Blerim Latifi: Letër vajzës së vogël nga Vushtrria
Letër vajzës së vogël nga Vushtrria

Dje
e pashë një vajzë të vogël në një tubim elektoral të Vetëvendosjes në Vushtrri.
Ajo doli në podium dhe recitoi një poezi ku mallkonte ata që i shitën fabrikat
e kohës së socializmit. I quajti “më të zinj se skllavi”. Ata që ia kishin
mësuar ato vargje me gjasë kanë dashur të thonë “sllav”, por nuk kanë ditur se
“sllav” dhe “skllav” janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Nuk
e di kush je, vajzë e vogël, dhe as nuk kam ndonjë qortim për ty. Përkundrazi.
E di, sepse edhe vetë kam qenë dikur në moshën tënde dhe i doja shumë
recitimet: fëmijët recitojnë fjalët që ua mësojnë të rriturit. Ata besojnë atë
që u thuhet, sepse ende nuk janë në gjendje t’i kuptojnë gjërat dhe të njohin
botën vetë.
Prandaj
këto rreshta nuk po i shkruaj për ty sot, vajzë e vogël. Po i shkruaj për ty
për pas shumë vitesh, kur të jesh rritur dhe të kesh mundësi t’i shikosh gjërat
me sytë e tu.
Kur
të rritesh, mos prano asnjë ide vetëm sepse ta ka thënë një politikan, një
mësues, një gazetar apo edhe prindërit e tu.
Pyet
gjithmonë: çfarë ndodhi në të vërtetë? P.sh.: si funksiononin ato fabrika për
të cilat ty, si e vogël, të nxorën në podium për t’i vajtuar?
A
prodhonin me fitim apo me humbje? Kush e paguante humbjen? Në cilat tregje
shisnin produktet e tyre? A do të mund të mbijetonin në kushtet e konkurrencës
së lirë globale?
Dhe
për të kuptuar, duhet të fillosh nga pyetja më e thjeshtë: çfarë është
kapitalizmi dhe çfarë është socializmi?
Ja
disa gjëra rreth tyre nga një mësues filozofie:
Në
shekullin e 19-të, një sistem i ri ekonomik po ngrihej me shpejtësi:
kapitalizmi. Brenda një kohe të shkurtër ai do ta transformonte botën
rrënjësisht. Por në të njëjtën kohë do të lindnin edhe zërat kritikë ndaj tij.
Ata do të merrnin emra të ndryshëm: socialistë, komunistë, marksistë etj.
Kapitalizmi, thoshin ata, nuk i kishte dhënë fund mjerimit të popullit; vetëm e
kishte ndryshuar formën e tij. Prandaj ai duhej të zëvendësohej me një sistem
tjetër ekonomik, në të cilin idealet e barazisë do të bëheshin realitet.
Socialistët, komunistët dhe marksistët fajësonin pronën private për të gjitha
të këqijat e qytetërimit. Zgjidhja, sipas tyre, ishte prona kolektive. Ajo do
t’u jepte fund padrejtësive dhe pabarazive që trondisnin ndërgjegjen njerëzore.
Mijëra
e mijëra faqe do të shkruheshin për ta bërë të besueshme këtë ide, por duhej të
vinin disa njerëz që quheshin bolshevikë dhe, në krye me liderin e tyre
Vladimir Leninin, në vitin 1917, të guxonin ta vinin në jetë atë ide.
Kështu
lindi konflikti i madh i shekullit XX midis dy vizioneve për rendin ekonomik
botëror: socializmit kolektivist dhe kapitalizmit privat. Për dekada me radhë
ky konflikt do të dominonte botën.
Kapitalizmi
është një sistem ku njerëzit kanë të drejtë të zotërojnë pronë private, të
investojnë, të krijojnë biznese dhe të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ai nuk
premton barazi rezultatesh, por premton liri ekonomike dhe mundësinë që secili
të përfitojë nga puna, talenti dhe iniciativat e veta.
Kjo
liri ka prodhuar pasuri, inovacion dhe përparim në përmasa të atilla që
historia njerëzore nuk e kishte njohur kurrë më parë. Bile as imagjinuar.
Smartphone-i me të cilin sot ti argëtohesh, dhe rrjetet sociale që të lidhin me
shokë e shoqe nga e gjithë bota, janë fryt i kësaj lirie.
