Gjon Marku: Mulliri i luftës

Tregim nga Gjon Marku
Prej bjeshkëve nxitimthi vinte një re, ulët si në vendet e cepit
të globit ku retë zbrisnin aq afër tokës, sa duket se po të zënë frymën. Dukej
se reja ishte e ngarkuar me fortunë, ndërsa nata afrohej e errët. Të gjithë
turreshin të futeshin në strehët e tyre pa i zënë rrebeshi jashtë. Në atë
errësirë buzëmbrëmjeje, Pjetri, një burrë i matur dhe i heshtur, vështronte
ardhjen e reve shtëllunga-shtëllunga, dhe për një moment mendoi me vete se e
tërë Fusha e Kosovës do të mbytej në ujë. Kishte ditë që binte një shi i
ngadaltë dhe i ftohtë, por sonte mendoi se do të shkulet toka prej ujit. Mitet
me kuçedra e dragonj filluan të vinin në kujtesën e tij, ndërsa flakë
shkrepëtimash shiheshin e dëgjoheshin në bjeshkët prej nga vinin dhe legjenda
të shumta. Eh, trualli i të parëve të tij ishte i mbushur me lloj-lloj
legjendash si askund tjetër. Jo rastësisht, por pse mbi atë truall kishin
ndodhur dhe drama të mëdha.
- Po ku
është gjetur gjithë ky shi? - mendoi. Në fakt, vetë planeti ku ne jetojmë ishte
një planet ujor, kot nuk thonë se rruzulli tokësor është tre pjesë uji e një
pjesë tokë. Kushedi sa do të zvogëlohej po të mos kishte asnjë pikë ujë, madje
kur sheh globin, ai duket me ngjyrë blu si ngjyra e qiellit, pikërisht se është
një glob ujor e jo tokësor si gjithë të tjerët. A nuk është shkëmb e gurë
Marsi, planeti më i afërt me ne, apo planetët e tjerë? Pikërisht pse nuk kanë
ujë, ndoshta nuk kanë dhe jetë. Vallë ne kemi qenë dikur një qenie ujore?
Kështu planeti ku ne jetojmë është ndryshe prej të tjerëve, pse është një
planet ujor, ashtu sikurse kombi ynë është ndryshe prej kombeve të tjera, se
mbi të kanë vepruar pabesi të mëdha e s'kish si të mos kishte bjeshkë me
legjenda të shumta, lumenj me histori të çuditshme, fusha ku mbijnë shumë
lulëkuqe, ndoshta pse rrënjët i kanë në gjakun e derdhur pafund ndër shekuj.
Ne, vërtet nuk ishim si të tjerët, nuk ishim as lindja, as perëndimi, as
endacakë, as pushtues, as barbarë, as të nënshtruar, ishim vendas. Eh, ç'po
sillte ndërmend, gjëra që të tjerët s'i pranonin.
Akoma
ishte në dritare dhe vështronte jashtë furinë e shiut, që binte si me gjyma,
kur një shkrepëtimë rrufeje e bëri të shohë një siluetë të zezë, që po i
afrohej portës së shtëpisë së tij. Për një moment u drodh dhe mendja s'dihet se
ku fluturoi, veçse një gjë ishte e qartë, gjithsesi kishte menduar keq.
Trokitja e
ngadaltë, por e fortë në portën e jashtme, ia kishte këputur në mes mendimet.
Ishte një trokitje që e njihte, por nuk e identifikonte në atë moment. Rendi
drejt portës, por pa mbërritur deri atje ishte bërë ujë. E hapi derën dhe pa
një çerek fytyre që dukej mbështjellë me një pelerinë të zezë mushamaje.
Ishte një
ardhje e papritur e të birit, që ishte student në Prishtinë, atëherë kur gjithë
Kosova ishte zhytur në atë dhunë dhe gjullurdi, ku çdo gjë mund të pritej.
Përqendrimi i trupave serbe ishte shtuar kudo, saqë ai vetë ndjeu një frikë dhe
habi për ardhjen e tij në atë orë, kur rreziku të shoqëron ngado.
