Fran Gjoka: Sa i thjeshtë në dukje, aq i lartë dhe njerëzor ishte
SA I THJESHTË NË DUKJE, AQ DHE I LARTË DHE NJERËZOR ISHTE
HOMAZH

Njerëzit
e mirë po ikin në heshtje nga kjo botë, duke lënë pas kujtime, vlerësime për
emrin dhe vepren shumëvjeçare që ato kryen. Punuan, sakrifikuan, por ndonëse në
vlera materiale fituan pak, ata fituan respektin e njerëzve për ndihmesën që
dhanë, për veprat e tyre të mira, për dinjitetin dhe dashurinë që përcollën në
jetën e tyre familjare, por dhe të bashkëkombësave te tyre. Kushdo që largohet
nga kjo botë, mbetet në adresë të tij apo saj, ajo mirënjohje, kujtimi dhe emri
i mirë ndër breza. Aq më tepër nëse sektorin e arsimit, në punën e bukur të
mësuesisë, nga ku nxjerr breza të tërë intelektualësh të fushave të ndryshme.
Pas dekadave të shërbesës së tyre fisnike në mësuesi, jeta ndërpritet, e mpleks
keqardhjen, dhimbjen dhe kujtimin e mirë në shërbesën ndaj profesionit. Breza
të tërë mësuesish punuan e sakrifikuan, duke vendosur nga një tullë në
ngrehinën e madhe të arsimit tonë kombëtar.
E
në kontekstin e të gjithave sa shkruajtëm më lart, bëjmë fjalë për mësuesin e
nderuar e të paharruar, Tom Beqiri, i cili ndërroi jetë në moshën 78- vjeçare
nga një sëmundje e rëndë. Mësuesi i nderuar, Tom Beqiri u lind në fshatin
Simon. Shkollën fillore dhe 7-vjeçare e kreu në fshatin e tij të lindjes.
Pasi
mbaron mësimet e para në vendlindje, falë dhe përkujdesjes së prindërve,
dërgohet për të vazhduar shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkodër.
Sa kohë përfundoi shkollimin për mësuesi dërgohet mësues në zonën e Kaçinarit
ku dha mësim në fshtrat Simon, Kushnen, Bukmirë dhe Shëngjergj.
Përgjatë
gjithë kohës që Toma shërbeu në këto fshatra dhe nuk ishte pak, por mbi 40
vjet, brezat e mësuesve, që punuan me të, panë të personifikuar modelin dhe
figurën e një mësuesi dhe edukatori të vërtetë e të palodhur në shërbim të
dijes dhe komunitetit.
Ai
karakterizohej nga cilësi të spitakatura individuale dhe profesionalizëm të
lartë, rrezatonte kulturë dhe edukatë
qytetare, duke u bërë frymëzim për breza të rinj të mësuesisë.
Ishte
kënaqësi dhe privilegj jo vetëm ta takoje, por thjeshtë të bisedoje me të, se
çdo fjalë e tij kishte peshë, të impononte respekt dhe vlera njerëzore, sidomos
kur fliste me pasion dhe dëshirë për profesionin e nderuar të mësuesit, për
vështirësitë që hasen në punën me nxënësit. Ai, për më shumë se 40 vjet,
qëndroi në krye të mësuesve të klasave të para dhe të pesta, pasionant që
mësimdhënien e konsideronte të shenjtë dhe nuk dinte kurrë ç’është lodhja.
E
gjithë kjo punë paraprihej me përgaditjen serioze. Me diskutime shkencore e
metodike që bënte me kolegët e tij. Të gjitha këto nxisnin mendimin e pavarur
aktiv e krijues të tyre dhe që rrisnin përqëndrimin e vëmendjes në mësim. Dhe
pas çdo ore vetëvleresimi dhe verifikimi meditonte për të bërë ndryshimet e
domosdoshme me qëllim që mësimi për ditën e nesërme të ishte më i qartë për 3
nivelet e nxënësve.

