Bajame Hoxha-Çeliku: 40 vjet “Jehona e shqipes” në Belgjikë
40 VJET “JEHONA E SHQIPES” NË BELGJIKË –
NJË ZË QË LINDI NGA
SAKRIFICA DHE U BË INSTITUCION I SHQIPTARISË

Në sallat prestigjioze të Renaissance Brussels Hotel, në
zemër të Brukselit, u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme të
komunitetit shqiptar në Belgjikë: 40-vjetori i radios “Jehona e Shqipes”
(1986–2026) - një jubile që mblodhi bashkë ajkën e inteligjencës shqiptare,
intelektualë, artistë, mësues, aktivistë, personalitete të jetës publike dhe
një numër të madh gazetarësh të ardhur nga Tirana.
Atmosfera ishte madhështore.
Një mbrëmje e mbushur me emocion, respekt dhe krenari
shqiptare.
Në sallë ndiheshe jo vetëm gëzimi i një përvjetori, por edhe
pesha e një historie të gjatë përkushtimi, sakrifice dhe atdhedashurie.
U fol shumë atë mbrëmje.
Morën fjalën intelektualë, veprimtarë dhe personalitete të
ndryshme të komunitetit shqiptar në Belgjikë. U diskutua për vazhdimësinë e
këtij institucioni të rëndësishëm mediatik, për misionin që duhet të vazhdojë
edhe në brezat e rinj dhe për rolin e pazëvendësueshëm që “Jehona e Shqipes” ka
luajtur në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
U ndanë fletë mirënjohjeje për gazetarët e ardhur nga
Shqipëria, për bashkëpunëtorët e radios, për kontribuuesit ndër vite dhe për
ata që kanë mbështetur këtë rrugëtim të gjatë.
Por mbi të gjitha, në qendër të asaj mbrëmjeje qëndronte një
figurë që nuk mund të ndahet nga vetë historia e kësaj radioje:
Sakip Skepi - njeriu që nuk e la shqipen të heshtë për
dyzetë vjet me radhë.
Ka njerëz që bëjnë profesion.
Ka njerëz që ndërtojnë karrierë.
Por ka edhe njerëz të rrallë që jetojnë për një ideal.
Një prej tyre është pa dyshim Sakip Skepi.
Një burrë me karakter të fortë, me vullnet titaniku, me
dinjitet të rrallë dhe me një atdhedashuri të brumosur thellë në shpirt.
Ai nuk është vetëm themeluesi i radios “Jehona e Shqipes”.
Ai është vetë fryma e saj.
Historia e tij është histori sakrifice.
Në vitin 1958, vetëm pesë vjeç, Sakipi u detyrua të largohej
nga Shqipëria në një nga arratisjet më dramatike të veriut shqiptar.
Më 11 maj 1958, plot 26 anëtarë të familjeve Skepi dhe të
afërmve të tyre, mes tyre pleq, foshnje vetëm gjashtëjavëshe, gra dhe fëmijë të
vegjël, kaluan kufirin në një udhëtim dramatik drejt shpëtimit.
Ata nuk u larguan për rehati.
Nuk ikën për luks.
Ata ikën për të shpëtuar jetën.
Për t’iu larguar burgut, internimeve dhe thundrës së egër të
diktaturës komuniste që ndiqte familjet nacionaliste dhe antikomuniste shqiptare.
Babai i tij, Lam (Islam) Skepi, patriot, nacionalist dhe
kundërshtar i vendosur i regjimit komunist, kishte njohur burgun, përndjekjen
dhe poshtërimin politik.
Por ai nuk u përkul.
Dhe kjo forcë karakteri u trashëgua te biri.
Ai fëmijë pesëvjeçar, i shkëputur me dhimbje nga Dibra e
zemrës së tij, do të rritej në mërgim për ta kthyer mallin në mision.
Në Belgjikë, Sakip Skepi nuk zgjodhi qetësinë e emigrantit
të zakonshëm.
Ai zgjodhi përkushtimin.
Zgjodhi shërbimin.
Zgjodhi shqiptarinë.
Më 20 shkurt 1986, themeloi radion “Jehona e Shqipes”, duke
krijuar një zë të fuqishëm për shqiptarët në Belgjikë.
Për 40 vjet rresht, pa u lodhur, me një energji të
admirueshme dhe me një disiplinë shembullore, ai mbajti ndezur një vatër
shqiptarie në zemër të Evropës.
Çdo e diel, në valët e radios, jehonte shqipja.
Jehonte kënga.
Jehonte historia.
Jehonte malli për atdheun.
“Jehona e Shqipes” nuk ishte thjesht program radiofonik.
Ajo u bë shtëpi shpirtërore e komunitetit shqiptar.
U bë urë lidhjeje mes brezave.
U bë tribunë e kulturës, identitetit dhe patriotizmit
shqiptar.
Sakip Skepi nuk i shërbeu vetëm radios.
Ai i shërbeu kombit.
Ai ngriti zërin për çështjen shqiptare, për Kosovën në vitet
e vështira, për të drejtat kombëtare, për humanizmin dhe për shqiptarët në
nevojë.
Priti artistë, gazetarë, kineastë, intelektualë dhe
bashkatdhetarë.
Dera e tij mbeti gjithmonë e hapur - si oda tradicionale
shqiptare.
Me bujari, fisnikëri dhe zemër të madhe.
Një radio nuk mbahet vetëm - gazetaret që i dhanë zë
“Jehonës së Shqipes”
Një vepër e madhe lind nga një vizion i madh, por u mbajtë
gjallë nga njerëz që besojnë në të.
