Merxhan Jakupi: Mahir Mustafa – Sintezë projektesh për dije, zhvillim e veprim për të mirën e njerëzimit
Mahir Mustafa (– Lura) – Sintezë projektesh për dije, zhvillim e veprim për të mirën e njerëzimit
Shkruan:
Merxhan Jakupi
Rrënjët familjare, formimi i hershëm eduaktiv e
arsimor
Mërgimi i detyrueshëm si mundësi zhvillimi
I kënaqur për mundësinë e ushtrimit të veprimtarisë
profesionale, e me rrethanat jetësore, Mahiri nuk e kishte menduar ndonjëherë
se do t’i vinte puna që për shkaqe ekonomike, si shumë të tjerë edhe ai të
emigrojë, e ndoshta edhe të shkëputet nga profesioni, që e kishte zgjedhur me
vetëdëshirë e bindje të plotë. Por pas ndarjes nga jeta të vëllait të tij më të
madh, Mehazit, në janar të vitit 1987, i cili deri atëherë kishte qenë shtylla
kryesore për mirëqenien e familjes, Mahiri vendosi të emigronte në Zvicër, me
synimin që të kujdesej për mirëqenien e mëtejshme të familjes së vëllait, të
prindërve dhe për familjen e tij që sapo kishte filluar ta krijojë. Megjithatë,
rrugëtimi i tij në mërgim dallon thelbësisht nga modeli i zakonshëm i kurbetit
të bashkë-fshatarëve të tij nga Veshalla dhe të tjerëve, të cilët, të detyruar,
kryesisht nga rrethanat ekonomike, shkonin në Zvicër e gjetiu për të gjetur
punë si punëtorë krahu në blegtori, në ndërtimtari ose në industri. I vetëdijshëm
se integrimi dhe depërtimi në fushën e tij kërkonin, para së gjithash,
zotërimin e gjuhës, ai e mësoi dhe e përvetësoi gjuhën gjermane në mënyrë
autodidakte dhe arriti që, në Universitetin Popullor në Tetovë, pas dhënies së
provimeve nga niveli I deri në nivelin V, të pajisej me diplomën e nivelit më
të lartë për zotërimin e gjuhës gjermane. Dhe pikërisht njohja e gjuhës
gjermane u bë çelësi që ia hapi rrugën, që në shtator të vitit 1989 të shkojë
në Zvicër si praktikant në Qendrën për Edukim Special të fëmijëve dhe të rinjve
me ngecje në zhvillim psikik e fizik në BALM, Jona – Rapervil (Rapperswil). Pas
përfundimit të praktikës tremujore, ai arriti që me propozimin dhe mbështetjen
referenciale të drejtorit të përgjithshëm të Qendrës për Edukim Special, të
punësohet nga janari i vitit 1990 në Shkollën Speciale për fëmijë me ngecje në
zhvillim psikik e fizik në Kronbühl, afër Vitenbahut (Wittenbach) të St.
Gallen-it. Krahas punës si mësues, i ndoqi seminaret profesionale të
pedagogjisë speciale dhe u pajis me kualifikimin përkatës për këtë fushë. Gjatë
kësaj periudhe u mor intensivisht me pedagogjinë speciale, me qasjet
shumëdimensionale të edukimit dhe me dimensionin ndërkulturor e të punës
socialpedagogjike.
Ndikimi i Fondacionit Kinderdorf Pestaloci
(Pestalozzi) në krijimin e profilit profesional të Mahir Mustafës
Interesimi i tij i veçantë për pedagogjinë
shumëdimensionale dhe ndërkulturore u bë shkas dhe arsye që, në janar të vitit
1991, të punësohej në Shkollën Ndërkombëtare të Fondacionit Pestaloci
(Pestalozzi) në Trogen, si mësimdhënës i gjuhës gjermane dhe i edukimit paqësor
për nxënës me prejardhje të ndryshme sociokulturore nga shumë vende të botës.
