Ilir Çumani: Havzi Nela – koha që vrau njeriun dhe historia që e mban gjallë poetin

1h më parë

HAVZI NELA - KOHA QË VRAU NJERIUN DHE HISTORIA QË E MBAN GJALLË POETIN

(Përsiatje mbi lirinë, frikën, dinjitetin, kujtesën dhe përgjegjësinë tonë kolektive)

Nga Ilir Çumani

Më 10 gusht të vitit 1988, në motet dhe grahmat e fundit të një prej diktaturave më të egra të bllokut komunist të Lindjes, në një qytet verior të Shqipërisë së izoluar nga bota e qytetëruar prej afro 45 vjetësh, pikërisht në Kukës, u var një NJERI…

Nuk ishte kriminel, nuk ishte vrasës dhe as një grabitës. U var një mësues dhe një poet vetëm pse kishte guxuar të mendonte ndryshe. Quhej Havzi Nela.

Ka ekzekutime që i përkasin drejtësisë penale, ashtu siç ka edhe ekzekutime monstruoze që i përkasin skutave më të errëta të politikës në katakombe. Dhe këto ekzekutime, pavarësisht se si i quan ligji i kohës, në kujtesën e një kombi mbeten si rituale të pushtetit.

Atë ditë, në atë trekëmbësh, nuk u ekzekutua vetëm një njeri, por u tentua të ekzekutohej një ide: se njeriu mund të jetë i lirë edhe atëherë kur shteti ia ka marrë lirinë. Pra, u tentua të vritej fjala dhe të trembej jo vetëm një qytet, por një Shqipëri e tërë e rrethuar me tela me gjemba përgjatë gjithë vijës së saj kufitare; një Shqipëri e mbyllur, e izoluar dhe e shkëputur në mënyrë absurde nga bota e qytetëruar.

Me këtë ekzekutim monstruoz, u mësohej të gjallëve se çfarë i priste të gjithë ata që do të guxonin të mos përkuleshin.

Por diktatura, në kulmin e arrogancës së saj, nuk mundi të kuptonte një të vërtetë që historia do t’ia mësonte shumë shpejt: mund të varësh një njeri, por nuk mund të varësh përgjithmonë një të vërtetë.

Trupi i Havzi Nelës u la të varej në Kukës, por fjala e tij mbeti; dhe bashkë me të mbeti edhe pyetja që, pas 38 vitesh, vazhdon të na ndjekë:

Pse kishte kaq shumë frikë një shtet nga një poet…?!

Havzi Nela ishte poet dhe mësues. Ishte njeri i varfërisë dhe i vuajtjes, i burgut dhe i internimit, i përndjekjes dhe i vetmisë. Ishte një njeri që kishte provuar në trupin e vet pothuajse të gjithë mekanizmin represiv të diktaturës shqiptare. Dhe në fund u var publikisht.

Por historia e këtij martiri të fjalës së lirë nuk fillon te trekëmbëshi dhe as nuk përfundon aty, ngase pyetja që duhet t’i bëjmë historisë nuk është vetëm pse u var Havzi Nela, por pse një shtet kishte nevojë të varte një poet?

Një poet nuk ka ushtri, as tanke dhe as polici. Nuk ka burgje dhe gjykata. Nuk ka as administratë dhe as pushtet. Poeti ka vetëm FJALËN; dhe pikërisht këtu fillon të kuptohet tragjedia e Havzi Nelës.

Afërmendsh, diktatura nuk kishte frikë nga fuqia e tij fizike, por nga liria e tij e brendshme.

Njeriu përpara se të bëhej simbol

Para se historia ta quante disident, martir apo simbol të fjalës së lirë, Havzi Nela ishte një njeri. Ishte një fëmijë që mbeti jetim herët, një djalë që njohu varfërinë. Ishte një i ri ëndërrimtar që kërkoi dijen; një mësues dhe një poet si Ai, një burrë që ndërtoi jetën e tij në një vend dhe në një kohë ku shteti kërkonte të përcaktonte jo vetëm se çfarë duhej të bëje, por edhe çfarë duhej të mendoje.

