Gjon Marku: Një natë mbret në një vend tjetër
Një natë mbret në një vend tjetër

Prej pemës, përpara dritares së dhomës së tij në "Guomen
Hotel", binin gjethet e fundit. Valoni kishte ardhur këtu kur ajo pemë
ishte plot gjallëri e mbushur me fruta; tani dukej si një skelet, si një qenie
pa jetë. Edhe ai ndjehej i tillë, sidomos pas leximit të gazetave dhe lajmeve
të fundit nga vendi i tij, atje në Lëndinën e Hyjnive.
- Eh! - ofshau thellë.
Në një fshat të largët, në
gji të malit, ishte gjetur i vdekur një fëmijë, vetëm dhjetë vjeç, dhe askush
nuk dinte si ishte vrarë ajo krijesë e pafajshme.
Në sallën e madhe, një
ritëm i shpejtë muzike i ftonte çiftet drejt pistës. Ishte, si zakonisht, kënga
e preferuar "Domestika", me të cilën krenoheshin sidomos ugandasit.
Pastaj salla pushtohej nga afrikanët, ndërsa europianët, aziatikët e
latino-amerikanët përziheshin më shumë sesa i ndiqnin dot ritmet e saj. Valonit
i pëlqente ajo këngë; sapo niste, ai dilte në pistë e përpiqej të kërcente me
hovin e saj. Por atë mbrëmje kënga i tingëllonte si vaji i një nëne atje në
Lëndinën e Hyjnive, ku, po atë natë, do të vajtonin dhjetëvjeçarin e vdekur në
mënyrë misterioze - për të cilin ai kishte lexuar në internet vetëm pak orë më
parë.
Zbriti në hollin e hotelit,
mori një paketë cigare e një shkrepëse, dhe doli në rrugën me plepa, i zhytur
në mendime të zymta.
Iu kujtua nata e parë, kur
ai dhe Anila kishin hapur bashkë mbrëmjen e parë të qëndrimit të tyre atje. Atëherë
i ishte dukur se gjithçka po shkonte për mrekulli, por gjithçka kishte marrë
kthesë tjetër. Pikërisht aty, ajo ishte bërë një njeri tjetër - kishte harruar
ku ndodhej dhe kishte lënë mënjanë çdo kufi. Në një çast kur ai nuk e priste, e
kishte parë duke vjedhur disa nga dhuratat që stafi do t'ua shpërndante të
pranishmëve në shenjë mirëseardhjeje. Kjo e kishte tronditur pa masë; kishte
dashur ta thërriste e t'i fliste, por Adami nuk i kishte lënë kohë.
- Kështu i keni të gjitha
femrat ju? - e kishte pyetur me ironi Adam.
Valoni e kishte shikuar
rreptë. I fyer, i ishte përgjigjur:
- Së paku femrat tona
gjejnë dikë dhe i kacavaren në qafë, e jo si Ema jote, që pret e studion si
dhelpër ndonjë mashkull.
Adami s'kishte munguar t'ia
kthente:
- Ema pret, vërtet, që ta
ftojë ndonjë, por s'është lavire që zhgërryhet me kë t'i dalë përpara - e aq më
pak vjedh suveniret që ne kemi përgatitur për ju.
Valoni ishte ngritur për
t'u larguar, por Adami e kishte mbajtur për krahu.
- Rri... shihe! - i kishte
bërë me kokë nga ajo, e cila, nën ritmin e një muzike arabe, kishte hipur
kalimthi mbi shpinën e Mahmudit.
Valoni ndjeu një hidhësi që
i mbushi gojën, por u përmbajt; doli nga salla dhe u nis me hapa të nxituar
drejt dhomës.
Të nesërmen ishte ditë
pushimi. Ajo kishte hipur në dhomën e tij, kishte nxjerrë telefonin dhe kishte
fërkuar ekranin, duke thënë se e kishte marrë malli për Arbenin - polic, siç
thoshte, dhe i dashuri i saj, me të cilin, pas një viti, do të martohej.
Përbetohej për ndershmëri e i thoshte se kishte nevojë për para.
