Gani Pllana: Prof. Dr. Pandi Stratobërdha – specialist i digave dhe hidroenergjetikës shqiptare
PROF. DR. PANDI STRATOBËRDHA-SPECIALIST I DIGAVE DHE HIDROENERGJETIKËS SHQIPTARE, PEDAGOG I SHQUAR NË AUDITORET E TIRANËS DHE TË PRISHTINËS

Prof. dr. Pandi Stratobërdha lindi më 11 korrik 1929 në Korçë, në një
familje të nderuar atdhetare nga e cila mori vullnetin dhe inkurajimin për t’u
bërë i vlefshëm për shoqërinë dhe Atdheun. Që në fëmijëri, në bankat e
shkollës, shquhej për talentin e tij në fushën e shkencave ekzakte, si:
matematikë e fizikë. Dy vitet e para të shkollës së mesme teknike i kreu në
Korçë, pastaj u transferua në Tiranë, ku mbaroi Politeknikumin ”7 Nëntori” (sot
Harry Fultz) në degën elektrike, në vitin 1948. Studimet e larta i vazhdoi në
Novoçerkask Rostov mbi Don, në ish-Bashkimin Sovjetik në Fakultetin e
Hidroenergjetikës (1948-1953), dega Inxhinieri Hidroteknike për Hidrocentrale,
të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera dhe me rekomandimin special nga
pedagogët e tij për t’u marrë me punë shkencore. Gjatë studimeve ka botuar
punime në revista të ndryshme shkencore (e veçantë kjo për një student të huaj),
duke kulmuar me punimin origjinal “Shfrytëzimi
i lumenjve malorë duke përdorur forcat centrifugale për ndarjen e aluvioneve”
botuar në Revistën Shkencore Qendrore të ish-Bashkimit Sovjetik. Për punën e
mirë shkencore gjatë studimeve të kryera në kryesinë e shoqatës të studentëve
ku z. Pandi Stratobërdha ishte në kryesinë e shoqatës, nga Akademia e Shkencave
Sovjetike dhe Instituti Melorativ (i Bonifikimeve) mori vlerësimin më të lartë.
Pasi u kthye nga ish-Bashkimi Sovjetik (korrik 1953) u
emërua pranë Ministrisë së Ndërtimit si shef i Ndërtimeve Hidroteknike të
Shqipërisë. Në mesin e muajit tetor 1953 u emërua si pedagog pranë Institutit
të Lartë Politeknik (që më pas mori emrin Fakulteti i Inxhinierisë së
Ndërtimit) të asaj kohe, dhe nga fundi i vitit 1953 ai së bashku me Inxhinier
Luan Voshtinën krijuan Katedrën Hidraulikë-Termoteknikë.
Pas një pune shumë
të frytshme si pedagog universiteti dhe në fushën e projektimeve të HC-eve,
përgatiti temën e doktoratës me titull:
“Mbi teorinë e shpejtësisë së gërryerjes dhe përdorimi i saj në zgjidhjen e
problemeve të hidraulikës inxhinierike” me të cilën fitoi gradën shkencore “Doktor” në USHT, në vitin 1990.
Titujt/gradat shkencore: “Inxhinier” (1953), “Doktor” (1990), “Docent” (1990) dhe “Profesor” (1993).