Gjatë vitit 1992 – 1993 Mahiri i kryen studimet pasdiplomike për mësimdhënien e
gjuhës gjermane për të huajt duke u specializuar në Institutin DIDACTA në Cyrih
(Zürich) për metodikën dhe didaktikën e gjuhëve. Deri në vitin 1995 ai ka
ndjekur kurse të ndryshme në fushën e zhvillimit të shkollës si institucion
edukativ e arsimor (me theks të veçantë në shkollat interkulturore),
komunikimit ndërkulturor dhe të bashkëjetesës paqësore, të drejtave të njeriut,
edukimit paqësor, zgjidhjes së konflikteve dhe të mediacionit, Programimi
Neurolinguistik - NLP – Neuro Linguistic Programming, Metoda Tomatis, mësimi
përmes projekteve etj. etj. Në vitin 1995 ai arrin që nga Departamenti i
Arsimit të Kantonit Apencell Auseroden (Appenzell Ausserrhoden – AR) të pajiset
me kualifikimin e barazvlefshëm zviceran. Në Fondacionin Kinderdorf Pestaloci,
një institucion me rëndësi të veçantë për Zvicrën, jo vetëm për shkak të emrit
të reformatorit të madh të edukimit e arsimimit Johan Hajnrih Pestaloci (Johan
Heinrich Pestalozzi), por edhe për shkak të veprimtarisë së tij të gjerë
edukative, arsimore e sociokulturore në arsimin formal dhe joformal, Mahir
Mustafa veproi në sektorë të ndryshëm: mësimdhënës në shkollën ndërkombëtare,
udhëheqës i projektit ALBA në fushën socio-edukative, udhëheqës i qendrës për
përsosje profesionale, udhëheqës në sektorin e projekteve kombëtare dhe
ndërkombëtare dhe ekspert për zhvillimin e kurrikulave në sektorin e zhvillimit
të programeve arsimore për edukim e arsimim formal dhe joformal në Zvicër dhe
për tridhjetë shtete të tjera partnere të Fondacionit Kinderdorf Pestaloci.
Bartja dhe përçimi i pedagogjisë ndërkulturore në
të gjitha nivelet arsimore
Përvojën e fituar në Fondacionin Kinderdorf
Pestaloci, sidomos në fushën e edukim-arsimimit ndërkulturor dhe paqësor, Mahir
Mustafa e përçoi më tej në institucione të ndryshme edukativo-arsimore, nga
kopshtet e fëmijëve deri në nivelin universitar. Krahas figurave të rëndësishme
të kësaj fushe, si Kristina Aleman Gionda (Cristina Allemann – Ghionda), Andrea
Lanfranki (Andrea Lanfranchi), Basil Shaderi (Basil Schader) e të tjerë, ai u
profilizua si një nga ekspertët më të rëndësishëm të pedagogjisë ndërkulturore
dhe të edukimit paqësor në Zvicër. Me përkushtim të veçantë e ligjëroi
pedagogjinë ndërkulturore dhe shumëdimensionale në shkollat e larta
pedagogjike, përkatësisht në Universitetin e Mësuesisë PHZH në Cyrih, në PHTG
në Krojclingen (Kreuzlingen) dhe në PHGR në Kur (Chur). Për pesëmbëdhjetë vjet
radhazi ai i bashkudhëhoqi, përmes qasjes “Diversiteti – metodë hulumtimi e
reflektimi”, modulet pranverore dhe vjeshtore, ndër më të vlerësuarat nga
studentët: ekskursionet studimore trijavore me studentë të Universitetit të
Mësuesisë PHZH të Cyrihut në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Kroaci.
Përmes këtyre formave të të nxënit, ai krijoi hapësira dhe mundësi ku studimi
nuk mbështetej vetëm në ligjërime, literaturë dhe teori shkencore, por edhe në
vetëpërjetim aktiv, vëzhgim, vetëstudim, vetëpërvojë, vetëhulumtim dhe
vetëreflektim.
