Hamza Halabaku: Gjyshërit e mi

2h më parë

GJYSHËRIT E MI*

Nga Hamza Halabaku

Gjyshi im, Qerim Halabaku (1 janar 1878 -13 qershor 1960), dritë pastë, ishte një plak që i kishte kaluar të tetëdhjetat, por ishte i kthjellët dhe i ditur deri në çastet e fundit të jetës. Kur u nda nga jeta gjyshi, unë isha në moshën 12 vjeç e nëntë muaj.

Ai njihej për burrë bujar të fshatit tonë dhe të rrethit të Anamoravës. Në rininë time, kur më pyeste dikush se i biri i kujt isha, unë identifikohesha me emrin e gjyshit. Jam nipi i Qerim Halabakut, u thosha kur isha në Anamoravë. E kur isha në afërsi të Ferizajt, thosha se jam nipi i Ibish Dërgutit, gjyshi im nga nëna.

Mbaj mend që të moshuarit e kohës, gjyshërve të mi, Qerimit dhe Ibishit, gjithnjë ua përmendnin emrat me respekt. Kjo më ka ndodhur shumë shpesh, derisa isha i punësuar si mësues në fshatin Ballancë, në vitin shkollor 1967/68, po edhe kur isha punëtor në Gjykatën Komunale në Viti, nga maji i vitit 1969 e deri në maj të vitit 1973, kur kisha lëvizur nëpër fshatra të Komunës së Vitisë, edhe si procesmbajtës i kryetarit të Gjykatës, po edhe në punët e tjera të Gjykatës.

Ishte e njohur oda e Qerim Halabakut dhe ai shpesh më tregonte se çfarë njerëzve u kishin bërë konak në atë odë. Kishte shumë rrëfime se çka kishte mësuar e çka kishte përjetuar me ata që i kishte zënë nata në rrugëtim e sipër dhe kishin ardhur në odë për ta kaluar një natë.

- Biro, oda është si shkolla, - më thoshte gjyshi. - Të vijnë njerëz të ditur, por i urti mëson edhe nga ata të tjerët.

Tregime të panumërta kishte gjyshi për mysa­firët e odës së tij.

Në odën e gjyshit tim, Qerimit, rrinin burrat më të njohur të fshatit tonë. Rrinte shumë shpesh edhe imami i fshatit tonë, Mulla Tahiri, i cili gjyshit dhe të pranishmëve, që ishin në odë, u lexonte gazetën e Beogradit, “Borba”, e pastaj bashkë i kome­ntonin ato shkrime që i lexonte hoxhë Tahir Terziqi.

Në odën e gjyshit rrinin shpesh Hamdi Kurteshi, “njëri prej përhapësve më aktiv të ideve patriotike dhe njëri ndër veprimtarët më të dalluar të Lëvizjes së armatosur Kombëtare Shqiptare në fillim të sheku­llit XX”[1], Abdyl Ramiqi, Ramë Halabaku, Ukshini i Smajlit e emra të tjerë të njohur të fshatit tonë. Me Hamdi Kurteshin, që jam takuar edhe vetë në moshën time të pjekurisë. Ishte një enciklopedi e gjallë. Na tre­gonte për takimet e tij me Fan S. Nolin, me Bajram Currin personalitete të tjera të historisë së kohës.

Edhe gjyshi, nga ana e nënës, Ibish Dërguti (1900-18 maj 1983), i takonte, si thuhet, sofrës së parë, jo vetëm në fshatin e tij, Varosh i Ferizajt, po edhe më gjerë. Nderohej dhe respektohej nga të gjithë dhe, siç më ka thënë një bashkëkohanik i tij, ndiheshin të nderuar kur atë e kishin me vete, kur donin të pajto­nin ndonjë ngatërresë, pasi ishin të sigurt se aty ku hynte Ibishi, e bënte punën ashtu që të mos përsëritej më kurrë ngatërresa.