Valoni heshti. Bëri sikur
s'kuptonte asgjë, qëndroi i ftohtë e pothuajse nuk foli; më shumë vështronte
nga dritarja sesa i kushtonte vëmendje pranisë së saj në dhomë.
Ajo, më shumë se me këdo
tjetër, rrinte me arabët, që bënin disa rite mesjetare e arkaike. Duke dashur
të dukej e emancipuar, e kishte lëshuar veten deri atje sa zhgërryhej me Amarin
nëpër cepat e hotelit. Pastaj, për para, shkonte herë me njërin, herë me
tjetrin - edhe pse asnjëri prej tyre s'ishte për të qwnw.
- Çfarë të tha drejtori,
Adami? - e pyeti ajo në një çast kur ai nuk e priste.
Ai u kthye dhe e shikoi
rreptë.
"Që
je kurvë dhe hajdute," deshi
t'i thoshte, por u përmbajt.
- Nuk më kujtohet, - tha
ftohtë dhe u drejtua nga dera.
- Dalim? Dua të shkoj në
dhomën e kompjuterëve.
Po atë mbrëmje ajo e ftoi
të shkonin bashkë në një supermarket. Valoni pranoi; donte të blinte disa
dhurata për shokët e tij, e mbi të gjitha kërkonte një moment për t'i thënë
diçka. Por u trondit sërish kur e pa duke vjedhur disa sende të vogla, ndër to
edhe një stilograf.
Pak minuta më pas, ajo
debatoi me njërën nga shitëset, e cila dukej se kishte vënë re diçka të
dyshimtë. Anila iu drejtua me zemërim:
- Unë jam një zonjë! Si
guxoni?
Valoni erdhi menjëherë e
kërkoi të largoheshin, por ajo sillej sikur ta kishin fyer si ndonjë
personalitet. Shitësja, me ironi, ia ktheu:
- Zor se jeni zonjë. Jeni
një e huaj, por...
- Unë jam intelektuale,
ndërsa ajo është një copë shitëse, - e ndërpreu Anila.
- Dëgjo! - ndërhyri Valoni,
duke u përpjekur ta shuante zënkën dhe duke i kërkuar ta ulte zërin, sikur të
mos ishte në fshatin e saj.
- Ti ke mbaruar një
universitet - madje një universitet të dyshimtë, të fundit në një vend prej të
fundmëve me universitete. Dhe mos harro edhe vajza e kujt je.
- Çfarë do të thuash? -
pyeti ajo.
- Je vajza e një... një
polici dhe e një pastrueseje. Kaq.
- Unë jam krenare që kam
mbaruar atë universitet, dhe babai im është dikushi.
- Babai yt është një polic
i degraduar, jo si çdo polic tjetër - një prej atyre që kullufit dhjetë byrekë
e përdhos policinë, për të cilin tregohen barcaleta. Boll tani! Mos u bëj gazi
i botës. Nëse të duhet diçka, ta blej unë; mjafton të sillesh si njeri.
Anila ngrysi vetullat si
një re muzgu.
Me mendime të tilla ecte,
pa e kuptuar drejt nga po shkonte, ndërsa gjethet e plepave fluturonin para
tij, të shtyra nga era që sillte pikat e para të shiut. Pranë tij u ndal
papritur një makinë luksoze, prej së cilës zbriti Nguyen-i.
- Ku je, Valon? Të kemi
kërkuar gjatë!
Ai heshti dhe u përpoq të
mblidhte veten.
- Po bëj një shëtitje, - u
përgjigj shkurt.
- Sonte është ditëlindja e
Ta Huang-ut, dhe ti je i ftuari i saj i veçantë. Hajde, ikim, s'ka kohë.
U fut në makinë, e cila,
pasi kaloi rrethrrotullimin, mori rrugën drejt "Guomen Hotel".
Hynë në sallën e madhe, ku,
ndryshe nga zakonisht, kishin ardhur të gjithë drejtuesit e lartë të kursit,
madje edhe vetë drejtori, Adam. Si në një ceremoni të pazakontë, gjithçka ishte
tjetërsuar nga ritmi i mbrëmjeve të tjera, kur, pas urimeve, do të kishte nisur
menjëherë "Domestika".