Kjo është e rëndësishme, sepse diktaturat kanë një paradoks të madh: pretendojnë se e çlirojnë njeriun nga padrejtësia, por në emër të këtij “çlirimi” i marrin njeriut të drejtën themelore për të qenë individ.

Havzi Nela nuk ishte i rrezikshëm sepse kishte pasuri dhe as sepse kishte pushtet. Nuk ishte i rrezikshëm sepse drejtonte njerëz, por ishte i rrezikshëm sepse mendonte si njeri i lirë… Dhe mendimi individual është gjithmonë fillimi i fundit për një pushtet që kërkon bindje absolute.

Kur pushteti i vë njeriut një etiketë

Një nga mekanizmat më të fuqishëm të diktaturës është gjuha. Para se të persekutohet një njeri, ai duhet të përkufizohet: nuk është më Havzi, por është “armik”. Nuk është më mësues, por është “element”. Nuk është më poet, por është “agjitator”. Nuk është më as qytetar, por është “rrezik për rendin”.

Kjo zhveshje gjuhësore nuk është aspak rastësore, por e bën më të lehtë “argumentin” për të ushtruar dhunë ndaj një individi antikonformist, sepse është më e vështirë të torturosh një njeri që e sheh si njeri, dhe më e lehtë të ndëshkosh një “armik”, të burgosësh një “element”, të vrasësh një “rrezik”.

Prandaj diktatura duhet ta vriste fillimisht njeriun në gjuhë. Trekëmbëshi vinte më pas. Por kishte një problem.

Havzi Nela nuk pushoi së qeni njeri. Dhe sot, kur e kujtojmë, nuk e kujtojmë siç e quajti regjimi. E kujtojmë me emrin e tij: HAVZI NELA.

Kjo është një nga humbjet e para të diktaturës, e cila mund ta etiketonte, por nuk mund ta ripërcaktonte përgjithmonë.

Burgu nuk ishte vetëm mbyllje e trupit

Nëntëmbëdhjetë vite burg dhe pesë vite internim nuk janë vetëm një numër, janë pothuajse një jetë. Një pjesë e rinisë. Një pjesë e moshës së pjekurisë. Vite të marra nga familja, puna, shoqëria dhe liria.

Por burgu politik ka një funksion më të thellë sesa izolimi fizik. Ai përpiqet ta bindë njeriun se rezistenca është e kotë, se sistemi është më i fortë dhe se individi nuk ka rëndësi, se fjala nuk ndryshon asgjë dhe heshtja është e vetmja mënyrë për të mbijetuar.

Kjo është psikologjia e terrorit që nuk ka nevojë të ndëshkojë të gjithë. Mjafton të ndëshkojë disa dhe t’i bëjë të tjerët ta imagjinojnë veten në vendin e tyre.

Një njeri burgoset. Një familje trembet.

Një lagje hesht. Një koleg mendon dy herë para se të flasë. Një mik fillon të ruhet. Një mësues mëson të mos thotë gjithçka që mendon, dhe kështu frika përhapet pa pasur nevojë të trokasë në çdo derë.

Në një pikë të caktuar, shteti nuk ka më nevojë të kontrollojë çdo mendje, sepse njeriu fillon ta censurojë vetveten. Ky është “triumfi” psikologjik i diktaturës.

E, pikërisht për këtë arsye, rezistenca e një njeriu si Havzi Nela merr një dimension të jashtëzakonshëm, sepse ai nuk pranoi që burgu t’i bëhej identitet.

Mësuesi që regjimi e ktheu në paralajmërim

Ka një simbolikë të rëndë në faktin se Havzi Nela ishte mësues. Mësuesi është ai që i mëson brezit të ardhshëm të lexojë botën dhe diktatura e dinte këtë.

