Albert Zholi: 'Syri i Ciklopit' në grykën e Krrabës

2h më parë

"Syri i Ciklopit" në grykën e Krrabës

Nga Albert Z. ZHOLI

Atë ditë po shkoja për vizitë tek Syri i Ciklopit. Kisha dëgjuar shumë për atë vend misterioz në grykën e Krrabës, mes shkëmbinjve të egër dhe ujërave të kaltërta të Erzenit. Rruga gjarpëronte mes kodrave, ndërsa ajri mbante aromën e shkurreve të egra dhe të dheut të lagur. Kur ndala pak për të pushuar e për të soditur natyrën, pashë një bari. Ishte mbështetur mbi kërrabën e tij të vjetër dhe ndiqte me sy dhitë që kullosnin anës brinjës së malit. Mjekra e bardhë i lëkundej lehtë nga era. Iu afrova.

-Përshëndetje, xhaxha! -i thashë. -Si ju shkon bagëtia? Çfarë dini ju për Syrin e Ciklopit? Si lindi ky emër? Plaku buzëqeshi ngadalë. Nxori nga xhepi një qese të vogël duhani, mbushi llullën dhe e ndezi me kujdes. Tymi i hirtë u ngrit mbi kokat tona.

-Eh, bir... - tha ai. Është histori e vjetër kjo. Edhe mua ma ka treguar gjyshi, e atij ia kishte treguar gjyshi i vet...Pastaj hodhi sytë drejt shkëmbinjve dhe nisi të fliste me një zë të ngadaltë, sikur po zgjonte kohën e vjetër.

- Dikur, shumë kohë më parë, këto male nuk njihnin qetësi. Në pyjet e dendura dhe në grykat e thella jetonte një bishë e stërmadhe. Njerëzit e quanin Ciklop, sepse kishte vetëm një sy në mes të ballit. Natën zbriste nëpër fshatra, u rrëmbente bagëtitë barinjve dhe mbillte tmerr. Asnjë burrë nuk guxonte të kalonte vetëm nëpër grykë pas perëndimit të diellit. Era frynte fort mes shkëmbinjve ndërsa plaku vazhdonte tregimin.

-Thonë se bisha ishte aq e madhe sa kur ecte, toka dridhej. Pemët thyheshin pas saj dhe gurët rrokulliseshin në humnerë. Banorët u lodhën nga frika dhe një ditë burrat e zonës u mblodhën. Vendosën ta ndiqnin bishën deri sa ta vrisnin. Plaku ndaloi një çast, thithi llullën dhe tregoi me dorë drejt humnerës.

- E ndoqën për ditë të tëra. Ciklopi vraponte i tërbuar nëpër grykën e Erzenit. Kur arriti këtu, në fund të shkëmbinjve të Krrabës, mbeti i rrethuar. Të gjithë fshatarët me qindra e qëllonin me çfarë të mundnin, shigjeta, sende metalike, sëpata, hanxharë, gurë me thepa, mjete zjarri, etj.. . Beteja zgjati disa orë. I plagosur dhe i egërsuar Ciklopi, godiste shkëmbinjtë me kthetrat e tij gjigante. Gurët çaheshin sikur të ishin baltë. Unë dëgjoja i mahnitur.

- Në fund, bisha dha shpirt pikërisht aty poshtë, - tha bariu duke treguar liqenin. - Dhe aty ku ra koka e saj, toka u hap e doli ujë i kaltër si smerald. Uji mori formën e zemrës, sepse thonë se edhe përbindëshat kanë zemër... vetëm se zemra e tyre mbushet me errësirë. Era e malit përplasej mbi shkëmbinj. Poshtë nesh, liqeni i fshehur vezullonte mes gurëve si një sy gjigant që shikonte qiellin.

-Po gërvishtjet në shkëmb? - e pyeta.

Plaku qeshi lehtë.

- Ato janë plagët e fundit të Ciklopit. Kur jepte shpirt, mundohej të ngjitej lart e çante shkëmbinjtë me kthetra. Edhe sot duken shenjat nga goditjet e tij. Heshti për pak dhe shtoi:

-Legjendat, bir, e kanë kokën në imagjinatë, por këmbët i mbajnë tek e vërteta...

Pastaj mori kërrabën dhe u nis ngadalë pas dhive, ndërsa unë mbeta aty, duke parë liqenin e kaltër në formë zemre, mes shkëmbinjve të egër të Krrabës. Dhe për një çast m'u duk sikur mali ende ruante frymën e fundit të Ciklopit.