Ndue Dedaj: A “prodhon” Udha e Kombit mirëqenie për banorët?

A “PRODHON” UDHA E KOMBIT MIRËQENIE PËR BANORËT?

Udha
e Kombit nuk është një kombinat që të prodhojë mallra, ajo “prodhon” qarkullim
kombëtar. Por a prodhon dhe mirëqenie për banorët e zonave që përshkon? Për ata
që iu kalon rrëzë shtëpisë? Dikujt i ka prishur kullën e dikujt i ka zënë arën
e misrit a grurit, dikujt i ka mbyllur shtegun e dikujt tjetër i ka shembur
mullirin në përrua. Edhe sot qoshet e gdhendura të kullave të Fanit janë truc
anës së rrugës. Nëse dikush thotë se banorët janë kompensuar, do të ishte vetëm
një klishe zyrtare. Me asgjë nuk mund të kompensohet toka e trashëguar, jo më me
ca milionë lekë të vjetra, që nuk kanë vlejtur as për të blerë një hyrje dhomë
e kuzhinë në Kukës a Rrëshen. Më shumë ka “dhuruar” banesa tërmeti i 2019-ës.
Nuk
po shtyhemi në një analizë më të thellë, se pastaj do të na duhej të thoshim,
Udha e Kombit e hodhi pas krahësh Pukën e Fushë - Arrësin dhe e “treti” ku s’ka
më larg Tropojën. Ndokush mund të thotë, kështu i bie që të mos bëhen
autostrada? Jo, ato do të bëhen, por asnjëherë duke ndëshkuar qendrat e
banuara. Ka gjithmonë zgjidhje e mundësi për të qenë sa më pranë banorëve. Puka
dhe Fushë-Arrësi nuk do ta kishin ndjerë mungesën e rrugës së djeshme nacionale
nga Qafa e Malit, nëse do të ishte hapur Tuneli i Gjegjanit, aq shumë i
përfolur, si dhe nëse do të ishte bërë në parametra modernë rruga për në Tropojë,
që u hap në vitet ’70 për hidrocentralin e Fierzës. Vërtet e ka lënë anash
Llogaranë tuneli i Palasës, por aq shmangie nuk e hedh pas krahësh malin
turistik, ku ka jo vetëm dhi, po dhe drerë. Dihet që autostradat nuk i
“kursejnë” qendrat e vogla urbane, por asnjëherë nuk ka kuptim që ato të ulin
ritmet e tyre të zhvillimit. Nesër do të bëhet rruga Milot-Balldre, por Talja
duhet të përfitojë e jo të humbasë prej saj. Ndryshe udhët e mëdha do të ishin
stoli të varura në qafë për shumë fshatra e qyteza.
Nëse
mendohet se gjerat janë të përfunduara njëherë e përgjithmonë, do të ishte e
pafalshme për qeverisjen. Sa përmendëm më sipër, lidhur me “shtrirjen” më në
thellësi të Udhës së Kombit, si tunele, rrugë dytësore etj., ato nuk mund të
fshihen nga projektet e nesërme me argumentin burokratik se malësia është
braktisur. E braktisur ishte dhe Shala në Dukagjin, por ajo u zgjua papritur
dhe bë aset i rrallë turistik. Nëse do të kishte rrugë si në bjeshkët e
Europës, Dardha e Pukës dhe gjithë lugina e Drinit nga Kukësi në Fierzë do të
ishte një “zbulim” mahnitës për turistët.
Autostrada në Rrëshen,
si të derdhësh lumin në përrua?!...
Udhëtarët
që vijnë nga Kosova nuk mund ta kuptojnë se pse Udha e Kombit në Rrëshen
përgjysmohet, deri në Milot!? Është si të derdhësh lumin në përrua. Në vend që
të vazhdonte me katër kalime, aty ku bashkohet Fani i Madh me Fanin e Vogël,
është krijuar një “hinkë” në gjuhën teknike e metaforike. Këtë anomali nuk e
kuptojnë as ata që vijnë nga Durrësi, Tirana e Shkodra e shkojnë drejt Kosovës.
Janë 28 kilometra, që në vitin 2009 iu ra kryq dy kalimeve. Jo rastësisht
aksidentet më të shumta ndodhin në këtë segment, ashtu si në atë Milot-Lezhë.
Nuk është vetëm mungesë buxhetesh, por në radhë të parë studimesh lidhur me
përparësitë. Nëse duam të jemi seriozë, na duhet të kujtojmë se njëqind vjet më
parë pikërisht në Milot u ndërtua vepra më e rëndësishme e infrastrukturës
rrugore në Shqipëri, Ura e Zogut mbi lumin Mat, që sot ne nuk po e mbajmë dot
në këmbë, as si urë - muze. Doemos që këto më mirë duhet t’i dijë ministri i
Infrastrukturës dhe ai i Kulturës.
