Sevdail Hyseni: “Kohë pa shpirt” - një thirrje poetike për reflektim në kohët moderne
Përurim libri
“Kohë
pa shpirt” - një thirrje poetike për reflektim në kohët moderne
Të
shtunën, më 25 prill, në ambientet e Bibliotekës “Fan S. Noli” në Gjilan, u
përurua libri i parë poetik i autores Makfire Shala, me titull simbolik “Kohë
pa shpirt”. Poetja, e cila jeton dhe vepron në diasporë, u paraqit para
publikut me një vepër që sjell një zë të ndjeshëm dhe reflektiv në poezinë
bashkëkohore shqipe.
Për
librin foli redaktori i tij, Sevdail Hyseni, i cili vlerësoi se “Kohë pa
shpirt” përfaqëson një udhëtim të thellë shpirtëror në botën e njeriut modern,
i cili përballet vazhdimisht me kontrastet e jetës - mes dritës dhe errësirës,
shpresës dhe zhgënjimit, besimit dhe dyshimit. Sipas tij, autorja nuk synon
thjesht të krijojë poezi si formë artistike, por ndërton ura reflektimi mbi
jetën, marrëdhëniet njerëzore dhe raportin e individit me vetveten, me tjetrin
dhe me krijuesin.
Duke
u ndalur në përmbajtjen tematike të librit, Hyseni theksoi se poezitë e Makfire
Shalës trajtojnë tema universale si dashuria për jetën, mirësia, falënderimi,
dhimbja, vetmia dhe kërkimi i kuptimit, të cilat ndërthuren natyrshëm për të
krijuar një mozaik të pasur përjetimesh njerëzore. “Ky libër nuk lexohet vetëm
me sy, por mbi të gjitha me zemër”, u shpreh ai.
Në cilësinë e redaktorit, Hyseni shtoi se në këtë dorëshkrim ka gjetur një zë të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe emocionalisht të ngarkuar, i cili nuk imponon të vërteta, por fton lexuesin në reflektim të thellë personal. Sipas tij, vlera më e madhe e këtij vëllimi qëndron pikërisht në komunikimin e drejtpërdrejtë shpirtëror që krijon me lexuesin.
Kadriu
potencoi se “Kohë pa shpirt” paraqet një univers të pasur reflektimesh
filozofike dhe shpirtërore, ku autorja ndërton një dialog të vazhdueshëm me
jetën dhe njeriun bashkëkohor. Sipas tij, kjo poezi është një poezi meditimi
dhe kërkimi, që vjen si reagim ndaj një bote gjithnjë e më të zhurmshme dhe
shpesh të zbrazët shpirtërisht. Ai e përmbylli vlerësimin e tij duke e cilësuar
këtë vëllim si një zë të qetë, por të qëndrueshëm në poezinë reflektive
bashkëkohore, që fton lexuesin të ndalet dhe të rikthehet tek vetvetja.
Në
kuadër të këtij manifestimi letrar, u paraqit edhe shkrimtari Shaban Emini, i
cili përgëzoi autoren për botimin e librit të saj të parë. Ai interpretoi para
të pranishmëve poezinë “Lutja e babës për vajzat e tij”, e cila ngjalli
emocione të veçanta në sallë. Në shenjë mbështetjeje dhe inkurajimi, Emini i
dhuroi autores një libër të tij, duke e motivuar që të vazhdojë rrugën e saj
krijuese.
Në
fund të këtij aktiviteti, autorja Makfire Shala falënderoi të gjithë
pjesëmarrësit për praninë dhe mbështetjen e tyre, me një mirënjohje të veçantë
për redaktorin, recensentin dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e
këtij botimi. Ajo e cilësoi këtë libër si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin
e saj krijues dhe një dëshmi të përkushtimit ndaj fjalës së shkruar.
Përurimi
i librit “Kohë pa shpirt” u përmbyll në një atmosferë të ngrohtë dhe
reflektuese, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e letërsisë si mjet për të
kuptuar më mirë veten dhe botën që na rrethon.













