Viron Kona: Skënder Kamberi - Mjeshtri i Madh i pikturës
Skënder KAMBERI - Mjeshtri i Madh i pikturës
Vepra
që na vënë në mendime
Skënder
Kamberi, “Piktor i Popullit”, “Mjeshtër i Madh”, ndër piktorët e spikatur të vendit tonë në 30 vitet e fundit
të shekullit të kaluar dhe në vazhdim të mijëvjeçarit të ri, derisa mbylli sytë në prill të këtij viti (2026). Ai ishte
kurdoherë mbresëlënës me karakterin e tij të papërsëritshëm, por mbi të gjitha
me vlerat e larta artistike, kolorin dhe origjinalitetin e pikturave të tij.
Në pikturat e Kamberit, pothuajse të gjithë elementët tërheqin vëmendjen, të vënë në mendime sa herë që ndodhesh përpara tyre: edhe kompozicioni, edhe vizatimi, edhe kolori... dhe, shpejt, shikuesi arrin në konkluzionin se ka përpara një piktor të kompletuar të kohëve moderne. Veprat e tij janë tashmë të njohura dhe gurë themeli në historinë e pikturës shqiptare: “Buka e duarve tona”, “Kthimi i nëndetëseve”, “Betimi i Vrana Konti”, “Vajza e valëve”, “Kosovarja”, “Në Belvederë në Vjenë sikur pashë Skënderbenë“,“Otranto, 1997”, portreti i luftëtarit Sali Vranishti...etj. etj. Lista e veprave të tij është e pafund, numërohen mbi 1400 piktura...
1.Tabloja “Në Belvederë
në Vjenë...”
2.Tabloja “Buka e duarve
tona”
Skënderi
nuk përsëriste asnjëherë vetveten, por krijonte vazhdimisht, ai kishte zërin e
tij, mendimin tij, penelin dhe kolorin e
tij. Të njihje Skënder Kamberin, duhej të njihje shpirtin e tij krijues,
impulset shpërthyese, energjitë e pandalshme që vrullonin nëpërmjet “armës” së
tij, penelit të magjishëm skënderian.
-E
dini se ç`më thoshte Çabej në një bisedë: ”Po të flesh 1 orë apo, qoftë edhe gjysmë ore pasdite, ditën e ndanë në dy
ditë dhe punon i freskët deri në orët e vona”.
-Po
ja, ti Skënder po mëson edhe gjermanisht, ku e gjen kohën? - e pyesnim.
-T`ju
them një sekret! Ja më dëgjoni: sa herë që rruhem në mëngjes, përpara pasqyrës
ngjisë disa fjalë e fjali në gjermanisht dhe gjatë gjithë kohës që rruhem, i
përsëris ato me zë pa pushim. Dhe, kini
parasysh se, unë, rruhem çdo ditë...”
Hëm!
Vërtetë i çuditshëm ky Skënderi! Ku s`i vete mendja! - thoshim ne me njëri-tjetrin.
Nestor Jonuzi, Viron Kona, Skënder Kamberi, Vlorë 1979
Uniteti
i Skënder Kamberit dhe Piktorit tjetër të Popullit Nestor Jonuzi, ndihmuan shumë në krijimin
rreth viteve 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, në krijimin e “Shkollës
vlonjate të pikturës”. Ky unitet, shkathtësoi atëherë degën e shkrimtarëve
dhe artistëve krijues vlonjatë, të cilët duke respektuar krijimet e njëri –
tjetrit, jo vetëm në pikturë, por edhe në muzikë, letërsi, skulpturë, qeramikë
etj., mblidheshin vazhdimisht, bashkëbisedonin, shfaqnin mendime, debatonin dhe
largoheshin me përshtypje dhe emocione të reja nga studiot e punës të kolegëve të tyre.
Karakteri
tepër i veçantë i Skënderit, në njohje
të parë, të bënte të vije buzën në gaz për
pasionin me të cilin ai fliste, vullnetin që tregonte, dëshirën e mirë dhe
botën e tij të pasur, humanizmin dhe kulturën e veçantë. I vëmendshëm në
bisedë, një njeri që të shihte në sy kur flisje me të, Skënderi ishte i
drejtpërdrejtë, e shprehte gjithnjë hapur atë që mendonte, pa u druajtur se çdo
të mendonin të tjerët për fjalët dhe mendimet e
tij. Edhe atëherë, para viteve 90-të, edhe në vitet e demokracisë, kur
punonte me ritëm dhe shpaloste vrulle të reja të pasionit të tij krijues, ishte
po ai Skënder, energjik dhe vital, aspak xheloz, por gjithnjë kërkues në rrugën
e tij.
