Rovena Vata Mikeli: Mirdita - identiteti dhe pasuria gjuhësore e një krahine
MIRDITA - IDENTITETI DHE PASURIA GJUHËSORE E NJË KRAHINE
-
Libri i autorit Llesh Ndoj “Identitet - Pasuri gjuhësore e mirditasve”, një
udhëtim në gjuhën, traditat dhe shpirtin e gjallë të Mirditës -

Mirdita
nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, ajo paraqitet si një rrjedhë e
gjallë, ku çdo element i jetës, nga natyra e paprekur, te zakonet dhe vlerat
njerëzore, bashkohet për të formuar harmoninë e një kulture të qëndrueshme,
gjithmonë të gjallë dhe dinamike. Çdo mal, lug, kodër, lumë dhe shkëmb, duket
sikur flet për historinë, shpirtin dhe përvojën e një populli të lidhur ngushtë
me tokën dhe traditat e veta. Mirdita është zemra etnografike dhe folklorike e
Shqipërisë, një hapësirë ku identiteti kulturor, gjuha, traditat dhe jeta e
përditshme, ndërthuren në një mozaik të gjallë dhe koherent. Gjuha mirditore
përbën thesarin e pashkruar të kësaj krahine, mësuar dhe përcjellë brez pas
brezi në vatrën familjare. Ajo nuk shërben vetëm si mjet komunikimi, por si
pasqyrë e identitetit, historisë dhe shpirtit të këtij komuniteti. Shprehjet
frazeologjike, fjalët e urta, urimet, mallkimet dhe lutjet bartin jetën,
virtytet dhe normat morale të popullit, duke shërbyer si ura lidhëse mes të
kaluarës dhe të tashmes. Çdo fjali, çdo ritual dhe çdo zakon formojnë një
kurorë të vlerave etno - kulturore, që reflekton krenarinë, trashëgiminë dhe
mendimin e lartë të Mirditës.Traditat dhe jetesa e përditshme shfaqen të
ngarkuara me kuptime simbolike. Veshjet tradicionale të burrave dhe grave,
funksioni i kullave dhe mullinjve, simbolika e bukës dhe kripës, e njohur nga
shprehja “bukë, kripë e zemër”, nuk janë thjesht objekte apo rituale, por
bartin histori, vlerë estetike dhe strukturë shoqërore, duke krijuar një lidhje
të gjallë midis individit, komunitetit dhe natyrës. Pritja, përcjellja, festat, vallëzimet dhe
këngët përbëjnë një rrjedhë të pandërprerë të traditës dhe identitetit, ku çdo
veprim përçon vlera të përjetuara, virtyte dhe inteligjencë kolektive.
Ky
libër dokumenton detajet fonetike të së folmes mirditore, funksionin estetik
dhe ritual të jetës materiale dhe vlerave kulturore, si dhe rëndësinë e
simbolikës së bukës, mikpritjes dhe marrëdhënieve shoqërore. Lexuesi udhëton jo
vetëm në hapësirën dhe kohën e Mirditës, por edhe në mënyrën se si gjuha dhe
traditat formojnë marrëdhënie, përçojnë vlera dhe mbajnë gjallë kujtesën
kolektive. Mirdita shfaqet si një hapësirë, ku historia dhe natyra
bashkëjetojnë në një harmoni të rrallë; këtu trashëgimia folklorike,
mitologjia, virtytet burrërore dhe zakonet e shprehura në gjuhën e gjallë
ngjiten mbi çdo element të përditshëm, duke kthyer çdo rrëfim, këngë, valle apo
ritual në pjesë të një mozaiku të gjallë kulturor. Ajo nuk është thjesht një
krahinë, ajo është zemra që rreh me ritmin e Shqipërisë, një hapësirë ku
identiteti, tradita dhe gjuha bashkohen për të krijuar një trashëgimi që frymon
dhe jeton në çdo brez. Çdo faqe, çdo varg dhe çdo përshkrim i jetës mirditore
pasqyron pulsimin e zakoneve, bukurinë natyrore, ngrohtësinë e mikpritjes dhe
fuqinë e virtytit.

Vepra
e studiuesit Llesh Ndoj nuk kufizohet vetëm në analizën gjuhësore, por shtrihet
edhe në trajtimin e kulturës materiale dhe shpirtërore, duke ndërtuar një
lidhje organike midis gjuhës, kulturës dhe shoqërisë. Ky studim përbën një
kontribut të rëndësishëm dhe me vlera në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë
gjuhësore dhe kulturore shqiptare, duke e vendosur Mirditën, në një kontekst më
të gjerë etnografik dhe albanologjik, për të dëshmuar se një krahinë e kufizuar
në hapësirë, mund të mbartë një pasuri të jashtëzakonshme të vlerave gjuhësore,
etnografike, folklorike, kulturore, ku të gjitha së bashku përbëjnë trungun e
identitetit të krahinës së Mirditës. Falë edhe këtij studimi krahina e Mirditës
shfaqet si një botë e plotë, ku gjuha, tradita dhe historia bashkëjetojnë në
harmoni, duke krijuar një identitet të gjallë, që vazhdon të ripërtërihet në
kohë. Përmbajtje e këtij studimi është një dëshmi e fuqishme e kësaj
vazhdimësie, duke ruajtur në letër elementet gjuhësore, etnografike dhe
folklorike, si një tërësi organike dhe si një mozaik i domosdoshëm për
trashëgiminë dhe mbrojtjen e identitetit kulturor të krahinës së Mirditës.
Tiranë, më 25 mars 2026