Studimet, hulumtimet dhe angazhimi akademik
Krahas angazhimit shumëvjeçar në Fondacionin
Kinderdorf Pestaloci dhe ligjërimit paralel në shkollat e larta pedagogjike,
Mahir Mustafa i përfundoi, në periudhën 2000 – 2002, studimet master në fushën
e shkencave të edukimit inkluziv në Universitetin e Frajburgut (Freiburg) të
Zvicrës. Nga viti 2002 deri në vitin 2012 ai ka ndjekur kurse të ndryshme për
përsosje profesionale: strategjitë e të mësuarit dhe të studiuarit, nga dija te
veprimi, të drejtat e fëmijëve, arsimimi për të drejtat e njeriut, edukimi për
qytetari demokratike - EDC – Education for Democratic Citizenship, menaxhimi
dhe marketingu i projekteve. Në qendër të përpjekjeve për përsosje profesionale
gjatë kësaj kohe e pati ngritjen e vazhdueshme profesionale në programin PATHS,
pranë Institutit të Shkencave të Arsimit dhe Edukimit të Universitetit të Cyrihut,
mësimi me veprim për të ardhmen, konstruktivizmi – Didaktika konstruktive në
arsimimin e të rriturve – studentëve dhe studiuesve. Nga viti 2012 deri në
vitin 2015, i kreu studimet doktorale në shkencat e edukimit dhe ato sociale në
Universitetin Evropian të Tiranës. Në kontekstin e studimeve doktorale, ai u
angazhua në projektin e madh ZEPPELIN – PAT (Parents as Teachers – Mit Eltern
Lernen), i financuar nga Fondacionit Kombëtar Zviceran, e i udhëhequr nga
Shkolla Ndërkantonale për Pedagogji Speciale në Cyrih. Ky projekt, i cili për
objekt studimi e kishte përcjelljen e zhvillimit social, kognitiv, gjuhësor dhe
të përgjithshëm të fëmijëve, që nga lindja, ia mundësoi Mahirit që në kuadër të
studimeve doktorale, të merret me krahasimin e zhvillimit gjuhësor të fëmijëve
shqiptarë në Cyrih me rrethinë, në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, nga mosha zero
deri në tre vjeç.
Krahas bashkëveprimit në projektin ZEPPELIN, e të
studimeve doktorale, ai nga janari i vitit 2011 deri në qershor të vitit 2014
ishte i angazhuar në Institutin e Shkencave të Edukimit dhe Arsimimit të
Universitetit të Cyrihut, ku u shqua si bashkëpunëtor në projektin ambicioz të
këtij universiteti: Promoting Alternative Thinking Strategies – PATHS/PFADE,
Program për Nxitjen dhe Zhvillimin e Strategjive të të Menduarit Alternativ. Që
nga qershori i vitit 2014 punon si bashkëpunëtor i rregullt, udhëheqës,
trajnues, profesor dhe përcjellës i studentëve në AGOGIS, institucionin më të
madh në Zvicër në fushën e pedagogjisë sociale, me qendra në Basel, Olten,
Zürich dhe St. Gallen. AGOGIS është institucion i studimeve terciare, i njohur
për modelin e tij të ndërthurjes së studimeve teorike dhe praktike në raportin
50 – 50%. Një model i veçantë për studime për të ardhmen.
