Resmi Osmani: Halili dhe Tanusha

Rapsodi
Nga
Resmi Osmani
Dhe
pranvera erdhi. Lisat, ahat dhe blijtë u veshën me rroben e gjelbër. Bora
shkriu dhe ujrat morën rrugën e detit. Livadhet u stolisën me lule. Në kurorat
e drurëve këndonin bilbilat. Ishte mesditë. Halili, që mezi e kishte pritur
këtë ditë, kaluar mbi gjokun, u ngjit në
kreshtën e bjeshkës, fill i vetëm. I bënin shoqëri mendimet e tij.Koha rridhte
pa pra. E djeshmja ishte e shkuara, e sotmja e tanishmja, e nesërmja e ardhmja.
E shkuara e mbushur me kujtime, e tashmja për të marrë vendime, e nesërmja, në
kërkim të dashurisë. Frynte fllad dhe dielli ndrinte,por pak nxehte, qielli pa
re i lbyri sytë me kaltërsinë e
kthiellët.Te lisi i madh, ku mrizonin delet dhe rridhte burimi,brisk I ftohtë dhe
i pastër si loti, i zbriti kalit. I dha të pinte ujë, piu dhe vetë dhe u
flladit. I hodhi sytë nga perëndimi. Atje ishte deti. Kotorret e reja dhe
kullat e krajlit ku e çonte jetën
Tanusha.
Ah
Tanusha! E dashur, e bukur si zana, princeshë, bija e vetme e krajlit. Ofshama
e zëshme, që i dol inga shpirti, si një thirrje dëshpërimi, jehoi në bjeshkë,
bjeshka ja ktheu luginës dhe gjithë hapsirës.Tanushaaaaa! Mbase e dëgjonte edhe
Tanusha, atje në sarajet e Kotorrit.
Tanusha, emri i saj vetë bukuria,i mbushte zemrën e përvëluar, vegimi i saj s’u ndahej
syve dhe mendimeve në gjithë ditët e lume. Që nga njohja e tyre kishin kaluar dy mot-mot e dy
pranvera. Vegimi i asaj dite nuk i hiqej
sysh sa të ishte gjall. Atbotë, krahina dhe Krajlia, ishin në besë e në
paqe. Halili me një tubë djelmoshash trima e gazmorë nga Klladusha, ranë në
Kotorre në ditë pazari. Tollovi e madhe. Shitësit vikasnin për të lëvduar
mallin e tyre. Gjindja sillej lart e posht dhe ndalej tezgave. Ashtu bëri edhe
Halili. Rryma njerëzore e vuri përpara derisa u ndal përball një argjëndari, me
tezgën mbushur me stoli gjithëfar
llojesh, ari dhe sermi: unaza me gur jeshil e të kuq si gjaku, byzylyk,
vathë, varëse me perla, në to të
ngallmuar diamante dhe gurë të çmuar. Rezet e diellit i bënin rrëzëllitëse aq
sa të lbyrnin sytë. Para tezgës qëndronte një vashë, por Halili i shihte vetëm
shpinën dhe kryet lidhur me një rubë mëndafshi stolisur me ar. Vajza si ta
ndjente shikimin, ktheu kryet prapa. Halili u shtang.S’u besoj syve: ç’ishte
ajo që iu shfaq, vashë apo zanë mali? Të tillë bukuri ai askund s’kish hasur
dhe as besonte të haste në faqe të dheut: shtati i saj si shtat’ i çetinës në
bjeshkë. Ajo ia nguli vështrimin. Fytyra e saj kuq si molla në degë. Sytë si
kokrra e qershisë spërkatur me dritë; qerpikët si krahu i dallëndyshes;
mbi ta hije u bënte fiskaja e vetullave. Vasha i buzëqeshi, buzëqeshja e saj si
drita e diellit, dhëmbët e bardhë si gurzit e lumit kur i ndrit dielli pas
shiut. Ai u avit që t’i afrohej. Goja e vogël , buzët si lulja e kuqe në
shpërthim. Flokët e gjata derdhur pas
shpine, të zeza si penda e korbit,
shtegu i ballit si shtegu i malit kur e ndrit hana. Ajo si e ndjerë në zor, e ngriti pak kryet,
gusha e saj si gusha e pllumbit. Halili i tërhequr nga një ngasje e
pavullnetshme, bëri një hap para,të ndodhej pranë saj, por roja i vashës e
sprapsi. Sakaq vasha i tha ta linte djalin. Halili i mori dorën në të vetën. E
ngrohtë e butë, ngrohtësia e saj i kaploi shtatin i bëri zemrën t’i dridhej si
të donte të shpërthente gjoksin.
