshje
bamirësie” (2000), në bashkautorësi me Sherafedin Kadriun, “Enigma e magjikes”
(2011), “Hirësia e Motit” (2017), studimi monografik “Selatin Novosella –
Kronisti i malbrezave” (2017), si dhe përmbledhja poetike “Hirësi e flluskuar”
(2018).
Edhe pse ka krijuar një numër të madh
dorëshkrimesh në poezi, prozë, kritikë letrare, eseistikë dhe publicistikë,
Mehmetali Rexhepi nuk i ka përkitur autorëve që synojnë botime të shpeshta. Ai
ka zgjedhur që çdo vepër të jetë rezultat i një procesi të gjatë reflektimi dhe
përpunimi artistik, duke e vendosur cilësinë mbi sasinë.
Krijimtaria e tij është vlerësuar në
konkurse të ndryshme letrare në Kosovë dhe është bërë pjesë e revistave
kulturore e artistike në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, si dhe në
platforma të njohura elektronike, ndër të cilat veçohet “Ars Poetica”.
Studiuesit dhe kritikët e letërsisë
shqiptare kanë vlerësuar veprën e Mehmetali Rexhepit për origjinalitetin e
mendimit, risitë hulumtuese, gjuhën e pasur artistike dhe ndërtimin figurativ e
stilistik. Për ta, ai përfaqëson një zë autentik të letërsisë bashkëkohore
shqiptare, ndërsa anëtarësimi i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës
përforcon statusin e tij si një nga krijuesit e respektuar të skenës letrare
kombëtare.
KUR FLET KRITIKA LETRARARE: MEHMETALI
REXHEPI, NJË NGA ZËRAT MË ORIGJINAL TË LETËRSISË SHQIPE BAHKËKOHORE
Vlera e një krijuesi nuk matet vetëm me
numrin e veprave që boton, por edhe me mënyrën se si ato priten dhe interpretohen
nga kritika letrare. Në rastin e Mehmetali Rexhepit, studiues, kritikë dhe
njohës të letërsisë shqipe e kanë renditur ndër autorët me individualitet të
spikatur artistik, duke vlerësuar origjinalitetin e mendimit, gjuhën e pasur
dhe kërkimin e pandërprerë estetik.
Shkrimtari dhe studiuesi Shefik Shkodra
e konsideron Rexhepin një personalitet shumëdimensional, për të cilin nevojitet
një studim i veçantë për të përmbledhur gjithë kontributin kombëtar, kulturor
dhe letrar. Sipas tij, pavarësisht pengesave politike dhe censurës që e
shoqëruan për dekada, krijimtaria e Mehmetali Rexhepit mbetet e dendur, e
përpunuar me mjeshtëri dhe me një individualitet poetik që e dallon në
letërsinë moderne shqiptare.
Edhe studiuesi Tahir Arifi vë në pah
origjinalitetin e shprehjes artistike të autorit, duke theksuar se shkrimet e
Rexhepit karakterizohen nga mendimi i thellë, ndjenja e fuqishme dhe një gjuhë
shpesh eksperimentale, e ndërtuar me përpikëri dhe saktësi të admirueshme,
qoftë në letërsi, kritikë apo publicistikë.
Njohësi i letërsisë Sherafedin Kadriu e
cilëson Mehmetali Rexhepin si një eseist dhe kritik me aftësi të rralla
analitike, i cili nuk kufizohet vetëm në interpretimin e veprës letrare, por
zhvillon një dialog krijues me tekstin, duke e shndërruar analizën në një
proces të ri artistik.
Në të njëjtën linjë, studiuesi Faik
Shkodra e rendit Rexhepin ndër krijuesit dhe mendimtarët më aktivë të brezit të
tij. Ai veçon sidomos librin “Enigma e magjikes”, i cili, sipas tij, tërhoqi
vëmendjen e kritikës shqiptare për nivelin e lartë teorik dhe interpretues.
Ndërkaq, akademiku dhe kritiku Prend
Buzhala e përshkruan Mehmetali Rexhepin si një kritik të pasionuar të së
bukurës dhe të vlerave artistike. Sipas tij, tekstet e autorit janë rezultat i
një leximi të thellë dhe i një mendimi krijues që ndërthurë traditën letrare,
historinë, filozofinë, religjionin dhe albanologjinë në një sistem të pasur
interpretues.
Vlerësime të veçanta ka dhënë edhe
studiuesi Nehas Sopaj, i cili e konsideron trajtesën “Arkitekturë e pa pushtuar”
si një nga analizat më të plota kushtuar fenomenit letrar të Beqir Musliut,
duke e cilësuar atë një ese model për mënyrën e ndërtimit kritik.
Një tjetër vlerësim me peshë vjen nga
Prof. Dr. Hysen Matoshi, i cili nënvizon se një nga veçoritë më dalluese të
Mehmetali Rexhepit është prirja për të shmangur klishetë dhe standardizimin e
ligjërimit. Sipas tij, autori ndërton një mënyrë origjinale të të shkruarit,
duke krijuar një stil të veçantë që pasuron kulturën letrare shqiptare dhe hap
horizonte të reja interpretimi.
Në tërësi, kritika letrare shqiptare
është pothuajse unanime në vlerësimin se Mehmetali Rexhepi nuk është vetëm
poet, prozator, eseist dhe kritik, por një ndër individualitetet më autentike
të mendimit letrar bashkëkohor shqiptar. Përmes një krijimtarie të ndërtuar mbi
reflektimin estetik, kulturën e gjerë dhe përkushtimin ndaj fjalës artistike,
ai ka krijuar një profil të veçantë në letërsinë shqipe, duke lënë gjurmë që
tejkalojnë kohën dhe brezat.
URIME DITËLINDJEN, PROFESOR MEHMETALI
REXHEPI!
Sot, më 4 korrik, shënohet ditëlindja e
njërit prej emrave më të respektuar të letërsisë, publicistikës dhe mendimit
intelektual shqiptar, Mehmetali Rexhepit.
Jeta juaj nuk është shkruar vetëm me
vite, por me sakrifica, qëndresë, ideal dhe krijimtari. Ju i përballuat
burgjet, përndjekjet dhe padrejtësitë pa e përkulur kurrë shpirtin, duke besuar
se fjala e lirë dhe e vërteta do të triumfonin mbi dhunën. Kur shumëkush heshti
nga frika, ju zgjodhët të flisni me penë; kur pushteti përpiqej ta burgoste
mendimin, ju e shndërruat letërsinë në strehë të lirisë dhe shpresës.
Me veprat tuaja keni pasuruar letërsinë
shqipe, ndërsa me jetën dhe karakterin tuaj keni dëshmuar se dinjiteti është
vlera më e madhe e një intelektuali. Breza të tërë do t’ju kujtojnë si mësuesin
që edukoi me dije, si krijuesin që ndërtoi ura mendimi dhe si atdhetarin që nuk
e ndau kurrë fatin e tij nga fati i Kosovës.
Ju urojmë shëndet të plotë, jetë të
gjatë, frymëzim të pashtershëm dhe vite të mbushura me qetësi krijuese. Pena
juaj le të vazhdojë të ndriçojë mendjet e lexuesve dhe të mbetet dëshmi e
gjallë se arti, kultura dhe dashuria për atdheun janë vlera që i rezistojnë
kohës.
Gëzuar 75-vjetorin e lindjes, profesor
Mehmetali Rexhepi! Qofshin vitet që vijnë po aq fisnike sa rrugëtimi juaj dhe
po aq të pasura sa trashëgimia që i keni lënë kulturës shqiptare!
RAJONI PRESS, E shtunë, më 4 korrik
2026