Angazhimi në të gjitha nivelet arsimore
Në mënyrë përmbledhëse mund të thuhet se Mahir
Mustafa përfaqëson figurën e edukatorit, mësuesit, arsimtarit, mësimdhënësit,
profesorit, mentorit, studiuesit dhe përcjellësit shkencor, i cili është
formuar dhe ka kontribuar profesionalisht në të gjitha nivelet e fushës së
edukim-arsimimit. Në mungesë të një edukatoreje shqiptare të kualifikuar, dhe
me qëllim që projekti i edukimit dygjuhësh, i konceptuar prej tij, të mos
mbetej i parealizuar, ai punoi për shembull gjatë viteve 1997 – 2001 pjesërisht
me orar të caktuar, në bashkëpunim ekipor (Team Teaching) me një edukatore
zvicerane, si edukator në Kopshtin e Fëmijëve SONNE në Rorschach. Në rrugëtimin
e tij profesional ai ka punuar edhe si:
mësimdhënës në shkollat fillore në Maqedoni,
mësimdhënës në shkollën speciale në Kronbühl –
Vitenbah (Kronbühl-Wittenbach) SG,
mësimdhënës në Shkollën Ndërkombëtare Pestalozzi të
Fondacionit Kinderdorf Pestaloci
mësimdhënës në Shkollën Kantonale, përkatësisht në
Gjimnazin Kantonal në Romanshorn të Zvicrës,
ligjërues në shkollat e larta pedagogjike dhe
fakultetet e mësuesisë në Cyrih, Krojclingen (Kreuzlingen) dhe Kur (Chur),
ligjërues në Shkollën e Lartë për Punë Sociale, në
studimet pasdiplomike në Rorshah (Rorschach) dhe St. Gallen,
ligjërues në Shkollën Ndërkantonale për Pedagogji
Speciale në Cyrih,
studiues në Institutin e Shkencave të Edukimit dhe
Arsimimit të Universitetit të Cyrihut,
profesor dhe bashkëpunëtor profesional në
institucionin e studimeve terciare në fushën e pedagogjisë sociale, HF AGOGIS,
në Basel, Olten, Cyrih dhe St. Gallen.
Multiplikator i dijes
Projektet për zhvillim e përparim
Jeta dhe zhvillimi i tij personal e profesional
mund të lexohen si një projekt i gjatë formimi, veprimi dhe kontributi, i
shoqëruar me sfida, vështirësi e ngritje, por edhe me vendosmëri, për t’i
shndërruar përvojat në mundësi zhvillimi e përparimi. Në këtë kuptim, Mahir
Mustafa mund të quhet simbolikisht njeri i projekteve, sepse këtë e dëshmojnë
projektet e shumta që ai ka konceptuar, bashkëkonceptuar, udhëhequr ose
realizuar në fushën e edukimit, të kulturës, të integrimit dhe të zhvillimit
social. Përveç projekteve të zhvilluara në mbi tridhjetë shtete në kuadër të
Fondacionit Kinderdorf Pestalozzi, ai ka realizuar edhe një numër të madh
projektesh të tjera. Ndër më të veçuarit janë:
Hulumtimet në Arkivin Shtetëror Osman në Stamboll
(2025)
“Diversiteti natyror e sociokulturor në fshatrat e
malësisë së Sharrit të rajonit të Tetovës” (2023 ...)
“Java e Veçantë Studimore” në Fakultetin Pedagogjik
të Universitetit të Tetovës (2017 – 2024)
Ngritja profesionale e edukatoreve në Maqedoninë
Perëndimore, përkatësisht në komunat shqiptare në Maqedoninë e Veriut (2024)
Mbështetja e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit
të Tetovës me literaturë shkencore, mjete pune për Programin Studimor
Pedagogjia Speciale dhe mjete didaktike (2014)
Krahasimi i zhvillimit gjuhësor të fëmijëve
shqiptarë nga lindja deri në moshën trevjeçare: Zürich – Tiranë – Prishtinë –
Tetovë (2012 – 2015)
Konceptimi dhe realizimi i seminareve intensive për
përsosjen profesionale të bashkëpunëtorëve të organizatave partnere të
fondacionit zviceran HEKS (Kisha Evangjeliste Zvicerane) në Shqipëri:
“Empowerment nëpërmjet arsimimit ndërkulturor dhe të drejtave të njeriut” dhe