-
Më thuaj moj çikë, a je vajzë, e lindur prej robi, apo zanë mali që të ka dhënë
zoti?
Ajo
u step nga guximi i djalit, por ja si ja ktheu përgjigjen:
-Më
quajnë Tanushë, çikë jam, e nana më ka lindur. Bijë e vetme e Krajle Rad
kapidanit.
Atbotë
Tanusha sytë s’po ja ndan djalit: Djalë më të hijshëm me sy s’kish parë. Trupi
i tij si i bredhit t’breshtës ,shpatullat si shkëmbi i malit të dy sytë si
gurra drite, si sy zanash që të shitojnë me të parë.Dredhë mustaqet, të zeza si
pënda e korbit, shpërvjelë vetullat si laku i kreshtës kur mbi të bie rrezja e diellit. Veshur e ngjeshur si zotni,
mbi krye plisi i bardhë si bora e malit.
Edhe
ajo deshi për ‘të të dinte:
-Po
ti kush je e kah vjen o trim i ri? Se
nga veshja e pamja s’më dukesh si djalë krajlie.
-Sokole
Halili emrin ma thonë. Jam vllai i kreshnikut Gjeto Basho Muji të Jutbinës. Nga
fis e farë e Rabanëve.
-
Qofsh shëndosh e tungatjeta o djal’i ri, po ç’farë të pruni n’viset tona?
-Shpresa
se do të hasja një çikë të bukur si zana. E për nuse n’kullën time ta gëzoja, se ma do shpirti ,hem mosha m’ka ardhur për t’vënë kurorë.
Ajo
heshti. Ishte një heshtje që fliste më shumë se fjalët, sytë thoshin atë që se
fliste goja. Dhe me zë si murmurimë:
-Dhe beson se e gjete?
-Bash
është ajo që ma bën këtë pyetje!
Tanusha
e kapur në befasi heshti. Guximi i tij e stepi. As po as jo.Deshi ti kthente
një fjalë fluturake: nëse e kishte përnjimënd apo bënte hajgare dhe kështu u
thoshte gjithë vajzave që haste, por ishte nën sy e vesh të rojeve që i kish
vënë tata. U kthye nga tezga dhe zgjodhi një unazë ari me gur të kuq si gjaku.
E provoi, i vinte e madhe. E la.Të njëjtën bëri dhe Halili, e mori atë unazë
dhe e vuri në gisht. Unaza i rrinte
përbukuri. Pagoi dy dukat dhe e mori pa
e hequr nga gishti. le të ishte ajo unazë peng dashurie. Tanusha e rrethuar nga rojet e saj, mori
udhën për në saraje, por koka i mbeti e kthyer pas, pa ja ndarë sytë djalit.Për
Halilin, ishte një premtim i heshtur si
një besë e dhënë.
Halili
pa që në treg reshperonin edhe çika të tjera, por askush nuk ia zuri synë.
Ku ato e ku Tanusha!
