Idriz Zeqiraj: Kthimi i LDK-së në identitetin e saj, përmes profilizimit të së djathtës të Kosovës
KTHIMI I LDK-SË NË IDENTITETIN E SAJ, PËRMES PROFILIZIMIT TË SË DJATHTËS TË KOSOVËS

Rrëfimi i kryetarit Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve
të 28 dhjetorit 2025, por edhe rrjedhat përgjatë atij viti në LDK, ka qenë i
sinqertë dhe bindës. "Tymi" i doli më 24 qershor 2026, në Facebook-ët
e disa eksponentëve të LDK-së.
Dy kryetarët komunal shumë të suksesshëm, përkatësisht,
Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, shpëtuan Pejën dhe Lipjanin, të kapura nga
bandat e PDK-së dhe të AAK-së. Andaj, respekti e mirënjohja për krye-komunarët
në fjalë ka qenë meritore.
Mendoj se nuk ishte mënyra e duhur e revanshimit
ultimativ, duke kërkuar dorëheqjen hiç të zakonshme të kryetarit të LDK-së, nga
titullarët e LDK-së, respektivisht, nënkryetar dhe sekretar shumëvjeçarë.
Edhe përgjigjja e kryetarit Lumir Abdixhikut,
tejkalonte standardin e kreut të LDK-së, sepse qasja ishte e nxituar dhe
hakmarrëse.
Kuadrot e tjerë partiakë, si Avdullah Hoti dhe
Hykmete Bajrami, si pjesë e klanit të Isa Mustafës, ishin të vrazhdët,
shantazhues dhe kërcënues, në kërkesat e tyre të porositura, duke shpërfillur
strukturat e partisë dhe abuzues të mandatit të tyre të deputetit.
Por këta nuk janë të vetmit. Janë edhe të tjerë, si
pjesë votuese të vendimeve fatale për Kosovën. Ata morën guximin e amnistimit
dhe të rehabilitimit të krimit dhe të kriminelëve! Kulmuan me bërjen president
të njeriut të shantazhuar me dosje faktike penalizuese. Edhe pas pësimeve në
vijimësi, duan zvarritjen pas PDK-së dhe të aleatëve të saj, persekutorë të
LDK-së.
Gjëma e LDK-së kulmoi kur PDK-ja ia katapultoi
kryetarin monist në drejtimin e saj. Identiteti i LDK-së u vu në luhajë.
Normalitetin me humbje kryetari Abdixhiku e trashëgoi, nga lidershipi paraprak.
Por, gjithsesi, edhe revanshistët e tanishëm ishin bërë pjesë e këtij
normaliteti humbës. Sepse përfitonin personalisht, ndërkohë që LDK-ja zvarritej
e përskeqej, nga zgjedhjet në zgjedhje, dhe gjithnjë humbëse.
Çështja e identitetit, e zvetënimit, deri në rrezik
shuarje të tij, ka përçarë sot shtrukturat drejtuese të LDK-së. Disa duan ta
harrojnë përgjakjen e LDK-së dhe të Kosovës! Në konspiracion me sundimtarët
zullumqarë, të cilëve u shërbyen si patericë, për t`i mbajtur në pushtet, edhe
pas faktimit të krimeve numerike, ata preferojnë aleancat me persekutorët!
Anatema që i bëhet Lidershipit për rrjedhojat, pa
gjykuar shkaqet, është e padrejtë dhe tërësisht e gabuar. Rasti i Dr. Vjosa
Osmanit, më 25 maj 2015, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së, sfida përballë
kryetarit Isa Mustafa, në garën për drejtim të partisë, ishte shansë ideale,
për ta kthyer LDK-në në identitetin e saj. Por ish-kryetari Mustafa, me klanin
e tij, ishin në sulmin e egër kundër zërave identitarë, për ruajtjen e frymës
rugoviane. Në atë Kuvend, në mënyrën më të poshtër, kriminale dhe rrugaçërore u
godit dhe u përjashtua në pjesëmarrje në Kuvenbdin qendror LDK-ja e Mërgatës,
respektivisht, delegatët e zgjedhur të saj.
Vjosë Osmani, me guximin qytetar dhe intelektual që
e karakterizon, kërkoi debat të hapur për katandinë e LDK-së nga Isa Mustafa
dhe klani i tij. Njëherësh, kërkoi garë ligjore dhe të ndershme, me votim të
fshehtë. Kërkesat u refuzuan, u kundërshtuan harbutërisht, cinikisht e
rrugaçërisht.
Nuk ishin Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla ato që
dëmtuan LDK-në, por ishte Isa Mustafa, me klanin e tij, i cili çmontonte
rugovizmin, deri në nxjerrjen nga binarët identitare. Sepse hisedar në
drejtimin e LDK-së, tashmë, ishte bërë edhe Hashim Thaçi!
Të pranosh koalicionin me PAN-in kriminal, me një
majtizëm stalinist, deri në eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë, duke
refuzuar LVV heterogjene, është çmenduri.
