Gjon Marku: Mjaullima e maces

Tregim nga Gjon Marku
Drita e abazhurit, ulur në minimum, ndriçonte zbehtë dhomën ku
flinte Murati. Nuk ishte as në gjumë, as krejt zgjuar, kur krëkëllima e bravës
e ktheu përnjëherësh në vetëdije. Aty, te dera, i ishte dukur një siluetë. U
ngrit fluturimthi nga shtrati, kërkoi cep më cep nëpër shtëpi, por s'gjeti
askënd - ajo ishte zhdukur si një fllad, edhe pse dera e jashtme mbetej e
mbyllur. Përjashta, mjaullima e një maceje ia solli papritur në kujtesë një
histori të vjetër, të rëndë.
Ishin disa
vite më parë. Një natë, prej dritares së hapur të dhomës së gjumit, kishte
hedhur përjashta macen e vogël, Fubin. Ajo kishte rënë nga kati i pestë mbi
trotuar dhe, me pjesën më të madhe të kockave të thyera, kishte qëndruar gjithë
natën rrëzë pallatit, duke mjaullitur me një dhimbje që s'harrohej lehtë.
Banorët e pallatit e mbajtën mend gjatë atë mjaullimë. Në fakt Fubi s'i kishte
bërë asnjë të keqe - ai thjesht kishte pasur nevojë të nxirrte diku inatin e
vet. Kishte kaluar atë natë duke u përpjekur më kot të flinte qoftë edhe një
minutë; macja s'kishte lënë të flinte as atë, as askënd tjetër në pallat. Të
nesërmen ishte nisur për jashtë shtetit.
Sapo ai
iku, fëmijët zbritën, e morën macen e ngratë dhe e çuan te veterineri. E
fashuan, e mjekuan, e shëruan me mundim. Për më shumë se dy muaj në shtëpi ra
qetësia, dhe Fubi lodronte përsëri, e qetë, nëpër dhoma.
Ai jetonte
e punonte diku në një vilë të vendit fqinj, i strehuar nga disa miq. Pas afro
dy muajsh, vodhi disa para dhe një natë ia mbathi fshehurazi, duke u kthyer
plot mburrje. Atë mbrëmje shtëpia u mbush me festë - kishte sjellë me vete një
grusht monedhash, që ia hodhi përpara së shoqes:
- Merri
këto zhutra e blej ç'të duash, se gjithë jetën vetëm tw ankohesh di. Të dalin
të blesh për gjithë lagjen, jo më për vete.
Sa herë
ziheshin, ajo e mallkonte dhe nuk harronte kurrë t'i kujtonte edhe rrobat e saj
të brendshme:
- Ti ke
respekt për mua... Ti që s'më ke blerë kurrë në jetën tënde qoftë edhe një
palë...
Qeshën për
disa çaste, duke pirë birrë - por pastaj atij iu kujtua se ato para i kishte
vjedhur, dhe nisi avazi i vjetër: e rrahu barbarisht të shoqen, në sy të djalit
të vogël, duke ia shkulur pamëshirshëm flokët. Fubi ishte fshehur diku prapa
rafteve; në momentin që u hap dera, ia mbathi vrapit përjashta. Në korridor u
gjend përballë saj - te sytë e maces, iu duk se kishte parë një lot. Që nga ajo
ditë, Fubi nuk u kthye më.
Prej
kohësh gjërat në atë shtëpi nuk shkonin siç duhej, dhe fajtori i parë ishte ai
vetë. Vite më parë kishte pasur një lidhje me një vartëse, dhe një ditë e
kishin zënë në flagrancë. Që atëherë gjithçka mori një rrjedhë tjetër: e shoqja
nuk e respektonte më, madje e përbuzte hapur. Ai u përpoq me njëmijë mënyra
t'ia "ulte hundën", pa sukses - dhe disa herë e rrahu. Herën e fundit
i ra me pëllëmbë në fytyrë me aq forcë, saqë koka e saj u përplas në mur.
Ajo
heshti, si gjithmonë. Askush s'mori vesh se çfarë ndodhte pas asaj dere -
kujdesej gjithnjë për fëmijët, edhe në heshtjen e saj. Pak minuta më vonë ishte
në urgjencën e spitalit, e lidhur me serum, pa e zbuluar kurrë shkakun e
vërtetë të asaj dhimbjeje koke të pashpjegueshme.
U kthyen
në shtëpi. Ajo nuk foli asnjë fjalë. U shtri në shtrat dhe kërkoi t'i thërriste
tre fëmijët. Askush nuk mori vesh se çfarë u tha. Pastaj i kërkoi djalit të
madh të thërriste edhe të atin, që gjendej në dhomën tjetër.