Socializmi,
nga ana tjetër, u ngrit mbi idenë se prona private mbi mjetet kryesore të
prodhimit duhej kufizuar ose zëvendësuar me pronësi kolektive. Synimi ishte
krijimi i një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë. Ishte një ideal që
frymëzoi miliona njerëz në mbarë botën. Por kur u vu në praktikë, ai hasi në
vështirësi e probleme serioze. Planifikimi I centralizuar shtetëror nuk arriti
të zëvendësonte mekanizmat e tregut. Pa konkurrencë dhe pa sinjalet që jep
tregu, ekonomitë socialiste u bënë gjithnjë e më pak efikase dhe më pak
inovative.
Do
të mësosh gjithashtu se ky ishte eksperimenti më i madh ekonomik në historinë
moderne dhe se në fund të shekullit XX, ky eksperiment dështoi. Ekonomitë e
planifikuara u shembën krejt ose u reformuan duke marrë elemente të ekonomisë
së tregut.
Industritë
e tyre falimentuan në masë, përfshirë edhe ato të socializmit vetëqeverisës
jugosllav, pjesë e të cilit ishte edhe ekonomia e Kosovës. Krejt çfarë mund të
shpëtohej prej shumë prej tyre ishte privatizimi i atyre pak gjërave me vlerë
që kishin mbetur.
Privatizimi
i fabrikave socialiste në Kosovën e pasluftës ishte pjesë e këtij zhvillimi
historik. Pas luftës, Kosova filloi tranzicionin nga ekonomia socialiste drejt
ekonomisë së tregut, duke ndjekur rrugën që kishin përshkuar më herët shumë
vende të tjera të Evropës Lindore.
Ideja
se këto fabrika do të mund të vazhdonin funksionimin si më parë është
krejtësisht e pabazë. Ato ishin krijuar dhe kishin funksionuar brenda një
sistemi ekonomik që tashmë kishte marrë fund. Ekonomia e tregut kërkon
konkurrencë, investime të vazhdueshme, inovacion teknologjik dhe aftësi për
t’iu përshtatur kërkesave të konsumatorëve. Pothuajse krejt fabrikat socialiste
nuk i plotësonin këto kushte. Ato vuanin nga teknologjia e vjetruar,
produktiviteti i ulët, mungesa e kapitalit dhe varësia nga subvencionet
shtetërore. Historia e Trepçës në vitet e pasluftës në Kosovë është shembulli
më ilustrues i këtij fakti.
Për
më tepër, tregjet tradicionale ku këto ndërmarrje kishin shitur produktet e
tyre, kishin humbur. Në kushtet e reja ekonomike, ato duhej të konkurronin me
kompani vendore dhe ndërkombëtare shumë më efikase dhe më të avancuara. Pa
investime të mëdha dhe pa ristrukturim të thellë, mbijetesa e tyre afatgjatë
ishte e vështirë të merrej me mend.
Ndoshta
kur të rritesh do të zbulosh se disa privatizime kanë qenë të padrejta. Ndoshta
do të zbulosh se në disa raste pasuria publike është keqpërdorur. Do të mësosh
një gjë që mbase do të lëndojë ëndrrat e tua për një botë të lumtur: historia
është plot me gabime njerëzore dhe me ëndrra të bukura që përfundojnë në gjëra
të tmerrshme. Por, gjithmonë, mos i ngatërro gabimet e njerëzve me ligjet e
ekonomisë. Një fabrikë nuk mbijeton sepse dikush e do atë. As nuk mbyllet sepse
dikush e urren atë. Ajo mbijeton vetëm nëse prodhon diçka që njerëzit duan ta
blejnë dhe nëse mund ta bëjë këtë më mirë se konkurrentët e saj.
Kur
të rritesh, do të kuptosh se nostalgjia nuk është një këshilltare e mirë.
Njerëzit shpesh kujtojnë me mall vendet e punës, sigurinë dhe rininë e tyre,
por harrojnë anët e këqija, borxhet, humbjet, mungesën e efikasitetit dhe
problemet që fshiheshin pas fasadës së sistemit të dikurshëm.
Prandaj
mos i mallko njerëzit vetëm sepse dikush të tha t’i mallkosh. Lexo, mëso,
krahaso dhe gjyko me mendjen tënde. Ky në fakt është qëllimi i shkollimit. Nëse
pas gjithë kësaj arrin në përfundimin se privatizimi ishte gabim, atëherë le të
jetë mendimi yt. Por le të jetë një mendim i fituar me dije të vërtetë, jo një
fjali e mësuar përmendësh në një podium elektoral.
Sepse
liria e vërtetë nuk fillon kur njeriu mëson çfarë të mendojë. Liria e vërtetë
fillon kur njeriu mëson si të mendojë. Dhe vetëm kjo e fundit na ruan nga
manipulimi dhe abuzimi prej të tjerëve.









