Idriz Zeqiraj: Kallauzi Isa Mustafa, me klanorët e tij, në ethe për rikthimin e PAN-it në pushtet!
KALLAUZI ISA MUSTAFA, ME KLANORËT E TIJ, NË ETHE PËR RIKTHIMIN E PAN-IT NË PUSHTET!

Situata në LDK deri më 30 korrik ishte në krizën më
të thellë, gjatë një dekade e gjysmë. Një grup të pakënaqurish, në hierarkinë
partiake, të porositur dhe të mbështetur nga PAN-i, sidomos, nga PDK-ja,
provuan ta bëjnë puçin mafioz, kundër kryetarit Lumir Abdixhikut dhe
Lidershipit të tij.
Qëllimi ishte kundërshtimi i koalicionit LDK-LVV
dhe vazhdimi i aleancës politike me opozitën PAN-iste, kryesisht, PDK-në. Ky
grupim ka punuar në mënyrë klandestine, të fshehtë, në amnistimin e krimit dhe
të kriminelëve. Dhe, tani, synojnë rehabilitimin e plotë të gjithë atyre
që kanë përgjakur LDK-në dhe Kosovën.
Grupi mafioz puçist, me kallauzin Isa Mustafa,
kishte punuar gjatë kohë me delegatët e Këshillit të Përgjithshëm, duke ua
marrë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit shkarkues të kryetarit.
Ndërkohë, Lumir Abdixhiku kishte pranuar sfidën e
garimit në kutinë votuese, pa bërë asnjë parapërgatitje, asnjë nënshkrim të
delegatëve. Thirrja e vetme e kryetar Abdixhikut, drejtuar delegatëve ishte:
"Votoni sipas ndërgjegjes dhe vullnetit tuaj, duke pasur me parësi
interesin e LDK-së dhe të Kosovës."
Në ekspozenë sqaruese pse po bëhet ky "Kuvend
i jashtëzakonshëm", kryetar Lumiri ishte i saktë, i çiltër, i
drejtpërdrejtë, por edhe qortues për bashkëpunëtorët e tij, dikur, të afërm, të
cilët e kishin përzgjedhur dhe votuar në Kuvendin e 10-të.
Projekti ogurëzi për pengimin e bisedimeve të
filluara të LDK-së me LVV, si dhe pengimi i bashkimit dhe profilizimit të së
djathtës të Kosovës dështoi. Kuvendi i thirrur për shkarkim, përkundrazi, e
konfirmoi Dr. Lumir Abdixhikun serishmi për kryetar të LDK-së.
Kuvendi aprovoi vendimin se të gjitha çështjet
partiake të bisedohen brenda strukturave të partisë dhe të mos bëhen objekt
përfoljesh në "çarshi".
Vendimet e organeve drejtuese të partisë, janë të
obligueshme për zbatim, për të gjithë anëtarët e partisë.
Askush nuk ka të drejtë të flas në emër të partisë,
pa qenë i autorizuar nga Lidershipi i LDK-së.
Palët në kundërshtinë e derisotme pranuan vendimet
e Kuvendit dhe u zotuan për bashkimin e mirëfilltë, në interes të LDK-së dhe të
Kosovës.
Rugova dje, Albini sot, refuzuan PDK-në, "të
pakënaqurit" u rreshtuan me atë!
Reagimet e grupit të pakënaqur ishin tendencioze,
madje edhe shpifëse, ndaj kryetarit dhe Lidershipit të LDK-së.
Rrejshëm deklaruan se kërkesa për Kuvend shkarkimi
vinte nga poshtë, nga baza. Kjo gënjeshtër u lansua, fillimisht, nga dy anëtarë
Kryesie, klanorë të hershëm e besnikë të ish-kryetarit namkeq, Isa Mustafa.
Kritikat u pasuan nga disa kryetarë komunash. Dhe, kulmuan nga disa deputetë
arrivistë, të cilët e kanë mjelë LDK-në si lopën, ndër vite e dekada, me ofiqe
patiake dhe qeveritare.
Këtyre tellallëve, qëllimisht, u dhanë hapësirë të
bollshme mediat, të cilat i dominon PAN-i, kryesisht, PDK-ja, duke ua bërë edhe
fushatën zgjedhore për deputetë. Ata ishin të dyzuar: me Vjosën apo Isën. Por,
ky i fundit kërcënoi me zhveshje të nga privilegjet. Dhe, preferuan nënshtrimin
dhe poshtërimin. Tani mburrën, si Gania e PDK-së dhe Tima e AAK, duke numëruar
mandatet e deputetllëkut, madje duke shprehur pakënaqësi për numrin rendor në
listën e kandidatëve!
