Gani Pllana: Profesor Kiço Rambi – Shkodrani, student shembullor në Kiev dhe pedagog i jashtëzakonshëm

33m më parë

PROFESOR  KIÇO RAMBI-SHKODRANI STUDENT SHEMBULLOR NË KIEV DHE PEDAGOG I JASHTËZAKONSHËM NË UNIVERSITETIN SHTETËROR TË TIRANËS DHE NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS

Nga Gani S. Pllana

Prof. Kiço Rambi, lindi më 21 shtator 1929 në Shkodër. Shkollën e mesme e filloi në Korçë në Shkollën Teknike (sot Shkolla Teknike Profesionale “Demir Progri”) dhe e përfundoi në Shkollën e Mesme Teknike në Tiranë (më vonë Instituti Teknik, pastaj Politeknikumi “Harry Fultz”, pastaj Politeknikumi “7 Nëntori” (sot emërtohet Instituti “Harry Fultz”). Emri i tij u përfshi në “Tabelën e Artë” të shkollës për dy vitet shkollore 1946/47 dhe 1947/48.

Studimet e larta i filloi në shtator 1948 dhe i kreu në Institutin e Inxhinierisë Civile në Kiev, Ukrainë, Bashkimi Sovjetik (Kievskiy Inzhenerno-Stroitel'nyi Institut – KISI, sot Universiteti Kombëtar i Ndërtimit dhe Arkitekturës në Kiev, Ukrainë (Kyyivs?kyy Natsional?nyy Universytet Budivnytstva i Arkhitektury - KNUSA), ku u diplomua si Inxhinier Ndërtimi, Dega Industriale Civile, më 3 Qershor 1953 me cilësimin “Shkëlqyer”.

Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1953 fillimisht u emërua në detyrën e dyfishtë: si Inxhinier Ndërtimi në Degën Teknike, Ministria e Ndërtimit, Tiranë  (për një vit) dhe asistent pedagog (pas një viti pedagog) në Institutin e Lartë Politeknik të Tiranës.

Pas krijimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës (USHT) në vitin 1957 vazhdoi aktivitetin akademik në atë institucion (me një shkëputje prej tre vjetësh) deri në pension, në vitin 1985.

Ka fituar titullin “Docent” në vitin 1965, dhe është emëruar Shef i Katedrës të Rezistencës së Materialeve, në vitin 1969.

Në vitin 1971  është emëruar Zëvëndës Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë dhe më tej ka fituar titullin “Kandidat i Shkencave Teknike (K.SH.T)”. Pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri, grada e K.SH.T. u ekuivalentua me “Doktor i Shkencave”.

Në kuadrin e inisiativës të qeverisë të atëhershme shqiptare për “Qarkullimin e Kuadrove” Kiço Rambi ishte një nga intelektualët e parë që vullnetarisht kërkoi transferim në Elbasan, ku punoi si Kryetar i Degës së Projekteve në Kombinatin Metalurgjik, nga viti 1975 deri në vitin 1978. Gjatë kësaj kohe punoi edhe si Pedagog në USHT, Filialja e Elbasanit.

Profesor Kiço Rambi ishte titullar, autor dhe lektor i shumë lëndëve mësimore në Institutin e Lartë Politeknik të Tiranës, më vonë Universiteti Shtetëror të Tiranës (referencë tek “Veprimtaria kërkimore, shkencore, botuese dhe zbatuese”).

Aktivitete jashtë vendit dhe funksione të tjera

Në vitin 1957, Inxh. i dipl. Kiço Rambi ka kaluar 2 muaj për specializim dhe si Rezident në Shkollën e Lartë Teknike në Drezden, Republika Demokratike Gjermane (Technische Hochschule Dresden – THD, sot Technische Universität Dresden – TUD) në kuadër të bashkëpunimit tekniko-shkencor mes USHT dhe THD.

Në periudhën 1969-1970 ka kaluar 6 muaj për specializim dhe si Rezident në Shkollën e Lartë Kombëtare të Arkitekturës në Toulouse, Francë (École Nationale Supérieure d’Architecture – ENSA, Toulouse, France) në kuadër të bashkëpunimit tekniko-shkencor mes USHT dhe ENSA (École Nationale Supérieure d’Architecture – ENSA).

Prof. Rambi ka dhënë leksione në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Teknik, në degën e Ndërtimtarisë, në lëndën mësimore “Statika e konstruksioneve” prej vitit 1971 deri në vitin 1975, dhe prej vitit 1978 deri 1980.

Detyra shtetërore për aktivitete sportive

Profesor Kiço Rambi prej vitit 1969 deri 1975 ka qenë anëtar i Federatës Shqiptare të Lojrave, Sektori Basketboll, ku mes të tjerave ushtroi detyrën e Përgjegjësit të Ekipit Kombëtar të Basketbollit në Turneun kualifikues për Kampionatin Evropian në Budapest (21-25 maj1969).

Njohuri të gjuhëve të huaja: rusisht, frëngjisht, italisht dhe serbo-kroatisht.