Prandaj shkolla ishte një nga fushat më të rëndësishme të kontrollit ideologjik. Por mësuesi i vërtetë nuk mëson vetëm tekstin e programit, por edhe mënyrën e të menduarit.

E, pikërisht kjo është ajo që pushteti absolut nuk e toleron, sepse nëse një fëmijë mëson të pyesë “pse?”, atëherë një ditë mund të pyesë edhe: Pse duhet të bindem?

Pyetja e dytë është shumë më e rrezikshme, sepse nga ajo mund të lindë qytetari. Prandaj vdekja publike e një mësuesi kishte edhe një funksion pedagogjik të përmbysur. Ajo u tregonte të tjerëve:

Mos bëni si ai. Mos mendoni ndryshe.

Mos flisni dhe mos kundërshtoni. Mos e provoni kufirin dhe mos e kërkoni lirinë. Në këtë kuptim, trekëmbëshi i Kukësit ishte edhe një klasë, por ishte një klasë ku mësimi bëhej me frikë.

Poeti që regjimi nuk mundi ta heshtte

Në çdo diktaturë ekziston një luftë e heshtur midis propagandës dhe kujtesës. Propaganda kërkon ta përcaktojë realitetin. Letërsia kërkon ta përjetojë atë. Propaganda thotë çfarë duhet të mendosh. Poezia mund të të bëjë të ndjesh atë që pushteti dëshiron të mos e ndjesh.

Kjo është edhe arsyeja pse poeti është gjithmonë një figurë problematike për regjimet absolute diktatoriale. Ai nuk ka nevojë të organizojë një kryengritje. Mjafton të mos pranojë gjuhën e pushtetit.

Në nëntor 1987, pak muaj para ekzekutimit, Havzi Nela shkroi poezinë “O liri, o vdekje”. Në të, liria vendoset përballë një jete të nënshtruar dhe vdekja nuk paraqitet si frika më e madhe; sepse frika më e madhe është humbja e dinjitetit dhe e lirisë.

Ja ç’farë shkruan ai:

O LIRI, O VDEKJE


Nuk them se jam trim, jo, as frikacak,

Thellë n’afshët e shpirtit më gërryen guximi;

Vdekja për liri nuk më tremb aspak,

S’e duron robninë zemra e nji trimi?!


Pse, or, pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!

Oh, çfarë marrëzie, ndoshta faj për mue!

T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,

Këtë s’ia fali vetes, kjo m’ban me u mendue.


Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?

Veç me përtyp bukë, me u rropatë si kalë?

Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,

Unë, skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.


Deri kur durim, deri kur me shpresë?

Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk due.

Me durim e shpresë nuk due të vdes.

Si jeta dhe vdekja duhen meritue.


S’meriton asnjënën kur mbetesh gur varri,

Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.

Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!

Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Nëntor, 1987

E pra, kjo poezi është çelësi i psikologjisë së tij, sepse na tregon se çfarë kishte ndodhur brenda tij.

Regjimi kishte mundur t’i merrte shumë gjëra, por nuk kishte mundur ta bindte se robëria ishte jetë.

Këtu poeti fiton përballë pushtetit, jo sepse mbijeton fizikisht, por sepse nuk e pranon përkufizimin e pushtetit për jetën.

Shoqëria që mësoi të dyshonte

Një nga dëmet më të mëdha të diktaturës nuk matet me numrin e burgjeve, por me numrin e marrëdhënieve njerëzore që u helmuan nga frika. Kur një sistem ndërton një kulturë denoncimi, njeriu nuk pyet më vetëm:

“Çfarë mendon ti?”

Pyet:

“Çfarë mund t’u thuash të tjerëve për mua?”

Kjo e ndryshon miqësinë, familjen, fqinjësinë, vendin e punës, gjuhën e përditshme. Njerëzit mësojnë të flasin me dy kuptime, të heshtin në momente të caktuara, të shmangin disa emra, të kontrollojnë shakatë dhe të matin fjalët.

