Lekë Mrijaj: Takim përkujtimor për Dom Kelmend Spaqin në Klinë
Në Kishën Katolike në Klinë u mbajt takim përkujtimor kushtuar meshtarit dhe atdhetarit Dom Kelmend Spaqi

Sot,
në Kishën Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, në orën 18:00, u mbajt
një takim përkujtimor kushtuar figurës së ndritur të meshtarit të Kishës
Katolike, humanistit dhe atdhetarit Dom Kelmend Spaqi, njërit prej dëshmitarëve
të rrallë të dashurisë njerëzore, guximit shpirtëror dhe bashkëjetesës
ndërfetare gjatë Luftës së Kosovës.
Ky
aktivitet përkujtimor u organizua nga Famullia “Zoja e Këshillit të Mirë” në
Klinë, në bashkëpunim me Forumin e Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë, me
qëllim të nderimit të jetës, veprës dhe dëshmisë së Dom Kelmend Spaqit, i cili,
në kohë të rënda për popullin shqiptar, u bë zëri i ndërgjegjes, strehë e
shpresës dhe mbrojtës i dinjitetit njerëzor. Krahas pjesëmarrësve nga Klina, në
këtë takim morën pjesë edhe bashkëvendas të të ndjerit Dom Kelmend Spaqi, dhe
intelektual dhe besimtarë të famullisë së Gllogjanit, duke i dhënë përkujtimit
një peshë edhe më të veçantë njerëzore dhe vendlindëse.
Takimit
i parapriu mesha përkujtimore, e cila u bashkëkremtua nga don Albert Demaj, i
shoqëruar nga don Jeton Thaçi dhe dom Aleksandër Kola. Në pretkun e tij, don
Alberti foli për jetën dhe veprimtarinë shumëdimensionale shpirtërore,
kombëtare e kulturore të Dom Kelmend Spaqit. Gjatë meshës liturgjike u bë lutje
për shpirtin e Dom Kelmendit, duke kujtuar me nderim shërbimin e tij meshtarak,
përkushtimin ndaj Kishës, besnikërinë ndaj misionit baritor dhe qëndrimin e tij
të palëkundur në shërbim të njeriut, veçanërisht gjatë viteve dramatike të
Luftës së Kosovës.
Në
atmosferën e lutjes, kujtesës dhe mirënjohjes, të pranishmit u bashkuan në
përkujtim të një figure që e kuptoi meshtarinë jo vetëm si shërbim pranë
altarit, por edhe si prani pranë plagës së popullit. Në kohë frike, ai dëshmoi
guxim; në kohë përçarjeje, mbrojti bashkimin; ndërsa në kohë urrejtjeje,
zgjodhi dashurinë, njerëzoren dhe dinjitetin e jetës.
Pas
meshës liturgjike, programi vazhdoi me fjalë rasti dhe kumtesa kushtuar jetës
dhe veprës së Dom Kelmend Spaqit. Në këtë pjesë të takimit, me dëshmi dhe
vështrime të tyre, u paraqitën don Jeton Thaçi, kancelar i Ipeshkvisë së
Kosovës dhe famullitar i Kishës së Klinës; dr. Haxhi Ibishi, bashkëpunëtor dhe
mik i Dom Kelmendit, prof. Pal Canaj, kryetar i Forumit të Intelektualëve
“Luigj Gurakuqi” në Klinë; si dhe Anton Antoni, kryetar i Bashkësisë Lokale të
Gllogjanit. Ata, nga këndvështrime të ndryshme, ndriçuan figurën e tij si
meshtar, humanist, atdhetar dhe dëshmitar i rrallë i harmonisë ndërfetare
shqiptare.
Përmes
fjalëve dhe dëshmive të tyre, folësit theksuan se Dom Kelmend Spaqi mbetet një
nga figurat e çmuara të klerit katolik shqiptar, i cili në rrethana të vështira
historike dëshmoi guxim, urti, përkushtim dhe dashuri të pakushtëzuar ndaj
popullit të vet. Në mënyrë të veçantë u kujtua roli i tij gjatë Luftës së
Kosovës, kur Kisha e “Shën Ndout” në Gllogjan të Pejës u shndërrua në
vendstrehim për shumë civilë të përndjekur, pa dallim përkatësie fetare.
Në
ato ditë të errëta të luftës, kur dhuna synonte të mbillte frikë dhe përçarje,
dyert e Kishës Katolike në Gllogjan u hapën për të gjithë. Aty nuk u pyet kush
ishte katolik e kush mysliman; u pyet kush ishte i rrezikuar, kush kishte
nevojë për strehë, për bukë, për mbrojtje dhe për një fjalë shprese. Kjo dëshmi
u vlerësua si një nga shembujt më të fuqishëm të humanizmit shqiptar në kohë
lufte.