Ky
dritëdhënës në dije e arsim, kishte një prejardhje frytdhënëse në familjen e
tij, ku rritja dhe edukimi ishin primare, ndershmëria dhe tradita shkëlqenin,
ishin arsimdashës, frymë të cilën e ndërtoi dhe fuqizoi në familjen e re që
formoi, me të cilën lidhen të ardhmen e tyre. I martuar me mësuesen e nderuar
dhe të respektuar, Vitoren, njohëse e shkëlqyer në mësimdhënien e mësimnxënien
e klasave të para dhe të pesta e arsimit 9 vjeçar, ku për 40 vjet, edhe pse në
pension, brezat e nxënësve ruajnë kujtimet më të bukura dhe ndjeshmërinë për
mësuesen e tyre. Jeta bashkëshortore me zonjën u konsolidua duke u bërë kështu
një çift model dhe dinjitoz në arsim e me plot vlera dhe virtyte të larta
njerëzore. Në këto vite të tranzicionit, Toma bashkë me bashkëshorten e tij
investuan shumë nga vetja, duke rritur e shkolluar tre djem të mrekullueshëm
Albani, Alvito dhe Aldo, dhe sot janë
koshient për sakrificat e babait, duke u mësuar denjësisht atyre udhën e dijes
dhe të prosperitetit.
Kudo
ku punoi në fshtatrat e rrethit Mirditë, për më shumë se 40 vjet dhe asnjëherë
nuk përfitoi nga konjukturat politike të kohës, siç ndodhte rëndomë me të
tjerët mësues, ndaj me të drejtë do thoja se Tom Beqiri do të mbetet një ndër
mësuesit më me emër jo vetëm për Mirditën, por dhe në shkallë kombëtare.
E
tillë ishte fryma që Toma jetësonte, e tillë ishe jeta që ai thurte dhe aq
shumë e donte, me pagabueshmërinë, që ai nisi në mësuesi 40 vjet më parë në të
gjitha etapat e tij, sepse karakterizohej nga një intuitë për t’u orientuar
drejt kur “duhej” “të përballohej” jo rrallë, me kapriçot e jetës, të cilat me
urtësi, mençuri e pjekuri i kapërcente denjësisht dhe me vendosmëri.
Si
ish nxënës i pedagogjikes që ishim në shkollën “Shejnaze Juka” Shkoder, e
kujtoi që në rininë e hershme të tij, që veçohej si një djalë fjalëpak, pa
zhurmë dhe me energji të pashterrshme, dashamirës, që nuk ju dëgjua zëri kurrë
për keq, gojëmbël, po kurajoz që mbronte me dinjitet mendimet e tij.
Nuk
ishim jo më shumë se 17 vjeç kur dha një orë mësimi dhe mori në dorë klasën
gjatë praktikës pedagogjike. Ishte i qetë, autoritar dhe i butë, duke ruajtur
me fanatizëm të gjitha etapat e orës së mësimit, thua se kishte mbi supe
dhjetra vite përvojë.
Me
mbarimin e shkollës, fillon dhe punën në mësuesi, ku u poq shumë shpejt, në
sajë të punës vetëmohuese, të përkushtimit maksimal ndaj detyrës dhe shumë
shpejt i dha profesionit dashurinë dhe zemrën deri në frymëmarrjen e tij të
fundit.
Një
burrë që nuk e nisi dhe as e përfundoi karrierën e tij me bujë e reklama, ua la
të tjerëve të gjykonin për shërbimin korrekt që u bënte nxënësve, por që gjykoi
me profesonalizëm, sinqeritet, dashamirësi, punën e mirë që bënin kolegët e
tij.
Në
jetën shoqërore dhe publike ishte dhe mbetet njeri për t’u admiruar, një
qytetar dhe atdhetar me zemër të madhe. Më ka rastisur shpesh të takohem e të
bisedoj me të, kujtoi kur biseda binte te tema e ndryshimeve në tranzicionin e
tejzgjatur. Ai gjithnjë ishte i hapur, me vështrimin e ëmbël e gjithë respekt,
bashkëbisedonte me pasion, logjikë e argument për vlera alternative, për ide e
mendime të dobishme, për demokracinë ende të brishtë në Shqipëri.
Kuptohet
që është e vështirë që brenda një shkrimi homazh të sjellësh në mënyrë të plotë
para lexuesve figurën e gjithanshme të një mësuesi të nderuar të arsimit
mirditor.
Tom
Beqiri, i ndjerë, tani nuk jeton…, e kujtojnë me lotë mallëngjimi tre djemtë e
tij, dy vëllezërit, nipat dhe mbesat, ish nxënësit, kolegët dhe mbarë
komuniteti prindëror.
Emri
dhe kontributi tij në mësuesi do të mbetet përjetësisht në memorien e brezave
të sotëm, si një ndër emrat më të nderuar e të respektuar të arsimit mirditor.
Përjetësisht
mirënjoheje misionarit të arsimit!
I
përjetshëm qoftë kujtimi i tij!


