Ilir Çumani: Dy Shqipëritë…


Nga
Ilir Çumani
Sot,
kemi dy Shqipëri brenda të njëjtit territor, të njëjtit shtet dhe të njëjtit
realitet politik, social dhe ekonomik. Njëra Shqipëri ngrihet në lartësinë e
kullave, fasadave dhe spektaklit të pushtetit. Tjetra qëndron në rrugë,
përballë Kryeministrisë, duke kërkuar llogari, përgjegjësi dhe një tjetër
mënyrë qeverisjeje.
Asnjëherë
shqiptarët nuk e kanë ndjerë kaq afër përballë njëra-tjetrës se si shfaqen dy
Shqipëri. Njëra është Shqipëria që pushteti absolut i Edi Ramës projekton në
ekran: ajo moderne, europiane, e kuruar, e lartë, e mbështjellë me arkitekturë
spektakolare, me kulla që ndryshojnë horizontin e Tiranës dhe me një
kryeministër që e ka kuptuar më mirë se kushdo para tij fuqinë politike të
imazhit.
Tjetra
është Shqipëria që qëndron në rrugë: qytetarë që kërkojnë llogari, që
kundërshtojnë mënyrën e qeverisjes dhe që, prej rreth 70 ditësh, sipas
organizatorëve të protestës, qëndrojnë përballë zyrës së Kryeministrit, duke
kërkuar largimin e tij nga pushteti.
Në
njërën anë është fasada. Në tjetrën është protesta. Në njërën anë është
“monumenti” i një sundimtari autokrat, i jetësuar në arkitekturën “moderniste”
të një ndërtese gjigande në qendër të Tiranës, ngjitur pikërisht me Hotelin
simbol të 15-katëshit, si një referencë që bashkon epokat e historisë së
kryeqytetit. Në anën tjetër është qytetari. Në njërën anë është pushteti që
kërkon të shkruajë historinë me ndërtesa dhe imazhe. Në tjetrën është një masë
e konsiderueshme e rinisë shqiptare dhe populli që e mbështet dhe që kërkon ta
shkruajë historinë me llogaridhënie dhe përgjegjësi.
Ky
është paradoksi që e vendos Edi Ramën përballë vetvetes.
Sa
më shumë pushteti kërkon të shfaqë një Shqipëri të madhe në imazh, aq më e
fortë bëhet pyetja për Shqipërinë që nuk duket në fotografitë zyrtare. Sa më
shumë ndërtohet vertikaliteti i kullave, aq më shumë qytetari pyet për themelin
e institucioneve. Sa më shumë flitet për madhështinë e qytetit, aq më shumë
kërkohet të dihet nëse madhështia e shtetit qëndron te institucionet apo te
figura e njeriut që e drejton.
Këtu
ndodhet edhe kontradikta më e madhe e modelit politik të Edi Ramës. Ai ka ditur
ta shndërrojë imazhin në instrument pushteti. Ka kuptuar se politika nuk është
vetëm program, por edhe skenografi; nuk është vetëm vendimmarrje, por edhe
perceptim; nuk është vetëm qeverisje, por edhe mënyra se si qeverisja shitet
dhe paraqitet.
Por
një demokraci e pastër dhe e vërtetë nuk mund të jetojë vetëm me imazhin e saj,
sepse ka nevojë për institucione që funksionojnë edhe kur kamerat e propagandës
janë fikur.
Dhe
pikërisht aty ndahen dy Shqipëritë.
Njëra
pyet: sa e bukur është Tirana?
Tjetra
pyet: sa e drejtë është Shqipëria?
Njëra
pyet: sa lart mund të ngrihen kullat?
Tjetra
pyet: sa lart qëndrojnë institucionet?
Njëra
pyet: sa madhështor është monumenti që i ngre vetes një Kryeministër autokrat?
Tjetra
pyet: sa e madhe është përgjegjësia e pushtetit?
Nëse
sot me të drejtë protestuesit kërkojnë largimin e Edi Ramës, kjo nuk mund të
reduktohet në një debat mbi një ndërtesë, por duhet lexuar si pjesë e një
konflikti më të gjerë politik mbi mënyrën e qeverisjes së vendit.
Kritika
e tyre lidhet me akuzat për personalizim të pushtetit, klientelizëm, nepotizëm
dhe korrupsion domethënës. Këto janë akuza politike dhe, aty ku bëhet fjalë për
përgjegjësi penale konkrete, ato duhet të provohen nga institucionet përkatëse.
Por
vetë fakti që këto akuza janë bërë pjesë qendrore e debatit publik që prej
shumë vitesh nën qeverisjen e Edi Ramës, tregon një krizë të gjerë besimi që
nuk mund të zgjidhet vetëm me propagandë, sepse pushteti mund të kontrollojë
narrativën për njëfarë kohe, por jo përgjithmonë! Mund të kontrollojë ekranin e
blerë të propagandës, algoritmin e komunikimit, prodhimin e imazhit të një
vendi që vetëm ecën përpara. Por asesi nuk mund të kontrollojë përjetësisht atë
që qytetarët mendojnë për jetën e tyre.
Dhe
këtu qëndron fytyra tjetër e Shqipërisë. Ajo e vërteta që sheh shumica e
shqiptarëve, nga Jugu e në Veri.
Jo
ajo që fotografohet nga lart, por ajo e prekshmja nga shumica e popullit dhe që
qëndron poshtë; jo ajo që shfaqet në inaugurime, por ajo që kërkon një
përgjigje transparente, të drejtë dhe shteruese.
E
pra, kjo nuk është Shqipëria që duartroket pushtetin, por ajo që i kërkon
pushtetit llogari… llogari… dhe vetëm llogari në emër të transparencës, dinjitetit
dhe drejtësisë sociale.
Në
fund të fundit, të dyja këto Shqipëri janë të pranishme në të njëjtin realitet
shqiptar. Dhe, paradoksalisht, pikërisht kjo bashkëjetesë e bën përplasjen mes
tyre edhe më të thellë, edhe më të pashmangshme.
Një
kryeministër mund të ndërtojë një imazh të mirëkuruar të vetes, madje edhe një
narrativë si mjeshtër i akrobacive përmes sofizmave. Mund të ndërtojë kulla e
monumente për veten, por asesi nuk mund të ndërtojë mënyrën se si do ta kujtojë
atë një popull.
Këtu
ai është i pafuqishëm. Pavarësisht pushtetit politik që ka përqendruar dhe
ndikimit ekonomik që i ka dhënë pushteti, përballë qytetarit që nuk pranon të
heshtë, ai mbetet vetëm një njeri. Dhe ky është paradoksi i çdo pushteti të
pakufizuar: mund të kontrollojë institucione, mekanizma dhe pasuri, por nuk
mund të kontrollojë përgjithmonë ndërgjegjen e një populli.
Dhe
këtë e vendos koha. E vendosin faktet. E vendosin institucionet.
Mbi
të gjitha, e vendosin qytetarët, sepse një Shqipëri mund të pasqyrojë atë që
pushteti dëshiron të shohim, por Shqipëria tjetër, Shqipëria reale, na kujton
atë që pushteti nuk mund ta fshehë përgjithmonë….
Tiranë, e shtunë - 8 gusht, 2026


