Idris Dermyshi: Pozaet Qose, shpirti rebel që vret heshtjen
POZAET QOSE, SHPIRTI RREBEL, QË VRET HESHTJEN

Të
shohësh nxënësin të rritet e të bëhet poet, është si të shohësh një farë që e
ke ujitur vetë, tek shpërthen në një pemë me hije të rëndë e fruta të ëmbla.
Ndërsa
i dhashë energji vetes për të rilexuar
gjithë librat që Pozaeti m’i kish dhuruar në vite, ndihem në udhëkryqin e dy
kohëve: kujtesës, si mësues dhe dëshmisë, si lexues.
E
kam njohur herët poetin Pozaet Qose. Kam qenë mësuesi i tij në klasën e tetë,
në vitin shkollor 1977-1978. Kam patur nxënës edhe vëllezërit e motrat, të
afërmit e bashkëfshatarët e tij për 11
vite rresht.
Lexonte
shumë Pozi i vogël, nuk ngopej me libra. E ngryste dhe s’e gdhinte një libër të
tërë. “Letrari i ri” në shkollë hiqte e vinte, kryesisht, shkrimet e tij.
Fletore të tëra më sillte për t’ia parë. Pyeste e dëgjonte plot kureshti.
Kureshtja e fantazia e dallonte mes shokëve, që e thumbonin se nuk ecte mbi
tokë, por fluturonte mbi re.
Doemos,
që të bëhesh poet, nuk mjafton të jesh vetëm tokësor.
Pozaeti
po ulej në sofrën e poezisë, kur në odat sojnikase flitej kryesisht për tokën, bukën, delet…Atje gjeje shumë
bujari, patriotizëm, mençuri, traditë, por jo libra e poezi. Ndaj ai eci më
shumë nëpër ëndrra, duke u freskuar me ujë Matice, duke u burrëruar me histori
trimash, duke grisur opingat nga Sharra e Liqeni i Dushkut për dru e gjeth.
Heroizmat e Luftës, me Skënder Qosen e ato të Punës, me Alo Qosen ia krihnin
sedrën djaloshit, me embrione kulture e krijimi.
Sojniku
është gur i rëndë në kështjellën vërçake. I banuar qysh në lashtësi, qendër
nënprefekture në fund të Luftës së Parë Botërore, me spital krahinor , me
shkollë të mesme, që nga viti 1976. Njerëzit e veçantë janë si gurët
kilometrikë, që orientojnë rrugëtimin, pemë me fruta e hije qetësuese,
biblioteka të hapura diturie e mençurie. Rrezatimi i tyre është i ndjeshëm e i
gjithëkohshëm. Si relike kujtese, ka marrë Pozi nga urtësia mençurore e
Farikut, shkathtësia e Shametit, prakticiteti
i Harunit, shpirti artistik i Muratit, serioziteti i Saliut, autoriteti
i Qatos, bukurshkrimi i Putes, sportiviteti i Hekuranit, humori i Liçit dhe
naiviteti i Kudretit (Deçes)
Shkollimin
e mesëm për ekonomist në Berat e deshi më shumë sistemi i kohës, se sa vetë
Pozaeti. Punoi për pak vite llogaritar në kooperativë, por nuk i ngjiste ajo
lloj pune.
Fati
bëri bashkë njerëzit, mundësitë e rrethanat, që Pozit t’i qeshte shpirti.
Rastësia solli në Gramsh të madhin
Dritëro Agolli. Dashamirësia e kuadrove me peshë fjale Meçan Hoxha e Vangjush
Saro promovoi para Dritëroit talentin
dhe hobin e të riut Pozaet. Ëndrra u bë realitet. Pozi vijoi Universitetin e
Elbasanit për gjuhë shqipe e letërsi. Horizonte të reja u hapën para syve të
tij. Elbasani i kulturës, i arsimit dhe i letërsisë qe humus i vërtetë për
djaloshin plot pasion e ëndrra letrare. Krijuesit emërmëdhenj elbasanas, si:
Musa Vyshka, Bari Myftari, Milianov Kallupi. Astrit Bishqemi iu bënë krah në
këtë rrugë të re. Dega e letrarëve të Gramshit, e blertë në ato vite, ndrinte
nga talentet në ngjitje, si: Vangjush Saro, Pirro Verushi, Leidi Shqiponja,
Sali Zaimi, Besim Elezi, Hekuran Miraka.