“Zhvillimi dhe bashkëpunimi ndërkulturor”; përcjellja nga distanca e
organizatave partnere të HEKS-it në Shqipëri (Coaching of Distance for HEKS
Partner Organizations in Albania, 2008 – 2011)
Konceptimi dhe realizimi i seminareve intensive për
përsosjen profesionale të bashkëpunëtorëve të organizatave partnere të
Fondacionit Zviceran Pestaloci në Maqedoni (2008 – 2009)
Java Studimore në Zürich për përsosjen profesionale
të zyrtarëve të lartë të arsimit dhe të 25 mësimdhënësve të komunës së
Prizrenit (2006)
Përsosja profesionale dhe përcjellja nga distanca
(Coaching of Distance) e stafit qendror dhe rajonal të Kosovës për realizimin e
projektit KOSOVISION CONTEST (2006 – 2010)
Bashkëveprimi në hartimin e konceptit të projektit
KOSOVISION CONTEST, projekt arsimor i Universitetit të Edukimit të Cyrihut, i
realizuar nga viti 2006 deri në vitin 2020
Konceptimi dhe zhvillimi i kurrikulës për studimin
njëvjeçar emPower për të rinj nga e gjithë bota në Fondacionin Pestaloci në
Trogen, Zvicër (Intercultural Leadership Program for Young Adult – Interkulturelle
Jugendarbeit, 2005)
Konferenca Mbarëkombëtare e Shkollës Shqipe të
Mësimit Plotësues në Diasporë (2003)
Këshillimi praktik për mediatorët ndërkulturorë të
kantonit të Cyrihut (2003)
Konceptimi dhe realizimi i kursit të përbashkët për
prindër dhe mësimdhënës “Takimi i dy kulturave”, i realizuar në shkollën St.
Leonhard në St. Gallen, i cili në vitin 2002 u shpërblye me çmimin për risi në
fushën e arsimit “Innovative Projekte im Bildungsbereich” në kantonin e St.
Gallen-it (2002)
Krijimi i Institutit për Çështje Ndërkulturore
MOZAIK (2002)
Seminari javor për ngritjen profesionale të
mësimdhënësve të Shkollës Fillore “Besa” të Veshallës (2002)
Realizimi i kurseve për përsosjen profesionale të
kuadrit arsimor të komunave të Gjilanit dhe Prizrenit në kuadër të projekteve
“Në hap me kohën” dhe “Bashkëpunimi ndërkulturor” (2001 – 2006)
Konceptimi dhe zhvillimi i zyrës profesionale për
bashkëjetesë ndërkulturore në Fondacionin Pestaloci (2001)
Hartimi i kurrikulës “Multiplikatorët në fushën e
Arsimit të Kosovës” dhe udhëheqja e seminarit gjashtëmujor për mësues nga
Kosova, të përgatitur si multiplikatorë në fushën e Arsimit (1999 – 2000)
Java studimore në Zvicër për përsosjen profesionale
të mësimdhënësve shqiptarë nga Tetova (1999)
Hartimi i konceptit dhe kurrikulës programore
“Mësimi dygjuhësh” gjermanisht-shqip, frëngjisht-shqip dhe italisht-shqip për
fëmijët refugjatë nga Kosova me qëndrim të përkohshëm në Zvicër (1998 – 2002)
Pajisja e kopshtit të fëmijëve në shkollën fillore
“Besa” të Veshallës me lojëra, lodra dhe materiale didaktike (1999)
Krijimi i Shoqatës ARSIMI – BILDUNG – EDUCATION për
mbështetjen e bashkëpunimit me institucionet arsimore shqiptare (1999)
Java studimore në Zvicër me 42 absolventë dhe 5
profesorë të gjeneratës së parë të Fakultetit Juridik të Universitetit të
Tetovës (1998)
Zhvillimi i konceptit “Mbështetja e fëmijëve të
vegjël në zhvillimin e kompetencës në gjuhën amtare” dhe realizimi i projektit
sipas këtij koncepti me fëmijët shqiptarë në kopshtin e fëmijëve “Sonne-Dielli”
në Rorschach, kantoni i St. Gallen-it (1997 – 2001)
Përsosja profesionale e mësimdhënësve të Shkollës
Shqipe në Zvicër (1995 – 2010)
Institucionalizimi i Shkollës Shqipe të Mësimit
Plotësues në Zvicër (1995) – Udhëheqja 20-vjeçare e saj.
