Idriz Zeqiraj: Eksponentët e krimit – në rolin e pajtimit!
EKSPONENTËT E KRIMIT - NË ROLIN E PAJTIMIT!

PDK-ja, me argatët e saj brenda
strukturave të LDK-së, arritën ta përçajnë partinë. Për ta penguar rritjen e
partisë dhe koalicionin e natyrshëm, LDK-LVV, si të vetmet parti parlamentare
të pakriminalizuara, duke sabotuar në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare.
Qëllimi i PDK-së ishte që deputetët e
LDK-së, të mos jenë të bashkuar, në rast të votimit të presidentit/es të
mundshme të LDK-së!
Pasi ia arritën këtij qëllimi,
eksponentët e krimit të PDK-së, morën rolin e pajtimit me LVV, duke bërë
thirrje të përsëritura për koalicionin me LVV.
Ndërkohë, LDK-ja jo vetëm nuk reagon,
për deklarimet pajtuese të eksponentëve me kartela penalizuese, por,
përkundrazi, anëtarë të klanit Mustafa, në prononcimet e përdyditshme, turpshëm
e kriminalisht, thonë se "nuk kemi vija të kuqe për asnjë subjekt
politik!"
Madje, bëjnë thirrje që LDK-ja ta
vazhdojë patericizmin e PDK-së dhe AAK-së në protesta, për t`i risjellë
"komandantët" e penalizuar me dosje të krimeve faktike në pushtet.
Janë këta argatë të PDK-së, të cilët
Isa Mustafa i përdori si skllevër, për ta shkelur amanetin e Presidentit
Rugova, për të mos lejuar Hashim dallaveren në kolltukun e presidentit!
Vazhduan me votimin e Demarkacionit,
Asociacionit, deri në bërjen e Hashimit hisedar në drejtimin e LDK-së!
Janë subjektet politike të
koalicionuara në PAN, shkaktarët kryesore të dy palë zgjedhjeve të fundit të
përsëritura, të cilat nuk pranojnë të bëjnë kuorumin, për zgjedhjen e
presidentit/es. Kësaj bande iu bashkëngjitën edhe disa deputetë kontrabandistë
brenda LDK-së!
Albin Kurti i ka mëkatet tij, sepse
kërkon president kukullë, profan në politikë, për ta përdorur si rob të bindur.
Mosmirënjohja për shtetin çlirues
faktik të Kosovës, është sjellje që penalizon Kosovën, duke e lënë në rrezik të
përhershëm, nëse nuk reflekton.
Përndryshe, refuzimi që i bëri PAN-it
kriminal në bllok, duke e akuzuar për krimin e organizuar, hajninë zyrtare
galopante, haraçin e përgjakur, kontrabandën miliardëshe me bandat serbe të
veriut të Kosovës dhe të gjithë katalogun e poshtërsive të kësaj bote, ishte
parimor dhe fort i mirëpritur nga shqiptarët.
Sot LDK-ja ka mbledhjen e Grupit
Parlamentar. Lypse debat dhe llogari, për deklarimet paushalle që vazhdojnë të
bëjnë klanorët e kallauzit Isa Mustafa, përkatësisht, argatë të PDK-së. Në
mesin e vendimeve, të cilat i mori Kuvendi i fundit të LDK-së, ishte edhe ai se
askush nuk mund të flasë në emër të LDK-së, pa qenë i autorizuar. Atëherë,
shtrohet pyetja: Kur hynë në fuqi vendimi në fjalë?!
Deputetët që nuk zbatojnë vendimet e
partisë, bien ndesh me statutin e saj. Për rrjedhojë, nuk përfaqësojnë as anëtarësinë
dhe elektoratin e LDK-së. Për më tepër, janë "kolonë e pastë" brenda
partisë. Kjo nuk ka të bëjë fare me demokracinë e partisë. Përkundrazi, është
anarki, që dëmton partinë.
Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar,
është e një rëndësie të veçantë. Nostalgjia për aleancën me PAN-in, e ka
katandisur LDK-në në këtë gjendje mjerane dhe assesi kryetari Lumir Abdixhiku
me Lidershipin e tij aktual. Ai kështu e gjeti. Dhe, në përpjekje për ta rritur
e ngritur më lart partinë, dikur krenare, të Presidentit Rugova, pengesa
serioze vazhdojnë të jenë klanorët e Mustafës, gjegjësisht, hafijet e PDK-së.


