Zenel Çeliku: Çfarë ndodh – Dhomat e Specializuara të Kosovës në krizë të lartë!
Çfarë ndodh – Dhomat e Specializuara të Kosovës në krizë të lartë!!!

Gjykimi
i figurave më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po zgjatet e
stërgjatet, pa asnjë justifikim të pranueshëm, dhe durimi i shqiptarëve ka
kaluar kufijtë e çdo durimi njerëzor. Çudia më e madhe e shekullit është se
Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë, ku vrau, persekutoi, burgosi dhe përdhunoi
mijëra shqiptarë të Kosovës, ndërsa paradoksalisht gjykohet Kosova dhe Ushtria
Çlirimtare për krime. Kush duhet të gjykohet e të burgoset: pushtuesi gjakatar
apo çlirimtarët që luftuan për vetëmbrojtje dhe liri?
Ndërsa
po afrohet vendimi për çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup
Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat Speciale të Kosovës, një pyetje e
vështirë del në pah: çfarë arrihet kur drejtësia jepet në një formë që shoqëria
shqiptare, andej e këtej kufirit, e refuzon gjerësisht këtë “karaval gjyqi”?
Shtyrja e vendimit për Hashim Thaçin dhe të tjerët ka shkaktuar kritika të
forta në Kosovë dhe në Shqipëri.
Gjyqtarët
në procesin ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe tre të pandehurve të tjerë e
kanë zgjatur afatin për dhënien e vendimit deri në korrik, gjë që është dënuar
nga opinioni publik shqiptar, i cili e konsideron këtë proces një zgjatje të
padrejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës njoftuan se trupi gjykues në
çështjen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Hashim Thaçit dhe tre
ish-udhëheqësve të tjerë ka nxjerrë një urdhër që zgjat afatin për shpalljen e
vendimit me 60 ditë, pra deri më 20 korrik 2026.
Kjo
vonesë, sipas shumë reagimeve, konsiderohet e pajustifikuar. Duke shpjeguar
nevojën për zgjatjen 60-ditore, gjyqtarët theksuan se gjatë procedurave janë
marrë dëshmitë e rreth 270 dëshmitarëve dhe janë pranuar 5,497 prova materiale.
Transkripti i procedurave përmban 29,238 faqe, thuhet në vendimin e 5 majit.
Sipas
rregullave të gjykatës, një vendim duhet të shpallet brenda 90 ditëve nga
mbyllja e gjyqit. Procesi ndaj Thaçit, ish-kryetarëve të Kuvendit Kadri Veseli
dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, përfundoi më 18 shkurt,
ndaj vendimi pritej të merrej deri më 19 maj. Megjithatë, rregullorja lejon
edhe 60 ditë shtesë kur një zgjatje konsiderohet absolutisht e nevojshme.
Trupi
gjykues, nën drejtimin e gjyqtarit Charles L. Smith III, deklaroi gjithashtu se
mund të lëshohet një tjetër vendim për shtyrje, nëse do të jetë e nevojshme.
Spektri politik shqiptar dhe opinioni mbarëshqiptar reaguan ashpër ndaj këtij
vendimi, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të
drejtësisë që të reflektojnë dhe të mos lejojnë që ky proces të kthehet në një
shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.
Kjo
vonesë shihet nga kritikët si një provë e mëtejshme e një procesi të
tejzgjatur, i cili sipas tyre ka humbur ndjenjën e drejtësisë dhe është ndikuar
nga llogaritje politike.
“Liria ka emër”, një lëvizje në
mbështetje të ish-anëtarëve të UÇK-së që përballen me procedura ligjore në
Hagë, e dënoi gjithashtu vendimin, duke e konsideruar atë të papranueshëm dhe
një precedent negativ për drejtësinë ndërkombëtare. Sipas kësaj lëvizjeje,
mbajtja në paraburgim e ish-udhëheqësve të UÇK-së për afro gjashtë vjet shkel
standardet e drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut.
Hashim
Thaçi dha dorëheqjen si President i Kosovës në nëntor 2020 për t’u përballur me
akuzat për krime lufte dhe, së bashku me tre të bashkëpandehurit e tjerë, u
dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë. Katër figurat e UÇK-së akuzohen për
përgjegjësi individuale dhe komanduese, si pjesë e një ndërmarrjeje të
përbashkët kriminale, për krime të kryera kundër të burgosurve në qendrat e
paraburgimit të UÇK-së në Kosovë dhe Shqipëri. Ata akuzohen gjithashtu për
zhvillimin e një fushate sistematike kundër kundërshtarëve politikë. Të gjithë
janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria
është përpjekur të argumentojë se, si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të
UÇK-së, të akuzuarit mbanin përgjegjësi për veprimet e luftëtarëve të rangut më
të ulët. Nga ana tjetër, mbrojtja ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një
strukturë të mirëfilltë komanduese ushtarake dhe se të pandehurit nuk kishin
kontroll efektiv mbi luftëtarët në terren.
Dhomat
e Specializuara të Kosovës u krijuan për të hetuar pretendimet për krime të
kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ndërkohë, për shumë qytetarë të Kosovës,
figurat kryesore të UÇK-së mbeten heronj të luftës për liri dhe pavarësi.
Në
fund të vitit 2024, Thaçi u akuzua gjithashtu për pengim të drejtësisë, së
bashku me katër të bashkëpandehur të tjerë, përfshirë ish-ministrin e
Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi. Gjykimi për këtë rast nisi në shkurt, pak
ditë pas përfundimit të procedurave në çështjen për krime lufte dhe krime
kundër njerëzimit. Thaçi dhe të
bashkëpandehurit e tjerë kanë deklaruar se janë të pafajshëm.
Zenel Çeliku
TIR-FAX News Agency
12 Maj 2026