U futën
vrikthi në shtëpi, por pa e mbyllur mirë derën, u dëgjua një buçimë e fortë që
tronditi dheun. Ata vështruan njëri-tjetrin në sy, por asnjëri nuk foli. Pjetri
e dinte mirë se ajo buçimë nuk kishte qenë krismë rrufeje.
- Ju
vraftë Zoti, - kishte shfryrë dufin i biri. - Universiteti u mbyll, baba, dhe
shokët e mi tani gjenden në UÇK.
- Dhe ti
erdhe këtu të fshehësh kokën si struc? - iu drejtua ai rreptë të birit, që
akoma s'e kishte hequr pelerinën e zezë që kullonte ujë.
- Jo baba,
unë erdha të të bëj zë dhe do të iki sonte.
Pjetri u
drodh një çast.
- Sonte, -
mërmëriti, - në këtë natë të tmerrshme?
- Po,
sonte do të jem bashkë me shokët e mi në lëvizje drejt bjeshkëve. Në veri
vërshojnë qindra trupa drejt zemrës së Kosovës. Shokët e mi gjenden ndër male,
dikush sonte ndoshta është bërë thërrime prej gjyleve që shpërthyen pak më
parë. Po unë erdha të të shoh, të pyes se ku gjendet mulliri i vjetër dhe të të
them që ta vësh në punë atë, baba.
-
Mullirin? - pyeti i hutuar i ati; iu duk se i biri po fliste përçart.
-
Mullirin? - kishte mërmëritur, sikur donte të hetonte mos nuk e kishte kuptuar
mirë. - Po, ai mulli ka vite që nuk është vënë në punë, qëkur im atë e vuri në
punë për herë të fundit, në kohën e luftës. Ai mulli s'ka pasur pse të
punojë....
- Po tani
ai mulli duhet të punojë, baba, pse është kohë lufte.
Pjetri u
zhyt në mendime. Rendi në dhomën ngjitur të merrte diçka. Të shoqen e kishte
zënë ai shi tek e kunata, pra tek vëllai i tij, vetëm pak metra matanë portës.
- Si s'po
kthehet ajo dreq plakë, të bëjë diçka gati që të hajë ai. Së paku, të takohet
me të.
Mori një
shishe me lëng frutash dhe bëri drejt dhomës, ku i biri ngrohej afër sobës, me
armë ngjeshur. Kishte shtangur dhe vështrimin e kishte ngulur në armët e tij në
brez.
Iliri, që
ishte djalë i vetëm, që kurrë nuk kishte ditur të thernte një pulë, kishte
ngjeshur armët. Ai ishte në vitin e fundit dhe studionte për drejtësi. Tani
dukej si një gjeneral lufte. Vështrimi i tij ishte i rreptë dhe i mprehtë si
vështrimi i një shqiponje.
Eh, sa i rritur i dukej i biri.
Ajo nuk po
vinte, po sikur të shkonte një vrap e ta thërriste.
- Dëgjo
baba, mulliri do të punojë për djemtë e UÇK. Ata janë në male.
Atij iu
kujtua një histori e vjetër, kur bashkë me të atin kishte fshehur nën dërrasat,
afër fletëve të mullirit, vite më parë, tre djem nanash që ndiqeshin prej serbëve.
Ishte natë e ftohtë e binte një shi i imët, ndërsa ata të tre kishin hyrë në
mulli dhe i kishin kërkuar të atit t'i fshihte, po ku t'i fuste. Ai kishte
shkulur njërën prej dërrasave të dyshemesë dhe u kishte thënë të hidheshin
poshtë, afër fletëve të mullirit ku uji i ftohtë binte mbi to. - Kujdes, mos u
kapin fletët e mullirit, bijtë e mi!
Pastaj në
mulli kishin hyrë disa ushtarakë serbë dhe kishin kërkuar cep më cep, po asgjë.
Vetëm pak orë më pas, të tre kishin ikur, pasi ishin veshur me rrobat e babës.
Eh, edhe atëherë mulliri punonte për luftën.