Puna
e gjatë si mësues gjimnazi, univeristet për Gramshin, i dha edhe arrën, edhe
gurin talentit plot grintë e ambicie. Thjeshtësia e poetit ngrihet krenare mbi
fodullëkun e qenieve pa emër, që e matin veten me hijen e mëngjesit. Pozi është
një qytetar i vërtetë, që e do rregullin, por jo rreshtimin, që sjell nënshtrim
e përulësi, bjerrje personaliteti e mbyllje goje. Ai qe dhe mbetet një rebel i
lindur, një Vilhelm Tel gramshak i kohëve moderne.
Pozaet
Qose është një penë polifonike, që di t’i bjerë çdo korde të shpirtit; nga
vargjet e ndjera të poezive e elegjive, te ritmi i teksteve të këngëve dhe deri
tek zëri i fuqishëm i publicistikës e angazhimit qytetar. Krijimtaria e tij
mbetet një testament i gjallë vlerash. Të botuara deri më sot janë 6 libra me mbi
350 poezi, tregime e skica letrare, pa numëruar të tjera që enden në rrjetet
sociale.
Për
poezinë ka harxhuar 90% të frymës artistike; për prozën, kusurin. Një
hamendësim e kam për këtë mosbarazim; ngaqë e ka emrin Pozaet dhe jo Prozaet!
Begatia e poezisë së Pozit na fton në një udhëtim të gjatë, ku fjala peshon
rëndë dhe emocioni godet pastër. Ajo nuk kërkon të bëjë zhurmë, por të bëjë
dritë.Është një zë që drithëron nga sinqeriteti dhe ndriçon nga arti.
Natyra
është përherë në shpirtin e poetit. Mes saj ai frymon, punon, gëzon. Nuk është
soditës neutral, fotografues i ftohtë. Talenti i poetit i jep jetë fshatit,
malit, çezmës, ëndrrës, ujëvarës. E sheh në lëvizje natyrën, e shpirtëzon, e
bën gjallesë menduese e vepruese. Poezi me ndjeshmëri serembiane e filozofi
kadareiane.
“Ujëvara
e Sotirës” është perlë e vërtetë lirike.
Vishet natyra sotirake me dritën e dashurisë njerëzore. Ujavara nuse e poeti
dhëndërr; gjetje ideore e veçantë. Shpirti i poetit gramshak dëshiron të bëhet
ylber, që bukuritë e tokës së tij të ndriçojnë mes shtatë ngjyrave të ylberit.
Ca vargje prej saj; “Të erdha dhëndërr i hutuar,/ Ti ishe nusja, nuk do mend./
Dhe gurin vetë kish robëruar/ Kjo bukuri e trupit tënd”.
Plazhi
në dimër është një bukuri e vdekur. Mungesa e pushuesve, e zërave fëmijërorë, e
gjallërisë zhurmuese e bën natyrën të vuajë boshësinë vrasëse. Vala e detit qan
si fëmijë, ndërsa dielli i vetmuar e shenjtor mbytet në det. Sa fantazi, ndjesi
e madhështi bëhen bashkë në katër vargje me rimë të kryqëzuar! “Vala vjen e qan
me kujë,/Si fëmijë i zënë fajtor./Mbytet dielli nëpër ujë/ Krejt i vetëm, si
shenjtor”.
Vjeshta,
me dorën vrastare, zhduk gjelbërimin, bën cullak bimësinë dhe fton borën të
jetë sundimtare e ligjshme. “ I flaku gjethet dorë e vjeshtës, /Porsi pelena,
që s’kanë vlerë. /Në zyra qiejsh tani bora / Kërkon licensë që të bjerë.”
Nata
nuk të ngjeth mishin me të ftohtin e saj, por
të ngroh me arin e hënës. “Dritë e hënës lozonjare /Në dritare rrjedh si
ar. /Syri i natës vegimtare/ Derdh vështrimin si kristal.”