Duke
hedhur këto shënime, sjellë në kujtesë edhe disa nga pyetjet dhe
përgjigjet që i mora atij në një
intervistë, para shumë vitesh, më saktë më 16. 06. 2000, të cilën atëherë
e botova te gazeta “Pasqyra’.
-Ndjeni
konkurrencë në pikturën tuaj? - ishte kjo njëra nga pyetjet që i bëra atëherë.
Skënderi
m`u përgjigj:
“-Nuk
konkurroj kurrë. Bilbili këndon për qejf të vetë. E jo për të konkurruar me
ndonjë zog tjetër. Lulet kanë secila ngjyrat e veta e nuk konkurrojnë me
ferrat. Ngjyrat e peshqve dhe të fluturave, u përkasin atyre e jo për të
konkurruar me kafshë e insekte të tjera. Konkurrenca është rudiment i njeriut,
që e ndalon të bëhet njeri i së ardhmes. Unë jam pak xheloz për muzikën, e cila
është më superiore se figurativi, por në asnjë mënyrë të konkurroj. Fusha e muzikës ka shumë konkordanca me pikturën.
Madje janë bërë eksperimentime shkencore që puqen me figurativin, po prapë se
prapë mua më çudit sesi veshi të superoj syrin! Ai të jetë më i rëndësishëm se
të parit? Po mallkimi bëhet: “Mos paç sy!”, “U bëfsh qorr!” e, nuk thotë: “Mbetsh shurdh!” Muzika është diçka hyjnore,
piktura: shpirtërore, njerëzore.
Dega e Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Vlorës, 1984.
-Sa
ka ndikuar Vlora, njerëzit dhe natyra e saj në krijimtarinë tuaj?
-Vlora
është qyteti i fëmijërisë sime, i rinisë, i burrërisë, është qyteti i
paraardhësve të mi, qyteti ku u linda dhe krijova familjen time, e, mbi të
gjitha është krijimtaria ime pjellore në fushën e pikturës. Vlora më ka
frymëzuar për qindra peizazhe. Po, përse e lashë Vlorën? Kur bëhej luftë në
Firence, Mikelanxhelon e gjeje në Romë.
Arti kërkon një qetësi shpirtërore specifike, gjë që pjesërisht kohët e fundit më mungoi. Vlonjatët e dinë mirë se jam i lidhur tepër me artin e,
për hir të tij, mund të më justifikojnë që u largova prej Vlorës dhe erdha këtu
në Tiranë.
-Keni
ndonjë pikturë të kohës së monizmit për të cilën sot do të kishit dashur të mos
e kishit bërë? Sa i lirë ose i penguar jeni ndjerë në atë kohë?
-Asnjë.
Të gjitha i kam bërë me ndjenjë e racionalitet: Kultura të bën të lirë e jo
skllav. Mua s`më kanë penguar kurrë konceptet e shumta patriarkale me të cilat
ndeshesha përditë në shkollë, në studio e ambiente të ndryshme. Rrotat e mia
për progres nuk janë ndalur nga askush edhe pse kanë vënë cipenj nën rrota. Pra
çdo gjë e kam bërë me vetëdije e dashuri. Nuk kthej kokën prapa, s`jam nga ata
që bëhen pishman për atë që kam nxjerrë nga studioja ime. E kam ndjerë veten të
lirë, sepse e vlerësoja artin tim.
Ndofta më quani mendjemadh, - por edhe modestia e tepruar është mendjemadhësi.
Si artist kam reflektuar me art kohën e bashkëkohësve të mi, detyrë imperative
për çdo krijues. Më vjen keq që u zgjata, por edhe pyetja provokon për një
epokë që ka shumë e shumë për të folur e shkruar...Koha që kalon Shqipëria në
tranzicion prek edhe artin. Artistët e vendit, më të shumtët janë larguar,
sidomos të rinjtë, por këta që janë punojnë e krijojnë këtu me shumë sforco e
strese, nën diktaturën financiare. E ardhmja e artit është në dorë, jo vetëm të
artistëve, por edhe të zhvillimit total të vendit”.
Zemra
e “Mjeshtrit të Madh” dhe “Piktorit të Popullit” Skënder Kamberi ka ndalur, por arti ynë,
Vlora dhe populli ynë fisnik, do t`i ruajë në kujtesë veprat e piktorit të
madh, pikturat e mrekullueshme skënderiane.