I ndodhur para një fushate të egër, brenda
partiake, unike në historinë e partive politike në Kosovë, kryetari Abdixhiku
bëri thirrje të herëpashershme për mbledhjen e Kryesisë, por fjalamanët e
"çarshisë" i bojkotonin ato! Madje, ndoca syresh, me urdhër të
kallauzit të tyre, Isa Mustafa, dhanë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së, me qëllim
të dramatizimit dhe të thellimit të krizës në parti!
Pala mbrojtëse, sidomos kryetar Lumiri, i ndodhur i
papërgatitur nga breshëria e akuzave paushalle dhe aspak të bazuara në fakte,
reagoi me përgjigje, goxha, të ashpra me kundra-akuza, deri në përmasën që
kalonin standardin e kryetarit.
Llumhania e disa analistë-banalistëve të
përnatshëm, me reprizë ditën e nesërme, iu bashkuan fushatës së turpshme,
qëllimkeqe, duke dëshiruar rrënimin, deri në shuarje të LDK-së.
Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë, sepse LDK-ja ka
qenë dhe do të mbetet shtyllë kurrizore e skenës politike të Kosovës, nga e
cila ka mësuar edhe rajoni ballkanik. Andaj, pavarësisht ngritjeve dhe rënieve,
ajo do të gjejë forca , për ngritje dhe stabilizim të qëndrueshëm.
Tashmë, Kuvendi i çuditshëm "i
jashtëzakonshëm", i imponuar nga një grup, rrast të shantazhuar nga
PDK-ja, dha vërdiktin e duhur, madje të shumëpritur, jo vetëm nga LDK-ja, por
edhe nga shqiptarët.
Konfirmimi për vazhdimin e mandatit të kryetarit
Lumir Abdixhikut, deri në zgjedhjet e rregullta, në vitin e ardhshëm, ishte
vendimi i duhur i këtij Kuvendi, edhe pse tendencioz dhe krejt i panevojshëm.
Kosovës i duhen dy dekada, për ta përgatitur një
Vjosë të dytë
LDK-ja, si shtëpi akademike, ka kuadro të gatshëm,
intelektualë dhe profesionalë, për të marrë përgjegjësinë në drejtimin e
partisë të Presidentit Rugova.
Por, do të shquaja një ekip të përzgjedhur, për të
mirën e LDK-së: Vjosë Osmanin, Ukë Rugovën, ushtarakët Anton Quni e Fadil
Hadergjonaj. Kryetari Lumir Abdixhiku, mendoj se duhet ta bëjë kooptimin e tyre
në hierarkinë partiake, pa i pritur zgjedhjet e rregullta. Kooptimi është një
normë e pranuar e programit të LDK-së.
Angazhimi i të cituarëve, krahas kuadrove tjerë të
LDK-së, është përforcim i duhur, për bashkimin dhe profilizimin e të djathtës
të Kosovës.
Dr. Vjosë Osmani ka një përgatitje supreme
intelektuale, me personalitet dhe integritet të plotë, e dëshmuar në përballjet
e shumta tej një dekade. Rebelimi i saj për ta sfiduar dhe larguar kryetarin e
katapultuar nga PDK-ja, në kreun e LDK-së, Isa Mustafën ishte guxim qytetar dhe
intelektual, pavarësisht pasojave.
Qëllimi i saj madhor, për ta larguar nga pushteti
PAN-in kriminal, me "komandantët" e tij dhe patericën e tyre, klanin
Mustafa, ka justifikuar në plotëni bashkimin e forcave me LVV. Sepse vazhdimi i
sundimit të mëtejmë të PAN-it, me një barrë krimesh dhe hajnish, ishte cinizëm
i pështirosur, provokim i rëndë për popullin e Kosovës dhe të shqiptarëve të
kudondodhur.
Koha dëshmoi se vendimi i presidentes Vjosë Osmani,
për shpërndarjen e Parlamentit, ishte i drejtë dhe nuk kishte të bënte asfare
me "shkelje të Kushtetutës". "Shpalosa Kushtetutën, konsultova
specialistë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe u binda se vendimi për shpërndarjen e
Parlamentit, ishte ligjor dhe i duhur në kohë".