Kërkoi me sy një vend bosh.
Vështrimi i tij fshiu sallën dhe vuri re se Anila mungonte, ndërsa Amar, i
dashuri i saj sirian, ndodhej aty. Të dy nuk kishin ardhur në "Sumari
Palace" - atë ditë kishin qëndruar në hotel.
- Jemi të sëmurë, - kishin
thënë.
Sëmureshin gjithnjë
njëherësh; njëherësh blinin edhe syze. Anila ishte "qorre" në mënyrën
e saj: në njërin sy miope, në tjetrin hipermetrope.
- Sonte është mbrëmja e
ditëlindjes së mbretëreshës sonë, Ta Huang, - theu heshtjen shoqja e saj, kur
muzika, që deri atëherë kishte tingëlluar lehtë, u ndal. - Prandaj do ta
organizojmë sipas dëshirës dhe zakoneve të vendit të saj. Ajo, si mbretëreshë e
mbrëmjes, do të zgjedhë njërin nga djemtë që do t'i bëjë shoqëri gjatë gjithë
natës.
Të gjithë do të kishin
dashur të ishin të zgjedhurit e saj. As Valoni s'i kishte shpëtuar tundimit;
vetëm dy ditë më parë i kishte thënë se ishte e bukur si një zanë e Lëndinës së
Hyjnive, dhe ajo i kishte buzëqeshur ëmbël, duke e falënderuar.
Ai ndiqte me sy çdo lëvizje
të saj, i frikësuar se mos edhe pluhuri, edhe rrezet e diellit, mund t'ia
prishnin atë bukuri të pazakontë.
Ta Huang, e veshur me një
kostum mbretëror ku mbizotëronte e kuqja, hyri në sallë dhe i përshëndeti të
pranishmit në një mënyrë të veçantë. Pastaj hodhi vështrimin përreth, ndërsa
djemtë krekoseshin, duke u përpjekur t'ia tërhiqnin vëmendjen.
Nuk kam
pak me të pa me sy,
Jo me ra
me u çue me ty... mërmëriti
Valoni me vete, vargjet e një kënge që këndohej në Lëndinën e Hyjnive.
Ajo u shkëput nga mesi i
sallës dhe u drejtua nga ai. Ai mbeti i hutuar, pa kuptuar nëse po i afrohej
vërtet atij apo dikujt tjetër.
- Je me fat, - i pëshpëriti
drejtori Adam.
- Ju do të jeni i zgjedhuri
im për këtë mbrëmje, - tha ajo me zë të ulët, duke i zgjatur dorën.
Kur ai u ngrit nga tavolina
për të dalë në pistë, salla shpërtheu në duartrokitje.
Nguyen-i, shoqja e Ta
Huang-ut, e shoqëroi deri te dera, ku dy vajza të tjera e morën dhe e çuan në
një dhomë, ku ai veshi rrobat mbretërore të vendit të saj. Pak minuta më vonë u
kthye në sallë, i veshur si princ.
Familja e tij, atje në
Lëndinën e Hyjnive, ishte në të vërtetë një dinasti e vjetër. Stërgjyshërit e
tij kishin themeluar shtetin dhe i kishin dhënë emrin gjithë vendit; por tani
atje mbretëronte një organizim tjetër, dhe dinastia e tyre kishte mbetur vetëm
një kujtim i largët. Vetë ai, në vitin që kishte filluar universitetin, ishte
zgjedhur Princi i Bukurisë në atdheun e tij. Por zgjedhja e asaj nate ishte
diçka shumë më tepër.
Hynw në sallë, ku përsëri
shpërthyen duartrokitjet, dhe u ulwn pranë, në një nga tavolinat qendrore.
Pikërisht kur priste të
fillonte kënga ritmike "Domestika", u dëgjuan notat e para të një
valsi të Shtrausit. Ajo e ftoi Valonin që bashkë të hapnin mbrëmjen e
organizuar në nder të saj. Ai e falënderoi që e kishte zgjedhur për shoqërues
në një ditë kaq të rëndësishme, e pastaj vallëzuan gjatë. Në një çast, ai i
recitoi vargjet e njërës prej këngëve të vendit të tij:
Nuk kam
pak me të pa me sy...
