Gjekë Gjonaj: Princi i gojëtarisë dhe mbledhësi i thesareve të Malësisë

3h më parë

Me rastin e 50 - vjetorit të vdekjes së Mirash Lucë Gojçajt (1933-1976)

Princi  i gojëtarisë dhe mbledhësi i thesareve të Malësisë

Nga Gjekë Gjonaj

Mësues, gazetar, folklorist dhe intelektual i përmasave kombëtare

Në historinë kulturore të Malësisë së Madhe ka figura që, megjithëse nuk patën mundësi të jetojnë gjatë, lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive të popullit të tyre. Njëri ndër ta është pa dyshim Mirash Luca Gojçaj (1933–1976), mësues, gazetar, studiues i folklorit dhe mbledhës i palodhur i trashëgimisë gojore shqiptare.

Kanë kaluar pesë dekada nga ndarja e tij e parakohshme nga jeta, por emri i Mirash Gojçajt vazhdon të përmendet me respekt në Malësi, në Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Ai i përket atij brezi intelektualësh që e kuptuan se ruajtja e identitetit kombëtar nuk bëhet vetëm me veprim politik, por edhe me mbledhjen, studimin dhe trashëgimin e vlerave shpirtërore të popullit.

Rrënjët familjare dhe formimi intelektual

Mirash Luca Gojçaj u lind më 15 dhjetor 1933 në Skorraq të Hotit, në një familje me tradita atdhetare dhe përparimtare. Babai i tij, Lucë Gojçaj, ra dëshmor në Luftën  Nacionalçlirimtare në  Deçiq, më 15 dhjetor të vitit 1944, ndërsa edukimi i tij u formësua nën përkujdesjen e nënës Terezë dhe frymës tradicionale të Malësisë.

Qysh në fëmijëri u njoh me botën e pasur të rrëfimeve popullore, këngëve, legjendave dhe zakoneve malësore. Kjo pasuri shpirtërore do të bëhej më vonë themeli i veprimtarisë së tij shkencore e kulturore.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Tuz. Më pas vazhdoi studimet në Shkollën Normale në Gjakovë. Edhe pse sëmundja e detyroi përkohësisht t'i ndërpriste studimet, ai nuk hoqi dorë nga arsimi. Punoi si mësues në Radoniq të Gjakovës dhe njëkohësisht përfundoi me sukses Shkollën Normale në Prishtinë. Më vonë kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Kthimi në Malësi – zgjedhje e ndërgjegjshme

Në një kohë kur shumë intelektualë shqiptarë kërkonin të ndërtonin karrierën e tyre në qendra më të zhvilluara urbane, Mirash Gojçaj bëri zgjedhjen e kundërt.

Pas viteve të studimit dhe punës në Gjakovë, Prishtinë e Shkup, ai u kthye në Malësi. Ishte një vendim që buronte nga bindja se treva e tij kishte nevojë për kuadro të arsimuara dhe për njerëz të përkushtuar ndaj zhvillimit kulturor e arsimor.

Nga viti 1966 deri më 1969 ai shërbeu si drejtor i shkollës në vendlindje. Ish-nxënësit dhe bashkëpunëtorët e kujtojnë si pedagog të përkushtuar, njeri të urtë, të drejtë dhe me kulturë të gjerë.

Në shërbim të fjalës shqipe

Në shkurt të vitit 1969, Mirash Gojçaj filloi punën si gazetar në redaksinë shqipe të Radio Titogradit (sot Radio e Malit të Zi). Në atë kohë ky ishte praktikisht i vetmi medium elektronik në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Për shtatë vjet me radhë ai realizoi lajme, reportazhe, kronika, biseda dhe emisione kushtuar jetës së shqiptarëve në Malësi, Ulqin, Krajë dhe treva të tjera shqiptare. Krahas punës në radio, bashkëpunoi me gazeta dhe revista në Kosovë e Maqedoni, duke krijuar ura komunikimi ndërmjet shqiptarëve në hapësira të ndryshme etnike.