Edhe oda e Ibish Dërgutit ishte në zë. Më ka rastisur të takoj në odën e tij njerëz të njohur e të dalluar të fshatit Varosh, por edhe të fshatrave të anës së Ferizajt, Kaçanikut, Prizrenit, Prishtinës dhe më gjerë, si: Shaban Mani, Rexhë Hashani, Idriz Breznica, i cili njihej edhe si Hoxhë Breznica. Për këtë të fundit rapsodët popullorë kishin thurur këngë, meqë Hoxhë Breznica kishte luftuar me kolonët serbo-malazez për të mbrojtur pragun e shtëpisë së vet. Në odën e Ibish Dërgutit vinin edhe Imer Hoxha - Zaskoku, një patriot i njohur në Komunën e Ferizajt dhe më gjerë, Beqë Heta, i burgosur me grupin e inte­lektualit dhe etnolo­gut të parë shqiptar nga Kosova, Kadri Halimi, pastaj Arif mësuesi nga Gaçka etj.

Gjyshi im, Qerimi, ishte i biri i Mehmet Halabakut, për të cilin nuk di as ditëlindje e as ditë­vdekje! Sipas gjyshit tim, i ati i tij, Mehmeti, shumë kohë nuk kishte pasur fëmijë fare, por kishte pasur pasuri të madhe. Pasuri “te këmbët e te kryet”, si tho­shin atëherë. Pasi kishte mbërritur një moshë të shtyrë e nuk kishte pasur fëmijë, një të premteje kishte vendo­sur që në xhaminë e fshatit ta shpallte vendimin se tërë pasurinë ia linte trashëgim vakëfit.

I veshur e i mbathur si për festë, atë të premte, stërgjyshi im, Mehmeti, pas namazit të xhumasë, ishte ngritur në këmbë dhe e kishte lutur imamin e fshatit që t’i lejohej t’ua kumtonte një vendim të tijin.

Imami i kishte lutur të pranishmit në xhami që ta dëgjonin Mehmet Halabakun.

Stërgjyshi im, Mehmet Halabaku, kishte folur:

- Vëllezër të nderuar, siç po e shihni dhe siç e dini, unë tanimë u plaka. Zoti nuk më gëzoi me ndo­një pasardhës, prandaj kam vendosur që pasurinë time t’ia falë vakëfit. Pra, tërë pasurinë time, pas vde­kjes, le ta gëzojë vakëfi i fshatit tonë!

Uuuu, ishte dëgjuar një zhurmë e lehtë nga të pranishmit, nga habia që kishin përjetuar në mome­ntin e dëgjimit të vendimit të Mehmet Halabakut.

Aty, në rreshtin e parë të xhematit të asaj të pre­mteje, gjithnjë sipas tregimit të gjyshit tim, Qerimit, kishte qenë një burrë i Kajollve të Gjelekarit, i cili, pasi e kishte dëgjuar me vëmendje vendimin e Mehmet Halabakut, ishte ngritur në këmbë dhe kishte folur:

- Jo, Mehmet Halabaku, ti nuk do t’ia falësh pasurinë tënde vakëfit. Ti duhet atë ta gëzosh vetë, me pasardhësit e tu që do të vijnë. Unë do t’i lutem edhe një herë të madhit Zot që ty të të falë fëmijë. Përveç lutjes sime dhe të tërë këtij xhemati, unë ven­do­sa të ta jap ty për grua motrën time, Salën, - kishte thënë ai publikisht në xhaminë e fshatit, duke u lutur që çifti i ri të trashëgohej.

Edhe vendimi i komunikuar i Kajollsit të Gjelekarit, po ashtu i kishte habitur të pranishmit! Pasi kishin dalë të gjithë nga xhamia, Mehmeti, stër­gjyshi im, të Kajollsin, imamin e katundit dhe disa bu­rra të tjerë të shquar të fshatit, i kishte marrë në odën e tij për drekë.

Tani, si duket, në odën e Mehmet Halabakut, nuk ishte biseduar më për çështjen e faljes së pasurisë dhe të martesës së re që do të bëhej pak ditë më vonë. Kur burrat flasin një herë, edhe e mbajnë fjalën!