E pra, kjo është një formë pushteti shumë më e madhe se dhuna fizike, ngase dhuna fizike vepron mbi trupin, por frika e brendësuar vepron mbi ndërgjegjen.

Dhe një shoqëri që ka jetuar gjatë nën këtë mekanizëm nuk çlirohet plotësisht ditën kur bie regjimi, sepse frika mund të mbijetojë edhe më gjatë se regjimi që e krijoi.

Trekëmbëshi nuk ishte vetëm një mjet ekzekutimi

Më 10 gusht 1988, Havzi Nela u var publikisht në Kukës. Dokumentacioni historik tregon se procesi kishte kaluar nëpër hallkat më të larta të sistemit: Gjykata e Lartë kishte dhënë vendimin dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor kishte dhënë miratimin përfundimtar; urdhri i ekzekutimit u dha më 9 gusht për zbatimin e dënimit të nesërmen.

Kjo na detyron ta shohim trekëmbëshin jo si një objekt, por si mesazh politik.

Nëse qëllimi do të ishte vetëm vdekja e një të dënuari, nuk do të ishte e nevojshme skena publike, sepse publiku i jep aktit një funksion tjetër. Ai duhet të shihet, të mbahet mend, të përjetohet, të prodhojë frikë.

Trekëmbëshi bëhet skenë. Turma bëhet dëshmitare. Parulla bëhet tekst.

Trupi bëhet argument dhe pushteti bëhet regjisor. Ky është një ritual i terrorit. Pushteti nuk po komunikon vetëm me viktimën, por me të gjithë ata që e shohin.

Pra, mesazhi është i thjeshtë: Nëse nuk bindesh, ky mund të jesh ti. Kështu, vrasja e njërit përdoret për të disiplinuar mijëra të tjerë.

Turma dhe pyetja e vështirë e spektatorit

Këtu historia bëhet edhe më e ndërlikuar, sepse përballë së keqes nuk ekzistojnë vetëm viktimat dhe xhelatët, por edhe spektatorët.

Disa mund të kenë qenë të detyruar dhe disa mund të kenë shkuar nga frika. Disa nga kureshtja dhe disa mund të kenë qenë indiferentë; të tjerë mund të kenë qenë dakord dhe disa mund të kenë qenë të tmerruar në heshtje. Dhe le të jemi të sinqertë: këto kategori nuk mund të barazohen moralisht.

Ekzistenca e turmës është e rëndësishme për të kuptuar mekanizmin e terrorit, sepse terrori ka nevojë për sy dhe kjo duhet të dëshmohet.

Një ekzekutim i fshehtë vret një njeri; në ndërkohë, një ekzekutim publik edukon një shoqëri me frikën. Kjo është edhe arsyeja pse spektakli është pjesë e dhunës.

Kur njeriu ia dorëzon ndërgjegjen urdhrit

Dhe pastaj është xhelati, njeriu që e zbaton. Këtu hyn psikologjia e bindjes. E keqja politike nuk kryhet gjithmonë nga njerëz që e konsiderojnë veten të këqij. Shpesh kryhet nga njerëz që e bindin veten se thjesht po bëjnë detyrën: “Është urdhër”, “Është ligji”, “Është vendim gjykate”, “Është vendim i shtetit”, “Është vendim i Partisë.” Këto fjali janë ndër mekanizmat më të rrezikshëm të historisë, sepse e zhvendosin përgjegjësinë nga ndërgjegjja te institucioni.

Por një shoqëri e lirë duhet të mësojë diçka shumë të thjeshtë: Jo çdo gjë që urdhërohet është e drejtë, dhe jo çdo gjë që bëhet sipas një procedure është drejtësi. Këtu fillon morali i përgjegjësisë individuale.