Si
vajzë e lezetshme , nata fle me yjet dhe gdhihet e thinjur nga rrezet e diellit
mëngjesor: ” Nata vjen si vajzë plot hire,/ Fle me yjet në një shtrat. /Në
mëngjes është nënë e thinjur,/ Pranë ditës si zambak”.
Vendlindja
nuk është thjesht vendi ku shkon për të pushuar, për të marrë një trajsë arra e
një shportë me fiq, por është amanet, që duhet mbajtur gjallë. Ajo të fton me
zërin e të parëve, me amanetin e të ikurve, me nostalgjinë e fëmijërisë. Ajo
është gjeografi e histori, kënaqësi e dhimbje, mall e dashuri…
Vendlindja
i ngjan nënës. Dashuria për të nuk thuhet me fjalë.
Sojniku,
që përkund braktisjen dhe është pakuar sa një xixëllonjë, mbeti dashuri-dhimbja
e Pozit me opinga apo kollare, të njomë a “gjithë thinjë”. Poezia për Sojnikun
, e tiganisur për lezet të shpirtit, kullon mall, dhimbje e dashuri, bërë
turli. Njerëzit kanë ikur nga fshati. Vizitorë të tij po bëhen banorët e
pyllit: ujku, ariu,derri, dhelpra, nuselala. Ata kanë zënë vendin e njerëzve.
Trishtim i madh !
Më
ngacmoi shumë kjo poezi, pasi tek ai “bukurosh i ashpër”e “kaproll i vrarë në
pritë” kam bërë ecejaket e para si mësues, lidhjen e telave të zemrës, që më
ndriçojnë këndshëm edhe sot.
Mjaft
gjëra në jetë shijohen e tregohen, ndonëse, për dreq, nuk mund të shpjegohen.
Tamam në skena arti e tradite ktheheshin mbrëmjet në odat sojnikase. Ziente
muhabeti e kënga, vlonte dollia e rakia, shkëmbehej përvojë e mirësi pa fund.
Bukurinë
e tyre e shtonin recitimi e interpretimi. Enver Qose, kur e rrëmbente muhabeti,
të rrënqethte me “Poemën e mjerimit” të Migjenit, Pozi me “Shalli i zi” nga
Pushkini. Shqipërimi mjeshtëror i Lasgushit apo tragjizmi i Pushkinit i jepte
zjarr shpirtit të Pozit ?! Këtë nuk di ta them. Një gjë e them me bindje : Pozi
ka poezi që kanë fantazi Kadareje, ëmbëlsi Lasgushi e dramacitet Pushkini.
Jeta
e paqtë e fshatit ia shumëzonte gëzimet e pjesëtonte mërzitjet e djaloshit
leximtar. Iku shpejt nga Sojniku, duke marrë dhuratë prej tij
burrërinë, karakterin e fortë si guri, këmbënguljen e mushkës, krenarinë
e malit, dlirësinë e Maticës gurgulluese, nën kurorën stërmadhe të arrës së
moçme.
Mbyllja
e poezisë “Kartë identiteti” është një kulm emocional me forcë të epërme
lirike. Kujtimet e bukuritë e fshatit nuk janë në fotografi apo tatuazhe lëkure
në llërë, shpatull a qafë. Ato gdhenden tatuazh në zemër. Sa fantazi e
sakrificë!
Veçori
dalluese e poezisë së tij është shkurtësia. Pesë vëllime poetike mbajnë brenda
350 poezi. Treçereku i tyre janë me 2-3 strofa, kusuri me 4 strofa. Asnjë poezi
me mbi 16 vargje. Nuk është çështje numrash, por strategji estetike, rregull
vetëshkatërrues i tepricave.
Shkurtësia
tregon disiplinë të lartë krijuese. Për mua, është vlerë e shtuar për autorin;
ruan sensin e masës duke rritur fuqinë sintetike të vargut e fjalës.
Prirja
për të thënë shumë, duke shkruar pak, është shenjë dalluese e mjeshtërve të
vërtetë të fjalës. Modele të përkryera
shkurtësie kanë qenë Pushkini nga bota dhe Lasgushi nga vendi.