Halili
u kthye në Klladushë. Me trup ishte aty po me mëndje te Tanusha. Sa herë
kujtohej për të në trup i shpifej një zjarrmi dhe këputje e ëmbël, ndjehej ndryshe. As në dhe
as në qiell! U veçua nga shoqëria, iu pre
oreksi, u arratis gjumi. Me pamjen e saj, vështrimin, buzëqeshjen, me të gdhihej
e me të errej, asgjë tjetër si hynte në sy. E vuante shpirtërisht mungesën e
saj.Thonë larg syve ,larg zemrës, me të nuk ndodhte kështu, larg syve pranë
zemrës! Askujt nuk ja tha, askush nuk e diti.Të shtëpisë e vunë re përhumbjen
dhe hutimin e tij, por nuk e pyetën se ç’ishte ajo lëngatë e heshtur. Ai pyeste
veten: kjo dhëmbje dhe molisje ëmbëlcake, që e bënte zemrën të shpeshtonte
rrahjet, trupin të mpihej dhe mëndjen të çartej, ishte dashuria? Dashuri me
shikim të parë?
Shumë
nuk vonoj dhe krajli i pabesë, e prishi paqen dhe e theu fjalën e dhënë.
Jutbina dhe Krajlia u gjendën në luftë. Rruga për në kotorre u mbyll për
Halilin dhe e ndau nga Tanusha. Ajo mbeti në ëndërrat e tij. Rruga u mbyll, po
shpresa mbeti gjall, e pa fashitur.
* *
*
Këto
ishte duke sjellë ndërmend Halili, fillikat i vetëm, midis tokës e qiellit,
atje majë kreshtës së bjeshkës. Kishte rënë në hall. Atë donin ta martonin. I
thanë se i kishte ardhur mosha. Lokja ishte plakur. Motet e kishin rënduar. E kunata Ajkuna e vetme s’mund t’i
bënte ballë punëve të kullës me tre kate, kujdesit për fëmijët, kuajt e shalës, shpendëve dhe gjësë së
gjallë. Kish nisur të ankohej. I duhej shtëpisë një nuse e re që t’i bëhej
krah, hem i kunati të rehatohej e kulla
me vocrrakë të gëzohej.
Dhe
ja si kish nisur e gjithë kjo: Ishte fund shkurti. Në një ditë të kthiellët por
të acart’ e të akullt, kur dielli
ndrinte por nuk nxehte, agot e Jutbinës hipur mbi gjokat dolën për të
çetuar. Papritur qielli u nxi, reja zuri diellin , bora mbuloi vendin, era që
përziente mjegulln dhe borën pengonte shikimin. Atëherë agot të mardhur e të
ngrirë nga ftohma, msynë kullën e Gjeto Basho Mujit. Mir’ e bukur agot në kullë
i pritën. Zjarri me dru të lista në vatër brambulliu, oda u ngroh dhe agove
shpirti u erdhi në vend. Bucelat me raki dhe fuçitë me verë të vjetër, u
ngrohën trupin agove dhe u zgjidhën gjuhën, e nisën të bëjnë hoka e të llafosin.
Atbotë, njeri prej agove iu drejtua ago Gjeto Basho Mujit:
-Në
votër tande Mujo kem qillue, mos na ki randë për një fjalë që dum me
t’thanë. Pash njat zot Mujo q’tka dhanë,
qysh Halilin se martove? Janë martuar krejt moshatarët e tij, djelm e çika zoti
u ka falë, djelt e tyne t’tanë në lojë kanë dalë. Apo t’dhimbsen paret me i
dhanë, apo t’ dhimbset dasma për me e
ba?
-Zoti
t’vraftë ago Basho Jona, asgja s’më dhimbet prej atyne që sapo fole. Veç ta dini: se kam lanë për pare pse nuk i pata,se
kam lënë për mik e vashë pse nuk mund gjeta, veç Halili vetë nuk don me u
martue.
Mandej
Halilit i ka folur plaku Osman Aga:
-Pa
na thuaj or trim , që edhe na t’a dimë, përse
nuk don t’martohesh? Ditë e madhe nesër ka qëlluar, tridhjet agë kan për
t’ u bashkuar dhe tridhjet vasha t’i kanë prurë. Atë ma t’mirën zgjidhe ti dhe
ne të tridhjetë agot për hajr ta bajmë!