Ligji që humb shpirtin

Rasti i Havzi Nelës është edhe një mësim për drejtësinë. Një shtet mund të ketë gjykata dhe prapë të mos ketë drejtësi. Mund të ketë prokurorë dhe prapë të mos ketë të drejtë. Mund të ketë vendime të shkruara dhe prapë të ketë arbitraritet. Por mund të ketë procedurë dhe prapë të ketë dhunë, sepse drejtësia nuk përcaktohet vetëm nga ekzistenca e një vule, por edhe nga pavarësia e institucionit, nga të drejtat e të pandehurit, nga prova, nga paanshmëria dhe nga respekti për dinjitetin njerëzor.

Kur gjykata bëhet instrument i pushtetit politik, ligji mund të mbetet thjesht në letër, ndërsa drejtësia largohet prej saj. Prandaj pyetja juridike për Havzi Nelën nuk është vetëm: Kush e dënoi? Por si funksionoi mekanizmi institucional që e çoi një njeri deri në litar?

Kjo pyetje e zhvendos analizën nga xhelati te sistemi. Nga individi te struktura. Nga akti te përgjegjësia.

Trupi pas vdekjes

Diktatura nuk e përfundoi marrëdhënien me Havzi Nelën kur trupi i tij iu lëshua tokës. Këtu historia hyn në një territor edhe më të errët: kontrolli i trupit pas vdekjes.

Në kulturat njerëzore, varrimi nuk është thjesht një mënyrë për të larguar një kufomë, por edhe një mënyrë për të krijuar kujtesë. Vendi ku prehet një njeri bëhet vend ku të gjallët mund të kthehen. Mund të qajnë. Mund të luten. Mund të kujtojnë. Mund të tregojnë historinë. Një varr është një pikë e fiksuar në hapësirë. Një vend ku e kaluara bëhet e prekshme. Prandaj zhdukja e trupit ka një kuptim më të thellë se fshehja e një kufome. Është përpjekje për të kontrolluar kujtesën.

Por këtu diktatura pësoi një tjetër humbje, sepse trupi i Havzi Nelës u kërkua dhe eshtrat u gjetën. Historia u rindërtua, copë pas cope, dhe ajo që dikur duhej të mbulohej nga harresa u ringjall si feniksi nga hiri. U kthye në një dëshmi të gjallë, një kujtesë që nuk mund të shuhet dhe që duhet t’u rrëfehet brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.

Amaneti që e sfidoi propagandën

Në qendër të gjithë kësaj makinerie, mbetet një fjali e vogël që e kthen të gjithë historinë nga politika te njeriu:

“Kam 910 lekë, jepjani nanës.”

Në atë çast, nuk kemi më përballë “armikun e popullit”, por BIRIN dhe NJERIUN që mendon për nënën, që, në prag të vdekjes, nuk flet për pushtetin. Nuk flet as për historinë dhe as për hakmarrje, por vetëm për nënën.

Kjo ndoshta është mënyra më e fuqishme për ta çmitizuar gjuhën e diktaturës, sepse regjimi e kishte kthyer në kategori politike dhe, pikërisht, amaneti e kthen Havzi Nelën në njeri, ku, në fund të fundit, historia mban mend njeriun.

Fëmijët dhe terrori si pedagogji

Ekzekutimi i një mësuesi para publikut kishte edhe një dimension të tmerrshëm pedagogjik. Fëmijët nuk duhet të mësojnë nga frika, por diktatura e përdorte frikën si mjet edukimi.

Në vend të pyetjes: “Çfarë mendon?”, vinte: “Çfarë lejohet të mendosh?” Në vend të kurajës: bindja. Në vend të debatit: heshtja. Në vend të qytetarit: subjekti.

Kjo është arsyeja pse Havzi Nela si mësues është edhe më simbolik, sepse ai nuk u vra vetëm si individ. Ekzekutimi i tij u përdor si shembull për të disiplinuar të tjerët. Paradoksi është se sot historia e tij u mëson brezave pikërisht të kundërtën: të mos kenë frikë nga mendimi.

A trashëgohet faji? Jo.

A duhet të trashëgohet kujtesa? Po.