Pas dy-tri ditësh, vetë Mehmet plaku i kishte përgatitur dy kuaj. Ua kishte vënë shalat në shpinë. I kishte hipur njërit e tjetrin e kishte marrë për freri dhe ishte nisur për në odën e Kajollit. E kishte gjetur shtëpinë e tij në Gjelekar dhe i kishte trokitur në derë.

Kajollët, të njohur atë kohë për trimëri, urtësi e bujari, e kishin pranuar në odën e tyre Mehmetin dhe i kishin bërë muhabet miqësor. Në odën e tyre ishin tubuar burra të dalluar të fshatit. Pasi kishin ngrënë drekë e kishin pirë kafe, njëri nga ata të shtëpisë e kishte pyetur Mehmet Halabakun, se cili nga kuajt është më i urtë. Mehmeti e kishte kuptuar se ata donin t’ia jepnin Salën me vete dhe u kishte treguar se cili nga kuajt ishte më i urtë. Pasi kishte marrë lejen e zotit të shtëpisë, Mehmeti kishte dalë nga oda dhe në oborr e kishte parë për herë të parë nusen e tij të re, në kalë, pra stërgjyshen time, të mbuluar, siç mbuloheshin femrat shqiptare atë kohë.

Kajollët e kishin përcjellë Mehmetin me dëshi­rat që t’i bekonte i madhi Zot dhe që t’u mbushej shtëpia me kalamaj.

Pas një viti, Mehmet Halabakut i kishte lindur Hysnija, vajza e parë, më vonë Qerimi, biri i tij i parë, pastaj Tahirja, Rexhepi, Fiza, Muharremi dhe Kadirja.

Lutja e Kajollëve ishte pranuar dhe Mehmeti që kishte dashur ta falte pasurinë, ishte bërë me katër vajza e tre djem. Mehmeti ishte bërë me krah dhe pasurinë që kishte, kishte filluar ta shtonte edhe më shumë. Atë pasuri që stërgjyshi im e kishte pasur, ua kishte lënë trashëgim fëmijëve të tij, një pjesë të së cilës sot e gëzoj edhe unë.

Ai kishte në pronësi arat më të mira të fshatit, që quheshin “Vertinat”, “Bregjet”, “Litrat”, por edhe arat te Tresava, “Ara në Mal”, “Rasulat”, “Qeshlikat”, “Zipolet”. Të veten e kishte fushën dhe livadhet “Te Mullini”, që vlerësohej pasuri shumë e vlefshme, pasi ishte tokë që mund të ujitej dhe të behej bahçe. Kjo pronë e kishte jazin që e kishin ndarë, në Viti, nga Morava e Binçit, për nevojat e mullirit, që ditë e natë silleshin dy gurët e tij, e që deri vonë e kishin në pronësi Halabakët.

Aty, “Te Mullini”, secila nga shtëpitë e Hala­bakëve kishte livadhe, ara dhe bahçe, por ajo që në fëmijëri më kishte lënë përshtypje, e që nuk e harroj kurrë, ishte “meraja”. Ishte një tokë jo e madhe, por ishte e të gjithë neve. Aty i linim qerret edhe ne edhe ata që binin drithëra për t’i bluar në mullirin tonë.

Familja e Halabakëve ishte vendosur, në pjesën më të mirë, në mesin e fshatit Pozharan, ku edhe tani jeton një pjesë e tyre. Ishte në anën jugore të fshatit dhe në anën e majtë të rrugës Gjilan - Ferizaj.

Unë mbaj mend 11 shtëpi të familjes Halabaku: Katër shtëpi të bijve të Ali Halabakut: Rama, Murati e Isufi dhe i biri i Ramës, Rifati, që ishte shtëpi më vete; pastaj i biri i Fazli Halabakut: Hamdiu, e i biri i Zejnës, Rrustemi; i biri i Osman Halabakut, Xhemaili; i biri i Mehmeti Halabakut, Qerimi, dhe bijtë e Qerimit, Azemi e Syla, që ishin shtëpi më vete; bijtë e Rexhepit: Rizahu e Mehmeti dhe i biri i Muharremit, Isaku.

Tani prapë për stërgjyshin tim, Mehmetin.