Kryetari Lumir Abdixhiku edhe mund të jepte
dorëheqje, por, assesi, për faj të tij. Ai e mori LDK-në me identitet të
lënduar. Për konkurrencë garuese u lakuan emra, kryesisht, pjesë e klanit të
Mustafës! Por do të ishte papërgjegjësi e kryetari Abdixhiku, nëse do të
pranonte ta kontrabandonte LDK-në, tek ata që kishin goxha do lidhje
specifike me PAN-in.
Një Kuvend i ngutshëm, qoftë edhe me votëbesim të
fshehtë, u bë. Edhe pse strukturat partiake të LDK-së ishin dhe janë me shumësi
të përzgjedhura nga Lidershipi i kaluar. Shto këtu edhe sabotimin dhe
intrigimin e sinkronizuar, për shkarkimin e kryetari të ligjshëm, megjithatë u
konfirmua legjitimiteti për vazhdimin në drejtimin e LDK-së.
Rikthimi me kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve
partiake, nga individë dhe grupe, qofshin edhe disa kryesi të degëve, nuk është
as ligjor dhe aq më pak njerëzor. LDK-ja ka struktura, ka rregullore, madje
edhe afate. Ajo nuk guxon t`u nënshtrohet individëve dhe grupeve të interesit.
Një afat kohor, tashmë, është caktuar në Kuvendin e
fundit, më saktë, afatet kohore 4 (katër) vjeçare janë të njohura, ndërsa
Kuvendet e jashtëzakonshme, nuk e ndryshojnë datimin klasik. Edhe
"yryshlinjtë" aktual duhet të mësohen me pritjen e afatit zgjedhor.
Puçet partiake "alla hashimçe", me revole
në dorë dhe kërcënimin makabër, "ta vras djalin e hasretit", siç bëri
në vitin 1997, me shkarkimin e dhunshëm të Kryesisë të Vjetër të LPK-së, për ta
zëvendësuar me një Kryesi skajshëm të dyshimtë, madje për shumëçka, nuk guxojnë
të kopjohen nga LDK-ja.
Shprehim keqardhje për zotërinjtë Gazin dhe Imriun,
të cilët janë dëshmuar me përkushtimin e tyre ndër vite, në drejtimin e
komunave të tyre, ndërsa nga ca të tjerë, të cilët herpashere kërkojnë
zgjedhje, nuk mund dhe nuk duhet të merren seriozisht.
LDK-ja, përmes kryetarit Lumir Abdixhikut dhe
reformatores të ndryshimit të domosdoshëm, Vjosë Osmanit, shpalli bashkimin?dhe
profilizimin e të djathtës të Kosovës. Dhe, kjo duhet të jetë krye-kauzë e
LDK-së, për t`u kthyer në identitetin e saj tradicional.
Kemi dëgjuar zëra përçmues, për këtë nismë fisnike,
nga nostalgjikë të aleancës me PAN-in, por duhet mbajtur shënime, për t`i
denoncuar me fakte se nuk kanë asnjë lidhje me të djathtën. Si të tillë,
ata/ato duhet të shkojnë atje ku u flenë mendja dhe zemra. Megjithatë,
pengesat, destruktiviteti i tyre duhet demaskuar dhe tejkaluar.
Shprehjet çmobiliziese, demoralizuese dhe
thellësisht armiqësore ndaj LDK-së, siç janë: "LDK-ja vdiq me
Rugovën", "LDK-ja vazhdon të jetë bisht i PDK-së" dhe të tjera,
janë qëllim këqija. Prandaj, djathtizmi i lëndëzuar me veprime e parime, i jep
fund agonisë dhe hutisë aktuale.
Rugovistët e vërtetë duhet t`i gëzojë kthimi i Dr.
Vjosë Osmanit në shtëpinë e saj - LDK-e. Nga afro 123 mijë vota që ka marrë
LDK-ja, për Vjosën kanë votuar afro 93 mijë votues. Dhe, kjo dëshmon se shumica
absolute e anëtarësisë e kanë mirëpritur dhe aprovuar kthimin e Vjosë Osmanin
në partinë e saj, të cilës i ka shërbyer me devotshmëri përtej dy dekadave. Kjo
është dëshmi domethënëse e vetëfolëse se ajo ka qenë dhe mbetet pjesë mendore
dhe shpirtërore të LDK-së.
Thirrjet e binomit Lumir Abdixhikut dhe të Vjosë
Osmanit, për bashkimin e strukturave, anëtarësisë, elektoratit të LDK-së dhe
popullit, rreth të djathtës të Kosovës, janë e vetmja shansë, që partia ta
tejkalojë përçarjen subjektive dhe artificiale, individuale apo grupore.
LDK-ja ka forca dhe mundësi reale, për t`u
ringritur të bashkuar me sinqeritet dhe jo me bërrylime. Debati i shpenguar, që
nga baza deri në qendër, si dhe votimi i fshehtë demokratik, për të gjitha
nivelet e strukturave partiake, do të jenë përcaktuese për të gjitha organet
drejtuese të LDK-së, në të ardhmen.


