Agron Tufa: Këngë dimërore

06.12.2020, 01:07 PM (GMT+1)

Agron Tufa

KËNGË DIMËRORE

Tek-tuk merr fund me ujëra e drunj

fytyra jote e thërrmuar ndër valë.

Nga grykat e maleve si me sëpatë

rrëzohen zanoret e një brenge të gjatë.

I shpleksa damarët të pijnë buzë lumi

dhe fundin "smë deshe" e ngushëlloftë gjumi!

Harrimi punon pa ngjyra në linjë

me një dhimbje bjonde të mpiksur në brinjë.

Me qumësht e dritë përvëlon-rrëshirë

fytyra që buzë s'më dha për të pirë.

Avitet dëbora si shpirt. S'pipëtin.

Nuk derdhem nga got' e mpirë që rrëzëllin.

Rrotullomë në ëndjen e ngrirë të gotës

o paqe e fytyrës së prapme të tokës!

1993