Fuzionimi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Lidhjes së
Prindërve Shqiptarë në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim
Frashëri”, bartëse e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues (1995)
Hapja e klasave për mësim plotësues në gjuhën
shqipe për fëmijët shqiptarë në tërë Zvicrën. Krijimi i rrjetit të Shkollës
Shqipe të Mësimit Plotësues (1992 – 2010)
Hapja e klasave për mësim plotësues në gjuhën
shqipe për fëmijët shqiptarë në kantonin e St. Gallen-it (1990 – 2010).
Nga projektet dhe bashkëpunimet e shumta personale
e profesionale me institucionet arsimore dhe ato ndërinstitucionale në fushën e
hulumtimeve dhe të përçimit të dijes te të tjerët – përsosjes profesionale, më
me interes dhe si më të pëlqyerat e Mahirit mund të veçohen këta e këto:
angazhimi i tij për ruajtjen e gjuhës së parë –
gjuhën e zemrës – dhe të vlerave kombëtare në mërgim nëpërmjet Shkollës Shqipe
të Mësimit Plotësues, dhe bashkëpunimi i ngushtë në këtë kontekst me babain e
shkollës fillore shqiptare – prof. Dr. Shefik Osmanin,
bashkëpunimi me albanologun e didaktin e njohur
zviceran prof. Dr. Basil Schader-in,
bashkëpunimi me koordinatorët e 24 shteteve për
realizimin e Programit Studimor Udhëheqësit e Ardhshëm të Shoqërive të
Margjinalizuara (Intercultural Leadership Program for Young Adult),
bashkëpunimi shumëvjeçar me Institutin për
Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Edukim-Arsimimit (International Projects
in Education – IPE) të Universitetit të Mësuesisë PHZH në Cyrih,
bashkëpunimi me Shkollën Ndërkantonale për
Pedagogji Speciale HfH në Cyrih, bartëse e projektit ZEPPELIN,
bashkëpunim me Institutin e Shkencave
Edukativo-Arsimore të Universitetit të Cyrihut në kuadër të programit PATHS,
dhe
bashkëpunimi shumëvjeçar me Konferencën e Mjekëve
Zviceranë për Fëmijët (Kinderärzte Schweiz – KIS), me të cilët është marrë
intensivisht me çështjen e zhvillimit të fëmijëve.
Krijimtaria letrare, shkencore, publicistike dhe
përkthimet
Në jetën dhe veprimtarinë e Mahir Mustafës nuk ka
munguar as krijimtaria letrare, shkencore e publicistike. Ai ka botuar:
“Pedagogjia, Shkollat Shqipe me Program Plotësues”,
në bashkautorësi me Prof. Dr. Musa Krajën dhe autorë të tjerë, EXTRA-R, Tiranë,
2013
“Emi-, Imi-, Remi-”, dramë leximi me sfond
sociokulturor të mërgatës shqiptare në Zvicër, shqip-gjermanisht, Shtëpia Botuese
Careum, Zürich, 2010
“Sociologjia – Njeriu dhe Zhvillimi”; ndikimi i
ndryshimeve shoqërore te fëmijët, Shtëpia Botuese Careum, 2009, autor kryesor i
tekstit mësimor për punëtorët profesionalë të fushës specifike të përkujdesjes
së fëmijëve
“Brückenbauen – Urëndërtimi”, botuar nga Pestalozzi
Children’s Foundation dhe Shtëpia Botuese hep, 2009, në bashkautorësi me
Martina Schäfer dhe Heinz Wöhnlich
“Historia e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në
Zvicër”, Shtëpia Botuese Maluka, Tiranë, 2007, në bashkautorësi me Prof. Dr.
