Avdyl Buçpapaj: Si u njoha me shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj

SI U NJOHA ME SHKRIMTAREN VILHELME VRANARI HAXHIRAJ
Një zë i fuqishëm krijues në letrat dhe kulturën
shqipe

Në
historinë e kulturës shqiptare ka personalitete që nuk maten vetem me numrin e
veprave që lënë pas, por me forcën e mendimit dhe të shembullit të tyre
njerëzor, me personalitetin intelektual dhe me gjurmën shpirtërore që vënë dhe
lënë në kujtesën e bashkëkohësve, pse jo edhe të brezave që vijnë.
Një
prej këtyre figurave ishte shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj, e njohur në
botën letrare me emrin artistik, “Vivra”, një krijuese që e jetoi letërsinë si
mision, si akt ndërgjegjeje dhe si formë e lartë shërbimi ndaj së vërtetës dhe
identitetit kombëtar.
Sot,
kur ajo është larguar nga kjo botë dhe na shikon nga yjet, kujtimi i saj
shfaqet jo vetem si një ndjenjë mallëngjimi për njeriun e respektuar, por edhe
si një detyrim moral për të dëshmuar mbi vlerat e një personaliteti, e cila
arriti të ndërtojë një profil të veçantë në peizazhin kulturor të Shqipërisë së
tranzicionit demokratik. Kjo është arsyeja që kjo shkrimtare të vlerësohet këtu
në mëmëdhe, madje e dhe në botë, me tituj e çmime nderi. Vilhelme Vranari
Haxhiraj përfaqësonte atë kategori intelektualësh që nuk u formësuan nga
privilegjet e kohës, por nga përballja me vështirësitë, nga rezistenca ndaj
padrejtësisë dhe nga besimi i palëkundur tek liria e mendimit dhe dinjiteti
njerëzor.
E
quaj veten me fat që kam pasur mundësinë ta njoh nga afër, gjatë një
veprimtarie kulturore dhe letrare të organizuar në Nëntor të vitit 2012, në
shkollen “Demokracia”. në Durrës, të cilën në atë periudhë e drejtoja unë.
(Takimet vazhduan edhe në veprimtari të tjera në vite të mëvonshëm).
Ka
kohë që jam shkëputur nga ajo shkollë, por veprimtaritë e zhvilluara në ato
vite më ngacmojnë shpirtërisht, pasi jo vetëm kanë lënë gjurmë te i gjithë
kolektivi mësimor por edhe te nxënësit. Ishin dhe mbeten ngjarje të
papërsëritshme, jo vetëm për kohën.
Shkolla
“Demokracia” në qytetin e Durrësit, në vitin 2007, krijoi lidhje, apo
“Binjakëzim” me shkollën “Fjardiskolan”, në Boras të Suedisë. Shkëmbyem vizita
të ndërsjellta. Ne pritëm drejtues e mesues suedezë, shkrimtarë dhe
administrator të jetës shtetërore në Suedi, së bashku me mësues, prindër e
nxënës shqiptarë me banim në Suedi. Po ashtu edhe ata na pritën bujarisht,
drejtues mësues dhe nxënës shkolle,
punonjës e drejtues të Bibliotekës Publike të Durrësit. Po zgjatem më tej, ata po ashtu pritën dhe
përcpllën edhe shkrimtarë, gazetarë e pedagogë, nga Tirana. E gjitha e
përmbledhur me dy fjalë të “Gazetarit” tonë Kadri Tarelli, koleg mësues e
drejtues shkolle, i cili të dy shkollat i quante: - “Dy ambasada”. Njëra në
Durrës dhe tjetra në Boras, sepse veprimtaritë i kalonin fuqitë dhe miundësitë
e një shkolle 9-vjeçare. Mjafton të kujtoj: Takime në Bashkinë e Durrësit, në
Drejtorinë Arsimore, në QKF, në Bibliotekën Publike të qytetit, më tej, takim
në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, Radio Tirana, vizita në Prishtinë,
Mitrovicë, Tropojë, Lezhë, etj, etj, lista bëhet e gjatë.