Pozitat udhëheqëse në USHT,
Institucione shtetërore dhe ndërkombëtare
Prof. dr. Pandi Stratobërdha ka pasur pozita udhëheqëse
në USHT dhe Institucione shtetërore, si në vijim:
·
l956-1957: Dekan i
Fakultetit të Ndërtimit në ish-Institutin e Lartë Politeknik, Tiranë;
·
1953-1989: Shef i
Katedrës së Hidraulikës (sot Departamenti i Hidraulikës dhe Hidroteknikës);
·
1954: Studiues dhe
projektues aktiv në fushën e Hidroteknikës: pjesëmarrës në projektimin e e
Emisarit të kënetës së Tërbufit;
·
1956-1957: Dekan i
Fakultetit të Ndërtimit në ish-Institutin e Lartë Politeknik;
·
1954-1958:
Pjesëmarrës aktiv në problemet Hidroenergjetike të vendit: në fillim duke u
marrë me studimin e skemave të shfrytëzimit energjetik të lumenjve Bistricë dhe
Mat për dhënien e skemës së shfrytëzimit të HC të Shkopetit;
·
1958: Në pranverën
e vitit 1958 me gjashtëdhjetë studentë të USHT (të degëve: hidroteknikë, gjeodezi
dhe bujqësi) realizoi planin e kanaleve kulluese të për të shpëtuar Tiranën nga
lagështia prej lumenjve: Lumi i Tiranës, përroi i Lanës dhe Lumthit;
·
1958: Realizmi i
digës së Liqenit Artificial të Tiranës (projektuar nga Inxhinieri F. Nuri) nga
Katedra e Hidraulikës (USHT) udhëhequr nga prof. dr. Pandi Stratobërdha;
·
1960: Pjesëmarrës
si nënkryetar i ekspeditës së parë shqiptare për studimin e lumit Drin, prej së
cilës u dha skema përfundimtare në pesë shkallë që është duke u zbatuar;
·
1965: Realizoi
planin për studimin e lumit Shkumbin;
·
1965: Studime për
lumin Shushica për dhënien e ujit për HC të Smokthinës;
·
1965-1990:
Përfaqësues i Shqipërisë në Shoqatën Ndërkombëtare të kërkimeve hidraulike
(IAHR);
·
1968-1988:
Drejtues në Qendrën e Kërkimeve Hidraulike pranë Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, Tiranë;
·
1972: HC të
Shkopetit, HC të Bistricës dhe të HC në Vaun e Dejës;
·
1972: Projektues i
Impiantit për pastrimin e ujërave të zeza të fabrikës së letrës në Shkodër;
·
1974-1981: Kryetar
i nënkomisionit për rregullimin e liqenit të Shkodrës, Drinit dhe Bunës;
·
1981: Pjesëmarrës
aktiv në ekspeditën e Madhe Kombëtare për studimin e lumenjve Shkumbin, Devoll,
Osum dhe Vjosë;
·
1957-1982: Anëtar
në dhjetë Këshilla Shkencorë dhe Teknikë të Dikastereve dhe Institucioneve
qendrore të Shqipërisë;
·
1954-1990: Anëtar
i Komisionit të Ujërave me ish-Jugosllavinë;
·
1980-1988:
Projektues i disa hidrocentraleve të vegjël, i projekteve të veprave
hidroteknike lokale;
·
1981-1987: Studim
i rregullimit të Liqenit të Shkodrës, Drinit dhe Bunës;
·
1987-1988: Studim
i dinamikës të bregut të detit Adriatik nga Buna në Vlorë (kryetar i dy
ekspeditave);
·
2001: Përfaqësues
i shtetit shqiptar në krijimin e Institutit të Ujërave të Detit të Zi (në vitin
2001, në Kiev të Ukrainës (i përbërë nga njëmbëdhjetë shtete).
Njohuri të gjuhë të huaja: rusisht, italisht,
frëngjisht dhe anglisht.
Mobiliteti i prof. dr. Pandi Stratobërdhës
Për përgjegjësitë
që ka marrë në zgjidhjen e mjaft problemeve të vështira në fushën e Hidraulikës
dhe Hidromekanikës, prandaj i është dhënë mundësia prof. dr. Pandi
Stratobërdhës të lidhet me mjaft institucione kërkimore në vende të ndryshme në
botë, si: Rusi (ku i ka kryer edhe studimet e larta), Kore, Kinë, Turqi,
ish-Jugosllavi, Itali, Austri, Francë, Bullgari dhe Ukrainë.Pjesëmarrës në dy Kongrese të IAHR; në të XV-tin në
Stamboll, në vitin 1973 dhe në të XVIII-tin në Kaliari në vitin 1979.
Veprimtaria pedagogjike dhe shkencore
në Universitetin e Tiranës e të Prishtinës
Prof. dr. Pandi Stratobërdha është ndër iniciatorët
kryesorë për hartimin e dokumentacionit shtetëror ligjor për planet dhe
programet mësimore, projekt-kurse dhe projekt-diploma, anëtar i disa këshillave
shkencorë në institucionet qendrore të shtetit, si edhe në ngritjen e katër
Laboratorëve Shkencorë të Hidraulikës, si:
Themelues i shkollës së parë teorike të
trajtimit të problemeve të modelimeve në Shqipëri
Prof. dr. Pandi Stratobërdha ngriti për herë të parë në
Shqipëri shkollën teorike të trajtimit të problemeve të modelimeve, duke dhënë
kontribute të reja në fushën e hidraulikës së zbatuar. Ai gjithashtu ka dhënë kontribut
të veçantë në ngritjen e Shkollës së Kualifikimit Pasuniversitar, në fushën e
Hidroteknikës. Ai ishte ideator, themelues dhe drejtues i QKH (Qendrës së
Kërkimeve Hidraulike) të Akademisë së Shkencave, ndër më të mirat në Ballkan,
një qendër shumë e rëndësishme në zgjidhjen e problemeve teknike të
Hidroteknikës të Shqipërisë, ku nën drejtimin e tij u eksperimentuan dhe morën
garanci të gjitha veprat e mëdha hidroenergjetike mbi lumin Drin, Vau i Dejës,
Fierza, Komani, Bistrica 1 dhe 2 etj.