Pozi
sanguin e hazërxhevap nuk pret “të zihet pekmezi e të ftohet pilafi, pastaj të
qajë Rabijen”, siç thuhet në anët tona. Ai e mban barutin të thatë dhe gishtin
në këmbëz. Nuk rri në pritë, por gjuan në ecje. Krijimi nuk bëhet tërkuzë. Rrënda e mirë e “pret”
shpejt qumështin, duke e ndarë djathin nga hirra.
Çuditem
me ty, o Pozi. Sa bujari e bollëk jep në biseda e sofra, aq kurnac e Grande je
në vargje !
Pozi,
me flokët e zbardhur nga bora e pashkundshme e viteve, mbetet çapkën e rebel,
guxon e sfidon. Poezitë të ngopin me guximin që shprehin. Metaforat foljore e
emrore, krahas krahasimit me qeniet mitologjike, e bëjnë bukurinë femërore sa
tokësore, aq edhe qiellore: “E verbove diellin, / E shkrive dëborën./ Si një
shtojzovalle/ Shekull ma bën orën”.
Tragjedia
e Otrantos, më e kobshme se ato të Shekspirit, e ngacmon poetin të ndërtojë
vargun e lemeritshëm: “ Peshqit kanë hapur dyqane mishi….”
Në
poezinë “Fotovegim” vizatohet udhëtimi ynë i brishtë nëpër tufanet e kohës: ”
Lëndina e reve shkund petale shiu /Dhe zogjtë i derdh si breshër përmbi dhe”.
Poezia
“Reportazh”është një klithmë rrënqethëse për atdheun e tradhtuar nga bijtë e
vet: “Në biskun e këputur të hënës së saj /Varet atdheu i përdhunuar nga të
bijtë.”
Në
tetë vargjet e “Se ka dhe planet tjetër” pohohet se Magelani zbuloi gjeografinë
e jashtme të botës, ndërsa poeti zbulon gjeografinë e brendshme të shpirtit.
“Me drapër hëne” poeti korr fjalë malli, ndërsa me flokun e mikes bën “një shtrat dhe një fustan të bardhë”
Autori
pranon të kujtohet si një “ i marrë “, që dashuron dhe jo si një anonim që
vetëm hije bën mbi tokë. Mjaft vargje janë pikante, të bëjnë të mendohesh e të
gjykosh; “Bëhem peshk dhe e pi detin, / Bëhem ujë dhe e ha bregun…”
Poeti,
“Që çdo ditë zvogëlohet , si shkumës i përdorur”, nuk i sheh të realizuara të
gjitha dëshirat, ndaj shprehet: “Sot ky vend, me mijëra kilometra/ Më rri mua
porsi bluzë e ngushtë…”
Dua
të them pak fjalë dhe për stilin e tij. Ai është kombinim mes atij lirik,
meditativ-filozofik e satirik. Në kohën e sotme, kur poezia vuan nga kaosi
strukturor dhe vargu i lirë, qëndresën e Pozit te disiplina e rreptë e strofës,
vargut e rimës do ta vlerësoja si akt guximi e sacrifice, si provë e
konsolidimit të talentit të tij artistik.

Sa
këmbëngulës e durimmadh është poeti ynë!
Vargjet
e poezive nuk ndërtohen me tulla serie, por me gurë arkeologjikë. Mjeshtëria e
këtij autori nuk qëndron te lulëtisja e fjalës dhe e vargut, por te përzgjedhja
kirurgjikale e fjalës së duhur. Fjala bën jehonë në mendjen e lexuesit, vargu
këndon vetë. Vargjet janë të thjeshta në formë, por të fuqishme në mendime,
përfytyrime, emocione.
Metaforat,
të ulura këmbëkryq në çdo varg, krijojnë pamje të gjalla tek lexuesi. Ato,
rrallë si xixëllonja e shpesh si llampushka, ndriçojnë e orientojnë mesazhet
qytetëruese.
Antitezat
janë befasuese; të gozhdojnë mes të kundërtave që s’duan të pajtohen, por
sfiliten të mundin njëra- tjetrën.