Veprimtaria kërkimore, shkencore, botuese dhe zbatuese

Pedagog Kiço Rambi hartoi dispensën për ushtrimeve për lëndët: “Rezistenca e materialeve” dhe ”Uudhëzimi metodik i detyrave dhe punimeve eksperimentale”, UPT, Tiranë (1953-1957).

Projektimi i punëve laboratorike, zbatimi i tyre dhe hartimi i metodikave për kryerjen e detyrave nga ana e studentëve, UPT, Tiranë (1953-1957).

Hartoi leksionet për lëndën “Materiale ndërtimi” dhe punëve laboratorike përkatëse (1954

Hartoi leksionet dhe dispensën për lëndën “Teknologji e materialeve” (1955).

Hartoi eksionet, detyrat dhe ushtrimet për lëndën “Statika e ndërtimit” dhe botimi i tyre në formë dispense, UPT, Tiranë, 1956.

Së bashku me Pedagog Jorgji Zikon, përktheu dhe botoi tekstin bazë për lëndën “Hidraulika”, UPT, Tiranë, 1956.

Hartoi leksionet për lëndën “Konstruksione druri” dhe i programin për realizimin e kësaj lëndë.

Përktheu dhe botoi tekstin bazë “Rezistenca e materialeve” të një grupi autorësh, redaktuar nga Filonenko dhe Borodiç, Tiranë, 1959.

Përktheu dhe botoi tekstin bazë “Statika e konstruksioneve” i autorit Rabinoviç, Tiranë, 1961.

Hartoi leksionet për pedagogët e katedrës “Fotoelasticiteti”. Mbajti një kurs, së bashku me shfaqjen e një filmi mbi këtë temë (pas kthimit nga vizita 2-mujore në Shkollën e Lartë Teknike në Drezden, Gjermani), Tiranë, 1961-1962.

Disa referime për Plasticitetin në sesionet shkencore me pedagogët e USHT, Tiranë, 1965-1967.

Përktheu veprën madhore “Teoria matematike e elasticitetit” (botimi i parë ONTI, viti 1935 nga autori A.E.H Love rreth 600 faqe) vlerësuar si “Punim Shkencor” nga katedra në fitimin e titullit mësimor-shkencor “Docent”, Tiranë, 1962-1965.

Hartoi leksionet dhe i mbajti për lëndën “Shkenca e konstruksioneve”, për studentët e kursit të Tretë të Fakultetit Teknik të Prishtinës, udhëzimet dhe programet për detyrat e kursit në përshtatje me planet dhe programet e Universitetit të Prishtinës, Prishtinë, 1971-1975.

Hartoi leksionet për lëndën mësimore “Teoria e elasticitetit” dhe ligjëroi lëndën në katedër, për pedagogët dhe studentët pasuniversitarë, në Prishtinë, 1971-1975.


Prof. Kiço Rambi, me studentët e Fakultetit të Ndërtimtarisë (studentët e vitit të III-të), Universiteti e Prishtinës, Prishtinë (1973)

Prof. Rambi ka mbajtur cikël leksionesh për kuadrot e prodhimit mbi të rejat e “Shkencës së konstruksioneve” në USHT dhe Universitetin e Prishtinës, Tiranë-Prishtinë, 1979-1980.

Prof. Rambi ka mbajtur cikël leksionesh për studentët pasuniversitarë mbi “Fotoelasticitetin” pas specializimimn 6-mujor në ENSA (École Nationale Supérieure d’Architecture), Toulouse, Francë, Tiranë, 1971-1972

Prof. Rambi, hartoi Kushteve Teknike të Projektimit të veprave të ndërtimit me Grup Pune në një komision qeveritar, të botuara nga Ministria e Ndërtimit dhe të aprovuara nga Këshilli i Ministrave; kushte këto të detyruara me ligje të zbatohen gjatë projektimit, Tiranë, 1957 dhe 1975.

Prof. Rambi, hartoi dhe botoi Kushtet Teknike të zbatimit (Grup Pune) të detyrueshme për veprat industriale, Tiranë, 1977.

Udhëheqës shkencor për punime të diplomave dhe të doktoraturave

Prof. Kiço Rambi, ishte udhëheqës shkencor për diploma të ndryshme të studentëve që nga viti 1955 e në vazhdim – 1955-1985 (edhe pas pensionit).

Udhëheqës shkencor për punime të disertacioneve dhe recensues për kandidatë, për fitimin e gradës “Kandidat i Shkencave Teknike” (KSHT) nga kuadro të Fakultetit të Inxhinierisë dhe të jashtëm në fushën e Teorisë së elasticitetit, mbulesave të holla, urave dhe monumenteve të kulturës, Tiranë, 1970-1985.

Pjesmarrje në Komisionet Shtetërore

Prof. Kiço Rambi, ka marrë pjesë në të gjitha Komisionet Shtetërore për mbrojtjen e projekt-diplomave në Inxhnierinë e Ndërtimit (në shumicën e tyre si Kryetar Komisioni).

Udhëheqja e Byrosë së Projektimit si Kryetar Dege në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, pas momentit kritik të largimit të specialistëve kinezë, Elbasan, 1975-1979.

