Albert Zholi: Politika, profesion për burrat dhe modeli kosovar
23.02.2008, 11:14 AM (GMT+1)
Politika, profesion për burrat dhe modeli kosovar
Nga Albert Zholi
![]() |
| Albert Zholi |
Që nga krijimi i shtetit shqiptar, parlamenti ka qenë gjithnjë tradicional. Modeli i Lekë Dukagjinit, ku gruaja nuk kishte kompetenca me drejtu kuvendin e burrave, përveçse kompetenca brenda mureve të shtëpisë, ka vazhduar deri më vitin 1944. Pjesmarrja massive e gruas në luftën çlirimtare solli një aktivizim të saj dhe në politikë, ku në vitet e fundit të diktaturës, gruaja përmbante një të tretën e mandateve në Kuvendin Popullor. Ardhja e demokracisë i dobësoi akoma dhe më shumë femrat në shoqërinë shqiptare. Dhe pa dyshim, e gjitha kjo ishte rrjedhojë e mentalitetit tradicional shqiptar, nivelit të ulët të zhvillimit demokratik, rënien e prestligjit të femrës, por mbi të gjitha nga mungesa e legjislacionit shqiptar.
Përfundimisht dhe pse Parlamenti shqiptar mbizotërohet nga meshkujt, kurrsesi nuk mund të pranojmë që meshkujt dinë të bëjnë dhe të hartojnë një politikë të mirë. Vetë eksperienca shqiptare ka treguar mangësi në kryesimin e politikës shqiptare. Ndaj në prag të daljes së ligjit për raportet gjinore në politikë, politikanët meshkuj duhet të tregojnë dhe një herë mikpritjen e tyre për gratë në politikë. Është një hap më shumë drejt civilizimit. Por dhe një hap dejt vlerësimit real të gruas. Ndoshta, ndoshta në politikën shqiptare, pjesmarrja më e gjerë e gruas do të anashkalojë disi nervozizmin mashkullor me ëmbëlsinë dhe buzëqeshjen mëmësore të grave. Mendoj se është koha që gratë në këtë pikë të marrin më shumë nota vlerësimi nga burrat dhe pse thuhet që gratë në drejtim dhe në politikë janë më të ashpra dhe ambizioze se burrat. Por në Shqipëri ende nuk është vënë në provë
një hamendësi e tillë. Le të jenë zgjedhjet e ardhshme një test i kësaj hipoteze dhe një përpjekje serioze e burrave për të nryshuar këto realitete që bien ndesh me premtimet e partive politike që janë zotuar të nxisin mundësinë e barabartë në politikë për burrat dhe gratë. "Politika në Shqipëri është parë si një profesion burrash. Kjo është mbështetur gjithashtu nga media dhe shoqëria. Është parë si një profesion me mjaft përfitime ekonomike për burrat, të cilët natyrisht nuk duan ta ndajnë atë me gratë," ka thënë Eglantina Gjermeni, një eksperte në çështjet e barazisë së sekseve Gjermeni radios Deutsche Welle.
Të Tjera
Në Fokus