Ai hyri pa
hezitim dhe e pyeti ashpër se çfarë donte. Vështrimi i saj ishte lutës, sytë të
mbushur me lot.
- Amanet
fëmijët... - mërmëriti. - Dërgoji tek im vëlla.
Ai ngriu.
Në atë çast iu kujtua përplasja e kokës së saj pas murit. Kërkesa e saj iu duk
provokim, dhe i tha se fëmijët ishin të tij. Ajo u përpoq të thoshte
"amanet" edhe një herë, por s'arriti - humbi ndjenjat, dhe po atë
natë dha shpirt.
Muaj më
vonë, i biri e pyeti pse e rrihte kaq shpesh të ëmën. Ai u zu ngushtë, s'dinte
ç'të përgjigjej - i kërkoi vetëm ta harronte. Të nesërmen thirri vëllain e saj
dhe i tregoi një pjesë të bisedës së fundit. Tre fëmijët shkuan të jetonin me
dajën. Ai mbeti vetëm.
Kur u
mbush një vit nga vdekja e saj, vendosi t'i çonte lule te varri. I bleu, u nis,
dhe atje gjeti tashmë tri buqeta të tjera. E kuptoi: vajza dhe dy djemtë kishin
qenë pak më herët. Po pse s'ia kishin thënë edhe atij? Ndjeu vetminë të mbërthente
fort, dhe frikën se edhe fëmijët po e braktisnin, ngadalë e në heshtje, ashtu
si nëna.
S'kishte
arritur ende t'i vendoste lulet si duhej, kur një rrëqethje i përshkoi trupin.
Qimet e kokës iu ngritën përpjetë, dhe pa e kuptuar vetë, vuri dorën mbi kokë.
Për pak sa nuk ulëriu - u ndal me kohë, duke mbyllur gojën me dorë. Nën lulet
diçka lëvizte. Për një çast iu duk sikur nga thellësia e dheut po dilte një
dorë e saj, veshur me dorezë të zezë.
Ishte
diçka e zezë me të vërtetë. Por ishte thjesht mjaullima që e bëri të zmbrapsej
- mjaullima e Fubit, macja që dikur e kishte hedhur nga dritarja. E shkuli një
lule prej buqetës dhe ia hodhi, duke shpresuar ta trembte, por Fubi s'lëvizi.
Mjaullima u bë më e fortë, më e mprehtë.
Hodhi
buqetën në cep të varrit dhe u betua të mos kthehej më aty. Edhe e vdekur, s'rri dot pa macen, mendoi. Ndoshta ajo mace është vetë shpirti i saj. Me
atë mendim në kokë, u kthye për t'ikur. Mjaullima e ndoqi deri sa doli nga
porta e varrezave dhe u fut në makinë.
Formoi një
numër telefoni dhe priti. Kishte nevojë të fliste me dikë - ndoshta me fëmijët
- por askush s'u përgjigj. Prapa receptorit iu duk se dëgjoi një mjaullimë, dhe
si në një kuadër filmi, iu shfaq përsëri para syve momenti te varri. Sa herë
dëgjonte një mace të mjaullinte, dridhej dhe humbiste diku brenda vetes, mes
kujtimeve që s'i linin qetësi.
Tani ajo
mjaullimë vinte nga poshtë pallatit - dhe në të njëjtin çast, silueta e saj po
hapte derën e dhomës, duke qëndruar në prag.
U afrua te
lavamani dhe i hodhi fytyrës një grusht ujë të ftohtë, sikur të donte t'i
shkundte ato mendime ngacmuese. U bind se gjithçka ishte thjesht një lojë e
kujtesës, u kthye në shtrat dhe rriti pak dritën e abazhurit. U përpoq të
flinte - më kot. Mori një kuti të vogël qetësuesish nga komodina dhe piu një.
Aty pranë, në një kornizë, e fotografuar nuse, ishte ajo.
Rrëshqiti
dorën ngadalë nëpër trupin e vet të lakuriqtë, duke u zhytur në një ëndërr të
dëshiruar prej kohësh. U përpëlit disa çaste, pastaj zgjati dorën drejt fotos -
por para se ta prekte, brava e derës krëkëlliu përsëri. Dera nisi të hapej
ngadalë, me një pipëtimë që i shponte veshët.
U hodh
sërish më këmbë dhe e ktheu dritën në maksimum. Nuk e kuptoi dot nëse siç i
ishte dukur, vërtet pa një siluetë te dera. Por mjaullimën e dëgjoi gjithë
natën, deri në mëngjes.