Shefik Osmanin
“Princesha Ardita”, Shtëpia Botuese e Teksteve
Mësimore e Kantonit të Cyrihut, 2001/2003/2005 ..., shqip-gjermanisht, në
bashkautorësi me Silvia Hüsler
“Gjermanisht për shqiptarët”, EKA, Komisioni
Federal për Çështje Migrimi e Integrimi, Bernë, 1996, adaptim i teksteve
mësimore për mësimin e gjermanishtes.
Me punimet e tij me tema nga fusha e edukimit dhe
arsimit si dhe të atyre sociale e socio-kulturore, të cilat kanë shërbyer dhe
shërbejnë si nxitje dhe bazë për studime të thelluara nga studiuesit e fushës
edukative e socialpedagogjike, Mahiri ka lënë gjurmë edhe në konferencat
kombëtare e ndërkombëtare. Trajtimi i temave nga ai në konferenca e simpoziume,
si p.sh. “Sfidat e shekullit XXI në fushën e Arsimit”, “Inkluzioni, utopi apo
mundësi reale”, “Mësimi efikas përmes përjetimit dhe vetëstudimit” etj. etj.
kanë hapur shtigje dhe mundësi për qasje kritike ndaj temave për rolin e
shkollës dhe të arsimit për të ardhmen.
Veprimtaria e Mahir Mustafës është shtrirë edhe në mediat e shkruara, elektronike dhe digjitale. Në këtë fushë mund të përmenden: “Shkolla në Prizren”, film i Dominik Roost dhe Mahir Mustafës, producent: Universiteti i Edukimit i Cyrihut, 2010
Emisionet në gjuhën shqipe “Zëri i mërgimtarit” në Radio Aktuell, St. Gallen, “Radio Wil-i flet shqip” në Radio Wil dhe në Radio TOP (1995 – 2005; dhjetë vjet radhazi Radio Wil-i fliste të hënën dhe të premten në mbrëmje shqip)
Redaktimi i revistës për fëmijë “Shqiponjat” në
Zvicër (1994 – 1996)
Bashkëveprimi në realizimin e emisionit “Pikëtakimi
ndërkombëtar” në Radio Aktuell, St. Gallen, me përgjegjësi për emisionin në
gjuhën shqipe (1992 – 1996).
Emri i Mahir Mustafës është i pranishëm edhe në
shtypin shqiptar të hapësirës gjuhësore e kulturore shqiptare, si dhe në
mërgim. Me artikujt dhe trajtimet e tij tematike, kryesisht nga fusha
profesionale, por edhe nga ajo sociopolitike, ai ka lënë gjurmë për qasjen dhe
mendimin kritik dhe vizionar. Në gazeta, revista dhe portale janë publikuar,
ndër të tjera, shkrimet: “Fol në gjuhën e zemrës” (Zëri i Ditës), “Nga? Ku?
Kah? Roli dhe funksioni i gjuhës së parë për fëmijët mërgimtarë” (Bota Sot),
“Suedezët të mirëseardhur, shqiptarët të padëshiruar” (Zëri i Ditës), “Faktorët
me ndikim pozitiv në suksesin e nxënësve” (Zëri i Ditës), “Bashkëpunimi në mes
shkollës dhe familjes” (Zëri i Ditës, Bota Sot etj.), “Rëndësia e gjuhës amtare
për përvetësimin e gjuhëve të tjera” (Zëri), “Rëndësia e pedagogjisë
interkulturore në shoqëritë multikulturore” (Bota Sot), “Veçoritë e një
organizate të mirë, zhvillimi i organizatave” (Flaka), “Shkolla si organizatë
mësimi dhe zhvillimi i saj” (Flaka), “Maqedonia – nyja gordiane” (Flaka dhe
Fakti), “Konfliktet dhe arti i negociatave” (Flaka dhe Fakti), “Mediacioni si
model ndërmjetësimi dhe zgjidhjeje konfliktesh” (Flaka), “Si populli, qeveria”
(në shumë gazeta e portale), “Discere et studére ad futurum – Me msue e me
studiue për ardhmëri – Mësim e studim për të nesërmen” (në shumë gazeta e
portale), si dhe “‘Arsimi’ nga Zvicra mbështet arsimin shqip në Ballkan”
(Albinfo) etj. etj.