Është
një faqe e ndritur për shkollën dhe kolektivin arsimor, që organizoi dhe
përjetoi ato takime të rralla. Besoj dhe jam i bindir që nuk gaboj, se nuk ka
shkollë tjetër në Shqipëri, mbase edhe përtej gardhit tone, që të ketë bërë kaq
shumë takime dhe biseda të rangut shtetëror, sa edhe ambasadat do t’i kishin
zili. Më vjen mire që janë shkruar shumë artikuj në shtyp, (Atëherë ishte
gjallë edhe Gazeta “Mësuesi”), por më vjen keq që nuk janë përmbledhur në një
libër. Kujtimet, vjen një ditë veniten, rroniten dhe humbasin……!
Ishte
pikërisht kjo njohje dhe ky shkëmbim veprimtarish, që bëri të mundur festimin e
përbashkët të “100-vjetorit të Mëvetësisë”, Nëntor 2012, në mjediset e shkollës
“Demokracia”, me shqiptarë nga Durrësi, Tirana, Vlora dhe nga Dardania
shqiptare.
“Rastësia
mbreti i jetës”, - thot i mençuri popull. Ishte pikërisht kjo veprimtari, ku kolektivi
i shkollës, në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit,
u bëmë bashkë, krijues, studiues, letrarë, poetë dhe artistë nga qytete të
ndryshme shqiptare. Nga Durrësi: Nkolla Spathari, kryetar i Klubit të
shkrimtarëve, poeti Vaso Papaj, Agim Bajrami, Vladimir Muça. Nga Tirana
shkrimtari i njohur Viron Kona, Prof. Dr. Murat Gecaj, miq nga Vlora dhe nga
Prishtina, si edhe autorë, letrarë, studiues e poetë shqiptarë, që jetonin dhe
krijonin në Suedi, miq të hershëm të shkollës “Dermokracia”.
Në
atë takim ishte e pranishme edhe shkrimtarja vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj,
bashkë me të shoqin Fitim Haxhiraj. Ishin pikërisht miqtë tanë, shkrimtarët
Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri, shqiptarë nga Drenica e Dardanisë, që jetonin
dhe punonin në Suedi, njëkohësisht edhe si anëtarë të “Lidhjes Mbretërore të
Shkkrimtarëve dhe Artistëve” të Suedisë”, që sollën për poeten tonë Vivra,
çmimin e I-rë, si fituese, me të cilin ishte vlerësuar në festivalin poetik të
zhvilluar pak kohë më parë, në Boras të Suedisë. Më vjen mirë që kam në
bibliotekën personale, një libër me dedikim nga Zonja e madhe Vilhelme Vranari,
“Princesha e Kaninës”, siç i thërrasim tani.
Në
atë mjedis kuvendi historik dhe reflektimi kombëtar, prania e Vilhelme Vranari
Haxhirajt u shqua menjëherë për seriozitetin intelektual, për kulturën e gjerë
enciklopedike dhe për aftësinë e saj të admirueshme për të ndërthurur mendimin
historik me vizionin letrar. Ajo prezantoi veprën e saj kushtuar themeluesit të
shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, “E djeshmja, rikthimi i Ismail Qemalit”, një
libër që mishëronte interesin e saj të vazhdueshëm për figurat kyçe të
historisë kombëtare dhe për raportin midis kujtesës historike dhe vetëdijes
qytetare.