Kur flasim për përgjegjësitë e diktaturës dhe për njerëzit që morën pjesë në mekanizmin e saj, duhet të jemi të qartë se faji nuk trashëgohet.

Një fëmijë nuk është fajtor për veprimet e prindit. Asnjë shoqëri demokratike nuk duhet të pranojë fajin kolektiv, por, nga ana tjetër, kujtesa është diçka tjetër: ajo duhet të trashëgohet.

Dokumentet duhet të ruhen. Vendimet duhet të njihen. Nënshkrimet dhe firmat duhet të studiohen. Institucionet duhet të analizohen. Përgjegjësitë individuale duhet të emërtohen sipas provave, sepse alternativa është rreziku që i shërben çdo sistemi që ka frikë nga e kaluara e vet. Prandaj faji nuk trashëgohet, ndërsa e vërteta po.

Ky duhet të jetë një nga parimet e shoqërisë shqiptare në raport me të kaluarën komuniste.

Nga Havzi Nela te fëmijët e sotëm

Çfarë do të thotë sot të mbash emrin e Havzi Nelës në një shkollë? Do të thotë shumë më tepër sesa një tabelë. Do të thotë të tregosh historinë e tij. Të lexosh poezinë e tij. Të flasësh për burgun. Për internimin. Për lirinë. Për frikën. Për drejtësinë. Për dinjitetin.

Një gjimnaz që mban emrin e një poeti të varur nga diktatura duhet të jetë më shumë se një institucion arsimor dhe, më së shumti, një vend kujtese.

Sepse një shoqëri nuk i nderon viktimat duke ua vendosur emrin në mure, por duke bërë që brezat e rinj të kuptojnë edhe më mirë se pse u desh të vdisnin.

Havzi Nela dhe Shqipëria pas komunizmit

Ndoshta këtu qëndron edhe shqetësimi ynë më i madh. Ne kemi rrëzuar monumente, kemi ndryshuar emra, kemi hapur arkiva, kemi organizuar dhe organizojmë ceremoni, janë shkruar libra memuaristikë dhe kemi ngritur memoriale, etj, etj.

Por a kemi bërë atë që është më e vështira dhe më kryesorja për të kuptuar mekanizmin? Sepse komunizmi nuk ishte vetëm një sistem politik, por një mënyrë për të prodhuar frikë, bindje dhe heshtje. E, nëse nuk e kuptojmë këtë mekanizëm, mund të dënojmë një regjim të vdekur dhe të mos kuptojmë se si lind një tjetër pushtet autokratik i ri në kohët e sotme moderne.

Prandaj Havzi Nela nuk duhet të përdoret vetëm si armë kundër së majtës, por si një mësim kundër çdo pushteti që kërkon të bëhet absolut.

Kjo është më e drejtë dhe po aq e rëndësishme për t’u kuptuar, sepse një sistem i ri demokratik nuk mund të mbrohet duke zëvendësuar një dogmë me një tjetër, qoftë edhe më të kamufluar e të mbështjellë me sofizma, por vetëm duke mbrojtur lirinë e mendimit, pavarësinë e institucioneve, dinjitetin e individit dhe të drejtën për të kundërshtuar.

Dhe këtu vjen pyetja për ne

Nëse e lexojmë Havzi Nelën vetëm si viktimë, kemi kuptuar vetëm gjysmën e historisë, sepse ai ishte viktimë, por ishte edhe zgjedhje për të mos e pranuar robërinë si normalitet. Pra, ishte zgjedhja për të ruajtur fjalën dhe për të mos e dorëzuar tërësisht veten.

Kjo është edhe një arsye më e fortë pse figura e tij nuk duhet të reduktohet në një fotografi bardhezi, në një përvjetor apo në një fjalim ceremonial.

Qëndresa dhe rezistenca e Havzi Nelës duhet të lexohet, të studiohet, të diskutohet, por edhe të kundërshtohet kur dikush e interpreton ndryshe, sepse një figurë e gjallë e kujtesës nuk është një ikonë e ngrirë.