Jo me ra
me u çue me ty...
Nuk rimuan kur u përkthyen
në gjuhën e saj, por thelbi mbeti po aq i bukur, po aq domethënës.
Gjatë gjithë asaj mbrëmjeje
ai qe i lumtur, aq sa s'thuhet dot me fjalë. Ndihej në cepin më të largët të
botës, pranë ndoshta zanës më të bukur që ekzistonte. Vendi i saj, i rrethuar
në tri anë me ujë, dhe ajo vetë, si një sirenë deti, të cilën disa e quanin
Mbretëresha e Oqeanit, të tjerë Bukura e Dheut - ndërsa në vendin e tij do ta
quanin Zana e Lëndinës së Hyjnive. Për të, ajo ishte e vetmja; edhe pse tani
ecte dorë për dore me të, e druante që në çdo çast mund t'i largohej, ta linte
vetëm.
Shpesh harronte ku ndodhej,
harronte se ishte zgjedhur princ vetëm për atë mbrëmje, dhe se të nesërmen do
të bëhej sërish, si gjithë të tjerët, thjesht një student i ardhur për të
studiuar në një vend të huaj. Në fakt, edhe ajo ishte e huaj, ardhur nga një
vend tjetër i largët - sikur fati ta kishte sjellë enkas për të.
Çdo lëvizje e saj ishte e
kujdesshme dhe e matur, dhe Valonit i dukej sikur të gjitha bukuritë e botës
ishin mbledhur tek ajo.
Lëndina e Hyjnive cilësohej
si një nga vendet më të bukura të botës, dhe njerëzit e saj përshkruheshin si
një racë princërore, e zgjedhur. Por, për një çast, ai mendoi se ata që e
kishin thënë këtë nuk e kishin njohur kurrë racën e saj.
Nga mesi i mbrëmjes, e
veshur me një pallto me kuadrate të kuqe e të bardha, në fund të sallës u shfaq
Anila. Dukej e lodhur; hodhi një vështrim të fshehtë, plot smirë, e doli sërish,
e ndjekur nga Amari. Valoni ndjeu siklet kur e pa, por s'tha asnjë fjalë.
Ndërsa ajo largohej, dukej sikur e kishte kuptuar tashmë se i përkiste pjesës
më të pavlerë të atij kursi.
Në atë çast, Ta Huang i
pëshpëriti diçka. Ai nuk e kuptoi dhe i erdhi turp, duke menduar se mos, pa
dashje, kishte bërë ndonjë gjest që cenonte ritin e saj mbretëror.
- Shumë të bukura janë
vargjet e këngës suaj, - i tha ajo. - M'i thuaj përsëri, në gjuhën tënde, e
pastaj në gjuhën e të gjithëve.
Ai, i lumtur sa s'thuhet,
ia këndoi me gjysmë zëri, edhe pse ishte gati t'ia këndonte me gjithë fuqinë e
zërit - mjaftonte t'i pëlqente asaj në gjuhën e tij. Pastaj ia përktheu në
gjuhën e përbashkët të kursit.
Kur erdhi fundi i mbrëmjes,
u ndje i vetmuar. Kishte dashur që ajo natë të mos mbaronte kurrë, të vazhdonte
pafundësisht. Në dhomën e zhveshjes hoqi kostumin princëror, dhe vetja iu duk
përsëri një qenie pa vlerë. Megjithatë, arriti ta përmbante veten.
Ajo e falënderoi; ai
s'dinte ç'të bënte. Vetëm duke i zgjatur dorën arriti t'ia puthte lehtë. Pastaj
vrapoi drejt dhomës së tij, ku e priste një vetmi si e një zogu bjeshke.
Ishte mesnatë kur u kthye e
hyri në dush. Më pas u shtri në krevat, ende gjysmë i zhveshur, kur ra zilja e
derës.
U ngrit, e hapi - dhe mbeti
i shtangur. Në prag qëndronte Ta Huang. Pa thënë asnjë fjalë, hyri në dhomë.