Personifikimet
e shpeshta e kthejnë botën e pajetë në një skenë të gjallë dramatike, ku natyra
fiton zë, ndjenjë dhe kujtesë njerëzore.
Veçori
e poezive nuk është vetëm forma e tyre tradicionale. Bollëk veshjesh
figurative, vezullim e kombinime ngjyrash përdor në to autori. Strofa të të
gjitha llojeve, vargje të matura e të rregullta, rima dhe ritme të sakta.
Kujdes dhe përkushtim, për t’u patur zili. Doemos, mësuesi i letërsisë e ka
udhëzuar si duhet poetin.
Dashuria
është ulur këmbëkryq në krijimtarinë
e Pozaetit. Ajo është më shumë ëndërr se
realitet, më shumë fantazi se praktikë. Është e dëlirë dhe bukurane, se nuk
preket, nduket e ndotet. Mbetet në ajër, e pastër, fantastike. Muza poetike nuk
rend pas hireve trupore të femrës magjike, por pas magjisë së femrës si nënë,
si grua, si e dashur. Dashuria në
vargjet e tij nuk është lodër zbavitëse fëmijësh, por ekuacion i vështirë,
magji që ndihet, por nuk shpjegohet, pasi poetët janë, ndoshta, njerëzit më të
dashuruar, më pranë dashurisë së vërtetë: “U tret mali, u bë zemër,/ Që kërkon një ëndërrim./
Përshkon botën si e çmendur, / Vjen e fle në gjirin tim.”
Poezi
dhe magji përmbi magjitë është ajo e titulluar “ Kaq thjesht magjia jote”.
Poezia më e bukur, ndoshta. Metafora e hiperbola bëhen tok, treqind dreqër
godasin me çekanë dashurinë e re. Ajo nuk thërrmohet, por kalitet në
kudhrën e tyre, për të jetuar “edhe
tridhjetëmijë vjet” Poezia ka ndjeshmëri të jashtëzakonshme muskulore. Ritmi
është i shpejtë, thuajse dramatik, i diktuar nga përdorimi i shpeshtë i numrit
300. Përjetimi personal kthehet në një mesazh universal; përpara dashurisë së
vërtetë kthehen në lodra fëmijësh të gjitha pengesat. Çudi, edhe dreqërit e
sherretët kthehen në engjëj! Sa bukuri, alkimi, sa magji ka derdhur në këto
vargje poeti!
Dashuria
shihet si forcë transformuese, zbukuruese e shenjtëruese: “Më pëshpërisje fjalë
malli/ Nëpër rrënqethje, ëmbëlsi./ Më bëhej engjëll edhe djalli/ Kur zemrën
time dridhje ti”.
Edhe
vdekjen poeti e pret nga dashuria: “Mes qinda rrugësh për të vdekur/Do zgjidhja
që të vdes nga dashuria./Do të thoshin në përcjellje, duke qeshur; / I gjori,
iku skiç nga marrëzia!“.
Në
poezinë e tij, ky poet shpërndan valët zemërake për gjërat mjerane që sheh e
ndien, për rrudhjen dhe shtrydhjen e shpirtit njerëzor, për rrokullisjen e
vlerave, për amoralitetin që shpërndan tapi ndershmërie, për ata që hanë në
sahanët e babëzisë, për mosmirënjohësit: ”Dhashë fjalën e ëmbël dhe mora
pelin,/ Dhashë dritën e ëndrrës dhe mora veç zinë,/ Dhashë thirrje kujtese dhe
mora harrim,/ Dhashë çaste gëzimi dhe mora trishtim./ Ç’më duhet mua të jem
Jezu Krisht ?!”. Vargje me peshë emocionale e filozofike, të ngritura mbi
antiteza të fuqishme, shprehin dramën e individit, që jep gjithçka dhe s’merr
asgjë. Revoltë e idealistit ndaj botës cinike.
