Syrja Etemi: Abdurrahman Pasha - Shqiptari që luftoi për lavdinë e Sulltanit apo viktimë e etjes për pushtet
ABDURRAHMAN PASHA -
SHQIPTARI QË LUFTOI PËR
LAVDINË E SULLTANIT APO VIKTIMË E ETJES PËR PUSHTET

Në
këto troje të moçme e të stërmoçme shqiptare të Pollogut, akoma po frymon e po
na imponohet nami i një protagonisti impenjativ, i mbështjellur me aureolën e lavdisë dhe
harresës – këtu në Pellgun ndërmjet Sharrit dhe Malit të Thatë , i cili, edhe
në këtë hapërim, po vazhdon të dergjet e
të lëngojë, sa nga inatçorët e Ballkanit, po aq edhe nga të hazdisurit e
Europës, me ç’rast, secili nga këta tekanjozë, do të lë këtu ngulur nga një
flamur prej ngadhnjyesi, mu si ai ujku zullumqar që, kur sulmon dhe llapton prenë e grigjës së pambrojtur, më në fund -
do të lë ndonjë kockë për nishan...
Më
vjen vagëllimthi në studion e kurreshtjes sime të ndezur, figura e një Pashai
“Të Ri” të Tetovës - birit të Pashait Të
Madh, siç i është dhënë epiteti , në ndonjë shtjellë të kohës së “harbuar”,
Koxha Rexhep Pashës. E, ajo figurë, ai personalitet i cili, në aparencë na paraqitet i veshur me petkun e fodullit, në kohërat e
vagëlluara, është i pleksur dhe enigmatik, e, që, për mua, më rezulton me
hijedritë, madje, edhe për nga emri që mban... Ndaj, që në fillim të shkrimit,
më shpërfaqet paqartësia për të shprehur dilemën e beftë – për të parashtruar një
vistër pyetjesh e dyzimesh:
-Si
duhet të jetë i shënuar drejt ky emër i Pashait të Ri – i të Madhit Pasha, mos
ndoshta: Abdiraman, Abduraman, Abdyraman (me I, me U apo me Y); Avdirahman,
Abdirahman (me V apo me B), Avdirahman, Avdirrahman (me një R apo me dy
RR-ëja)?
Tjetër
gjë është fakti se si është shkruar, e,
tjetër gjë është modaliteti se si është theksuar apo shqiptuar ky emër
në sarajet e Sulltanit, në Divanet e Perandorisë së Madhe, apo nga
udhëpërshkrues intixhianë, sa të mësuar aq edhe avantureskë, (siç ka qenë
gjermani i ditur, Grizebah, udhëpërshkruesit e njohur francezë Ami Bue e
Pukvili – kur shkruajnë për Tetovën e viteve dyzeta të shek.XVIII, e, më vonë,
edhe bullgarët, Toskov e Selishçev...)
E,
ku janë këtu gojëdhënat e ruajtura e të arkëtuara në kujtesën popullore? A hynë
në punë, apo na shërbejnë në këtë mes edhe mitet e legjendat nga
krijimtaria popullore apo nga thesaret e
folklorit tonë të pashtershëm?
Për
të ndjerë keqardhje...! Populli ka ditur
të krijojë, të prodhojë... por, fatkeqësisht, brezat nuk
ditën e, ndoshta akoma edhe ne nuk dimë t’i çmojmë e t’i shfrytëzojmë
këto vlera mbushulluese...!
Nëse
kërkojmë një përgjigje në gurrën tonë popullore, apo - në të folmen vendçe, që
i takon edhe Pashai i Ri, përkatësisht: A b d u rr a h m a n i (që, shpesh i
jepet epiteti edhe: Luani), do të rezultonte se, as Pollnjanët, e, as
Sharrjanët, nuk kanë patur “për qejfi” të përdorin, atë: bashkëtingëlloren e
fuqishme RR, madje, nuk kanë theksuar as shkronjën H (në disa raste), e, as nuk
kanë shqiptuar zanoren Y, bile-bile, B-në e “Lindjes” e kanë shqiptuar si: V.
Ja, po japim një shembull: Abdullah=Avdulla; Abdurahim = Avdiraim; Abdyrrahman
= Avdiramën...

Abdurrahman
Pasha – në kalë (Foto e huazuar)
E,
shih, shih! Na doli këtu edhe një tjetër mëdyshje...! Ja, edhe A-në na e paskan
shqiptuar, e po vazhdokan ta theksojnë
si: “ë” !? Jo Avdiraman, por
Avdiramën...!
