Albert Zholi: Rapsodi për Xhevat Limanin

3h më parë

RAPSODI PËR XHEVAT LIMANIN


Albert Z. ZHOLI


Nga brigjet e Strugës ku Drini këndon,

u ngrit një zë që zemrat pushton,

një zë që s'u përkul nga stuhia as moti,

por mbeti i shqiptarisë zëri dhe loti.


Në skenat e botës ai flakë u bë,

me fjalën e bukur që shpirtrat rrëmbeu,

si shqipe mbi male, si këngë mbi gur,

mban gjallë një komb krenar e plot nur.


Kur veshi përkrenaren e Kastriotit të madh,

u drodhën kujtimet e shekujve prapë,

Skënderbeu zbriti nga legjenda në jetë,

në zërin e tij që kumbonte si rrufe.


Në mërgim, ku malli shpesh bëhet plagë,

ai ndez shpresën si yll mbi prag,

u flet shqiptarëve për tokë e flamur,

për gjuhën e nënës, që s'harrohet kurrë.


Naimin e solli me zemër e zjarr,

si profet i poezisë në çdo altar,

dhe vargjet e tij, si burime në gur,

rrjedhin në shpirt si këngë flamur.


Nga Struga e lashtë në Vlorën e detit,

nga Shkupi në Krujë, në trojet e mbretit,

shpirti i tij s'njeh kufij e ndarje,

veç një Shqipëri në zemër e në vargje.


Atje ku shqipja merr frymë e jeton,

atje zemra e Xhevatit kudo këndon,

në Kosovë, në Çamëri, në Malësi,

në çdo vatër ku ndizet emri shqiptari.


I deshi luftëtarët e lirisë me nder,

siç do atdheun një bir besnik e i vlerë,

dhe kur errësira mbulonte horizontin,

ai mbrojti shpresën dhe dritën e kombit.


Sot emri i tij mbi skena rri,

si lis që sfidon erërat në stuhi,

se artisti vdes vetëm kur shuhet kujtimi,

por Xhevat Limani është vetë frymëzimi.


Prandaj këndo, o zë i maleve tona,

këndo për Shqipërinë e ëndrrat arbërore,

se në çdo fjalë që del nga zemra jote,

rreh një komb i tërë, një epokë e pashoqe.