Njerëzit
karakterdobët, që tjetërsohen nga ofiqet, postet e karriget janë në fokusin e
satirës dhe të përbuzjes. Njeriu që mendon e arsyeton nuk e sheh pushtetin si
zot, por si shërbim. Madhështinë e karrikeve e sheh si kobëndjellëse dhe jo si
fatsljellëse. Ndoshta, kjo mund të jetë arsyeja e mosuljes në to: “Mbi kalin e
postit u bëra pordhac, /I lig, batakçi, sa helm, aq kërbaç. “
Cinizmi
i shefave, pasardhës të racës së Zylove, është një prerje çezariane e logjikës;
aty ku duhet të mbijë mendimi i lirë, ata mbjellin ligjin e ngurtë të tmerrit
administrativ: “ Sintaksa e shefave është e çuditshme,/ Si një pamje filmike e
përmbysur. /Aty i vdekuri varros të gjallin /Dhe varkën e drejton një i
mbytur”.
Poezia
“Miu dhe ministri” funksionon si pasqyrë e thyer, ku shoqëria shikon shëmtinë e
saj. Ne jemi trima me të pafuqishmit dhe skllevër vullnetarë përpara xhelatëve
tanë. Autori përdor një kirurgji, pa anestezi. Poezia është një thikë e ftohtë
ndaj amnistisë që populli i bën së keqes, duke e kthyer dorën që e shtyp, në
objekt kulti: “Atë e bënë kryeministër, /I bënë pas vdekjes monument, /Megjithëse zemrën na kish brejtur
/Më egërsisht se miu i shkretë”.
Shpërfill
e përbuz autori marrinë e vënies së lekut e pasurisë materiale mbi vlerat
morale e njerëzore: “ Kam lekë në xhep, bëhem luan,/ Ndërsa, kur s’kam, strukem
si mi. / Me njerën gjysmë bëj hatanë, / Ndërsa me tjetrën bëhem hi”. Pena e
mprehtë dhe shpirti i ndjeshëm pasqyron raportin mes asaj që kemi e asaj që
jemi. Poezia është shuplakë ndaj varësisë së dinjitetit nga portofoli.
Përmes
një tensioni emocional ndërtohet portreti magjepsës dhe melankolik i gruas
moderne, e cila lundron mes adhurimit të jashtëm dhe zbrazëtisë së brendshme.
Poezia”Grua silikoni”, si britmë elegante shpirti, kërkon origjinalitetin në
një botë plot imitime: “Të pret e të përcjell përditë ty udha, /Mbi të si një
mbretëreshë çapitesh ti. / Fodullit silikon, që nuk njeh rrudha, /I jep kaq hir
një sarafan i zi.”
Poezia
“Njeriu i kompletuar”, përmes një gjuhe të zhveshur e plot ironi, është një grotesk letrar, ku
personazhi është një karikaturë e gjallë e njeriut të rrugës, që e gjen veten
në majat e pushtetit. Kur injoranca dhe krimi veshin kostumin e politikanit,
vet shteti kthehet në mall tregu: “Me një kobure zgjoj respektin, /Që është
vetë frika, nuk do mend. /Me firmën time shes, blej shtetin, / Kur zë një vend
në parlament”.
“
Pengje të përjetshëm” është një radiografi e ashpër e dështimit tonë moral, ku
terri shërben si brumë, për të gatuar dhunën, urinë, urrejtjen; gjithë veset e
“Kutisë së Pandorës”. “Nga terri pjellim armë,/ Urrejtje dhe uri,/ Nga drita
veç pendimin,/ Që s’ndrin sa një qiri”.
Poezia
“Handikap fatal”, ngritur mbi antiteza dramatike, shërben si alarm për zgjim
ndaj krizës së humanizmit dhe tjetërsimit të njeriut të sotëm. Mesazh tragjik:
shkenca ka prekur yjet me zhvillimin e saj, ne kemi mbetur foshnja në
humanizmin tonë: “Rrojmë në shekullin e atomit, / Kemi mendjen e majmunit./ Kur
s’e gjejmë shtegun e fjalës, /Trokasim te portë e plumbit.”
Poezia
“Me fletët e dhiatës” është e fuqishme, me ton rebel, satirizues e dëshpërues.
Përmes një gjuhe të tensionuar dhe simboleve me ngarkesë emocionale, denoncon
hipokrizinë politike, shoqërore e sociale. “Me fletë dhiate sot mbështillen
misra /Dhe perëndinë e flakim në çnderim. / Si engjëj shiten ujqër dhe ministra /Dhe bëjnë shtëpi publike
shpirtin tim.”
