Shefqet Dibrani: Libër me porosi për jetën dhe shëndetin e njeriut
Vitrina e librit:
LIBËR
ME POROSI PËR JETËN DHE SHËNDETIN E NJERIUT
Idriz
(Ibrahim) Shabani, "SI TA PËRTËRIJMË JETËN", meditime dhe frymëzime,
botoi Shtëpia Botuese "DritaPress", Prishtinë, 2026. Libri ka 130
faqe dhe ISBN 978-9951-825-76-4.
Këto
ditë, Shtëpia Botuese "DritaPress", e drejtuar nga Naser Vitija,
nxori nga shtypi librin e mësuesit veteran Idriz (Ibrahim) Shabani, "SI TA
PËRTËRIJMË JETËN", meditime dhe frymëzime. Ky libër është botuar falë
humanizmit të kushërinjve të autorit dhe vjen në kuadër të 90-vjetorit të
mësuesit të parë në fshatin Gërdoc të Llapit, Idriz Ibrahim Shabani, i cili është
edhe banori më i moshuar i këtij fshati. Në proces botimi është edhe një libër
tjetër me kujtime për fshatin e tij të lindjes, Gërdocin.
Idriz
Shabani ka lindur më 7 nëntor 1936 në fshatin Gërdoc, Komuna e Podujevës.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Halabak, gjimnazin e ulët në Podujevë,
ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë. Gjatë gjithë jetës së tij profesionale
punoi si mësues, duke i kushtuar arsimit rreth dyzet vjet, deri në pension.
Mësuesi
Idriz, sivjet nëntëdhjetëvjeçar, është mësuesi dhe intelektuali i parë në
fshatin Gërdoc. Gjatë viteve shtatëdhjetë të shekullit XX është shpërngulur në
Podujevë, ndërsa pas luftës, së bashku me familjen, është vendosur në
Prishtinë.
Dy
librat e tij, që mund të cilësohen si vepra me vlerë të veçantë, dëshmojnë se
puna e pedagogut shkon përtej angazhimit të përditshëm me ditar në dorë. Njëri
libër përmbledh kujtime për fshatin e lindjes, ndërsa ky i botuari, synon të
stimulojë imagjinatën dhe të theksojë rëndësinë e saj në jetën e njeriut. Këto
vepra, pa dyshim, përbëjnë një kontribut të çmuar në kulturën e librit në
Kosovë.
"Jeta
nuk është luftë, por është lojë!", ka shkruar vetë autori, duke e cilësuar
atë si një "lojë të dhënies dhe marrjes". Sipas tij, "çfarëdo që
të thotë ose të bëjë njeriu, do t'i kthehet në jetë; atë që e jep, atë do ta
fitojë". Në shënimet e tij, vendosur në përmbyllje të librit ai thekson:
"Nëse jep dashuri, do të fitosh dashuri; nëse jep urrejtje, do të fitosh
urrejtje; nëse gënjen, do të të gënjejnë". Prandaj, libri na mëson se
fuqia e imagjinatës është thelbësore në rrugëtimin jetësor. "Atë që e
imagjinon njeriu, herët a vonë do ta realizojë", shprehet autori, duke
shtuar se "nëse mendojmë mirë, atëherë mund të sjellim në jetën tonë çdo
dëshirë të arsyeshme: shëndetin, mirëqenien, dashurinë, miqtë dhe
vetërealizimin".
Autori
është mbështetur edhe në literaturë të ndryshme dhe, së bashku me librin tjetër
që pritet të botohet në këtë jubile, falë përkrahjes së kushërinjve të tij:
Nazmiut, Shemsiut, Shaipit, Beqirit, Ujupit dhe Fehmiut, Mësuesi Ynë Idriz
Shabani, po e realizon ëndrrën e tij për botimin e këtyre veprave. Sipas tyre,
gjatë kësaj vere do të organizohet një manifestim për të shënuar 90-vjetorin e
lindjes dhe promovimin e librave.
Redaktor
dhe lektor i librit është Sulejman Dërmaku, ndërsa recensent Ilir Prapashtica.
Libri është përgatitur nga Shefqet Dibrani, i cili ka shkruar edhe parathënien.
"Guximi bart në vete gjenialitetin dhe magjinë. Të gjitha sëmundjet dhe
fatkeqësitë nxiten nga shkelja e ligjit të dashurisë". Prandaj, "ky
libër frymëzues na tregon se si secili nga ne mund ta ndryshojë gjendjen e vet,
nëse mendon mirë...".
Të
gjithë ata që e njohin Mësuesin Idriz i gëzohen këtij suksesi dhe i dëshirojnë
jetë të gjatë autorit.
Prishtinë, 22 prill 2026
Shefqet Dibrani