Havzi Nela, për çdo njërin prej nesh është një pyetje e madhe që na kujton se si duhet reaguar për të djeshmen, për të sotmen dhe të ardhmen. Një pyetje që na bëhet çdo ditë që jetojmë: Sa vlen liria për një njeri? Sa vlen dinjiteti? Sa larg mund të shkojë shteti kur nuk ka kufij? Çfarë ndodh kur ligji ndahet nga drejtësia? Çfarë ndodh kur represioni dhe frika bëhen kulturë? Çfarë ndodh kur njerëzit mësohen të heshtin? Dhe, nga ana tjetër, çfarë ndodh kur një njeri refuzon?

Në fund mbetet poeti

Më 10 gusht 1988, diktatura mund të besonte se kishte fituar, pasi nënshkrimi i xhelatit në hierarkinë e lartë të nomenklaturës shtetërore ishte hedhur pa asnjë mëdyshje dhe pa asnjë pikë mëshire. Gjykata kishte folur. Pushteti e kishte miratuar ekzekutimin e poetit. Urdhri ishte dhënë. Litari në trekëmbësh ishte vendosur dhe trupi kishte rënë. Pra, mesazhi ishte dërguar.

Por diktaturat kanë një problem që nuk e kuptojnë dot kur janë në kulmin e fuqisë së tyre. Ato nuk kontrollojnë të ardhmen. Mund të kontrollojnë një ditë. Mund të kontrollojnë një qytet. Mund të kontrollojnë një gazetë apo ekran televiziv. Mund të kontrollojnë një gjykatë. Mund të kontrollojnë një burg. Mund të kontrollojnë edhe jetën e një njeriu, por nuk mund të kontrollojnë përgjithmonë mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta gjykojnë atë që ndodhi.

Kjo është edhe arsyeja pse sot, disa dekada pas atij mëngjesi të tmerrshëm, ne nuk flasim për Havzi Nelën siç do të donte regjimi, por për një poet, një mësues si disident, si martir dhe si njeri.

E ndërsa sistemi që e vrau është pjesë e së kaluarës, fjala e tij jeton dhe do të vazhdojë të jetojë ndër breza. Në fund të fundit, kjo është fitorja e tij, e njeriut mbi përpjekjen për ta çnjerëzuar.

Havzi Nela nuk mundi ta ndalonte litarin, por mundi diçka më të madhe: nuk lejoi që litari të përcaktonte kuptimin e jetës së tij.

Në poezinë e tij të nëntorit 1987, vetëm pak muaj para vdekjes, ai shkroi për lirinë dhe vdekjen. Aty ndodhet ndoshta testamenti më i fuqishëm i tij: “më e tmerrshme se vdekja është një jetë e dorëzuar, një jetë pa liri, një jetë ku njeriu është kthyer në ‘gur varri’.”

Dhe kjo është arsyeja pse Havzi Nela vazhdon të jetojë, jo sepse e kërkojmë në romantizimin e së kaluarës, por përmes një pyetje fare të thjeshtë që nuk plaket:

Çfarë jemi ne të gatshëm të bëjmë me lirinë që ai nuk e pati? Kjo është pyetja që na la dhe, njëkohësisht, është edhe përgjegjësia jonë.

Të kujtosh Havzi Nelën nuk do të thotë vetëm të vendosësh një kurorë në përvjetorin e vdekjes së tij, por të mbrosh lirinë me çdo çmim kur është e papërshtatshme. Të mbrosh mendimin ndryshe kur nuk të pëlqen. Të kërkosh drejtësi edhe kur viktima nuk është nga krahu yt. Të mos e përdorësh pushtetin për të poshtëruar të dobëtin. Të mos e kthesh kundërshtarin në armik. Të mos e lejosh shtetin të bëhet më i madh se qytetari. Dhe të mos harrosh kurrë se diktatura nuk fillon domosdoshmërisht me trekëmbësh.