Krijimi i urave lidhëse ndërkulturore
Ai ka përkthyer nga gjermanishtja në gjuhën shqipe:
“Vizita e ujkut të vogël” – “Besuch vom kleinen
Wolf”, Silvia Hüsler, Lehrmittelverlag des Kantons Zürich
“Si i mëson fëmija im të dyja gjuhët, shqipen dhe
gjermanishten – Wie lernt mein Kind 2 Sprachen, Deutsch und Albanisch?”,
Staatsinstitut für Frühpädagogik, München; tekst: Michaela Ulich; grafikë:
Silvia Hüsler; përkthim: Mahir Mustafa
“Buba e vogël e pangopur kurrë” – “Die kleine Raupe
Nimmersatt”, Eric Carle, Gerstenberg Verlag, 1998, Bestand Bibliomedia
Schweiz/Unikat
“Për ku je nisur ti, ariu i vogël polar?” –
“Kleiner Eisbär, wohin gehst du?”, Hans de Beer, Nord Süd, 2002, Bestand
Bibliomedia Schweiz/Unikat.
Lidhja me rrënjët dhe kontributi për përjetësinë e
tyre
Përveç veprimtarisë shumëdimensionale dhe asaj
profesionale si docent (profesor) në AGOGIS, ai merret aktualisht në mënyrë intensive
me projektin “Diversiteti natyror dhe sociokulturor në malësinë e Sharrit të
rajonit të Tetovës”, me hulumtimin e dokumenteve të marra nga Arkivi Shtetëror
Osman në Stamboll, me shndërrimin e godinës së zbrazur shkollore “BESA” në një
objekt shumëfunksional (shkollë verore për fëmijët e të rinjtë e diasporës,
kampe për fëmijë e të rinj, bujtinë për vizitorë e turistë, vendtakim
gjeneratash, vendekspozim kujtimesh e biografish, vend për organizime
seminaresh, simpoziumesh etj. etj.), si edhe me krijimin e Institutit për
Studime Sociokulturore ISSK, të shoqëruar me pjesën e muzeut etnologjik e
sociokulturor për malësinë e Sharrit të rajonit të Tetovës në godinën e
shkollës në Veshallë, në hapësirat e të cilit thënia “Ngado që të shkosh, mbaje
në mend dhe kujtohu se nga vjen” do të jetë prezente kudo përmes eksponateve me
vlerë të madhe si burim i vazhdueshëm frymëzimi për të ardhmen, sepse e ardhmja ka nevojë për kujtime nga e kaluara dhe e sotmja.
Përmbyllje: nga dija te veprimi për shumëfishimin e
saj për të mirën e njerëzimit
Rrugëtimi i Mahir Mustafës dëshmon se dija nuk
është vetëm pasuri personale, por përgjegjësi shoqërore. Nga Veshalla në
Tetovë, nga Tetova në Zvicër, nga shkolla fillore te universiteti, nga
pedagogjia e përgjithshme ta ajo speciale, nga pedagogjia ndërkulturore te
pedagogjia inkluzive, nga projektet arsimore te hulumtimet sociokulturore, duke
menduar e vepruar lokalisht e globalisht dhe ndërsjelltas ka ndërtuar një jetë
të orientuar drejt zhvillimit, përçimit të dijes dhe veprimit në të mirë të
njerëzimit. Prandaj, figura e tij mund të përmblidhet si sintezë e tri
dimensioneve: dije, zhvillim dhe veprim për shumëfishim. Në këtë kuptim, Mahir
Mustafa – Lura shërben jo vetëm si biografi individuale, por edhe si shembull i
një rruge jetësore ku përvoja personale e profesionale shndërrohen në kontribut
të gjerë shoqëror.







