Meti Rexhepi: Njeriu që ligjëronte qetësinë

NJERIU QË LIGJËRONTE QETËSINË
Nuhi
REXHEPI (1942-2026)
Nga
Meti Rexhepi
Shkuarja
e shpirtit të profesorit tim Nuhi Rexhepi në botën e pakthyeshme të amshimit,
nuk më lë indiferent! Tash pas këtij kumti për vdekjen e Profesor Nuhiut, nuk
qetësohem dot pa i hedh pak radhë, që i kam shqiptuar diku gojarisht në kujtime
ndejash, por nuk i kam shkruar...
Prania
edukative mësimore e profesorit tashmë të ndjerë, më ka përcjellë në dy
rrethana të moshës sime: si nxënës i profesorit në gjimnazin "Zenel
Hajdini" të Gjilanit dhe, si studentë në Filologjikun e Universitetit të
Prishtinës. Më ka përcjellë i njëjti karakter, e njëjta qetësi, e njëjta
buzëqeshje, i njëjti durim pa asnjë shfaqje nervozizmi, e njëjta kulturë e
ligjërimit të Tij, ndonëse në Fakultet dukshëm më e zgjeruar e emrit të
përveçëm Nuhi Rexhepi.
I
pastër, i prajshëm në pyetje-përgjigje, i durueshëm në pritjet e Tija për
vonesën time të dorëzimit të provimit me shkrim, madje në minutat kalimtar të
kohë-zgjatjes së paraparë të provimit. Mirëpo, Profesori Nuhi ishte aty me
modelin e durimit në pritje. Profesori Nuhi Rexhepi kishte një diell rrezatues,
të atillë çfarë i duhej për të na mbajtur të pashkëputshëm nga goja e tij, prej
nga i rridhnin fjalët e ligjëratës përkatëse. As bërtima, as shtrëngatë
kundruall zhurmës bezdisëse të morisë së nxënësve, përkatësisht të studentëve
në nivelin akademik nga grimasat e fytyrës dhe shqiptimit të fjalëve të Tija
prej urtaku. Të tillët si Profesor Nuhiu i duheshin arsimit tonë kombëtar në të
gjitha shkallët e ngjitjes së dijes dhe të vlerave qytetëruese...
Te
profesor Nuhiu nuk hasa folklorizma të kurrfarë ngjyrimesh. Ndonjëherë kur nuk
fliste zëshëm i fliste heshtja, i fliste qetësia... Nuhi Rexhepin si
bashkëqytetarë tonin e kishim vlerë dhe, tash do ta kemi faqe kapitulli të
Librit të Madh të Kujtesës. Duke shpaluar këtë Libër të Kujtesës, te të
dashurit e Tij dhe mes nesh, zgjohen dhimbja, krenaria, loti dhe gjakimi për
modelin njerëzor e miqësor që ndërtoi në mesin tonë Profesor Doktor Nuhi
Rexhepi! Pushoftë i qetë në paqen e pasosur!