-U
vraftë Zoti o agot e Jutbinës! E si mund të martohem, kur krejt gratë dhe çikat
e Klladushës, Jutbinës, e Krahinës, bash
si motra t’ lindura nga një nanë e babë po më duken? A keni dëgjuar midis tokës
dhe qiellit, se u martua vllai me motrën e vet? Një be të madhe kam bamun në
emër të zotit të madhënueshëm, qi ja martohem me gur e dhe, ja e kam marrë nuse
Tanushën, çikën e krajlit. E un tanushën vet e kam parë, në Kotorre t’reja, kur
kemi patur besë me krajli. Gjë më të mirë nuk sheh njeriu nën këtë diell! Fjalë e besë me të kam lidhun.
Këto
tha Halili dhe vrik dol inga oda.
* *
*
Bora
qafat e malit i kish zënë, asnjë shteg për të kaluar nuk kish lënë. Atbotë
Halili i dëshpëruar u ankua : ” Në qafë më paçi
mori bjeshkët e nalta, në qafë më paç edhe ti det, që kurkund një shteg
nuk ma latë, për me dalun deri n’atë krajli, sall të dal sa me qit kunorë!
Deti
dhe bjeshkët ankesën e kanë dëgjuar. Deti lëshoj frymën e ngrohtë, ka lëshuar
qielli renë e zezë dhe shiu nuk rreshti dit e net. Ranë ortekët me rrropamë
nëpër pllaja, veç tre dit e nuk ka zgjatur, u shkri bora e ra në lumë, për tri
javë e më s’ka zgjatur, ksula e borës në bjeshkë ka shkrirë. Pranvera erdhi,
bari gjelbëroi e lulet çelën fushave, çpo këndojnë bilbilat n’mal, blegërijnë
qingjat staneve, po lodrojnë fëmija shesheve, gjethin e veshi lisi blini e ahu.
Lum
për ty o i lumi zot!Ç’ka po ban Halili sot?
Në
oborr të kullës, të dy vëllëzërit kanë dalë.Me ta u bashkua edhe Nanlokja. Pas
një heshtjeje ,si zakon s’e kishin, Halili po i thotë Mujos: “ Dëgjo ç’ka du me
t’thanë, vlla: edhe po ta di se më ka mbrrit
ora e dekës, nuk zbrapsem. Për krajli do nisem ,Tanushën për t’a marrë.
Qetash muj gjogun ti ke me ma dhanë?”
Muji sa fort po mahitet mustaku n’buzë po i dridhet. “T’ vraft Zoti, Halil,
ç’ka po thue! Ti kryet në krajli don me e lanë, që fill i vetëm po e msyn. Vlla
mblidh mënt e kresë. Jo. Gjokun nuk jam tue ta dhanë”. Halili nuk e përsëdyti
kërkesën, por edhe fjalë nuk bëri me të vllanë.Ishte e kotë. Ja njihte huqet
dhe ja dinte mendjen . Nga hauri nxorri gjokun e vet, të gatitur e shaluar , i lehtë si pupël mbi të ka ra dhe asht
nisun Tanushën për me marrun. Kur nga porta hala s’kish dalun, ja çka i thotë
Nanlokja e motnueme Mujit: “Po ti çfar bane mor bir, gjokun djalit që s’ja dhe?
Po sikur në krajli, larg kjoft, djalin e keqja me e gjet, sa të jetë jeta peng
në zemër do ta kesh. Dhe Muji nga fjalët e nanës ndrroi mëndje. ”Ndal Halil, -
t’vëllait i ka thënë dhe gjokun e vet ja
ka dhënë. E bashkë me të edhe një porosi:
-
Udha e mbarë të kjoftë tash more vlla.Kur të arrish në kufi të krajlisë, kryet
gjokut mos ja ndal. Ai rrugën vet e din dhe te çon te Vuk Harambashi. Probatin
Vukun e kam pasë. Fal me shndet, thuaji, Muji t’ka çue, për një punë ti vllath me më ndihmue. Me
më ndihmue me pare dhe me shpatë, me m’ndihmue Tanushën e krajlit për nuse me e
marrë.