Njerëzit
djallëzorë janë barrë e rëndë për shoqërinë. Kur drejtojnë të shtrembërit,
katastrofa është e afërt. Nëpërmjet anaforës e enumeracionit, autori zbraz
indinjatën dhe u nxjerr bojën të pafytyrëve: “Në mëngjes të hedh kulaçin me
përçmim, / Në mesditë të vërtit kërbaçin me tërbim, / Në mbrëmje të vret gjithë
natën të qan, / Në mëngjes, pas teje, të vjen në varrim”.
Poeti,
pa dashur të shitet si puritan i thekur, dënon me forcën e antitezave e të
ironisë kameleonin që i bën të gjitha, pa iu dridhur qerpiku. ”Fustanet e grave
i ngrita pa turp, /E humba shtëpinë e gjeta në klub. /Unë qengji, papritur, u
ktheva në ujk, / Fisnik në mëngjes, në mbrëmje harbut”.
Misioni
dhe ëndrra janë pjesë e pandarë e poezisë së tij. Poetët mbajnë gjallë
temperaturën emocionale të njerëzimit. Ata digjen në turrën e ndjenjave të veta, për t’u falur njerëzve
dritë dhe art
”
Ja që paska dhe njerëz prej ajri,/Qenkan poetët, që digjen për jetën si
zjarri”. Mjerë ata që nuk i kuptojnë poetët! Mjerë ata që kënaqen vetëm duke
ngrënë përshesh!
Marrëdhënia
mes poetëve është si ajo e yjeve, në të njëjtin konstelacion; secili ndriçon me
dritën e vet, por së bashku krijojnë një pamje më të bukur në qiellin e
kulturës të çdo vendi.
Poezia
për tri poeteshat gramshake (Ledi Shqiponja, Rudina Toska e Enkeleda Latifi)
është dedikim artistik, duke i parë ato në garë me njëra-tjetrën dhe me
Devollin, se kush i jep më shumë dritë Gramshit dhe Shqipërisë. Perlë e vërtetë
artistike!
Elegjitë
për Teodor Kekon e Pirro Verushin do mbeten testament miqësie, ku vdekja nuk
shuan dot zjarrin e poetëve, por e shndërron
në jehonë pavdekësie.
Poetit
Pozaet nuk i fiken ëndrrat, guximi e besimi. Ato kanë blerim pa cak. Herë i
merr në krah Don Kishoti, herë i tërheq zvarrë Sizifi, me gurin mbi shpinë.
Fati
dhe fataliteti bashkudhëtojnë me poezinë e tij. Njëri nga librat e autorit
titullohet “Jam rob i fatit tim”. Rreth fatit rrotullohen edhe poezitë “Kush
jam unë”, “Jam ai që jam”, “Jam rob i fatit tekanjoz” e ndonjë tjetër. I
vlerësoj si gjetje artistike e filozofike, që e shohin njeriun si aktor e spektator të një realiteti të
trazuar e plot befasi. Prej tyre marr mesazhin se askush nuk mbetet
përjetësisht i rrëzuar, nëse mban ndezur vullnetin për t’u ngritur. Fati nuk
troket në dyert e mbyllura të dëshpërimit, por
në dritaret e hapura të shpresës dhe besimit. Mërzia e zymtia, që shfaqen në vargje të
ndryshme poezish, enden si mjegull, duke na kujtuar Migjenin djaloshar, me
shpirt të shqetësuar plaku.
Me
politikën poeti nuk i ka aspak mirë punët. Janë parë hëna jashtë, si i thonë
fjalës. Në vend të adhurimit për të, ku fjalët rreken të fshehin të vërtetën,
ai shkruan: “Ma piu shpirtin politika,/ Porsi vampiri gjakun pi. / Një jetimore
me lirika / Është strukur në sytë e mi.” .
