Llesh Ndoj: “Ne ose ata!” – Rujna Zot nga një ndarje e re klasore

3h më parë

“NE OSE ATA!”

RUJNA ZOT NGA NJË NDARJE E RE KLASORE

Nga Llesh Ndoj

Falë arsimimit dhe përvojës relativisht të gjatë jetësore, thuajse e barasndarë në dy sisteme politike (zyrtarisht kjo, se ideologjikisht kurrë nuk u bënë dy!), mendoj se jam në gjendje, që përmes të gjykuarit logjik, të shoh diçka “përtej murit”. Është për këtë arësye që jo rrallë më ndodh, që ndërsa të tjerët qeshin e duartrokasin, mua më vjen “të qajë”, e kur shumëkush shihet i vranësuar nga zhvillimi i ngjarjeve, unë ndjehem “plot dritë”, jo se ia dua të keqen ndokujt, por sepse pas asaj që shohin të gjithë, mbërrijnë tek unë një tufë me rreze shprese. Natyrisht nuk më ndodh gjithnjë kështu. Ka edhe shumë raste, kur dal i zhgënjyer nga vetja, por kjo s’më bën t’i mbyllë sytë e mendjes. Përkundrazi, mundohem t’a mpreh edhe më tej shikimin e saj që gabimet të jenë me pëllëmbë, e jo me pash.

Ngjarjen e mëposhtme, të cilën e kam të njohur me emra konkretë e jo thjesht si një histori që thuhet se ka ndodhur, s’dihet se kur as se ku, e sjell gjithnjë në mendje: …një burrë i urtë, thuhet se ishte disi dembel. Radha e ujit në fshat ishte e rrallë dhe uji duhej shfrytëzuar mire, ndryshe po të kalonte qoftë edhe një orë nga rendi, asnjë kokërr bereqet nuk merrje. Kështu, ditën që kishte rendin plaku, sapo e mori ujin në administrim, në qiell u shfaq një re dhe filluan të binin pikat e para të shiut në tokë, bash kur ai po bëhej gati për të nisur vaditjen e misrit. Dhe plaku dembel tha me vete: - Sa mirë po m’a di hallin, more Zot!

Ishte zhegu i ditës prandaj ia ktheu presën ujit të vazhdonte udhën e tij, dhe u ul për të marrë një sy gjumë. Kur u zgjua, toka po kallej, por rendi i ujit kishte fluturue...

- Ouuuu!, - mendoi me vete, - rreka (gënjeka) edhe Zoti, e ç’faj kam unë?

***

Ka mbi tri dekada e gjysëm, që teorikisht e kemi lënë pas të mallkuarën luftë klasash, e prapë ne vazhdojmë t’a etiketojmë njëri - tjetrin në komunistë e antikomunistë, në komunistë e kulakë, në nacionalistë e legalistë, në tanët dhe të atyre, e unë kurrë nuk e kam kuptuar këtë. Nuk e kam kuptuar se si mund të quhen ish - anëtarët e partisë së rrëzuar nga pushteti komunistë, kur teoria komuniste thotë, se pushteti merret dhe mbahet me grykën e pushkës, por ata të shkretët (përjashtoj udhëheqjen e lartë!) u gjenden të tradhëtuar nga vetja dhe, jo pushkë, por as fjalë nuk gjuajtën për mbrojtjen e sistemit të vjetër. Më batakçinjtë prej tyre, iu turrën “kap ç’të kapësh” ekonomisë, ndërsa ata që s’jetonin dot pa politikën, iu bashkuan partive të reja antikomuniste, që u formuan si kërpudhat pas shiut. Por as “kampin tjetër” kurrë se kam kuptuar pse ishin të damkosur, e si lisat në pyll, pas këtij procesi i priste sharra. Kurrë nuk e kuptova kur isha fëmijë, se si nuk kisha të drejtë të shkoja tek disa familje të nderuara me bashkëmoshatarët e mi, fëmijë të tyre. Nuk e kuptova cilësimin “ata”, as kur u bëra drejtues ekonomie e këta që quheshin ata, ishin njerëzit më të mirë e më punëtorë, që kisha të bëja me ta. Ishin edhe më mikpritësit, e unë e “shfrytëzoja” natën edhe me pi ndonjë kafe me ndonjërin prej tyre. Po tash, pse vazhdojmë t’i etiketojmë thuajse njësoj, me ata, kur shumica e tyre ishin e mbetën këta, si ne, pa pushtet e me dëshirat për një shoqëri, e cila në plan të parë vendos përparimin e jo ndarjet klasore. Në se them se “më dhimbsen” ndoshta do të keqkuptohen, por po, e them me bindje se më dhimbsen një pjesë e tyre, sepse mbeten si dje, të papërfillur e jashtë çdo vendimmarrje, ndonëse e meritojnë plotësisht, ndërkohë që disa që dje ishin komunista e “ma merrnin frymën” edhe mua, për “moskuptim të drejtë të çështjeve të pronës socialiste”, apo “zbutje të luftës së klasave”, tashmë janë në majat e pushtetit të ri, në shtet po edhe në opozitë. Ndodh me një kategori personash që duke “kaluar ylberin” nga ata bëhen ne, e të tjerë që për një fjalë, nga tanët bëhen të atyre…