Mbas
16 vitesh, ndërtimi e dy kalimeve të munguara të Udhës së Kombit, në segmentin
Milot – Rrëshen, nga qeveria është vlerësuar si përparësi e nivelit “A”, në
listën unike të projekteve që do të financohen nga buxheti gjatë periudhës 2025
– 2027, në vlerën 60 milionë euro, por ka kaluar gjysma e këtij afati kohor dhe
jo vetëm nuk është hedhur asnjë kazmë, por duket se as është vënë uji në zjarr,
se do të kishim dëgjuar të paktën për tenderimin (aty ku është dhe “thembra e
Akilit”), që siç dihet këtu zgjat me ditë e me net, me javë e me muaj, me vite
e vite....
Trau i Kalimashit,
“lopa” që milet jo nga banorët
Trau
i Kalimashit është një “shtrungë” - kështu quhej ngushtica që krijohej te dera
e vathit kur dhitë kaloheshin njëra pas tjetrës për mjelje. E njëjta gjë dhe
tek trau, anise pa blegërima, apo pëllitje. Pesë euro me shkue e pesë euro me
ardhë nuk janë pak për xhepat shqiptarëve të papunë. Është një histori e njohur
tashmë. Asgjë nuk e ndryshoi tarifën, as protesta e banorëve. Tek ne tarifat,
taksat, çmimet vetëm rritën, edhe pse të ardhurat mund të mbetën në vend, apo
diku-diku dhe ulën.
Trau
i Kalimashit, si ka mundësi që “shpërblen” vetëm mirëmbajtësin e rrugës, edhe
pse ai është ndërtuar me buxhetin e shtetit, të thonë zyrtarët vendorë. Po ata
që e kanë traun në tokën e tyre, kuksianët dhe hasjanët a duhet të përfitojnë?
A duhet të prodhojë trau njëfarë rente dhe për bashkitë që përshkon Udha e
Kombit, Kukës dhe Mirditë? Me se do të mbahen ato nëse, nuk vjelin “fruta” nga
udhët, ujërat, mineralet, pyjet? Apo atyre iu takojnë vetëm frutat e hidhura?
Ka një logjikë të thjeshtë, nëse qeveria dëshiron ta zhvillojë Hasin, Lumën,
Borjen etj. duhet jo vetëm që t’iu heqë pagesën e traut, por dhe t’iu paguajë
biletën për disa vite, sa të fillojë të prodhojë ekonomia e tyre e varfër.
Është i bukur “shtegu i ngjyrave” në Shishtavec në reklama qeveritare, por
turistëve iu duhen lehtësi për të shijuar lartësitë e bjeshkëve të verilindjes.
Trau është si ai laku (kurtha) që vihej dikur për të zënë gjahun, ngaqë nuk
kishte rrugë tjetër se nga të kalonte. Edhe ky “gjahu” u traut të Kalimashit
kështu është, nuk ke se nga të shkosh pa kaluar aty, vetëm nëse do të
fluturosh. Rruga nga Qafë - Mali është si me i ra nga Kina...
Çfarë
ju mbetet banorëve? Kromin ua merr në oborr dhe nuk iu jep asgjë, pyjet ua ke
marrë një jetë pa asnjë shpërblim, lekët e traut ua merr e atyre s’iu lë asnjë
qindarkë. Nuk ka kuptim që tarifat të jenë një gjobë e pandryshuar nga shteti,
për llogari të sipërmarrësit.
Nëse
çdo vepër analizohet nga të mirat dhe dobia që sjell, Udha e Kombit vërtet
shkurtoi largësinë mes qyteteve shqiptare e shteteve të rajonit, solli më shumë
turistë në bregdet, krijoi mundësi për disa komplekse shërbimesh e karburantesh
në autostradë, por nga ana tjetër “izoloi” shumë fshatra për mungesë të rrugëve
dytësore, nuk nxiti mjaftueshëm investime agroturizmi, blegtorie etj. dhe
rëndoi xhepin e njerëzve në nevojë, që e kishin të domosdoshme lëvizjen për
arsye pune etj.
Ky
vetëm vizion i përgjithshëm zhvillimi nuk është, prandaj gjithnjë ka vend për
rishikime, korrigjime, ndryshime ligjore, strategjike, instrastrukturore e
ekonomike, në dobi të banorëve dhe të përspektivës së vendit. Kjo do të ishte
dhe reforma territoriale e nevojshme dhe jo mbyllja e disa bashkive për njërën
palë (mazhorancën) apo shtimi i tyre për palën tjetër (opozitën)...


