Florim Zeqa: Kuvendi pasqyrë e vetëdijes shoqërore!
Kuvendi pasqyrë e vetëdijes shoqërore!

Deputetët
e legjislaturës së njëmbëdhjetë janë bërë për t'i kënduar me atë këngën e
ahengjeve familjare "Kqyrni shoqe çka ka rritur nana", dhe vërtetë
duhet adresuar pyetjen logjike të gjithë atyre që i kanë votuar këta deputet të
papërgjegjshëm: "Kqyrni popull kë e keni zgjedhur për deputet në Kuvendin
e Kosovës"?!
Nga tempull i demokracisë në shtëpi të
turpit dhe marrëzisë
Pamjet trishtuese në Kuvendin e
Republikës së Kosovës, turpëruese dhe fyese për qytetarët (mërgimtarët), u bënë
tërheqëse për armiqt e Kosovës!
Gjuha
fyese, mënyra primitive dhe arrogante e komunikimit mes deputetëve e shpërfaqi
mungesën e kulturës qytetare dhe politike të disa prej deputeteve dhe
deputetëve të zgjedhur dhe jo vetëm!
Pasi,
ata deputet dhe deputete arrogante të ardhur në Kuvend me votën e qytetarëve
(mërgimtarëve) ia qitën faqen e zezë mbarë Kosovës para syve të botës!
Në
mungesë të gazetave të shtypura, portalet vendore vërshuan me video-inçizimet e
përplasjeve mes deputetëve, ballinat e shtypit rajonal dhe atij botëror u
mbushen me pamjet e llahtarshme në Kuvendin e Kosovës, të filluara me gjuajtjen
e vezeve dhe ujit e deri tek përleshjet fizike!
Skenat
e pahijshme në Kuvendin e Kosovës duhet t'i thërrasin ndërgjegjës qytetare, që
në të ardhmen të jenë më të kujdesshëm në hedhjen e votës, pasi përleshjet e
deputetëve në Kuvend, në mënyrë të tërthortë janë përgjegjësi e 36 % votuesve,
por jo edhe e atyre që nuk i kanë votuar (64 %).
Qytetari në momentin e votimit e merr
përgjegjësinë morale për votën e tij
Një fjalë e urtë e thotë bukur dhe
kjartë: "Secili popull e ka qeverinë që e meriton"!
Sikurse
qeveria, edhe përbërja e Parlamentit janë produkt i votës qytetare!
Kur
nuk ke për kë voton!
Më
mirë është të abstenosh nga procesi i votimit sesa të sjellësh maskarenj në
Kuvend!
Mungesa
e kandidatëve të pavarur për deputet ka bërë që qytetarët më shumë të votojnë
për parti politike, duke mos i kushtuar kujdes të mjaftueshëm kandidatëve në
listat zgjedhore!
Vota
vetëm për parti nuk është votë e lirë! Në të shumtën e rasteve është votë e
imponuar dhe inatçore, e ndikuar nga interesat personale apo grupore brenda
sojit (partisë)!
Vota
e papeshuar mirë e qytetarëve, e ka sjellë në Kuvend gjuhën e rrugaqërisë, injorancën,
arrogancën e shfrenuar dhe dhunën fizike!
Kjo
që po ndodhë në Parlament dhe jashtë tij është e papranueshme!
Kacafytja
mes femrave ishte e paparë deri më tani në Kuvendin e Kosovës!
Të
paktën deri më tani, deputetet e kishin një imazh më të mirë sesa deputetët në
Kuvend, nga kjo legjislaturë u bën njësoj si meshkujt ashtu edhe femrat!
Shumica
e deputetëve të zgjedhur sikur kanë harruar se Kosova është çliruar me gjak dhe
sakrifica të panumërta me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare!
Edhe
fazat e ndërtimit të institucioneve shtetërore nuk ishin të lehta!
Duhet
pasur respekt për secilën periudhë të shtetformimit dhe shtetndërtimit të
Kosovës!
'Koloseumi i gladiotorëve' me kostume
intelektualësh
Deputetët/et e rinj dhe të vjetër në
moshë, ia mësyjnë Kuvendit të veshur dhe të pispillosur, flokët e lagura me gel
dhe fytyrën e mbushur plot makiazh, por dalin nga aty si pula të nukta dhe
gjela të gjakosur nga 'beteja' në Parlament!
Kuvendi
nuk është 'Koloseum gladiatorësh' ku fituesin e përcakton forca fizike!
Forca
e argumenteve duhet t'ia zë vendin forcës së muskujve!
Tempulli
i demokracisë duhet të jetë vend ku flitet me fakte dhe argumente, me gjuhën e
butë dhe arsyen e shëndoshë, kur respektohet mendimi ndryshe dhe vlerësohet
dinjiteti njerëzorë!
Kur
deputetët sillen me arrogancë nuk iu ngjanë më deputetëve, por gladiatorëve që
luftojnë deri në vdekje për të fituar trofeun (pushtetin e premtuar me poste
nga partia), duke e kthyer kështu Kuvendin në arenë përplasjesh fizike!
Aq
të ashpra janë sjelljet e të zgjedhurve të popullit saqë gjuha fyese dhe
ofendimet nuk ju bëjnë më përshtypje qytetarëve, pasi ato iu duken arenë cirku,
me ç'rast shpërthejnë debatet mes qytetarëve: "kush kë e lagu më
shumë", "kush kujt ia nguli më shumë", "kush ishte më i
forti e cili ishte më i ligu në ballafaqimin fizik në Parlament"?!
Në
fakt, ky është diskursi i politikës ditore në Kosovë!
Deputetët
e zgjedhur me rekomandim të liderëve partiakë me të hyrë në Kuvend kthehen në
pengje të liderit dhe klaneve në parti, duke harruar se janë përfaqësues të
popullit që i ka zgjedhur me votën e lirë!
Skenat në Kuvendin e Kosovës janë
produkt i asaj që qytetarët (mërgimtarët) vetë i kanë zgjedhur! Sjelljet e
deputetëve dhe deputeteve janë pasqyrë e vetëdijes shoqërore, e cila asnjëherë
nuk ka qenë në nivelin më të ulët së paku në këto dyzet vietet e fundit!
Degradimi i deputetit pasqyron gjendjen reale të shoqërisë sonë!
Florim Zeqa, analist i pavarur politik.