Pranë Sakip Skepit, ndër vitet e para të izolimit të
Shqipërisë kontribuan patriotë të shquar me përkushtim dhe profesionalizëm si
Kimete Mitrovica, Idriz Basha i Novosejt, Inxhinier Ismen Basha etj. Më vonë
pas hapjes dhe fitores së demokracisë në Shqipëri e sidomos kur vërshoi Eksodi
u bënë bashkëpunëtorë të radios, si artiste Anila Dervishi, gazetare Elona
Zhana, Ledja Canaj dhe të tjerë, që me
kulturën, zërin dhe seriozitetin e tyre ndihmuan në forcimin e këtij
institucioni të rëndësishëm të diasporës shqiptare.
Puna e tyre meriton respekt.
Sepse për dekada, kjo radio nuk ka qenë vetëm transmetim.
Ka qenë mision.
Heronjtë e heshtur të arsimit shqip në Belgjikë
Ndoshta si padashur në atë sallë eventi madhështor mbeti në
heshtje një tjetër sakrificë:
arsimi shqip në diasporë.
Mes të ftuarve ndodheshin mësues e veprimtarë që prej
dekadash kanë punuar e vazhdojnë të punojnë me përkushtim që fëmijët shqiptarë
të mos asimilohen, të njohin gjuhën, historinë dhe origjinën e tyre.
Ka njerëz që kanë dhënë vite të jetës pa asnjë shpërblim,
vetëm që shqipja të mos humbasë.
Për 11 vjet rresht, edhe unë kam qenë pjesë e stafit
mësimor, duke dhënë mësim pa pagesë, me bindjen se një komb jeton përmes gjuhës
së vet.
Krah meje kanë kontribuar me përkushtim nën drejtimin e
historianit Muhamet Shabani, pianistja Alisa Aliu, në edukimin muzikor; Ajshe
Doçi në koreografi; Silvana Gjebrea në gjuhë, Sali Avdyli, edhe më vonë nën
drejtimin e Dr. Agim Sylës, duke mbajtur ndezur dritën e arsimit shqip në
Belgjikë.
Edhe ata meritonin një fletë nderi.
Sepse nëse radio mban gjallë zërin e kombit, shkolla mban
gjallë shpirtin e tij.
Një jehonë që nuk shuhet
Në fund të asaj mbrëmjeje të paharruar, mbeti një ndjesi e
fortë:
Se “Jehona e Shqipes” nuk është vetëm radio.
Ajo është histori sakrifice.
Është kujtesë.
Është mall.
Është identitet.
Dhe në qendër të saj qëndron një njeri që për katër dekada
nuk e la shqipen të heshtë:
Sakip Skepi - një atdhetar i rrallë, një burrë me karakter
të pathyeshëm, një shqiptar i brumosur me dashuri për atdheun, që e ktheu
dhimbjen e mërgimit në mision kombëtar.
Sepse ka njerëz që jetojnë për veten.
Dhe ka njerëz që jetojnë për kombin.
Sakip Skepi i përket të dytëve.
Pas fjalimeve, ndarjes së fletëve të mirënjohjes dhe
diskutimeve të pasura mbi rrugëtimin 40-vjeçar të “Jehonës së Shqipes”, mbi
sfidat dhe mbarëvajtjen e saj në vazhdim, mbrëmja mori një tjetër ritëm - atë
të festës shqiptare.
Në ambientet elegante të hotelit u shtrua një koktej i
pasur, ku të ftuarit patën mundësi të ndanin kujtime, libra, biseda dhe
emocione, duke forcuar edhe më shumë lidhjet njerëzore e shpirtërore të
komunitetit shqiptar në Belgjikë.
Por ajo që i dha shpirt e dritë të veçantë kësaj mbrëmjeje
ishte programi artistik.
Salla u mbush me tingujt e këngës shqiptare, me emocionin e
recitimeve dhe me hijeshinë e valleve tona kombëtare.
Të rinj e të reja të veshur me kostume kombëtare shqiptare,
si një tablo e gjallë e traditës sonë, sollën në skenë bukurinë e trojeve
shqiptare përmes valleve plot ritëm, krenari dhe elegancë.
Jehuan këngë shqiptare që zgjuan mall, kujtime dhe dashuri
për vendlindjen.
U interpretuan recitime artistike që prekën zemrat e të
pranishmëve, duke sjellë në sallë frymën e kulturës dhe identitetit tonë
kombëtar.
Në ato çaste, nuk dukej sikur ndodheshim larg Shqipërisë.
Brukseli dukej si një copëz atdheu.
Një Shqipëri e vogël, e mbledhur rreth gjuhës, këngës,
flamurit dhe kujtesës.
Mes buzëqeshjeve, përqafimeve, fotografive dhe emocioneve të
sinqerta, kuptohej qartë se “Jehona e Shqipes”, përtej radios, kishte ndërtuar
ndër vite diçka shumë më të madhe:
Një familje të madhe shqiptare.
Një vatër ku nuk është ruajtur vetëm fjala shqip, por edhe
zemra shqiptare.
Dhe ndoshta kjo ishte fitorja më e bukur e asaj mbrëmjeje:
Të shihje breza shqiptarësh, larg atdheut, por kaq pranë
njëri-tjetrit - të bashkuar nga gjuha, kujtesa, kultura dhe dashuria për
Shqipërinë ndiheshe vërtet krenare.
23 Maj 2026.