Prof. dr. Pandi Stratobërdha, pedagog
në Universitetin e Prishtinës
Prof. dr. Pandi Stratobërdha në bazë të protokollit në
mes të Universitetit të Tiranës dhe të Prishtinë ka ligjëruar edhe në
Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, lëndë mësimore “Hidraulika dhe hidromekanika” gjatë
viteve akademike 1972-1975, si edhe gjatë viteve 2004-2005 (në studimet
master).
Veprimtaria botuese e prof. dr. Pandi Stratobërdha
Prof. dr. Pandi
Stratobërdha në fillim ka përkthyer tekste universitare nga gjuha ruse dhe pas
një përvoje si pedagog ka hartuar dispensa dhe tekste universitare, si në
vijim:
Tekste (dispensa) të përkthyera nga gjuha ruse në gjuhën shqipe
1.
Llatishenkov, A.; Llobaçev, V.: “Hidraulika”: Dispensa 1, 164 f., Drejtoria
e Botimeve të USHT, Tiranë, 1967.
2.
Llatishenkov, A.; Llobaçev, V.:
“Hidraulika”: Dispensa 2, 165-328 f., Drejtoria e Botimeve të USHT, Tiranë,
1967.
Dispensa dhe tekste
universitare
1.
Stratobërdha, P.: “Hidraulika dhe hidromekanika”: Dispensa 1, 152
f., Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1974.
2.
Stratobërdha, P.: “Hidraulika dhe hidromekanika”: Dispensa 1, 330
f., Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1978.
3.
Stratobërdha, P.: “Hidraulika dhe hidromekanika”: Dispensa 2, 306
f., Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1978.
4.
Stratobërdha, P.: “Hidraulika dhe hidromekanika”: Dispensa 2, 433
f., Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1974.
5.
Stratobërdha, P.: “Hidraulika e zbatuar”, 405 f., Botues
SHBLU, Tiranë, 2001.
Kontributet kryesore të prof. dr. Pandi
Stratobërdhës
Krijimi i Universitetit Shtetëror të Tiranës më 1957
ishte pa dyshim një arritje kulmore të arsimit shqiptar. Në këtë ngjarje të
madhe historike ai ka pasur rolin e vet shumë të rëndësishëm si kryeinxhinier
nga ana teknike-organizative. Menjëherë pas hapjes së Universitetit Shtetëror
të Tiranës, Prof. Pandi Stratobërdha themeloi katedrën e Hidraulikës që ishte
baza pedagogjike e Hidroteknikës.
Kontributet kryesore
të prof. dr. Pandi Stratobërdhës, padyshim, janë në drejtim të Modelimeve
Hidraulike për të siguruar veprat e rëndësishme hidroteknike, si: HC e Fierzës,
HC e Komanit, HC e Shkopetit, HC e Bistricës, HC e Vaut të Dejës, HC e Banjës,
Portin e Madh të Vlorës; për shfrytëzimin racional të vendburimeve të naftës,
pasurimit hidraulik të fosforiteve dhe
nxjerrjen e magnezeve nga uji i detit, sistemimi dhe rregullimi i Pjesës
së Poshtme të lumit Shkumbin etj.
Një nga
kontributet e tij është Laboratori i madh i Universitetit, i cili me krijimin e
Akademisë së Shkencave me 1972 u bë nje nga dhjetë institucionet e saj dhe u
quajt “Qëndra e Kërkimeve Hidraulike e
Akademisë se Shkencave”.
Punime shkencore
1.
