Frank Shkreli: Debati në Washington, përmendet edhe Shqipëria
Debati në Washington, pse financohet shoqëria civile jashtë vendit?
Përmendet
edhe Shqipëria

Kohët e fundit, në korridoret e Kongresitt ë Shteteve të
Bashkuara është rikthyer një debat i njohur, por gjithnjë i ndjeshëm: si dhe
pse përdoren fondet e taksapaguesve amerikanë për projekte jashtë Shteteve të
Bashkuara. Së fundmi, një deklaratë e Kongresistit republikan nga shteti
Teksas, Brandon Gill ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe të disa rrjetëve
sociale, pasi ai vuri në pikëpyetje financimin e disa nismave që lidhen me
diskursin feminist dhe çështjet LGBTQ+, specifikisht, në një referencë në
kritikat e tij ndaj ndihmës amerikane për shoqëritë civile në vendet e huaja.
Përfaqësuesi Brandon Gill (R-TX-26) shërben në Nënkomisionin Mbikëqyrës të
Dhomës së Përfaqësuesve për Efikasitetin e Financave Qeverisë (D.O.G.E.), i
cili përqendrohet në hetimin dhe uljen e fondeve qeveritare për organizata të
caktuara joqeveritare (OJQ).Në delaratën e tij, ai ka kritikuar, specifikisht, financimin
e shoqërive civile jasht vendit, duke përmendur diskursin "feminist
'queer' në Shqipëri", një shoqëri tradicionale dhe konservatore, duke
promovuar diçka që është krejtsisht jasht natyrës dhe kulturës shqitare.
Deklarata e Z. Gill është një qasje që pasqyron një linjë më
konservatore në politikën amerikane, të jashtme dhe të brendshme e cila kërkon
që fondet publike të përqendrohen, kryesisht, në nevoja të brendshme ose në
interesa të drejtpërdrejta strategjike të Shteteve të Bashkuara. Sipas këtij
këndvështrimi, projekte të tilla jashtë vendit nuk duhet të përbëjnë prioritet
për taksapaguesit amerikanë.
Megjithatë, kjo nuk është panorama e plotë e kësaj
çeshtjeje. Për dekada me radhë, politika e jashtme e SHBA-së është ndërtuar mbi
një kombinim të interesave të sigurisë dhe promovimit të vlerave demokratike.
Përmes agjencive si USAID, në të kaluarën, Uashingtoni ka investuar me
pretendimin për forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe të drejtave të
njeriut në shumë vende partnere, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Mbështetësit e këtyre programeve kanë
argumentuar se promovimi i barazisë, përfshirjes dhe lirisë së shprehjes nuk
është thjesht çështje ideologjike, por një element kyç për stabilitetin
afatgjatë. Sipas tyre, shoqëritë më gjithëpërfshirëse dhe me institucione të
forta janë më pak të prira ndaj konflikteve dhe më të afta për të qenë partnerë
të besueshëm të Shteteve të Bashkuara në nivel ndërkombëtar. Programet që
mbështesin të drejtat e grupeve të ndryshme shihen nga disa si pjesë e këtij
procesi të gjatë modernizimi dhe afrimi me standardet euroatlantike.
Debati i fundit mbi këtë çështje në Uashington, në thelb,
nuk është vetëm për Shqipërinë e shqiptarët, por dhe për programet të tilla në
vende të tjera. Si i tillë, ai reflekton
një përplasje më të gjerë brenda vetë SHBA-së: mes një vizioni më të kufizuar
të rolit amerikan në botë dhe një qasjeje që e sheh promovimin e vlerave
demokratike si pjesë integrale të interesit kombëtar.
Prandaj, për vendet si Shqipëria dhe Kosova, këto diskutime
në Uashington kanë rëndësi të veçantë. Sepse në kontekstin shqiptar, këto
programe në të kaluarën kishin për qëllim mbështetjen e organizatave të
shoqërisë civile me objektiv, ndër të tjera, promovimin e barazisë dhe të
drejtave themelore, si dhe forcimin e institucioneve demokratike, jo dhe me aq
sukses, do të gjykonin kritikët e atyre programeve. me akuzën se në shumë raste, shoqëria civile
në Shqipëri ka qenë dhe është nën influencën e regjimit. Megjithkëtë, deklarata
kongresistit Gill, nuk është ende një politikë zyrtare — të pakën jo tani për
tani — por fillimi i një debati të brendshëm politik në SHBA mbi prioritetet e
shpenzimeve dhe rolin e Amerikës në botë.
Si i tillë, ky debat në Washington duhet marrë seriozisht sepse do ndikojë, jo vetëm në rrjedhën e mbështetjes financiare për programe të tilla nga Shtetet e Bashkuara, por edhe mbi mënyrën se si përdoren fondet publike amerikane jashtë vendit në përgjithsi. Por edhe në drejtimin e marrëdhënieve dypalëshe amerikano-shqiptare dhe në mënyrën se si përkufizohet partneriteti i Shteteve si Shqipëria dhe Kosova me Shtetet e Bashkuara në vitet dhe dekadat qe vijojnë.