Në
këndin e miqve të mi të heshtur, shfletova një libër voluminoz, që mban
autorësinë e një leksikografi kroat, me emrin Milan Vujaklia, i cili, duke
“nuhatur kureshtjen time të harlisur”, më sqaron se: Abd (arab.) don të thotë:
shërbëtor, rob, ndërsa: Abd-ur-rahman, ka kuptimin e Shërbëtorit të
Gjithëmëshirshmit. Dhe, padyshim se, unë i besova këtij shpjegimi, dhe do të
mundohem që të jem konsistent në përdorimin e këtij emri (tani: Të Madh): A b d
u rr a h m a n, edhe pse nuk di se si e ka theksuar këtë emër popullata
shqiptare e kohës, në periudhën kur ka jetuar Pashai Abdurrahman apo
Abdurrahman Pasha i Tetovës.
E,
si do që të jetë, në këtë rast nuk dua të më pandehni e të më akuzoni për
karagjoz, nëse në rrëfimin tim për kryepersonazhin e monografisë, shërbehem apo
përdori emrin e Pashait “tekanjoz” të Tetovës me ndonjërin nga emrat e
lartëpërmendur (me ngatërrim shkronjash)! Kjo praktikë do të përkojë me
kontekstin e referencave që do t’i përdori në vazhdimësi.
Por,
ti që po i lexon këto rreshta, mund të më akuzosh me mëdyshjen qortuese se,
ç’rëndësi mund të ketë çështja se si shkruhet, apo, se si shqiptohet ky emër,
kur për të flet Pollogu e Sharri, Tetova e Gostivari, Shipnia e Turkia ? Ndaj,
sipas “lëvizjeve dhe të bëmave gjëmëmëdha, të krijohet një ide përtej
përshtypjeve të “miteve” që i nënshtroheshin çdo interpretimi”, do të shprehej
Historiani i Artit - nga Tetova, i urti, Behixhudin Shehapi, për të vazhduar:
“...Abdurrahman
Pasha është një figurë shumëngjyrëshe dhe kontraverse për shumë autorë, por mbi
të gjitha - madhështore. Dashamirës, drejtues i suksesshëm i qytetit në
periudhën më të ndërlikuar të shtetit osman, pra në shekullin XIX, kur filluan
reformat e mëdha, të papritura për qeveritarët lokalë dhe rajonalë,” autor ky
që pretendon e po vazhdon të na bindë me të dhëna komplementare, se: “Ai i përballoi me sukses këto reforma, duke
u qëndruar besnik me vëllezërit e tij raporteve me kryeqytetin, por mjaft
fleksibël ndaj disa pakënaqësive të popullit që rezultuan me trazira, që njihet si:
Kryengritja e Dervish Carës e vitit 1844, e që llogaritet si një nga
protestat më të njohura në këtë shekull, e cila, sipas studiuesit të kësaj
periudhe osmane, Prof.Ilber Ortajli, përfaqëson “shekullin më të gjatë” të
shtetit osman”.
Disa
akcente në vend të përfundimit
Figura
e Abdurrahman Pashë Tetovës, pa marrë parasysh faktin se si shënohet emri i
tij, mbetet ndër personalitetet më komplekse dhe më të debatueshme të historisë
së Pollogut dhe të hapësirës shqiptare (dhe, jo vetëm) – gjatë shekullit XIX. E
vendosur në udhëkryqin e interesave perandorake, ambicieve familjare dhe
zhvillimeve të vrullshme politike të kohës, kjo figurë vazhdon të zgjojë
kureshtje, polemika dhe interpretime të ndryshme.
Në
njërën anë, ai paraqitet si një administrator i aftë, si trashëgimtar i një
dere të fuqishme pashallarësh dhe si një drejtues që arriti të ruajë
stabilitetin e krahinës në kohë të trazuara, duke ndërtuar ura komunikimi
ndërmjet pushtetit qendror Osman dhe popullsisë vendase. Në anën tjetër,
veprimtaria e tij nuk shkëputet nga realiteti i një sistemi perandorak ku
besnikëria ndaj Sulltanit dhe lufta për ruajtjen e privilegjeve shpesh
vendoseshin mbi interesat e popujve që jetonin nën atë nën sundim.
Prandaj,
pyetja e shtruar në fillim të këtij artikulli mbetet e hapur: a ishte
Abdurrahman Pasha shqiptari që luftoi për lavdinë e Sulltanit, apo figurë që,
në vorbullën e etjes për pushtet dhe të lojërave politike të kohës, u bë edhe
viktimë e tyre? Historia nuk ofron gjithmonë përgjigje të prerë. Ajo na mëson
se personalitetet e mëdha rrallëherë mund të gjykohen bardhë e zi.
Ajo
që mbetet e pakontestueshme është fakti se emri i Abdurrahman Pashës është
ngulitur thellë në kujtesën historike të Tetovës dhe Pollogut. Midis legjendës
dhe realitetit, lavdisë dhe kundërshtive, ai vazhdon të jetojë si pjesë e
identitetit historik të kësaj treve, duke na ftuar që të rikthehemi vazhdimisht
te dokumentet, gojëdhënat dhe kujtesa kolektive për ta kuptuar më drejt jo
vetëm figurën e tij, por edhe kohën e ndërlikuar që e krijoi.