Diskutimi
i zhvilluar me nxënësit, mësuesit dhe pjesëmarrësit e tjerë i tejkaloi kufijtë
e një përurimi të zakonshëm letrar. Ai u shndërrua në një tribunë mendimi, ku
autorja trajtoi çështje që lidhen me rolin e letërsisë në formësimin e
identitetit kombëtar, me përgjegjësinë morale të intelektualit në shoqëri dhe
me sfidat e demokracisë shqiptare në procesin e saj të konsolidimit. Fjala e
saj ishte e qartë, e argumentuar dhe e mbështetur mbi një përvojë të pasur
jetësore dhe kulturore, duke dëshmuar një formim të gjerë humanist dhe një
ndjeshmëri të spikatur qytetarie.
Ajo
që më ka mbetur më fort në kujtesë është fisnikëria e natyrshme që e
karakterizonte. Vilhelmja ishte një grua e kulturës së lartë, e pajisur me një
urtësi të fituar jo vetëm nga librat, por edhe nga përvoja e një jete të
përballur me sprova të shumta. E goditur nga mekanizmat përjashtues të
diktaturës komuniste dhe e ndaluar për dekada nga e drejta e botimit, ajo nuk
pranoi kurrë kompromisin me ndërgjegjen e saj. Përkundrazi, ruajti me krenari
integritetin moral dhe besimin tek vlerat që e udhëhiqnin. Në këtë
këndvështrim, jetëshkrimi i saj përfaqëson një shembull dhe dëshmi të fuqishme
të qëndresës intelektuale shqiptare, përballë sundimit ideologjik. Një model
për t’u marrë shmbull frymëzimi nga të rinjtë e çdo kohe.
Gjatë
bashkëbisedimit me nxënësit e shkollës sonë, ajo u dallua për aftësinë e rrallë
për të komunikuar me brezin e ri. Çdo fjalë dhe përgjigje e saj ishte e mbushur
me kulturë, argument dhe elegancë mendimi. Në përsonalitetin e saj
bashkëjetonin natyrshëm shkrimtarja, intelektualja, mësuesja, edukatorja dhe
qytetarja aktive. Pikërisht kjo harmoni e virtyteve, e bënte figurën e saj
veçaneirisht të respektuar dhe të dashur, për t’u kujtuar në përjetësi, siç po
bëj edhe unë në këtë shkrim të shkurtër.
Në
shikim të përgjithshëm, mendoj se vlera dhe pesha krijuese letrare e Vilhelme
Vranarit Haxhirajt nuk kufizohet vetëm në kontributin e saj letrar e studimor.
Ajo përfaqëson një model të intelektualit që i mbetet besnik së vërtetës, që
nuk e shikoi letërsinë si stoli estetike, por si mjet të emancipimit shoqëror
dhe të vetëdijes kombëtare.
Vetëm
pas shembjes së regjimit komunist, talenti dhe energjia e saj krijuese gjetën
hapësirën e merituar për t'u shprehur. Rezultati ishte i dukshëm: Në veprën dhe
jetën e saj gjejmë ndërthurjen e rrallë të talentit krijues me karakterin e
pathyeshëm, me shkallën e lartë të dijes, lidhur me shkencën dhe qytetarinë, të
kujtesës historike me vizion humanist e atdhetar.
Prandaj,
kujtimi për Vilhelme Vranari Haxhirajn mbetet përtej nostalgjisë personale.
Gjithçka është kujtim për një grua që u përball me kohën, për një krijuese që e
fitoi me meritë vendin në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Njëkohësisht për
nje personalitet që do të vazhdojë të jetojë nëpërmjet veprës së vet, si pjesë
e trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore.
Figura
e saj meriton jo vetëm nderimin e miqve dhe bashkëkohësve, por edhe vëmendjen
serioze të strukturave drejtuese shtetërore lokale e qëndrore, të kritikës
letrare dhe të historiografisë, filozofisë e kulturës shqiptare, sepse ajo
ishte një nga ato zëra që e pasuruan letërsinë dhe historinë tonë me besnikëri,
me dinjitet dhe me përkushtim të rrallë krijues.
Ajo
ishte dhe mbeti “Misonare e dijes dhe atdhetarizmit”.





