Llesh Ndoj: Shurdhëria qeveritare dhe mospërfaqësimi, baza reale e krizës aktuale
Shurdhëria qeveritare dhe mospërfaqësimi, baza reale e krizës aktuale

Nga
Llesh NDOJ
Protestat
e nisura me flamingot, ngjyrosur si për ironi të fatit me ngjyrën rozë, atë që
duhet të ishte përfaqësuese e partisë në pushtet, tashmë e kanë thyer çdo tabu,
kanë tejkaluar çdo paramendim dhe kanë flakur tej çdo maskë. Aty duken qartë të
gjitha ngjyrat, që nga ato që vuajnë për bukën e gojës e deri tek ata që vuajnë
për karrige pushteti apo për pak “resorte luksi” në bregdet, që nga ata që e
duan Shqipërinë si gjithë Europa, e deri tek ata që s’e duan Europën dhe
Shqipërinë e duan “kala” në brigjet e Adriatikut, halë në sy për ta, që nga ata
që e duan amerikën e madhe aleate e protektore të përjetshme, deri tek ata që
pranojnë të hanë “edhe barë”, por jo ndihma e kredi nga imperialistët
amerikanë, që nga ata që Shqipërinë e quajnë të vonuar në dyert e zhvillimit,
deri tek ata që e duan atë si në kohën e mesjetës, çiflig të një numri të
kufizuar njerëzish, aleatë të perjetshëm të pushteteve. Pavarësisht
heterogjenitetit të tyre të dukshëm edhe në fjalimet e oratorëve, në parullat
që hidhen e në paqartësinë infantile të së nesërmes post protestë, një gjë
është e qartë: të gjithë ata janë të pakënaqur me qeverisjen aktuale, ndonëse
hedhin edhe ndonjë parullë antisistem e anti - klasës politike të tranzicionit
postkomunist në tërësi. Sigurisht ka njerëz që i nxitin, brenda dhe jashtë
vendit, patjetër ka edhe financues që e bëjnë këtë xhest si kontribut ndaj
vendit, ashtu siç ka të tillë, që e bëjnë këtë si investim për të siguruar
postet e majme të së nesërmes. Shumica janë atdhetarë të pakënaqur, por ka edhe
ndonjë hor të fshehur e antishqiptar të thekur. Sidoqoftë, kjo protestë tani ka
hyrë ne kalendarët e lëvizjeve antiqeveritare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe
më tej, për masivitetin, kohëzgjatjen dhe qetësinë e saj të derisotme, të
pashembullt edhe në vendet me demokraci funksionale shumë më të stabilizuar e
shumë më të hershme se kjo psudodemokracia jonë, e shartuar gjysmë komuniste, e
gjysmë anarshiste.
Pyetja
se pse kaq shumë njerëz sfidojnë vapën, hallet e përditshme, kohën e çmuar e
shumëçka tjetër, tashmë e ka marrë përgjigjen edhe për njerëzit më skeptikë.
Është shurdhëria epike qeveritare dhe mospërfaqësimi real, ai që i ka ngritur
njerëzit në këmbë, por edhe çelësi i zgjidhjes demokratike të krizës aty duhet
kërkuar. Njëra palë në maje të fikut e tjetra derdhur masivisht në bulevard për
të kërkuar të drejtat, për të kritikuar punën e dobët, korrupsionin, përkrahjen
e oligarkëve nga ana e qeverisë dhe pushtetit në bazë, nuk kanë mundësi reale
t’a gjejnë zgjidhjen e duhur. Kështu si po vijojnë ngjarjet, përfundimet mund
të jenë të shumta, por zgjidhje reale dhe të qëndrueshme e dobiprurëse për
shqiptarët nuk mund të ketë.
Kriza
e padëgjueshmërisë apo shurdhërisë qeveritare zgjidhet me zgjedhje, ndërsa
kriza e mospërfaqësimit (e dukshme tek votuesit e majtë kjo!) zgjidhet me
ndryshimin e sistemit politik, minimalisht të Kodit Zgjedhor.
Le
të shpjegohem: Qeveria e sidomos kryeministri, parlamenti, ministrat e sidomos
disa të tillë që as emrin s’ua di askush, deputetët e parlamentit, sidomos ata
që s’u ka thënë askush kurrë puna e mbarë, kryetarët e pushtetit lokal
demokratiko - rilindas, që njihen për bëmat e tyre më të mostërta e jo në favor
të zgjedhësve të vet, veçanërisht ata të konvertuarit përmes ylberit nga
socialist në LSI - ist, demokratë e rilindas për pushtet, të gjithë këta, do të
duhet të kërkojnë falje e të ftojnë protestuesit në dialog, jo për t’ia
dorëzuar pushtetin udhës, por si garanci që do t’i dëgjojnë ata, do të
selektojnë prej kërkesave të tyre kakofonike ato që mund të realizohen, të
analizojnë rrugët e arritjes aty ku duhet, e të nënshkruajnë marrëveshjen e
munguar, apo kontratën me zgjedhësit, kontratë që si Rama edhe Balla e ndonjë
kakarriq tjerër parlamentar e përmendin se e kanë me 860 mijë votuesit e tyre.