Stratobërdha, P.: “Të rritim shkallën e mekanizimit duke përdorur me kritere
të drejta makinat bujqësore “, 50 f., Shtëpia e Propagandës Bujqësore, Tiranë, 1983.
2.
Stratobërdha, P.; Pinguli, E.: “Monografi mbi studimin hidroenergjitik të lumit Vjosa”, 72f, Pa ç.,
ASHSH, Tiranë, 2012.
3.
Stratobërdha, P.: “Mbi teorinë e modelimeve hidraulike të lumenjve” 218 f., Pa ç.,
ASHSH, Tiranë, 2007.
4.
Stratobërdha, P.: “Studim mbi Teorinë e shpejtësisë së gërryerjes ku për
herë të parë pjesët e ngurta pranohen si elipsoide”;
5.
Stratobërdha, P.: “Studim mbi teorinë e modelimeve të shtretërve të hapur
(kanaleve lumenj) ku modelohet me shtatë tregues nga tre që njeh praktika
botërore”;
6.
Stratobërdha, P.: “Mbi teorinë e rrjedhjes së ngurtë fundore dhe pezull”.
Punime shkencore jashtë Shqipërisë
1.
Stratobërdha, P.: “Vepër për marrjen e ujërave të lumenjve malorë duke shfrytëzuar forcën
centrifugale për ndarjen e aluvioneve dhe për të marrë ujë të pastër nga lumi”,
Botuar në revistën qendrore të
Bashkimit Sovjetik – Hidroteknika e Miloracia (Hidroteknika dhe Kullimi) Nr.3.,
qershor 1953.
2.
Stratobërdha, P.: “Studime dhe artikuj në revistën qendrore teknike
Sovjetike”, korrik 1953.
3.
Stratobërdha, P.: “Referat në Kongresin Ndërkombëtar të Kërkimeve Hidraulike
mbi statusin dhe rregulloren e krijimit të Qendrës së Kërkimeve të Ujërave të Rajonit
të Detit të Zi”, Kiev 2001.
Prof. dr. Pandi Stratobërdha autor i disa laboratorëve mësimorë shkencorë
të Hidraulikës
Prof. dr. Pandi
Stratobërdha përveç punës së zellshme si pedagog universiteti, ka hartuar dhe
realizuar projekte të ndryshme për nevojat e Hidroenergjetikës shqiptare (të
cilat janë në funksion edhe në ditët e sotme), dhe i disa laboratorëve mësimorë
shkencorë të Hidraulikës, si në vijim:
1.
Në ish-Instituti Politeknik, 1955;
2.
Në ambientet e Korpusit Kryesor të Fakultetit të
Inxhinierisë (sot Korpusi Qendror i Universitetit Politeknik), 1957;
3.
Në Universitetin e Prishtinës, 1971;
4.
Themelues i Laboratorit të madh (1968), QKH, Qendra e
Kërkimeve Hidraulike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku nën drejtimin
e tij u eksperimentuan (dhe morën garanci) të gjitha veprat e mëdha
hidroenergjetike mbi lumin Drin, Vau i Dejës, Fierza, Komani etj.;
5.
Krijimin e Departamentit të Hidraulikës dhe Hidroteknikës
të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të shkollës Pasuniversitare të
specialitetit Hidroteknik e mbiquajtur “Fidanishtja”.
Pozita dhe funksione udhëheqëse në
Universitetin e Tiranës dhe jashtë Shqipërisë
Prof. dr. Pandi Stratobërdha ka patur pozita dhe
funksione udhëheqëse në Universitetin e Tiranës dhe jashtë Shqipërisë, si:
·
Drejtor i
Laboratorit të Kërkimeve Hidraulike;
·
Drejtues i
Katedrës së Hidroteknikës në Universitëtin e Tiranës;
·
Anëtar i Shoqatës
Ndërkombëtare të Kërkimeve Hidraulike (1966-1989);
·
Anëtar i
Komisionit të Ujërave Kufitare me Fqinjët (tridhjetë e pesë vite);
·
Anëtar i Komitetit
Kombëtar të Digave të Mëdha;
·
Anëtar Nderi i
Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë;
·
Përfaqësues i
Shqipërisë në Qëndrën e Kërkimeve dhe Ujërave në Rajonin e Detit të Zi, në
Kiev.
Udhëheqës shkencor i temave të diplomave, temave të masterit dhe të
doktoratave
Këtu do të
paraqesim vetëm emrat e kandidatëve dhe titujt e doktoratave, të cilat i ka
udhëhequr Prof. dr. Pandi Stratobërdha, si në vijim:
1.