I turpëruar nga lakuriqësia
e tij, ai kërkoi falje, por ajo nuk foli; vetëm rrotulloi çelësin në bravë.
Pastaj u hodh në krahët e tij dhe nisi ta puthte me gjithë vrullin e saj.
Jashtë binte një shi i
ftohtë vjeshte, dhe nga plepat pranë "Guomen Hotel" binin gjethet e
fundit që kishin mbetur në majat e degëve. Ndërsa aty, në dhomën e Valonit,
ishte ngrohtë - shumë ngrohtë - dhe jeta rrihte me një ritëm të gjallë.
Ai vazhdonte të ndihej si
në ëndërr, si një mbret, përballë të cilit e gjithë bota dukej e vogël, e
parëndësishme. Atë natë kishte jetuar njëqindfish më shumë se çdo natë tjetër
të jetës së tij.
Ishte ftohtë e frynte erë.
Atë ditë, ai do të nisej për në Lëndinën e Hyjnive.
Pika të mëdha shiu binin
mbi tokë, duke ngritur pluhur. Të gjithë drejtuesit e stafit ishin dalë përpara
"Guomen Hotel", prej nga ai do të niste rrugën drejt aeroportit, kur
në derë u shfaq Ta Huang, e veshur si një zanë e bjeshkëve prej nga vinte ai.
- Eh... - ofshau thellë. -
Sa e shkurtër është jeta!
Një ndjenjë përvëluese iu
ndez në shpirt. Kishte jetuar vetëm një pjesë të saj - ndoshta pjesën më të
bukur. Kishte provuar ç'do të thoshte të ishe princ, princ i vërtetë.
E përlotur, Ta Huang iu
afrua, me një kuti të vogël në dorë. U shikuan sy më sy; në sytë e saj
shkëlqenin dy pika loti, si dy perla. Ajo e hapi kutinë dhe nxori një kupë të
artë, ku ishin gdhendur dy portrete.
Ai vuri re se njëri prej
tyre ishte portreti i saj, dhe, duke u munduar të fshihte lotët, e përqafoi
fort. Pastaj mori kutinë e rendi drejt makinës.
Kur makina u kthye majtas,
pranë "Guomen Hotel", drejt aeroportit, Ta Huang mbeti ende e ngulur
te dera e hotelit. Atij deshi t'i shpërthente një britmë e madhe; pastaj një
valë e brendshme lotësh e mundi, dhe s'arriti dot ta përmbante veten.
Në aeroplan, mbi rrugën që
do ta çonte nga një kontinent në tjetrin, mori kutinë në dorë dhe e hapi edhe
një herë. Atëherë vuri re se në anën tjetër të kupës ishte gdhendur portreti i
tij, i veshur si mbret.
Hodhi vështrimin poshtë,
mbi majat e Maleve Urale. Po hynte në kontinentin e vet. Ajo, ndoshta me një
aeroplan tjetër, fluturonte drejt anës tjetër të botës, duke e rritur edhe më
largësinë mes tyre.
Anila, me të cilën s'kishte
shkëmbyer asnjë fjalë prej orësh, i bëri një pyetje. Ai u përgjigj shkurt:
- Jo.
Por ai "jo" nuk
kishte kurrfarë lidhjeje me pyetjen e saj, dhe s'kishte asnjë kuptim.
Zbriti në aeroportin nga do
të vazhdonte udhëtimin drejt Lëndinës së Hyjnive e më pas drejt shtëpisë së tij.
Anila iu hodh në qafë, duke
dashur ta puthte, por ai reagoi krejt ftohtë. Kishte nisur t'i druhej heshtjes
së tij, aq më tepër që ai kishte qenë i pranishëm kur drejtuesit e stafit e
kishin fyer.
Valoni tashmë ishte rikthyer
në Lëndinën e Hyjnive, por kudo që shkonte, e mbante Ta Huang-un në zemër, si
një plagë të ëmbël. Mallin për të ia kishte besuar fjalës së pathënë, ndërsa
kujtimi i saj jetonte i heshtur, në lotët e mallit që s'shuhej.