- Babë,
unë po iki se më duhet të mbërrij tek shokët.
- Prit sa
të vijë nëna jote, është tek Zefi dhe kthehet shpejt, - ia priti i ati.
- Jo babë,
ora ka vajtur.
Ai e
kishte puthur në ballë dhe e kishte përcjellë deri tek porta. Shiu binte me
gjyma. Pas tij kishte vënë re të vraponte një tjetër siluetë e zezë. Të dy
bashkë kishin humbur në terrin e natës. Iku mbështjellë me pelerinën e zezë.
Pjetri u
mbështet në murin e portës dhe vështroi natën e errët gjatë. U bë ujë dhe s'po
kuptonte se ç'po ndodhte me të; dhe kushedi sa do të kishte qëndruar ashtu, po
të mos kishte ardhur e shoqja me të bijën, që ishin befasuar dhe trembur nga
gjetja e tij aty te porta. Ai ndjehej bosh, si ta kishte gërryer dikush gjithë
zgavrën e tij të brendshme.
U futën
brenda me një dyshim të madh, se mos ai kishte pësuar diçka nga tepeleku i
kokës.
- Ishte
Iliri, - mërmëriti. E shoqja u mundua të hetojë mos ai fliste përçartë, ndërsa
vajza po kërkonte në dhomën tjetër rroba të thata.
-
Qetësohu, - i tha e shoqja.
- Ishte
Iliri këtu, - përsëriti me një ton inatçor, - ti u vonove.
- Kush? -
pyeti ajo gjithë hutim, pa kuptuar nëse kishte dëgjuar apo jo emrin e të birit.
- Ishte
Iliri! - bërtiti ai në mënyrë të pazakontë, ndërsa në bebëzat e syve i kishin
filluar t'i mbijnë dy pika loti. - Iliri, të thashë, po ti u vonove duke u
marrë me thashetheme. Të thashë s'kishte kohë të të priste. Iku, është me
djemtë e UÇK-së.
- Ku? -
bërtiti ajo, po ai e ndërpreu ashpër.
- Plaç!
Ajo natë
qe për të nata më e gjatë pa gjumë.
Kur dielli
filloi të puthë majën e malit, ai ishte nën fletët e mullirit, i shihte me
kujdes mos kishin pësuar ndonjë dëmtim.
Baba i
kishte treguar se atë mulli e kishte ndërtuar gjyshi. Aty ishte bluajtur miell
për djemtë e Azem Galicës, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës. Ndërsa në anët e
Mat-Mirditës merrej barut me mushka që vinin nëpër bjeshkë drejt Gjakovës. Ai
mulli më shumë kishte punuar për luftërat, sesa për nevojat e shtëpisë së
Përlleshëve në Gjakovë.
Aty e
kishte zënë darka, kur kishte hedhur në koshin e mullirit thesin e parë të
drithit, për të provuar nëse gjithçka ishte në rregull. Buzëmbrëmja kishte
ardhur shpejt, ndërsa e shoqja, e habitur, kishte vajtur dhjetra herë ta
shihte, po s'kishte guxuar ta pyeste se ç'po bënte. Në verilindje, një karvan
makinash, zetorësh, kamionçinash turrej drejt Tropojës.
Rendi t'u
dalë para.
- Po
vrasin e presin fëmijë e pleq, burra e gra shtatzëna, - i kishte thënë një plak
i moshuar. Po i përzënë të gjithë. Karvanet pasuan njëri-tjetrin.
E bëri
gati makinën dhe i thirri Zefit.
- Zef,
merr djalin, gruan, vajzën dhe shko në Shqipëri!
Zefi, me
zërin që i dridhej, diç mërmëriti. Po ai e urdhëroi.
- Valoni
ka ikur, Pjetër, ka ikur mbrëmë me tët birë, unë nuk kam ndodh në shtëpi, ti e
di, kam qenë tek vajza.
Pjetrin
desh e lëshuan gjunjët përdhe. Ndjeu një ligështim dhe një pikë loti filloi të
marrë jetë në bebëzën e lodhur të syrit. Ato dy shtëpi ishin të vetmet që
gjendeshin ballë plumbave.