Shkon
e ku nuk shkon poeti dhe kthehet, si rastësisht, tek tradita, tek kënga e Nazes
ballëkaleshe. Më shumë vaj se këngë, më shumë dramë se dashuri. Çudi me
folklorin tonë; i këndohet edhe dramës, fatkeqësisë, gjëmës. Zakoni i së
shkuarës përdhoste dashurinë e vajzës dhe e detyronte t’i gëzohej martesës me
mblesëri. Me zemër të thyer i drejtohet poeti Nazes:” Bëja vjehrrit kafen me
kajmak,/ Shto nga plagë e zemrës një pikë gjak.”Duke u trishtuar për hallin e
Nazes, Pozaeti qan hallin e tij dhe tonin, që nuk po ulemi më dyst taban mes
pijes e këngës me iso, si dikur. Me Nazen na hape avaze, poet. Në Gramsh tani
Nazja ka dy këngë. Atë të moçmen dhe këtë të renë, që na solle.
Familjen,
si çerdhe qetësie e mirësie, vatër mirëkuptimi dhe edukimi, tempull të shenjtë
njerëzor, poeti nuk harron ta bëjë pjesë të vargjeve të veta. “Në shtëpinë time
dhe Zoti hyn me ndrojtje,/ Jo si polic xhahil me britma dhe me shkop”,-
nënvizohet në një poezi. Poeti e kthen pemën gjenealogjike në një rrap të harlisur me metafora, ku çdo
degë ka zërin e një njeriu të dashur.
Gjyshes, “Që çuçurit si zog, nëpër kujtime”, dëshiron t’ia kthejë
përrallat. Babait të ikur i dërgon letër, që ta orientojë në udhëkryqet e
jetës. Për nënë Ishen 84-vjeçare shkruan: “Mezi çapitesh drejt mëngjesit,/
Pastaj me dritën vrapon larg/ Ti, frymë e shenjtë e Pozaetit,/ Që je për mua
dritë në ag”. Aldon, djalin mjek, e këshillon: “Me varkë drite, nëpër valë gëzimi, / Përshkoje
jetën tënde skaj më skaj./ Janë sot kaq pranë dhe drita, dhe verbimi, / Ndaj
maturisht bëj zgjedhjen, i pafaj”. Kur shkruan për dy vajzat, buza e poetit
kthehet në djep të shenjtë, ku pëshpërimat e dashurisë zgjojnë këngën që
ndriçon rrugëtimin e tyre në jetë; ”Tund në djep të buzës një këngë për vajzën
time”. Pas mbesës Ami çmendet e lajthitet, duke mos ndjerë turpërim, që luan si
i barabartë me të. Ekstremet puqen. Të moshuarit dhe fëmijët ngjasojnë shumë
mes tyre. Tragjedi apo mrekulli, merre si ta marrësh!
Ironia
e sarkazma janë mjete të fuqishme , me të cilat ai gjuan me njërën dorë, për të
zgjuar dhe të përkëdhel me tjetrën, për të shëruar. Ironia e vërtetë e bën
lexuesin të qeshë mbi rrënojat e fatit të tij të shembur. Poetit, si Doda i
Ernest Koliqit, që “Mbjell ullirin e një shprese,/ Korr gjembaçin e Sizifit”, i
ka humbur shija e jetës në këtë realitet të çmendur. Kush e gjen, le t’ia sjellë,
se ai do t’i japë si shpërblim rrogën e mësuesit, “kaq të vogël, kaq të mjerë”.
Tek
përfundon së lexuari të gjitha vargjet e këtij autori, të mbeten në mendje
gjuha e përdorur mjeshtërisht, delikatesa dhe xhindosja e një shpirti poetik të
trazuar, paqësor dhe vullkanik, njëherësh.
Nuk mundem ta fsheh; ndiej krenari si ish-mësuesi i Pozaet Qoses, sepse
ato xixa talenti poetik, që pashë dikur, sot janë kthyer në një zjarr të fuqishëm
artistik, ku ngrohem unë dhe lexuesit e shumtë, që afrohen rreth tij.
Si
epilog të këtij shkrimi të gjatë, pëlqej të jap një gjykim të shkurtër: Pozaet
Qose është poet i madh në një qytet të vogël.
Idris Dermyshi
Durrës,më 18.08.2026