E kjo është çudia më e madhe!

***

Nuk kërkoj të më mirëkuptojnë të gjithë, sidomos këta “të kupolës së protestës”, apo të “revolucionit flamingo”, por e kam pritur me kënaqësinë e shpirtit atë, sidomos në ditët e para. Revolucioni, mendova unë, i bashkon njerëzit drejt qëllimeve madhore dhe tashmë shqiptarët, pa ne dhe ata, do të hapin një faqe të re në historinë e tyre. Kuptova gjithnjë arsyet pse ata njerëz ishin në shesh, edhe pse me syrin e mendjes dallova prapa saj interesa okulte, “mace që rrinin nën sofër” duke pritur rastin, para të pista, interesa kriminale e të tjera. “Kauza ishte përbashkuese, e ajo do t’i pastrojë ferrat gjatë udhës”, mondova. Desha të shkoja një ditë, e pse jo, edhe të flisja aty, nga shkalla podium. Të flisja për asgjë personale apo familjare, edhe pse brenda familjes sime “flenë” 6 diploma e rreth tetë dekada vite shkolle në 5 veta në moshë pune, por që përveç nesh ato nuk “i vlejnë shoqërisë”, që ka zgjedhur në krye, deri në majë, e ata që diploma poshtërsie kanë plot, por arsimin e mesëm nuk e kanë mbaruar dot. Do të flisja aty për nevojën e një ndryshimi, së pari konceptual, për nevojën e ndërtimit të një shteti që t’a duam e jo t’a urrejmë, për një shoqëri ku paqja sociale është prishur, dhe e para gjë që duhet bërë është vendosja e saj. (Desha të shkruaj rivendosja, por ndërrova mendje shpejt se realisht nuk di a e kemi patur ndonjëherë një të tillë?!). Pastaj të propozoja, që të krijohet një parti politike me emrin “Ardhmëria”, e cila të merrte përsipër tejkalimin përfundimtar të gjendjes ku jemi dhe pikat kryesore të programit të saj, përfshirë ndryshimin radikal të sistemit politik (atij real jo teorik), të formuloheshin nga bijë emigrantë, profesorë të së drejtës e të ekonomisë, e të firmoseshin nga pjesmarrësit që dëshirojnë live në sheshin “Nënë Tereza”, tek shkallët e universitetit, si shenjë që prej tash mendja do t’a marr kryet e vendit.

Mirëpo kryet ma pushtuan thirrjet e ngjirrura “vdekje”, “burg”, “tradhëtarë”, “shitës e të shitur”, e plot sllogane të tjera, që m’a zunë frymën akoma “pa dal” në podium. Pastaj u kthjellova disi. Gjatë transmetimit live të protestës, kisha parë rreth podiumit (shkallëve të stisura) disa njerëz, të cilët kontrollonin se kush duhet t’a marrë fjalën e kush jo. Thashë se ata do të kenë “hapur dosjet” dhe kanë mësuar se unë kam qenë anëtar partie, kam qenë kryetar kooperative, kam qenë edhe i zgjedhur në disa nga forumet e kohës, që s’po e lëmë dot pas, e pastaj ose s’ma japin mikrofonin, ose më “masakrojnë” me fjalët “komunist”, “tradhëtarë” “provokator” etj.

***

Vërtetë e ndjek protestën çdo ditë, ashtu siç i ndjek zhvillimet postprotesta e ditës, nëpër opinione e rrjetet sociale. Vazhdon të më habisë dhe frymëzojë njëkohësisht rezistenca e saj, qëndrueshmëria e vijimësia, përtej numrave të pjesmarrjësve, tkurrur dukshëm. Një kauzë e drejtë, mendoj me vete, s’ka nevojë për numra, por për artikulim të qartë e për programim të mirë, që fjala të bëhet vepër. Ashtu siç ka nevojë edhe për lidership të kthjelltë e të besueshëm, jo për ulurima, as për vezë, as për thirrjet “vdekje e burg”, në vend të “eja të bashkohemi të gjithë” kundër së keqes, brenda vetes në radhë të parë.