Akrobacitë e Kurtit ishin tallje groteske, duke
sjellur kandidatë, kinse, apartiakë. Dhe, kujt i duhet një president/e profan
politik? Një shpikje irrituese dhe krejt iracianale. Vendimi "as mish, as
peshk" i Gjykatës Kushtetuese, ishte mjegullnajë manipuluese, në shërbim
të kundërshtarëve të Vjosë Osmanit, të cilët iu bashkuan propagandës leha-qene
anti-Vjosë.
Dhe, me gjithë sorollatjet bjerrakohëse, vendi
shkoi në zgjedhje, duke dëshmuar drejtësinë e vendimit të presidentes Vjosë
Osmani, për shpërndjen e Kuvendit në kohën e duhur.
Rikthimi i Vjosë Osmanit në shtëpinë e saj lindake
politike, ishte i duhur dhe i pranueshëm në kohë dhe hapësirë. Dëshmi e kësaj
mirëseardhje është nga 141 votues të LDK-së, tej 93 mijë syresh e votuan Vjosë
Osmanin.
Dhe, kjo ndodhë pas gjithë asaj fushate shpifarake
denigruese, të sinkronizuar të pozitës dhe të opozitës. Sulmi frontal kundër
presidentes Vjosë Osmani ishte një paturpësi dhe rrugaçëri në shkallë
kombëtare. Kosovës i duhen, të paktën, dy dekada, për ta përgatitur një Vjosë
të dytë.
Ukë Rugova u ndëshkua, për ta goditur babain Rugovë
pas amshimit!
Ukë Rugova u bë kurban i babait të tij, Ibrahim
Rugova. PAN-i, në pamundësi për ta hequr nga -Panteoni i Lavdisë- Presidentin
Ibrahim Rugova në gjallje, djallëzisht dhe poshtërsisht, provoi goditjen pas
amshimit, përmes fëmijëve të Tij.
Akuza e ngritur kundër Ukë Rugovës ishte në tërësi
e sajuar dhe me qëllime të paracaktuar degraduese. Shefat e PAN-it bënë shumë
për denigrimin e fëmijëve të Rugovës, për ta goditur vet Rugovën. Madje, në mes
tjerash, dhuruan edhe dy poste zëvendëskryeministri, pa pasur as Kryesi të
partisë, lëre më anëtarësi!
Edhe pse zyrtarët e Ambasadës italiane i liroi nga
akuza Gjykata italiane, për "Procesin vizat", Ukë Rugova vazhdoi të
mbetej peng i drejtësisë kosovare, sepse në "lojë" do ta fusnin
motrën e Ukës, Teutë Rugovën. Ajo u veçua nga 120 deputetët, që ka Parlamenti i
Kosovës, shefat PAN-istë shënjestruan viktimizimin e saj, për ta arnuar një qeveri
fantomë të PAN-it.
Ishte një shantazh, ishte një krim unik.
Megjithatë, Presidenti Rugova i mbijetoi edhe kësaj furtune kriminale e
rrugaçërore të armiqve të Tij politikë.
Ukë Rugova ka një përgatitje intelektuale solide: i
mençur, i dashur, komunikues dhe i matur, si trashëgimi biologjike të babait
Ibrahim Rugova.
Të gjitha palët e LDK-së, thirrën në emrin e
Rugovës. Por, nuk kanë bërë diçka të veçantë, për përkujdesjen e fëmijëve të
Rugovës. Ata u lanë në mëshirën e fatit, për t`u bërë pre e profiterëve, të
lidhur "këmbë e krye" me PAN-in.
Ukë Rugova vuajti shumë, vetëm pse ishte djali i
Ibrahim Rugovës. LDK-ja nuk bëri "as lavrën e miut", për ta denoncuar
arsyen ë vërtetë për ndëshkimit e tij. Pafajësia e vonuar, zvetënon drejtësinë.
Një borxh i mbetur peng, është koha për t`u larë. Ai duhet të marrë
përgjegjësitë, për të mbrojtur krijesën hyjnore LDK-në e Ibrahim Rugovës, e
cila bëri paqen, luftën dhe shtet-bërësen e Kosovës.
Ushtarakët Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj, me
përvojë dhe njohuri të bollshme drejtuese. Me traditë e korrektësi ushtarake,
të cilët barazinë drejtuese e kanë normë. Për atdhetarizëm të provuar në
fushë-betejat për çlirim dhe liri. Ata i japin sharmë, hijeshi dhe krenari
partisë të Presidentit Rugova. Lënia e tyre në periferi, konsiderohet
bërryluese, sepse vendi i tyre është në qendrën vendimmarrëse të LDK-së.