Me këtë rast, theksoj se ata duhet të dialogojnë me zgjedhesit e tyre. Ata,
pjesë e atyre 860 mijë votuesve të majtë, edhe në mos qofshin aty fizikisht,
janë në shesh me pakënaqësitë e tyre, me indiferencën e tyre, me zemërimin e
tyre. E dini pse? Përveç vitit 2013, duke mos patur një program elektoral, bile
as duke mos e ndjerë nevojën për të, Rilindja është votuar për mungesë
alternative, deputetët e saj janë pranuar si ferrat e trëndafilit, programi i
saj i përfaqësuar nga tallavaja e kryeministrit, është votuar si mungesë, jo si
prani e kontratë sociale. Berisha, ka qenë dhe mbetet justifikim i përhershëm
për këtë. Pra s’ka një kontratë mes qeveritarëve e zgjedhësve e më kot Rama e
të tijtë mburren për një të tillë.
Punë
janë bërë sa të duash, por jo sa mund të bëheshin, e kjo nga korrupsioni
galopant e gjenerik në të gjithë sistemin politik dhe qeveritar. Vjedhja hapur,
hakërrimi i zërit ndaj kujtdo: - S’keni
parë gjë akoma!, shurdhëria qeveritare e të gjitha niveleve ndaj halleve e
nevojave të njerëzve, tregimi i dyerve të burgut, hekurave ndaj kujtdo e për
gjithçka, veç shpurës së vet, mospërfaqësimi ekstrem nga të zgjedhurit dhe të
emëruarit e çdo niveli, kryer dukshëm bazuar në premisa jo meritokratike, por
korruptive e kriminale, janë shkaqet që nuk u duan më. Shko në zgjedhje të lira
e të ndershme zotni Rama dhe provo sa të vlen lëkura! Ja, këto fjalë po t’i
them unë që gjithë jetën të votova për lule, e më dole murriz, po t’i them unë
edhe në emrin e shumë votuesve që ndër vite më kanë ndjekur, duke parë fytyrën
time në pushtetin tuaj, por që tash e dallojnë qartë zgërdhimjen e djallit në
fytyrat tuaja. - A nuk ju vjen turp të
hyni e të dilni nga kuvendi nën goditjet e sharjet e protesve e me mbrojtjen e
policisë? - A s’ju vjen turp të ballafaqoheni qoftë edhe njëherë të vetme me
realitetin? - A s’ju vjen turp t’i thoni vetes të majtë e përfaqësues të saj,
kur jeni shumica injorantë, hajdutë e kriminelë të njohur? Boll më! Edhe Enveri
(më duhet t’i kërkoj falje atij, jo ty, qe po të krahasoj me të!) bënte sikur
dëgjonte popullin. Asnjë vendim i madh, as për shifra e rrugë zhvillimi nuk
merrej pa pyetur (së paku formalisht) popullin. Po Ju? Të gjitha i dini Ju!
Kryetar bashkishë e deputetë me shkolla kriminale, injorantë e mbjellës droge,
administratë pa nivel dhe edukatë, servile dhe e përkulur ndaj eprorëve e
zëngritur ndaj hallexhinjëve, drejtora kriminelë aty ku rrjedh fluksi i parasë,
mendjemadhësi, arrogancë, mospërfillje, monologje në vend të dialogut, ju bëjnë
Ju jo përfaqësues e, për më tepër, të urryer nga ata që ju kanë votuar, në
radhë të parë. Çdo e keqe që mund të rreshtoj sot, gjen veten tek Ju, pa frikë.
Dhe ju duhet të ndiheni keq ndaj nesh që ju votuam, jo ndaj atyre që s’u votuan
kurrë! Atyre duhet t’u kërkojmë falje ne, të gjithë ata si unë, që u lamë mbi
krye njerëz si Ju!
Po
protestuesit?!
Natyrisht
që në kakofoninë e tyre edhe ata s’dëgjojnë. E kanë gjetur atë formë si të
vetmen mënyrë kundër shurdhërisë suaj. Ndaj të shurdhërve duhet zëri i ngritur.
Tregojnë
se një plak kishte një mik të mirë. Kishte kohë pa u parë me të, e u kërkoj të
bijëve të shkonte të bunte një natë atje.
-
Mirë! - i thanë të bijtë, - po ai s’dëgjon mirë nga veshët e tash po të duhet
të bërtasësh fort.
Ashtu
bëri plaku i përmalluar për mikun e tij, shkoi dhe i bëzani në derë me zërin në
kupë të qiellit. Edhe miku, duke menduar se nuk dëgjon ai, iu përgjigj me të
njejtën monedhë. Zërat e ngritur dyanshëm e bënë bisedën të pavijueshme. Dikur
i Zoti i shpisë e pyeti shokun, që mendonte se e njihte mirë:
-
A ka kohë që t’kanë lanë veshët?
Miku
e kuptoi situatën, qeshi e i tha:
-
Besa veshët jo, po m’ka lan mendja, se dëgjova djemtë…
Ja,
këtu ka arritur puna. Duhen ulur tonet drejt marrëveshjes. Duhet flakur karriga
për të mirën e vendit dhe të popullit. Duhet bërë kjo me guxim, vendosmëri dhe
shpejt, ndryshe orteku i padëgjueshmërisë reciproke do t’i verë flakën vendit.
Duhet zhdukur shkaku, që të bjerë pasoja. Mospërfaqësimin që ulurt dukshëm e
rregullojnë zgjedhjet demokratike, padëgjueshmëria që sjell papërgjegjshmëri,
duhet braktisur nga qeveritarët e protestuesit. Vendi kërkon zgjidhje paqësore,
dhe jo luftë. Zgjatja e shurdhërisë rrezikon ose dhunë dhe simptomat e saj janë
shfaqur tashmë hapur, ose lodhje e diktaturë që askush se dëshiron. Çdo
zgjidhje tjetër jo politike e jo demokratike, është në dëm të Shqipërisë. Hapi
rreth dialogut gjithnjë e hedh i pari më I forti…
Lezhë, më 3 korrik 2026