Folklori – pasioni i jetës së tij

Kontributi më i madh i Mirash Gojçajt lidhet me mbledhjen dhe ruajtjen e folklorit shqiptar.  Si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe i Degës së Folklorit të drejtuar nga prof. Anton Çeta, ai iu përkushtua sistematikisht mbledhjes së krijimtarisë gojore në Malësi. Në këtë veprimtari bashkëpunoi me personalitete si Dom Simon Filipaj, Vinçenc Malaj, Fran Zef Jankaj, Atë Kolë Berisha dhe Ismail Doda.

Për Mirashin, folklori nuk ishte vetëm objekt studimi. Ai e konsideronte atë si dokument të identitetit kombëtar. Në një bisedë me probatinin e tij, mësuesin  Gjon Gjonaj, në Triesh, ai shprehej: “Malësia është një thesar i trashëgimisë së popullit tonë. Kjo pasuri shpirtërore na ka mbrojtur gjatë shekujve nga asimilimi dhe zhdukja. Prandaj kemi detyrim kombëtar ta ruajmë.”

“Thesare të Malësisë” – monument i kujtesës popullore

Kulmi i veprimtarisë së tij shkencore është vepra “Thesare të Malësisë”, botuar pas vdekjes në vitin 2006 nga Misioni Françeskan në Tuz. Në këtë vëllim prej 207 faqesh përfshihen: vajtime dhe gjamë, këngë dashurie. këngë historike, këngë kreshnike, balada, përralla, mallkime, fjalë të urta, frazeologji, legjenda toponimike.

Libri përbën një nga përmbledhjet më të rëndësishme të folklorit të Malësisë së Madhe në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Vlerësimet e studiuesve

Në parathënien e veprës,Prof. dr. Anton Nikë Berisha  thekson se materialet e mbledhura nga Mirashi dëshmojnë pasurinë krijuese të malësorëve dhe aftësinë e tyre për ta ruajtur trashëgiminë shpirtërore brez pas brezi. Sipas Berishës, mbijetesa e këtyre krijimeve lidhet drejtpërdrejt me botën e brendshme të malësorit dhe me ndjenjën e tij të fortë të identitetit.

Patër Pashku Gojçaj e vlerëson Mirashin si një intelektual që kuptoi herët se ruajtja e trashëgimisë kulturore është kusht për mbijetesën e identitetit shqiptar.

Akademia përkujtimore në Detroit

Tridhjetë vjet pas vdekjes së tij, Misioni Françeskan i Tuzit organizoi në Detroit një akademi përkujtimore kushtuar figurës së Mirash Gojçajt. Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të diasporës shqiptare, studiues dhe klerikë, të cilët vlerësuan kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Publicisti Zef Pergega ka thënë se vepra e Mirash Gojçajt është një digë kundër harresës dhe një udhërrëfyes për brezat që kërkojnë rrënjët e identitetit të tyre.

Mirash Gojçaj në kujtesën popullore

Përmasat e figurës së tij pasqyrohen edhe në krijimtarinë popullore. Rapsodi i njohur Sali Mani i kushtoi vargje prekëse, ku ndër të tjera thotë:

“Ai mungon si gur i rrallë,

por me vepër rron i gjallë...”

Këto vargje përmbledhin më së miri vendin që Mirash Gojçaj zë në kujtesën e Malësisë.

Përfundim

Mirash Luca Gojçaj ishte më shumë se një mësues, gazetar apo folklorist. Ai ishte një ndër mbrojtësit më të përkushtuar të kujtesës kulturore të Malësisë së Madhe. Në një kohë kur shumë vlera tradicionale rrezikonin të humbnin, ai i mblodhi, i dokumentoi dhe ua përcolli brezave të ardhshëm.

Vdekja e tij në moshën 43-vjeçare, më 2 korrik 1976, ndërpreu një veprimtari që premtonte edhe më shumë, por nuk mundi ta ndalë ndikimin e veprës së tij. Sot emri i Mirash Gojçajt qëndron krahas atyre personaliteteve që me punë të heshtur, por me vlerë të madhe, i dhanë kulturës shqiptare një pasuri të qëndrueshme dhe të pazëvendësueshme.