Xhevahir Cirongu: Vilhelme Vranari-Haxhiraj lindi në Kaninë, në prill Vlora i dha përjetësinë…!

3h më parë


Vilhelme Vranari-Haxhiraj lindi në Kaninë, në prill Vlora i dha përjetësinë…!

(Kaninë, 8.12.1944 – Vlorë, 30 prill 2026)

Nga Xhevahir Cirongu

Ashtu si një mal që ul kryet kur bien rrufetë e zjarrta nga retë e qiellit, edhe atë ditë të fundit të muajit, më 30 prill 2026, sytë e qiellit dhe të njerëzve, jo vetëm në qytetin e historisë kombëtare, por kudo në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në diasporë, ku jetojnë e banojnë shqiptarët, me lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të shkrimtares Vilhelme Vranari-Haxhiraj, derdhën lotin e hidhur mbi tokën e ëmbël shqiptare. Ishte ajo ditë prilli, kur lulet e pranverës, bashkë me këngën e vajtimit të zogjve, së bashku me gërshetin e lotëve të dhimbjes të kordonit të madh e të heshtur të pjesëmarrësve, lanë lotin dhe fjalën e dhimbjes te emri i pavdekësisë: Vilhelme, lamtumirë!

Ai lajm i asaj dite të zymtë drithëroi zemrat e gjithë shkrimtarëve, poetëve, historianëve dhe të botës akademike, si brenda ashtu edhe jashtë vendit tonë. Vilhelmja, me punën e saj në fushën e krijimtarisë shkrimore e studimore, la një perlë të gjerë që ngjason me një galeri miniere plot thesare, të cilat lartësohen si mali i shenjtë i Tomorrit. Pikërisht ajo, me inteligjencën e lartë që kishte, me atë botë aq të madhe dhe urtësi, ngriti “Kështjellën” e mendimit te veprat e saj të shumta, tashmë të dokumentuara. Kjo plejadë shkrimesh prej saj janë dhe do të mbeten të lexueshme nga historiografia jonë ndër breza. Po të shfletosh veprat e shkrimtares Vilhelme Vranari-Haxhiraj, aty gjen guxim e trimëri, diell e dashuri për jetën, njerëzit dhe, mbi të gjitha, për atdheun!

Një jetë e tërë në atë udhëpërshkrim, sa të vështirë aq edhe kryelartë, me dinjitet e përkushtim si një zonjë e kryezonjë, i shërbeu njerëzve dhe shoqërisë me aq përkushtim deri në minutën e fundit të jetës. Thjeshtësia në mendim dhe në fjalën e shkruar e fisnikëroi më shumë shkrimtaren e përjetësisë, Vilhelmen. Me këto cilësi e virtyte përballoi dallgët e errëta të jetës bashkë me bashkëshortin e saj, Fitim Haxhiraj. Ajo, me korpusin e veprave të shkruara që na la pas, ka përjetësuar një pjesë, sado të vogël apo të madhe, të historisë sonë kombëtare.

Te libri “Pa koment”, shkrimtarja Vilhelme Vranari sjell mjaft autorë të fushave të ndryshme shkrimore, pa dallim dhe me një përkushtim vital të “qëndisur” aq bukur në esetë dhe publicistikën e shkruar e të vlerësuar prej saj. Ajo na bën ne, si lexues, t’i ngjitemi fjalës së shkruar drejt atij mali plot mendim e dije, të cilat mbeten në memorien tonë. Por aty do të gjesh edhe vlerësime koherente e mirënjohje nga shumë autorë, të cilët i bëjnë vlerësimet ashtu siç i ka merituar. Me një ndjenjë dashamirësie e mirënjohjeje, vlerësimet lartësohen edhe te libri voluminoz me titullin “Virtyt i kujtesës”. Autorët që kanë dhënë vlerësimet e tyre për shkrimtaren janë si një lumë që nuk shteron sot e nesër, sepse veprat e saj janë një galeri e mbushur me “mineralin” e mendimit dhe të dijes në edukimin e shoqërisë.

Në pamundësi të sjellim emrat e shumtë të autorëve, po citojmë vetëm disa prej tyre, me mirëkuptim: Prof. Dr. Eshref Ymeri, Prof. Dr. Odhise Grillo, Prof. Dr. Adriatik Kallulli, Prof. Dr. Fatmir Terziu, Dr. Mujë Buçpapaj etj. Vlerësime të tjera kanë ardhur nga Kadri Tarelli, Hasan M. Shahini, Agim Bajrami, Skënder Kapiti, Xhevahir Spahiu, Shpendi Topollaj, Xhevahir Cirongu, Albert Abazaj, Gëzim Llojdia, Merita Thartori etj.

Shkrimtarja Vilhelme Vranari-Haxhiraj ka lëvruar të gjitha zhanret e të shkruarit, si në poezi, prozë të shkurtër, romane, ese-publicistikë, analiza e kritikë, studime dhe letërsi për fëmijë. Ajo është vlerësuar me 30 çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Shumëkush ka për të thënë shumë sot e nesër për shkrimtaren Vilhelme, sepse ajo na la veprat e përjetësisë. Në mbyllje të kësaj eseje përkujtimore po citojmë këtë paragraf nga libri im me titullin “Shtigjet e vendlindjes”:

“Të ecësh mbi gjurmët e tua, duke lënë gjurmë mirësie tek të tjerët. Vlerëso dhe çmoji njerëzit largpamës, intelektualë e guximtarë; thur vargje kënge për atdheun, për heronjtë e kombit; duaje vendlindjen, familjen, njerëzit që të respektojnë pa interes; mikun e vjetër mos e harro kurrë; të këqijat e shoqërisë njerëzore largoji nga vetja; respekto familjen e madhe të dashurisë njerëzore, sepse kështu ke ngritur deri në qiell diellin e shpirtit tënd. Ke ndërtuar shpirtin me gurë xeheje, i cili afron dashuri njerëzore dhe thur gjerdanin e jetës së miqësisë së vërtetë, që ndriçon si dielli pranveror dhe puthet si vala e detit në shkëmb, edhe kur ne largohemi nga kjo jetë. Pra, dashuria njerëzore ka me vete tharmin e jetës së pavdekësisë!

Vërtet në Dukat flisnin dashuritë njerëzore!”

(Vlorë, Dukat, dt. 10 gusht 2020)

Durrës, 12 maj 2026

___________

Redaksia e Zemra Shqiptare shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të shkrimtares së njohur Vilhelme Vranari-Haxhiraj, një zë i veçantë i letërsisë dhe kulturës sonë, si dhe një bashkëpunëtore e vyer ndër vite. Me veprën, mendimin dhe përkushtimin e saj, ajo la gjurmë të pashlyera në publicistikë, në letërsi dhe në mbarë jetën kulturore shqiptare.

Fjala e saj e mençur, njerëzore dhe atdhetare do të mbetet një pasuri e çmuar për brezat që vijnë. Si bashkëpunëtore e ngushtë e “Zemra Shqiptare”, Vilhelmja ishte gjithmonë pranë lexuesit me shkrime plot ndjenjë e kulturë, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin përmes rreshtave të saj.

Në këto çaste dhimbjeje, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Haxhiraj, të afërmve, miqve, kolegëve dhe mbarë komunitetit letrar. Kujtimi dhe vepra e Vilhelme Vranari-Haxhirajt do të jetojnë përherë në memorien e lexuesve dhe në thesarin e kulturës sonë kombëtare.

I paharruar qoftë kujtimi i saj!