Ndue Dedaj: Kërcënimi prej “Kuçedre” me Ibrin

1h më parë

KËRCËNIMI PREJ “KUÇEDRE” ME IBRIN

NGA NDUE DEDAJ

Urrejtja t’i errëson sytë dhe në Ballkan kjo është e provuar me mijëra herë. Por si është e mundur të ndodhë në kohë moderne, në shekullin XXI?

Të duket e pabesueshme që një shtet në zemër të Europës, që ka futur “letrat” në Bruksel për të hyrë në Bashkimin Europian, si Serbia, kërcënon një vend e shtet tjetër si Kosova se do t’i presë ujin, do të devijojë lumin e Ibrit që është i përbashkët, si qindra lumenj që kur janë krijuar nuk kanë pyetur se në cilat shtete do të kalonin, pasi toka, lumenjtë, ajri janë krijuar para se të krijoheshin shtetet dhe do të jenë aty dhe nëse vjen ndonjëherë një shoqëri pa shtete e Vuçiçë.

Kërcënimi me ujin është kërcënimi me jetën - sa histori ka me kështjellat që armiqtë u përpoqën t’ua ndalonin, helmonin ujin kështjellarëve të mbyllur brenda. Kot nuk është krijuar një mitologji e tërë ballkanike me kulshedra me shtatë krerë që përpiqën të shterrin gurrat e bjeshkëve, por që kurrrë nuk ia kanë arritur.

Ibri është lumë, urë, kufi i paligjshëm përmes një qyteti shqiptar (Mitrovicës) i vendosur në mënyrë të njëanshme nga ana e serbëve, ku si i tillë ka pasur dëshmorët e vet, si tre vite më parë policin Afrim Bunjaku. Gjithkund kufijtë vendosën me marrëveshje, edhe ata “primitivë” të arave e kullotave në male, jo më mes dy shteteve. Kufiri mes Serbisë dhe Kosovës është shumë më në veri, por ja që Beogradi zyrtar, përmes grupeve kriminale që hedh në veprim herë pas here, e ka “shtyrë” deri poshtë në Ibër, duke e mbajtur pezull mes dy brigjeve, ngaqë dhe ndërkombëtarët që qendrojnë si garantë mbi Urë, nuk kanë arritur tash një çerek shekulli ta fshijnë këtë kufi të paqenë vrastar.

Asgjë nuk është e rastësishme, e pamenduar, lapsus nga qeveria e Serbisë. Presidenti serb kërcënon me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit vetëm pak javë pas deklaratës skandaloze të ministres që kabinetit të tij Paunoviq, për shfarosjen e shqiptarëve gjatë vitit 1998. Është i njëjti lumë urrejtjeje...

13 gusht 2026