Xheladin Zeneli: Mali i Zi – shteti ku disa komuna tentojnë të udhëheqin politikën e jashtme të tij
MALI I ZI- SHTETI KU DISA KOMUNA TENTOJNË TË UDHËHEQIN ME POLITIKËN E JASHTME TË TIJ
(Çfarë
janë këto komuna që miratojnë deklarata për mosnjohjen e Kosovës?)

Miratimi
i deklaratave nga kuvendet komunale të Zetës dhe Plevlës, me të cilat kërkohet
shfuqizimi i vendimit të Malit të Zi për njohjen e Republikës së Kosovës,
përbën një precedent të pazakontë në praktikën demokratike dhe një sinjal
shqetësues për drejtimin politik të vendit.
Në
çdo shtet demokratik, komunat kanë kompetenca të përcaktuara qartë: administrimin
e territorit të njësisë së vetëqeverisjes lokale, zhvillimin ekonomik e social,
ofrimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së
qytetarëve. Politika e jashtme, njohja ose mosnjohja e shteteve dhe
marrëdhëniet ndërkombëtare janë kompetencë ekskluzive e institucioneve qendrore
të shtetit.
Prandaj
lind pyetja: me çfarë legjitimiteti politik apo kushtetues dy kuvende komunale
marrin përsipër të sfidojnë një vendim shtetëror të marrë pothuajse dy dekada
më parë?
Mali
i Zi e njohu Republikën e Kosovës në tetor të vitit 2008. Ky ishte një vendim
sovran, i marrë nga institucionet shtetërore në përputhje me orientimin
euroatlantik të vendit dhe me interesat e tij strategjike. Asnjë komunë nuk ka
mandat kushtetues për ta rishikuar apo kontestuar atë vendim.
Megjithëse
deklaratat e komunave të Zetës dhe Plevlës nuk prodhojnë pasoja juridike, ato
kanë peshë politike. Ato synojnë të krijojnë presion mbi institucionet qendrore
dhe të normalizojnë një narrativë që bie ndesh me politikën zyrtare të Malit të
Zi. Kjo është arsyeja pse ato nuk duhen parë vetëm si akte simbolike, por si
pjesë e një strategjie më të gjerë politike.
Është
e vështirë të mos shihet ndikimi i politikës zyrtare të Beogradit në këtë
proces. Prej vitesh, Serbia përpiqet ta mbajë të hapur çështjen e Kosovës në
rajon, duke përdorur edhe instrumente politike jashtë kufijve të saj. Në Mal të
Zi kjo qasje gjen përkrahje tek një pjesë e forcave politike që vazhdojnë ta
shohin politikën shtetërore përmes prizmit të interesave të Beogradit.
Në
këtë kontekst, nuk mund të anashkalohet roli i kryetarit të Kuvendit të Malit
të Zi, Andrija Mandiq. Në deklaratat e tij publike ai i referohet vazhdimisht
Kosovës si "Prishtina", duke shmangur emërtimin zyrtar
"Republika e Kosovës". Kjo nuk është thjesht çështje terminologjie,
por një mesazh politik që përputhet me retorikën zyrtare të Beogradit dhe që
bie në kundërshtim me politikën zyrtare të shtetit që ai përfaqëson.
Që
nga viti 2023, Mali i Zi qeveriset nga Lëvizja "Evropa Tani", në
koalicion edhe disa parti të spektrit pro-serb dhe pro-rus.Në këtë shumicë
qeverisëse bëjnë pjesë edhe disa subjekte politike shqiptare.
Nëse
Mali i Zi synon seriozisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ai duhet të
dëshmojë se institucionet e tij funksionojnë mbi bazën e Kushtetutës, sundimit
të ligjit dhe një politikë të jashtme koherente. Nuk mund të pretendohet
integrimi evropian, ndërkohë të lejohet që kuvendet komunale të shndërrohen në
arena të politikës së jashtme dhe të sfidojnë vendime themelore të shtetit.
Deklaratat
e komunës së Zetës dhe të Plevlës nuk e ndryshojnë statusin ndërkombëtar të
Kosovës, por ato dëmtojnë klimën politike në Mal të Zi dhe dërgojnë sinjale të
gabuara për orientimin pro europian të vendit.
Një
shtet serioz nuk mund ta ketë politikën e tij të jashtme në duart e komunave.
Nëse kjo logjikë pranohet si normale, atëherë vihet në pikëpyetje vetë
autoriteti i institucioneve shtetërore dhe funksionimi kushtetues i Malit të
Zi.
Në
një kohë kur Ballkani Perëndimor ka nevojë për
integrim dhe fqinjësi të mirë, çdo përpjekje për të instrumentalizuar
institucionet lokale për çështje të politikës së jashtme përbën një precedent
të rrezikshëm dhe ështe në kundërshtim me parimet e funksionimit të një shteti
demokratik për të cilin pretendon të jetë Mali i Zi.