Atëherë
Halili gjokut t’Mujit i ka kërcyer në shpinë ” T’mir u pafshim- Mujit i ka
thënë, bekimin e nanës e ka marrë dhe udhën për në Krajli ka zënë.Tym e flak
gjogun e ka bam. Kaloi male e kaloj lugje, kaloj pyje dhe korije, plot dy dit
dielli ka lindur e perënduar, plot dy net hëna ka dalë.E kanë parë zanat dhe
kanë thënë: “Keni parë e s’keni parë, shkon Halili përmbi kalë, shkon Tanushën
për me marrë! Sa të ket dritë e ka n’besë dielli, n’të errtën natë e ka në besë
hëna,armët e brezit ja ruan Zana.” Ka
thënë Halili: “Syri im n’dore të
diellit,kamba ime n’dorje të hanës, nderi i armve n’dorje t’Zanës.”
Kur
doli në bjkeshkën më të naltë, ka parë një lumë të gjerë e të gjatë det me det.
Atëhere zbriti nga rrëpira në breg të lumit.Rruga e gjatë i kish lodhur dhe ujë
deshi gjokut me i dhanë dhe vetë me u flladit. Por gjoku turfulloi dhe tre pash
u zmbraps, se një njeri mbështetur në shkëmb iu shfaq. Atbot njeriu po e pyet: “Kah je nis djalo me
shkue?” I çuditur Halili iu përgjegj: ”Për krajli njëherë jam drejtue për tek
Vuk Harambashi, nji punë me krye” Atbot njeriu fort ka qesh. “ Pa ndigjo o djal
i ri, aty Vukën ti s’e gjen, aj kah mot ka dyndë krajlie. Por avitu nj’her
pranë meje. Ndale synin n’at breg lumit, merr teposht deri t’u hijet! Apo i
sheh do çadra t’bardha e midis tyne një shatorr t’kuq? Frenin gjokut mos m’ia
ndal, fill t’ka çue te e bija e krajlit. Tha këto dhe Njeriu i shkambit u bë
flur si të mos kishte qënë.
* *
*
Halili
ia liroi frerin gjokut dhe me trok të lehtë zbriti në fushë pranë bregut të
lumit atje ku lumi shtrohej në fushë.Në të dy brigjet, pas lëndinave fillonte
korija e pyllit me ahe e lisa. Pranë pyllit, jo larg lumit, zbardhnin çadrat. Midis tyre, pak mënjanë
kuqëlonte shatorrja e kuqe. Dita po ja linte vendin natës dhe ngadal ra muzgu.
Halili, e mori gjogun për freri dhe hyri në korijen e ahishtes dhe e lidhi për
trungu. I rrahu lehtë vithet, e përgëzoi nga jelet e kryet dhe i tha: “Urt
gjog, as fryma mos të ndihet! Kurkush i gjallë
mos ta dijë që je n’kët ahishte” Mandej Halili tinëzisht, pa e vënë re
rojet, u afrua dhe u mbështet në trungun e një lisi. Zemra i rrihte fort. Ende
ishte heret. Zjarret e rojeve flakëronin. Po pse vonon kaq shumë moj mesnatë?
