Prof. Dr. Hivzi Muharremi shpallet "Qytetar Nderi" i Pejës në 27-vjetorin e çlirimit
Në kuadër të manifestimeve për shënimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Pejës, prof. dr. Hivzi Muharremi është nderuar me titullin më të lartë komunal, "Qytetar Nderi" i Pejës.
Ky
vlerësim iu dha gjatë ceremonisë solemne të organizuar nga Komuna e Pejës, ku u
ndanë tituj nderi, dekorata dhe mirënjohje për personalitete dhe institucione
që kanë dhënë kontribut të veçantë për qytetin dhe shoqërinë.
Prof.
dr. Hivzi Muharremi u vlerësua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndër
vite në fushën e arsim shkencës dhe angazhimit të tij të vazhdueshëm në shërbim
të interesit publik.
Gjatë
ceremonisë, përfaqësues institucionalë dhe pjesëmarrës të shumtë vlerësuan lart
figurën dhe veprimtarinë e tij duke theksuar ndikimin e rëndësishëm që ka pasur
në edukimin e brezave të rinj dhe avancimin e dijes në vend.
Titulli
"Qytetar Nderi" përbën një mirënjohje të veçantë për kontributin e
tij shumëvjeçar duke e radhitur atë ndër personalitetet që kanë lënë gjurmë të
rëndësishme në zhvillimin e Pejës dhe të Kosovës.
Kush është Prof. dr.
Hivzi Muharremi
Prof.
dr. Hivzi Muharremi ka lindur në Pejë në vitin 1948. Ai është doktor i
historisë së artit, pedagog universitar, kritik arti dhe autor i dhjetëra
studimeve e botimeve në fushën e arteve pamore. Ka kryer studimet universitare,
magjistraturën dhe doktoratën në fushën e historisë së artit në Beograd.
Gjatë
karrierës së tij ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, si dhe në
institucione të tjera universitare në Kosovë dhe Shqipëri. Ka shërbyer për dy
mandate si dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, ka qenë
anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit dhe drejtor i Teatrit të Qytetit
të Pejës për dy mandate.
Muharremi
është autor i shumë librave, studimeve, eseve dhe kritikave të artit, me mbi
500 shkrime profesionale të botuara në fushën e arteve pamore. Për kontributin
e tij në arsim, kulturë dhe art është nderuar me një sërë çmimesh dhe
mirënjohjesh.
Kjo
biografi e bën edhe më të kuptueshme arsyen pse Peja e ka nderuar me titullin
"Qytetar Nderi".