- Merr
njerëzit e nisu, Zef, pash hatrin e Zotit. Djemtë po i dalin zot Kosovës, Zef.
U fut në
dhomë dhe mori një çantë të vogël ku kishte disa monedha dhe ia zgjati Zefit.
- Merri
dhe nisu, Zef!
- Edhe ti
me ne, Pjetër.
- Nuk ban,
Zef, nuk mund ta lej mullirin e vjetër.
- Si? -
kishte pyetur Zefi. - Mullirin e vjetër, po kokat e njerëzve po ikin si të jenë
bostana.
Pjetri nuk
kishte thënë asgjë për shtëpitë, pasuritë e tyre, apo diçka tjetër.
- Nigjo
Zef, nji gja duhet ta dish mirë, ai nuk është vetëm mulliri ynë. Ai është
mulliri i luftës. Ai mulli duhet të punojë për Ilirin, për Valonin. Për Valonët
tanë ndër male që duen me derdh gjak për Kosovën. A nuk e ndjen se po troket
një ditë e madhe?
Lufta
kishte qenë e rreptë, e ashpër. Atje në Lëndinën e Pikëllimit ishin pushkatuar
njëherësh 370 veta. Lufta herë afrohej e herë largohej. Lëndina vetë duket
sikur buçet nën dhe nga klithmat. Eh, medet si do t'i tresë dheu barbarët, që
si bisha u turrën mbi foshnja të njoma...?
Tutje,
Bjeshkët e Namuna, sikur i bëjnë roje kësaj lëndine heroike. Atje, duket sikur
lëngon edhe dheu, ndërsa nata, sikur friket të mbulojë me terr engjëjt që
gjenden nën dhe.
Gjylet
binin një këtu e një atje, po mullini punonte pa ndalë.
- Zoti i
gjykoftë mëkatarët.
Dikush
kishte trokitur fort në derën e mullirit. Ai kishte rendur ta hapë dhe kishte
vënë re Ilirin, të rreptë, të ashpër dhe me një qëndrim tjetërsoj që qëndronte
në derë. Dy djem, si lisa, i rrinin mbrapa dhe vështronin rreptë.
- Hajdeni,
bijtë e mi. Si është Valoni, Ilir? - e kish pyetur Pjetri të birin, i cili
kishte ulur kokën. Dy shokët e tij kishin heshtur dhe nuk shihnin drejt në sy.
- Ku është
Valoni, Ilir? - kish pyetur Pjetri rreptë, si të fajësonte të birin.
- Valon në
palën e flamurit, baba i Ilirit, - ia kish pritur njëri prej atyre djemve si
lisa. - Brigada jonë luftarake mban emrin e tij.
Pjetri
ishte lëkundur si një trung peme, por ata e kishin mbajtur.
- Si...
Valon, shpirti i vogël!
- Mos
baba, - kishte gulshuar i biri, - mos më turpëro në sy të shokëve!
Po ata të
dy kishin mbështetur kokat tek Pjetri dhe ia jepnin vajit me gulshe.
- Valoni
rron, baba, se ra si burrat.
- Mos, mor
bir!
Dhe desh i
kishte dalë prej gjoksit fjala: "Më mirë ti se Valoni", por nuk dihet
si e kishte mbajtur.
- Eh, si
do të mund ta presë këtë fjalë Zefi?
Sa herë
pranvera vjen e në Lëndinën e Pikëllimit kukujnë qyqet, në mullirin e vjetër
vjen një prej tyre e aty Pjetri del e dëgjon zërin e saj, vajton bashkë me të,
po nuk do ta shohë njeri. Pastaj pastron mirë e mirë fletët e mullirit, e kur
mbaron, i telefonon të birit: - Sonte do të vish patjetër, Zefi është vetëm,
zemërthyer; nesër do ta marrish e do ta çojsh në Lëndinën e Pikëllimit....
Sa herë
fryjnë furtunat, mullirit të vjetër veç ia pastrojnë pluhurin, por s'e shkulin
dot.


