Tefë Topalli: Gjon Marku - "Gjurmë në identitet"
- Vështrim kritik mbi veprën "Gjurmë në identitet" të autorit Gjon Marku-
Nga Prof. Dr. Tefë TopalliPër atë që nuk e njeh këtë libër, me titull domethënës
"Gjurmë në identitet" -"Kumtesa I", (1) mëson se autori i
kësaj përmbledhjeje bën një jetë aktive në publicistikë dhe si pjesëmarrës në
veprimtari shkencore që zhvillohen në Shqipëri e jashtë saj, kryesisht në
Kosovë.
Njëherësh me këtë, njohim
interesat letrare e shkencore të këtij shkrimtari, i cili edhe në ligjëratat e
veta e kumtesa nuk largohet shumë nga tematika e librave të tij, të cilët kanë
si bosht themelor shkrime për Mirditën, njerëzit e saj, zhvillimin e trevës,
vjetërsinë dhe mendimin intelektual shqiptar për gjithë krahinën.
Nga ana tjetër, duhet ditur
se hulumtues të ndryshëm, studiues të një dege apo fushe diturake, më parë se
të hartojnë punime monografike apo gjini të tjera, punën e nisin me kumtesa të
thjeshta, si një derë për t'u hapur drejt botimeve të plota. Kështu mund të
themi edhe për shkrimtarin Gjon Marku: si kimist e biolog, më parë ai ka mësuar
vetë, është zgjeruar në njohjen e çështjeve e problemeve që trajton jashtë
fushës së tij të formimit arsimor; pas kësaj u hyn publikimeve me prurje
shteruese në fusha të ndryshme.
Tri prirje kryesore nxjerr
lexuesi kur përfundon njohjen me tematikën e kumtesave të Gjon Markut:
Së pari, mban shënime për
secilën pjesëmarrje, çka do të thotë se ai qëndron në korrent të veprimtarive
kulturore e shkencore në hapësirën mbarë shqiptare; e theksoj këtë sepse ka jo
pak punonjës e specialistë të njohur që janë aktivë e në ballë të shkencës
sonë, por nuk dallohen për rregullsi në këtë tregues.
Së dyti, interesat
shkencore të autorit tonë janë të gjera dhe tërheqëse, me synim të kontribuojë
me mundësitë që ka në një fushë të caktuar.
Së treti, para çdo
ligjërate të mbajtur, ai shfaq literaturën përkatëse si bazë të fjalës së tij.
Vërejmë me kënaqësi që ai i
formulon kumtesat mbi bazën e tematikës së konferencave ku merr pjesë, si,
p.sh.: "Kisha katolike dhe përpjekjet e saj për hapjen e një shkolle
shqipe në Mirditë" - Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore
"Podguri dhe viset e tjera shqiptare gjatë 90 vjetësh histori (1899-1989),
Istog, Kosovë, 20–21 maj 2007, (2) është një material përtej kufijve kohorë të
caktuar në një ligjëratë, por argumenti për botim vjen i plotë dhe me një literaturë
të mjaftueshme, sikur të ishte një hulumtim monografik, (3).
Siç del nga materiali i
mësipërm, në hapësirën prej 53 faqesh! Kështu janë edhe kumtesat e tij për
temën "Kisha ortodokse serbe, qysh herët armikun më të madh të saj ka
cilësuar Kishën katolike të Shqipërisë", një material konference që është
botuar si artikull i gjatë në gazetën "Bota Sot" të Prishtinës.
Të vlerësueshme dhe me
dinjitet shkencor na duken kumtesat "Prend Doçi, ky personalitet i
kulturës dhe i kombit shqiptar" - kumtesë e mbajtur në Konferencën
Shkencore "Abat Prend Doçi, rilindës i madh, misionar i dijes dhe kulturës
kombëtare" - Ministria e Kulturës, 2015, Rubik, Mirditë.
Me vlerë të veçantë themi
se është edhe poezia e tij, e rrallë për t'u gjetur në përmbledhje të hershme,
si "Zani i kasnecëve", fragment të së cilës na vjen për mbarë t'ia
përcjellim lexuesit tonë të nderuar. Gjithë materiali shkon deri në 41 faqe
trajtesë, sa një mikrotezë universitare e më tepër, brenda jetës studentore...!
Po kështu edhe për figurën e luftëtarit e udhëheqësit popullor në qëndresën
ndaj pushtuesve osmanë, Kolë Toma i Velës etj.
"Zani i kasnecëve"
Zani i kasnecave përpiqet
me gjamë
T'fushave, t'maleve, e
thrret:
Burrat e Dheut, gadi m'u
bamë,
Ndr'armë: qata burra qi për
t'madh shëndet,
T'rrebtë, kan kthye, me
sheje t'arta
Ndër shpija t'veta,
gjithmonë si drita e larta.
Anmiku vargoit e randë për
shej difton
Se si për mas sodit me e
pengue,
Por jan prap tu ai, m'e
poshtnue mendon,
Me i sjellë marre t'madhe e
me e turpnue:
Kso doret kujton e kshtu
asht tuj shprrallue.
Eni t'i ju shtërngoj me
mallë n'krahnuer,
Se pa ju kishim mbetë,
mbetë t'gjith t'robnisë,
Kishim bjerrë erz e kishim
mbetë shtruer.
Eni e pushoni n'krahnuer
t'em e msoni
Fmive t'uej se sa jeni
trima e si luftoni. (4)
Ndoshta lexuesi, para
veprave të tjera, do të duhej të njihej me përmbledhjen e kumtesave të Gjon
Markut, i cili na fton të ecim në gjurmët e identitetit të shqiptarizmës.
Literature:
1. Gjurmë në identitet -Kumtesa I, botuar nga Miggeralb, Tiranë, 2019.
2. Gjurmë në identitet -Kumtesa I, botuar nga Miggeralb, Tiranë, 2019, f. 145–198.
3. Gjurmë në identitet -Kumtesa I, botuar nga Miggeralb, Tiranë, 2019, f. 213.
4. Gjurmë në identitet -Kumtesa I, botuar nga Miggeralb, Tiranë, 2019, f. 216–219.