Të moshuarit tregonin se ai, stërgjyshi im, Mehmet Halabaku, pra, e kishte lëshuar një sipërfaqe të pronës së tij për ndërtimin e shkollës në fshatin tonë.

Në librin “Hasan Prishtina” (Përmbledhje dokumentesh) 1908-1934, përgatitur nga Kujtim Nuro dhe Nezir Bato, Tiranë 1983, faqe 23, shkruan: “Ai, (fjala është për Hasan Prishtinën, H. H.), hapi një shkollë në Moravë, një shkollë tjetër në Gjilan dhe një tjetër ndë Pozeran. Përveç këtyre, ka gjetur 5 djem të varfër nga ato vise, të cilët do t’i dërgojë në shkollë Normale të Elbasanit edhe do t’i përmbajë vetë...”

Islam Pira, atëherë kryetar i fshatit, që njihej si “njeri i cili tërë jetën ia kushtoi Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, siç shkruan profesori im, Sadulla Brestovci në fejtonin me titull “Lëvizja Kombëtare në kazanë e Gjilanit – Islam Pira (1861-1931)”, botuar në vazhdime në të përditshmen “Rilindja” 29.V. - 5.VII.1971. Në fejtonin e përmendur profesor Sadulla Brestovci, ndër të tjera, shkruan: “Islam Pira vërtet e vazhdoi me bes­nikëri e me ngulm dhe me mjeshtëri të rrallë luftarake porosinë dhe rrugën jetësore të Idriz Seferit, në luftë të vazhdueshme për çlirim kombëtar”[2].

Kryetari i fshatit Pozharan, Islam Pira, e kishte njoftuar stërgjyshin tim, Mehmetin, se Hasan Prishtina kishte porositur dhe kishte siguruar mjetet financiare për ta ngritur një shkollë. Islami e kishte lutur Mehmet Halabakun që ta lëshonte një sipërfaqe toke nga prona e tij për ndërtimin e shkollës në fshatin tonë. Mehmeti kishte prona të shumta dhe ato ndo­dheshin në vendin më të përshtatshëm për shkollë. Ishin në mes të fshatit.

Stërgjyshi im, pasi ishte konsultuar me të afërmit e tij, e kishte miratuar propozimin e Islam Pirës dhe kishte lejuar që shkolla të ndërtohej në pronën e tij.

Gjyshi më kishte thënë se Hysen Tërpeza, i cili ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Pozharanit, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, diku më 1941, natën e parë në këtë pozitë e kishte kaluar në odën e gjyshit tim, Qerim Halabaku.

Lajmin për emërimin e Hysenit për kryetar të Komunës së Pozharanit e kishte komunikuar Prefek­tura e Gjilanit.

Hysen Tërpeza në pozitën e kryetarit të komunës e kishte zëvendësuar Musli Pirën, një burrë me autoritet nga Pozharani.

Në librin e Mustafë Xhemajlit, “Hysen Tërpeza një legjendë për Kosovën” , Prishtinë, 2004, në faqen 20 përmendet se Hysen Tërpeza natën e parë në pozi­tën e kryetarit të Komunës së Pozharanit e kaloi te Halabakët. Sipas autorit të librit, Hysen Tërpeza paskësh treguar se një Selim Halabaku e kishte thirrur atë natë për darkë.

Është e vërtetë se te Halabakët ka pasur Selim në atë kohë, por ai ka qenë i ri dhe nuk ka pasur mu­ndësi që kryetari i komunës të jetë mysafir i tij, por Hysen Tërpeza natën e parë e ka bërë në odën e gjyshit tim, Qerimit.

* Hamza Halabaku: “Rrjedhë motesh, takime, kujtime, ditar... Prishtinë, 2017



[1]Sadullah Brestovci: “Lëvizja Kombëtare në Kazanë e Gjilanit – Islam Pira (1861-1931)”, “Rilindja” 29 maj - 5 korrik 1971.

[2] Sadullah Brestovci: “Lëvizja Kombëtare në Kazanë e Gjilanit – Islam Pira (1861-1931), “Rilindja” 29 maj - 5 korrik 1971.