Bardhyl Shehu, me temë: “Studimi i regjimit ujor të lumit Drin dhe përcaktimi i
karakteristikave hidrologjike të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit“;
disertacion për të fituar gradën shkencore “Doktor”:
udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (USHT – Universiteti Shtetëror
i Tiranës), Tiranë, 1979.
2.
Koço Katundi, me temë: “Kthjellimi i ujit të pijshëm e teknologjik: studim për disertacionin e
shkallës së parë të kualifikimit”; disertacion për të fituar gradën
shkencore “Doktor”: udhëheqës
shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (USHT), Tiranë, 1979.
3.
Isuf Reç, me temë: “Studim
hidraulik mbi rrjedhjen e rrëmbyeshme në pjesën e daljes të veprave të
shkarkimit me hedhje në largësi”; disertacion për të fituar gradën
shkencore “Doktor”: udhëheqës
shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (USHT), Tiranë, 1979.
4.
Gjergji Ikonomi, me temë: “Studimi me anën e modelimeve hidraulike të gërryerjeve në digat
kapërderdhëse të ulta dhe të mesme të vendit tonë”; disertacion për të
fituar gradën shkencore “Doktor”:
udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (USHT), Tiranë, 1981.
5.
Sulejman Xhelepi, me temë: “Studim mbi hidromekanikën e drenimit të tokave bujqësore”;
disertacion për të fituar gradën shkencore “Doktor”:
udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (Akademia e Shkencave), Tiranë,
1982.
6.
Lefter Cane, titulli i temës: “Vala që lind në një shtrat natyror nga shkatërrimi eventual i
menjëhershëm dhe i plotë i një dige”; disertacion për të fituar gradën
shkencore “Doktor”: udhëheqës
shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (Akademia e Shkencave), Tiranë, 1988.
7.
Zenun Murati, me temë: “Studim mbi disa probleme të efektivitetit ekonomik të investimeve
kapitale në ekonominë ujore. Optimizimi i parametrave kryesore të
hidrocentraleve dhe zbatime në skemën racionale e komplekse të lumit Osum”:
disertacion për të fituar gradën shkencore “Doktor”:
udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (USHT), Tiranë, 1988.
8.
Fatmir Labinoti, me temë: “Studim mbi humbjet e ujit për filtrim në kanalet ujitëse” :
disertacion për të fituar gradën shkencore “Doktor”:
udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (USHT), Tiranë, 1982.
9.
Milaim Dokle, me temë: “Mbi disa probleme Hidraulike të Shkarkuesve Hidroteknikë”: disertacion
për të fituar gradën shkencore “Doktor”:
udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (Akademia e Shkencave), Tiranë,
1982.
10.Violeta Kola, me
temë: “Probleme të furnizimit me ujë të
qendrave tona të banuara të konkretizuara për qytetin e Tiranës”:
disertacion për të fituar gradën shkencore “Doktor”:
udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (USHT), Tiranë, 1990.
11.
Stavri Lami, titulli i temës: “Studim me anën e modelimeve i dukurive kryesore hidraulike të
bashkëveprimit të valëve me objektet hidroteknike bregdetare”: disertacion
për marrjen e gradës shkencore “Doktor”;
udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (Akademia e Shkencave), Tiranë,
1990.
12.
Kristo Goga, me temë: “Diga
e Panahorit-Aranitas Mallakastër-Fier për ujitjen e tokave të kodrave Aranitas-Patos-Fier dhe “Diga mbi bazament shimë të dobët
lymor-torfik e Borçës-Durrës” : disertacion për të fituar gradën shkencore “Doktor”: udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi
Stratobërdha (USHT), Tiranë, 1999.
13.
Zeqirja Idrizi, me temë: “Treva e Pollogut në rrjedhën e historisë (1900-1913)” :
disertacion për të fituar gradën shkencore “Doktor”:
udhëheqës shkencor Prof. dr. Pandi Stratobërdha (Universiteti Shtetëror i
Tetovës), Tiranë, 2004.