Projektoi dhe i zëvëndësoi disa projekte të konstruksioneve metalike dhe betonarmeje në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, Ndërmarrja e Ndërtim-Montimit, Elbasan,1975-1979.

Recensues dhe redaktor shkencor

Recensues dhe redaktues shkencor i librit “Konstruksione metalike dhe druri” të autorit Vasil Pistoli dhe redaktor shkencor i librit “Llogaritjet dinamike në sizmicitet” të autorëve Niko Pojani e Roland Poloska.

Përfundim

Prof. Kiço Rambi ishte njëri prej pionerëve që hodhën themelet e Shkollës së konstruktorëve shqiptarë, njëri prej atyre që punuan me përkushtim të madh profesional por edhe me idealizëm patriotik, për krijimin dhe zhvillimin e Shkollës shqiptare inxhinerike.

Në vitet 1950-1960 u ngarkua doecent Kiço Rambit me kolegët bashkëkohës për një detyrë po aq madhore sa edhe të vështirë, që ishte përgatitja e leksioneve dhe dispensave të para në shkencat bazë të konstruksioneve të ndërtimit.

Prof. Kiço Rambi ishte një ndër ata që e realizuan më së miri atë detyrë, që përpunuan e dhanë deri edhe termat e përshtatshëm tekniko-shkencorë në gjuhën shqipe, duke vazhduar me kontribute të tjera të çmuara për vite e dekada të tëra.

Prof.  Kiço Rambi ishte njeri me kulturë e interesa të gjera, që shkonin nga shkenca deri te sportet. Por kishte dhe virtyte të veçanta, shpirt fisnik e bujari të rrallë, respekt të madh për njerëzit, pavarësisht nga mosha dhe pozicioni i tyre në shoqëri. Prandaj miqtë, kolegët dhe studentët e kudo ku punoi e dha mësim, ku kishte të njohur e dashamirës, në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Prishtinë, Pogradec, Fierzë, Sarandë e gjithkund, të gjithë e prisnin me dashuri. Përherë kujtohet për cilësitë e rralla, ngohtësinë e komunikimit, fjalën e mënçur, humorin dashamirës që i buronte çiltër.

Prof. Kiço Rambi ishte ndër të parët që ndërmori dhe realizoi studime të thelluara në fushat e “Shkencës së konstruksioneve”; “Rezistencës së Materialeve” dhe “Statikës së konstruksioneve”, që kishin gjetur tek ai akademikun e vërtetë, pedagogun dhe shkencëtarin e shkëlqyer. Dhe të gjitha këto për fatin e mirë të qindra e mijëra inxhinierëve që u formuan në auditorët ku, me shpirt e përgjegjësi të madhe profesionale, transmetonte dije e kulturë inxhinierike, ashtu energjik e pasionant i jashtëzakonshëm. Përherë kreativ, veçanërisht me stilin dinamik, gjithë gjallëri e elegancë.

Prof. Kiço Rambi ishte zot i auditorit, por njëherësh dhe moderator i rrallë për nxitjen e debatit dhe diskutimeve me studentët. Po ashtu, pasqyrë e kulturës së një elitari të vërtetë ishin dhe komunikimet model të tij jashtë auditoreve. Në leksione, në analizat që u bënte konstruksioneve, kapriatave, ramave shumëkatshe, zbatonte aq mjeshtërisht ligjin e elasticitetit të materialeve ndërtimore. Por kudo dhe vetë ai do të vlerësohej lart për elasticitetin e tij karakteristik, tolerancën, bonsensin. Cilësi të vyera këto që, përveç kompetencës akademike e shkencore, profesori do t'i shfaqte natyrshëm dhe në detyrat e rëndësishme që kreu si drejtues katedre, drejtues përhershëm i komisioneve të diplomimit, drejtues Fakulteti.

Vlerat shtohen shumëfish kur mbahen parasysh vështirësitë, normat strikte dhe dogmat e njohura të kohës kur punoi.

Përveç aktivitetit të gjërë akademiko-shkencor, prej vitit 1953 deri në muajt e fundt të jetës në vitin 2008, Prof. Kiço Rambi dha konsultime, këshillime, sugjerime, mbështetje dhe fjalë të mira, pa asnjë përfitim material për individë dhe grupe studentësh apo inxhinierësh – të njohur apo të panjohur - që u bënë udhëheqës dhe sot janë profesorë, inxhinierë, sipërmarrës dhe drejtues në pozicione të larta në shoqërinë Shqiptare dhe Kosovare.

Bibliografia

Rambi, K.: “Rezistenca e materialeve”, UPT, Tiranë, 1953.

Rambi, K.: Teknologji e materialeve”, UPT, Tiranë, 1955.

Rambi, K.: “Statika e ndërtimit”, UPT, Tiranë, 1955.

Rambi, K.: “Konstruksione druri”, UPT, Tiranë, 1957.

Rambi, K.: ”Uudhëzimit metodik i detyrave dhe punimeve eksperimentale” për lëndën “Rezistenca e materialeve”, UPT, Tiranë, 1957.

Materiale nga Buletini shkencor teknik, UPT, Tiranë, 1963-1980.