Nexhmije Mehmetaj: Lamtumirë, miku i madh i shqiptarëve, Basil Schader
Lamtumirë, miku i madh i shqiptarëve, Basil Schader

Prof. Dr. Dr. Basil
Schader (1951–2026)
ishte një ndër personalitetet më të shquara evropiane që kontribuoi në
studimin, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, veçanërisht në fushën e
arsimit plotësues në diasporë.
Me
dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Dr. Basil
Schader, pedagogut, studiuesit dhe mikut të madh të shqiptarëve. Ikja e tij e
papritur, pas një sëmundjeje të rëndë në spitalin e Cyrihut, përbën një humbje
të madhe jo vetëm për botën akademike shqiptare e zvicerane, por edhe për të
gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër përkushtimin, urtësinë dhe
dashamirësinë e tij të pashoqe ndaj gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptar.
Në
çaste të tilla dhimbjeje, fjala duket e pamjaftueshme për të shprehur
pikëllimin që ndiejmë. Megjithatë, krahas dhimbjes së thellë, kemi edhe
detyrimin moral e intelektual të kujtojmë dhe të vlerësojmë veprën e vyer të
profesor Schader-it, i cili me përkushtim të rrallë iu kushtua çështjes
shqiptare, veçanërisht ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Në
mesin e studiuesve me prejardhje joshqiptare që dhanë kontribut të
jashtëzakonshëm për gjuhën dhe arsimin shqip, emri i Basil Schader-it zë një
vend të veçantë. Ai jo vetëm që e mësoi dhe e zotëroi gjuhën shqipe në mënyrë
shembullore, por e studioi atë me seriozitet shkencor dhe ia kushtoi një pjesë
të madhe të jetës mbrojtjes, promovimit dhe zhvillimit të saj. Për profesor
Schader-in, gjuha shqipe nuk ishte thjesht objekt studimi akademik, por një
pasuri shpirtërore dhe identitare që duhej ruajtur e transmetuar brez pas
brezi.
Mesazhi
i tij shkencor dhe njerëzor drejtuar shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve
amtare ishte i qartë dhe i vazhdueshëm: gjuha shqipe duhet folur në familje, në
jetën e përditshme dhe t’u trashëgohet fëmijëve si vlera më e çmuar identitare.
Ai ishte i bindur se vetëm përmes përdorimit aktiv dhe shkrimit të saj, shqipja
mund të mbijetojë dhe të zhvillohet në kushtet e migrimit dhe të
shumëgjuhësisë.
Kontributi
i tij në fushën e arsimit plotësues në diasporë ishte shumëdimensional. Në
vitin 1996, në bashkëpunim me mësuesin Femzi Braha, botoi librin “Shqip”,
ndërsa së bashku me Fadil Rexhepi hartoi librin shkollor “Ura e Fjalëve”, si
dhe fjalorin shkollor gjermanisht-shqip. Një ndër veprat më të rëndësishme shkencore
të tij mbetet studimi “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe
gjermanishtes në Zvicër”, me të cilin mbrojti doktoraturën e dytë në
Universitetin e Tiranës, botuar në vitin 2005. Ky studim përfaqëson një
kontribut të rëndësishëm në fushën e sociolinguistikës dhe të dygjuhësisë
shqiptare në diasporë.

Veçanërisht
i rëndësishëm ishte bashkëpunimi ndërmjet Shkollës së Lartë Pedagogjike të
Cyrihut, ku ai vepronte si docent, dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe
Teknologjisë së Kosovës për hartimin dhe botimin e teksteve të mësimit
plotësues në diasporë. Në kuadër të këtyre angazhimeve, profesor Schader
udhëhoqi projekte ndërkombëtare për didaktikën e mësimdhënies, duke dhënë një
kontribut të jashtëzakonshëm në profesionalizimin e mësuesve të gjuhës shqipe
jashtë atdheut.
Për
veprimtarinë e tij të çmuar në shërbim të arsimit dhe kulturës shqiptare,
Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër e shpalli anëtar nderi
në mars të vitit 2003. Ndërsa në vitin 2017, për kontributin e tij
shumëdimensional në favor të mërgatës shqiptare dhe të shqiptarëve në
përgjithësi, ai u nderua me “Çmimin e Nderit” nga Qeveria e Republikës së
Kosovës.
Figura
e Prof. Dr. Dr. Basil Schader-it do të mbetet e paharruar në kujtesën e
mësuesve, studiuesve dhe të gjithë shqiptarëve që panë tek ai një mik të
sinqertë dhe një mbrojtës të palodhur të gjuhës shqipe. Ai ishte një urë
lidhëse mes kulturave, një zë i fuqishëm në mbështetje të arsimit shqip në
diasporë dhe një shembull i rrallë i humanizmit akademik.
Lamtumira
ndaj tij është e rëndë, por vepra dhe mesazhi që la pas do të jetojnë gjatë. Emri
i Basil Schader-it do të mbetet i shkruar me respekt e mirënjohje në historinë
e arsimit dhe të albanologjisë shqiptare. Ndërsa kujtimi për të do të mbetet
frymëzim për brezat që do të vazhdojnë misionin e ruajtjes së gjuhës dhe
identitetit shqiptar kudo në botë.
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë, 14, 05. 2026