Fitues i Çmimeve dhe Urdhrave
Prof. dr. Pandi Stratobërdha për punën e tij në
mësimdhënie, në themelimin e Institucioneve të para shkencore të hidroteknikës,
modelimeve hidraulike, hidroenergjetikës shqiptare ishte fitues i çmimeve dhe
udhërave, si në vijim:
·
Çmimi i Dytë i
Republikës (1964);
·
Çmimi i Parë i
Republikës (1974);
·
Urdhri “Naim
Frashëri” Klasi i I-rë (1985);
·
Mjeshtër i Madh i Punës (1999);
·
Nderi i Trevës së Vakëfeve (2001);
·
Personalitet i Shquar i Qarkut të Tiranës (2003).
·
Pena e Artë e gazetës “Tradita” (2010).
Përfundim
Prof. Dr. Pandi Stratobërdha mishëronte virtyte të larta
njerëzore. Ai ishte i thjeshtë, i drejtë, punëtor, human, tolerant dhe i
kompletuar me një kulturë të gjërë në përgjithësi në fushën e hidraulikës në
veçanti, në atë të artit të ndërtimtarisë hidroteknike. Një personalitet i
padiskutueshëm në fushën e modelimeve hidroteknike. Ai punonte vazhdimisht duke
u konsultuar në fushën e profesionit të vet në shkencën bashkëkohore në disa
gjuhë të huaja. Studentët e tij në auditor i
konsideronte si fëmijët e tij, kolegët në pune e jashtë auditorit si shokët e
tij të vërtetë.
Prof. dr. Pandi Stratobërdha, si pedagog, prej pesëdhjetë
e dy vjetësh si pedagog i brendshëm dhe i jashtëm nxori mbi dhjetëmijë studentë
inxhinierë, specialistë në Shqipëri, në Prishtinë dhe në botë. Është autor i
botimeve shkencore, studime, monografi, shtatëdhjetë e pesë vëllimeve në fushën
e modelimeve; i teksteve universitare, mbi të gjitha është autor i “Teorisë dhe Praktikës së Modelimeve të
Shtretërve me Shtatë Tregues”, nga tre që njeh praktika botërore; një
pasuri intelektuale në rrafsh ndërkombëtar. Talenti i rrallë dhe lapsi i
mprehtë i një fenomeni si prof. dr. Pandi Stratobërdha, mund të zgjidhnin
ekuacione të një shkalle vështirësie tepër të lartë. Është autor i teorisë
dhe praktikës së modelimeve të shtretërve me shtatë tregues, nga tre që njeh
praktika botërore, duke i bërë një sfidë të plotë asaj.
Prof. dr. Pandi Stratobërdha përmes qëndrimeve aktive
patriotike, paraqitet jo vetëm si shkencëtar i mirëfilltë, por edhe si mbrojtës
me argumente të forta tekniko-shkencore të interesave kombëtare dhe pasurive
hidrike, ide të referuara edhe në konferenca dhe kongrese ndërkombëtarë. Puna
kërkimore shkencore, projektuese dhe ndërtuese e prof. dr. Pandi Stratobërdhës
është aq e rëndësishme sa janë edhe vetë veprat madhore që realizoi në shërbim
të vendit me ndjenjë të lartë atdhetarie. Ai ngriti një gur themeli për
Shqipërinë në fushën e Hidroteknikës dhe mbetet një dijetar i papërsëritshëm që
i dha dritë Shqipërisë dhe popullit të tij.
Bibliografia
1.
Stratobërdha, P.: “Hidraulika dhe hidromekanika”: Dispensa 1,
Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1978.
2.
Stratobërdha, P.: “Hidraulika dhe hidromekanika”: Dispensa 2,
Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1978.
3.
Stratobërdha, P.; Pinguli, E.: “Monografi mbi studimin hidroenergjetik të lumit Vjosa”, Pa ç., ASHSH,
Tiranë, 2012.
4.
Stratobërdha, P.: “Hidraulika e zbatuar”, 405 f., Botues
SHBLU, Tiranë, 2001.
5.
Stratobërdha, P.: “Mbi teorinë e modelimeve hidraulike të lumenjve”, Pa ç., ASHSH,
Tiranë, 2007;
6.
Goga, K.: “Stratobërdha, pionieri i shkencës së
inxhinierisë së ndërtimit”, gazeta “Ndërtuesi Nr. 73, faqe 42-43 (korrik
2003 Tiranë);
7.
Zeneli, P.: “Dritrja
e intelektualit, Pandi Stratobërdha”, Telegraf, 4 shtator 2012, Tiranë, 2012.