Mund të fillojë shumë më herët: me një heshtje, me një frikë, me një gënjeshtër të pranuar, me një padrejtësi të toleruar, me një njeri që thotë: “Kjo nuk është puna ime.”

Prandaj kujtesa e Havzi Nelës nuk është vetëm kujtesë për të vdekurin, por një paralajmërim për të gjallët. Ndoshta ky është kuptimi më i madh i një poeti që u var në Kukës 38 vjet më parë, më 10 gusht 1988.

Diktatura i mori jetën, por nuk arriti t’i marrë lirinë, sepse liria e tij mbeti në fjalë. Fjala mbeti në kujtesë, dhe kujtesa tashmë është në duart tona.

Tiranë, 8 gusht, 2026

POEZI NGA HAVZI NELA

ENI TË VAJTOJMË SHQIPËRINË


Eni ju, o motra, eni ju, o gra,

Eni ju, o vasha, që dini me qa,

Eni, ju reçjanka, vajtimtare n’za,

Eni t’marrim vajin, sot hije na ka.

Eni gjithë s’bashku, le ta shpallim zinë,

Me gjamë e me kuje ta vajtojmë Shqipninë.

Le ta qajmë me lot, ta qajmë pa pushu,

Me afshin e zemrës të rrëzojmë gur e dru.

Le ta qajmë këtë nanë, le ta qajmë këtë bijë,

Le ta qajmë kët nuse, pa foshnje në gji.

Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota,

Le t’ia zbulojmë shtatin, ta shohë e gjithë bota.


Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera,

Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera.

Mundohet qyqarja, rron me shpirt ndër dhambë,

Banditët e vendit e kanë vu nën kambë.

E mposhtën, e shtruen, me hekur e zjarr,

Neronët e kohës ia banë jetën varr.

E veshën me gjemba, me tela e ferra,

E kyçën nga brenda, s’e lanë as te dera.

N’derë, as në dritare, s’e lanë me pa fare,

Ia kanë qepë sytë, për faqe t’zezë e marre.


Lidhun me zinxhirë, shkoqun krahë e fletë,

Në ditën plot diell, në lumë e terr ka mbetë.

E thithën shushunjëzat, i ligu mizori,

E thanë, e çnderuan, epshori e hori.


A e dini, shqiptarë, ç’ngreminë kemi rà?

Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytëm vlla me vlla.

Hangrëm njeni-tjetrin me kurthe e t’pabesë,

Me thasë e intriga, shamata rri ndezë.


O Zot, ç’ka po heqim, çfarë na shohin sytë!

S’na gëzohet mbramja, as kur zbardhen dritë.

S’na tremb burgu, plumbi e as litari,

Kur na shkel me kambë, na zhagmit zuzari.

Ngrehuni, o vllazën, ngrehuni, o shokë,

Ngrehuni, shqiptarë, sot të gjithë në kambë!

Nuk rrohet me zor, nuk lihet kjo nanë.

A lulëzon dheu pa diell e pa hanë?

Jo, jo, nuk durohen sarhoshët e marrë,

Banditët e vendit t’i shporrim sa ma parë.

Seline e përgjakun, ta bajmë rrafsh me tokë.

Ngrehuni, o vllazën, ngrehuni, o shokë!


A jeton shqiponja e shëmbun përtokë,

Thye krahë e pendë, lidhun kamb’e kokë?

A jeton kjo zonjë në llum e batak,

Në lëngim e vaj, e mbytun në gjak?


Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?

A jeni sot të denjë të quhemi shqiptarë?

A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz,

Në det plot stuhi, me dallgë me u përplasë?


Shihni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh,

Shihni popujt tjerë, me ç’gjuhë mirren vesh.

Kanë shpallur miqësinë, vini vesh ksaj fjale,

Kapen dorë për dorë, e po hyjnë n’një valle.

Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra,

Asht vallja hirplote, që i shëron plag’t e vjetra.

Burrel, shkurt - 1977