Edhe sa duhet të pres e të duroj? Kur në drujt e pyllit zogjtë e natës nisën
këngën, dhe terri mbuloj vendin, Halili këmba doras rrëshqiti pa u ndjerë dhe u
afrua te shatorra. Rojet kishin rënë në gjumë te bregu i lumit. Nxori thikën
nga milli dhe preu litarin që e lidhte shatorrin me kunjin. E ngriti dhe futi njerën dorë, e pastaj të fuste kokën
e të hynte brënda. Po gabimisht dora hasi në ballin e vajzës. Vajza lëshoi një piskamë të frikshme, dhe u
ngrit ndenjur përmbi shtresa. Britma zgjoi tridhjet vajzat e tjera. Ato brofën
nga shtresat dhe u dyndën te shatorri i Tanushës.
-
Ç’qe kjo britmë?,-Tanushës po i thonë- të tillë britmë ti kurrë s’ke lëshuar.
Qetësisht
Tanusha iu përgjigj çikave:
-Shkoni
e flini mori shoqe! N’gjumë nji si lugat mu shti dhe nga frika gjumi m’duel-tha
dhe apet u shtri në shtresa.
Halili
dol inga errësira ku ishte fshehur. Në shatorre kishte dritë. U afrua duke u hequr rrëshqanth. Nxori unazën me gur
të kuq dhe e hodhi brenda shatorres. Tanusha dëgjoi tingëllimin e arit dhe u
habit kur pa unazën. Fill prej toke e ka çuar dhe pyeti veten me zë: “Këtë
unazë ku e kam parë? Po më ngjet si e Halilit!” Halili që e dëgjoi, hapi fletën
e shatorrit dhe hyri brenda. Zot tha vasha: “Po kët fytyrë ku e kam pa? Sall po m’ngjet si e
Halilit.” Edhe pse drita ishte e zbehtë, bukuria e Tanushës e magjepsi djalin
dhe ai memzi i tha:
-Zoti
t’falt qi t’ka dhanëTanushë, po a je njeri qi ke besë?
-Zoti
t’falt Halil, besë kam dhe e besës jam, tash dy vjet harruar s’të kam! N’zemër
e mendje të kam mbajt. Sa fort thell paske hi me m’gjet- dhe e ka rrok n’gryk e
lot gëzimi i rrshqitën faqeve.
-Ja
vdesim të dy për një herë, ja kemi për të shpëtuar të dy për një herë.
-Eja,
ikim në Klladushë, gjogun e kam fshehur në imshtë.
-Jo,
drita asht t’u zbardh dhe rojet tash jan çue dhe na s’mundemi mu largue. E mori
Halilin për dore dhe e futi te kthina ku ishte e stivuar paja e saj me lloj e
lloj veshjesh në ar qëndisur.Tanusha zgjodhi më t’mirat e petkave dhe ja vuri
përpara Halilit. Vishu Halil, se po të zuri drita siç je, t’dyve krajli kryet
na e pret!
Halili,
pa kundërshtim u vesh dhe krejt si çikë ai po ngjan.N’gryk e rroku Tanushën, i
puthi buzë, sy , faqe e gushë. E shtrëngoi në parzëm, u ulën mbi shtresa, dhe u
çmallën e bënë dashuri si t’i kishte ardhur fundi botës.
Dita
që po zbardhte i gjeti n’krah të njeri-tjetrit. U zbardh terri , syri i diellit
ndriçoj qiellin. Çikat heret u zgjuan dhe në breg të lumit leshin për ta larë e
shkarkuan. Lesh po lajn e po këndojnë.Lesh po lajn e po lodrojn. Ato panë
Tanushën sall t’ zënë gisht për gisht me
nji çikë. Dul n’ breg t’lumit dhe zuri
vend përmbi do gurë . Atëherë çikat po e pyesin:
-
A s’na thua moj e bukura e dheut, kjo vash n’dor qysh t’ ka ra? Përveç teje,
ajo asht m’ e bukura mjedis nesh: syni i saj si syni i zanës, ball’ i saj si
balli hanës, shtati i saj si hala n’bjeshkë. Kurrkund nën kët qiell shoqen se
paska!