Konstatoj me shqetësim se lidershipi i këtyre përmasave mungon, e aq sa është shfaqur ai nuk është i besueshëm, se kujdesi parësorë i tij ka nisur të përqëndohet tek “ndarja e tortës”, etj. Etiketimet “komunistë” e “flamingo”, “të tanët, e të askujt”, “tradhëtarë e atdhetarë”, “shitës të atdheut” e “mbrojtës” të tij, plasin sapo dikush hedh një mendim ( qoftë edhe si ky i imi sot!) pa uluritje, pa urrejtje, ndaj të cilëve thirret në punë një fjalor që shfletohet nga faqja e fundit. Më vjen të bërtas fort: - Boll në luftë me veten! Shoqëria shqiptare ka nevojë jo për një luftë të re klasore, por për kohezion social, ka nevojë jo për drejtues pa shkollë e pa mend, kinse revolucionarë, por për udhëheqës që i prijnë zhvillimit, jo për “barkderra” që s’kanë të ngopur me pasuritë e brezave të djeshëm, të sotëm e të nesërm, por për të tillë që shkrinë pasurinë e tyre për vendin, jo për “profesorë” që duke shijuar jetën në perëndim e deri në amerikë, na japin mend ne “invalidëve” që vazhdojmë të besojmë se Shqipërinë e ndërtojnë shqiptarët, por për të tillë që vijnë dhe i prinë vendit, duke nisur nga revolucioni “flamingo”. Sidomos ca “profesorë” e teoricenë pa krye nga trojet shqiptare jashtë kufirit, që e “kanë ndritur” me kontribute aty ku jetojnë, duhet të vetpërmbahen e të kuptojnë se Shqipëria vuan për njerëz të veprimit, pasi filozofë kemi përgatitur mjaft për pesëdhjetë vite, dhe të ndalojnë nxitjen e përçarjes së mëtejshme mes shqiptarëve. Qeverisja është çështje e të qeverisurve prej saj, ndaj nuk mund t’i kuptoj dot as ata, që s’e kanë të drejtën e votës (albin mehmetët e albin mahmutët, që nxinë në heshtje), as ata shqiptarë të Shqipërisë që kurrë nuk kanë votuar, apo e kanë bërë këtë gjithnjë pro pushtetit. Një luftë e re klasore s’është gjë tjetër, përveçse oksigjen për ata që nuk e duan, jo vetëm Shqipërinë, por as Kosovën e mbarë shqiptarinë.

Gjendja jonë si shoqëri, fatkeqësisht shpesh më kujton një histori rojesh vreshti në sistemin e kaluar, e cila është afërsisht e tillë: …Dy roje ruanin një vresht, njëri në krye të kodrinës ku shtrihej vreshti, e tjetri në fund të saj. Nga aty ku ishin duke qëndruar së bashku “me tremb” gjumin, dalluan se dikush hyri për të vjedhur në vresht në fundin e kodrinës.

- Shko, - i tha roja e kreut asaj te pjesës fundore, - kape e sille këtu t’a “mjeshtrojmë” mirë të dy!

Roja shkoi, e kapi hajdutin, por hajduti nisi t’a “mjeshtëronte” pa mëshirë atë…

- A e kape?, - i thërret roja e kreut.

- E kapa, e kapa!, - i përgjigjet ai i fundit.

- Sille këtu! - i thërret ai perseri.

- Nuk mundem, - i përgjigjet tjetri.

Duke e kuptuar gjendjen roja e epërme i thotë rojes së poshtme:

- Lëshoje!

- Qeshë tu e lëshue, po s’më lëshon ai mue…

Për analogji: Ne e kemi lëshuar komunizmin, por ai nuk po na lëshon ne …fatkeqësisht. Askujt nuk mund t’i imponohesh me urdhëra e force, që të të doje me patjetër, por mund t’i imponohesh me shembullin pozitiv, ndërkohë që flaka e urrejtjes djeg vendin e mbulon çdo gjurmë, edhe nëse ato janë tërheqëse e plot ngjyra, si kjo sfilata e flamingove. Pushteti në demokraci ndryshohet me votë, kryesisht me votën pohuese, e revolta duhet të grumbullojë vota pro kauzës, jo urrejtje ndaj vetes dhe shoqërisë, sepse urrejtja nuk eshtë nga ato llojë helmesh të cilit i shpëton ena e vet.