Një
vend të veçantë në këtë përkujtim zuri edhe dëshmia e njohur e Dom Kelmendit
për harmoninë ndërfetare, kur gjatë muajit të Ramazanit, në kohë lufte,
kambanat e kishës u përdorën për të lajmëruar kohën e syfyrit dhe të iftarit
për shqiptarët myslimanë të strehuar në Gllogjan dhe në fshatrat përreth. Ky
akt, i thjeshtë në formë, por i madh në domethënie, u vlerësua si simbol i
rrallë i respektit ndërfetar, i solidaritetit njerëzor dhe i shpirtit shqiptar
të bashkëjetesës. Kambana e kishës, e cila zakonisht thërret besimtarët
katolikë në lutje, në atë kohë u bë edhe zë i vëllazërisë për agjëruesit
myslimanë. Ajo nuk ra për të ndarë, por për të bashkuar; nuk ra vetëm si
tingull liturgjik, por si thirrje e ndërgjegjes njerëzore. Në këtë gjest u pa
qartë se feja, kur jeton me dashuri dhe përgjegjësi, nuk ndërton mure, por ura.
Po ashtu, në këtë takim u përmend edhe qëndrimi i guximshëm i Dom Kelmendit
përballë policisë dhe ushtrisë serbe, në momentet kur civilët shqiptarë
rrezikoheshin të ndaheshin sipas përkatësisë fetare. Në ato çaste të rënda, kur
ndarja mund të paralajmëronte një tragjedi të re, ai dëshmoi se në kohë lufte
dhe rreziku njeriu duhet parë para çdo dallimi tjetër. Me qëndrimin e tij, ai
mbrojti jo vetëm civilët e pambrojtur, por edhe idenë e madhe se shqiptarët,
pavarësisht fesë, janë një bashkësi e përbashkët gjaku, gjuhe, historie dhe
fati.
Folësit
e kësaj ngjarje theksuan se jeta dhe vepra e Dom Kelmend Spaqit përbëjnë një
trashëgimi të rëndësishme shpirtërore, njerëzore dhe kombëtare. Ai u vlerësua
si meshtar që nuk e kufizoi misionin e tij vetëm në altar, por e shtriu atë në
shërbim të njeriut të rrezikuar, të përndjekur dhe të pambrojtur. Në këtë
kuptim, ai mbetet shembull i një meshtarie të gjallë, të guximshme dhe të
mishëruar në jetën konkrete të popullit.
Në
takimin e sotëm u theksua gjithashtu se figura të tilla duhet të ruhen në
kujtesën historike dhe t’u përcillen brezave të rinj jo vetëm si pjesë e
historisë kishtare, por edhe si dëshmi e humanizmit shqiptar gjatë Luftës së
Kosovës. Pjesëmarrësit vlerësuan se jeta dhe vepra e Dom Kelmendit meritojnë të
dokumentohen, të studiohen dhe të nderohen, sepse ato përfaqësojnë ndërgjegjen
morale të një populli në kohë të vështira.
Në
këtë përkujtim u ndie qartë se kujtesa për Dom Kelmend Spaqin nuk është vetëm
kujtim i një meshtari të devotshëm, por edhe nderim për një njeri që, në orët
më të errëta të historisë sonë, mbajti ndezur dritën e humanizmit. Ai dëshmoi
se atdhetaria nuk shprehet vetëm me fjalë të mëdha, por edhe me bukë të ndarë,
me dyer të hapura, me mbrojtjen e të pambrojturit dhe me gatishmërinë për të
qëndruar pranë popullit deri në fund.
Takimi
përkujtimor në Klinë u mbyll me mirënjohje të thellë për jetën dhe veprën e Dom
Kelmend Spaqit, duke e vlerësuar atë si një figurë që bashkoi në vetvete
meshtarinë, humanizmin, atdhetarinë dhe solidaritetin ndërfetar. Ai mbetet në
kujtesën e popullit si meshtari që nuk ndërtoi ndarje, por bashkim; si bariu që
nuk u largua nga grigja në kohë rreziku; si njeriu që nuk predikoi vetëm me
fjalë, por me jetë.
Kujtimi
i tij mbetet thirrje për brezat: që feja të jetë urë dashurie, atdheu të jetë
bashkim zemrash dhe njeriu të vendoset gjithmonë në qendër të çdo veprimi
moral, shpirtëror dhe kombëtar.
Lavdi
jetës dhe veprës së Dom Kelmend Spaqit!
Pushoftë
në paqe!













