Sevdail Hyseni: Inflacioni

12.05.2025, 01:09 PM (GMT)

Sevdail Hyseni

Satirike

Inflacioni

Në mes të qytetit, me bastun të artë,

Zotëri Inflacioni ecën me kokën lartë.

Veshur me kostum, shifra e statistikë,

Në çdo hap të tij rrjedh nga një kritikë.

Euro, leku, dollari me sy të zgurdulluar,

Në krizën monetare, janë të zhvlerësuar.

Në banka rrinë të trembura e pa shpresë,

Posa të dalin jashtë, shkrihen sikur vesë.

Gjeneral Çmimi shkon me këpucë floriri,

Vendos tarifë çmimore, si hallka zinxhiri.

Shtrenjtohen: rryma, ushqimi, karburanti,

Edhe uji i rubinetit merr status restoranti.

Inflacioni është një sëmundje epidemike,

S’e ndalin vaksinat, infuzionet ekonomike.

Në këtë krizë të thellë, midis premtimeve,

Kuleta digjet nga temperatura e çmimeve.

Në vend që të hamë tri herë në ditë ushqim,

Po aq mendojmë se çfarë do hanim pa çmim.

Vetëm ata nëpër pozita, e thonë me mandat,

Sot është modernizëm me ngrënë imagjinatë!