Prof.
Luan Omarit iu akordua titulli i lartë "Ylli i Artë i Veteranit të LANÇ-i
nga OVP, "Nderi i Kombit"
Nga
Albert Z. ZHOLI
Më
16 qershor 2026, Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Antifashiste
Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, "Nderi i Kombit", organizoi
në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë një ceremoni të veçantë me rastin e
101-vjetorit të lindjes së Akademikut, Profesor Luan Omari. Në këtë veprimtari
përkujtimore morën pjesë akademikë, profesorë, juristë, përfaqësues të
institucioneve shtetërore, veteranë e pasardhës të veteranëve të LANÇ-it, si
dhe personalitete të njohura të jetës publike shqiptare. Pjesëmarrësit
vlerësuan figurën dhe kontributin shumëdimensional të Prof. Luan Omarit në
zhvillimin e shkencave juridike, në jetën akademike dhe në ndërtimin e shtetit
demokratik shqiptar. Ndër të pranishmit ishin Prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim
Hajdari, këshilltari i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Flori Karaj,
politikani Petro Koçi, profesorët Fatmira Rama, Maringlen Spiro, Eqerem Yzeiraj
dhe Fatmir Shehu, "Skulptori i Popullit" Muntaz Dhrami, ambasadori
Jonuz Begaj, si dhe ish-studentë e bashkëpunëtorë të Profesor Omarit. Për
jetën, veprën dhe personalitetin e Prof. Luan Omarit folën Kryetarja e
Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ-it, znj. Vera Tarifa, Prefekti i Tiranës, z.
Shkëlqim Hajdari, avokati Idajet Beqiri, Prof. Maringlen Spiro, Petro Koçi,
Muntaz Dhrami dhe Prof. Fatmira Rama.
Në fjalën e saj, Kryetarja Vera Tarifa e
cilësoi Prof. Luan Omarin një personalitet të rrallë të LANÇ-it, një
intelektual dhe patriot të shquar, duke theksuar rëndësinë që Organizata e
Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it i kushton figurave të tilla, të cilat
mbeten modele të përkushtimit ndaj atdheut, dijes dhe vlerave demokratike.
Prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari, solli në vëmendje rrugëtimin jetësor
dhe profesional të akademikut. Ai theksoi se Luan Omari lindi më 10 qershor
1925, në Gjirokastër, në një familje me tradita të spikatura kulturore dhe
arsimore. Arsimin

fillor e kreu në Bari të Italisë, ndërsa maturën në gjimnazin
italian të Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje,
ku u diplomua në shkencat juridike, duke u shquar si një nga juristët më të
përgatitur të brezit të tij. Avokati Idajet Beqiri, ish-student i Prof. Omarit,
vuri në dukje se ai është akademiku i parë shqiptar që ka kaluar një shekull
jetë dhe njëherazi i fundit nga themeluesit e Akademisë së Shkencave që mbetet
ende gjallë, që prej krijimit të këtij institucioni në vitin 1972. Ai theksoi
se karriera e Prof. Omarit është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të
lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ai ka qenë docent i së drejtës
publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në
Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i së drejtës kushtetuese,
sekretar shkencor dhe më pas zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave. Përtej
kufijve të Shqipërisë, Prof. Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e
Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke sjellë perspektivën shqiptare në
debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese. Në shenjë
mirënjohjeje për kontributin e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare
dhe për veprën e tij në shërbim të vendit, Prof. Luan Omarit iu akordua titulli
i lartë "Ylli i Artë i Veteranit të LANÇ-it". Dekorata u tërhoq nga vajza
e tij, studiuesja Anila Omari, e cila mbajti një fjalë emocionuese. Ndër të
tjera, ajo theksoi: "Babai im ka qenë dhe mbetet një veteran që i ruan me
fanatizëm vlerat e LANÇ-it. Dashuria për atdheun, zbatimi i ligjit dhe respekti
për dijen kanë qenë dhe mbeten themeli i jetës së tij." "Skulptori i
Popullit", Muntaz Dhrami, ndau kujtime nga takimet me Prof. Omarin, duke
vlerësuar dijet e tij të thella, qartësinë e mendimit dhe shpirtin e tij të
lartë atdhetar. Politikani Petro Koçi theksoi rolin e pazëvendësueshëm që
intelektualë si Luan Omari kanë luajtur në jetën e vendit, veçanërisht në vitet
e para të demokracisë shqiptare. Profesorët Fatmira Rama dhe Maringlen Spiro
sollën kujtime nga takimet dhe bashkëpunimi me të, duke vlerësuar integritetin,
urtësinë dhe nivelin e lartë intelektual të akademikut. Një moment i veçantë
artistik ishte interpretimi i Grupit Polifonik "Thesaret e Labërisë",
nën drejtimin e Viktor Aliut, i cili i kushtoi Prof. Luan Omarit një këngë të
bukur labe. Në këtë veprimtari të veçantë dhe mbresëlënëse, meriton një
vlerësim të posaçëm puna organizative, vizionare dhe përkushtimi i drejtuesve
të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Antifashiste
Nacionalçlirimtare. Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij eventi pati
Kryetarja e OVP të LANÇ-it, znj. Vera Tarifa, Sekretari i Përgjithshëm, z. Veli
Myftari, si dhe Nënkryetari, avokat Idajet Beqiri, i cili ishte edhe nismëtari
i kësaj veprimtarie. Falë angazhimit të tyre të vazhdueshëm, OVP e LANÇ-it
organizon disa aktivitete çdo muaj, duke nderuar dhe promovuar figurat e
shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që janë ende mes nesh, si dhe
duke përkujtuar dëshmorët, heronjtë, betejat historike dhe përvjetorët e
krijimit të formacioneve partizane. Këto veprimtari nuk janë thjesht ngjarje
përkujtimore, por akte të rëndësishme të ruajtjes së kujtesës historike dhe të
edukimit qytetar e patriotik. Ato shërbejnë për të mbajtur gjallë vlerat e
larta të ndërgjegjes kombëtare, duke kultivuar te brezat e rinj dashurinë për
atdheun, respektin për historinë dhe mirënjohjen ndaj atyre që sakrifikuan për
lirinë dhe dinjitetin e Shqipërisë.