-
Zoti u vraft mori tridhjet çika, gja e pashoqe
s’ashtë n’ kët jetë! Fukara ka qëlluar e ngrata, e ka fejuar pasha i
Dumlikës, por kjo asht e papajë, sepse babaa i vdekur e nandhe , nana ka marr
rrugt e botës. Ia ka msy kullën tatës krajl buljar, që ndonjë send apo pare me
ia falë. Po ju lum Tanusha lani lesh e mos u tallni.
Halili
I zënë dorë për dore me Tanushën, nuk po mendonte veç se si ta rrëmbente vajzën
e të turrej për në Klladushë.Këtë ia tha edhe Tanushës. Rruga ishte vërtet e
gjatë, por gjogu i Mujit fugonte si të kishte flatra. Pas krahëve të tyre ishin
rojet, armatosur me mëzdrak, topuz e
shpata. Syrit të tyre asgjë s’i shpëtonte.
* *
*
N’at
koh kur Halili këto ishte duke menduar, në breg lumi u duk një re pluhuri dhe u
shfaq para saj një trumbë kalorësish me bajrak e armë ngjeshur. I printe vetë
krajl Rade kapidani.Burrë azgan, që në mejdan çdo kreshniku i bënte ballë. Po
ç’ne ky turravrap, me çetën e trimave, pa pandehur për te çikat në breg lumi?
Krajlica një andërr t’ zezë kish parë: Një ujk i zi prej Jutbine ish turrur mbi
tridhet çikat e i kish përnda. Rendi te Krajli dhe fill ja kallzoi. Me ta
dëgjuar, Krajle Radi, ngjeshi armët dhe mir po kalëron dorin e mejdanit e fill
n’breg t’lumit për te çikat paska mbrri. Të tridhet çikat ai po i njeh, veç nji
tepër po i del, ajo më e bukura që ish ndër shoqe.
- Oj Tanushë , lum baba- i tha- po kjo
çikë n’dorë kah t’ka ra? Që n’ dynja shoqen s’e paska !?
- Fukara e mjera e pafat ka qëllue. Tata
dekë e nana mbet rrugash. E ka xanë pasha i Dumlikës, por pa pajë qyqja ka
ndodhur. Fill ka ardhur dhe ty t’ka msy, qi ndoj send a pare me ja falë.
Krajli
të bijën e besoj dhe dha urdhërin:
-Tash
po nisna për Kotorre t’reja. Ti me vedi çikën ke me e marrë. Ka dhënë urdhër
Krajli. Ushtoi briri dhe borija. Gjithçka shpejt u gatit. Në qerre vashat kan
zan vend dhe për Kotorre u nis karvani . Në rend të fundit Tanusha dhe Halili
zënë gisht për gisht, njeri n’gjog, vasha n’dori.Shihen në sy me trishtim dhe
me shikim pyesin njeri-tjetrin si t’ia
bëjnë. Tanusha ngre supet dhe e mjera nuk di ç’të thotë e ç’far të bëjë. Krah e pas tyre ushtria që po i ruan pa
shqitur sytë. Kurkund s’ka gjasë për t’u larguar.
Kur
kanë mbrritur n’Kotorre t’reja,çikat kanë shkuar në shtëpit e veta. Tanusha ka
zgjedhur m’a t’mirën e kullave. At t’vetmuarën, mbi shkamb n’ breg t’detit.
Muret krejt mermerit t’latuar, aty gurrat me flladitë, aty kopshti me u mahit,
aty varkat me vela në shpinë të detit për të vozit. Ish kjo kullë një mrekulli
dhe brenda jan ndry tanusha e Halili. Tre dit e tre net , në krah të-njeri
tjetrit me dashuri të përqafuar. Ani pse në kullë, gjithçka ishte lermë o zot të rroj, as kanë
ngrënë as kanë pirë, veç kanë menduar sesi do të kthehen në Jutbinë.
Atbotë
Tanusha Halilit i ka thanë: ”Sapo t’bjer muzgu e të dalë hana, Jepi gjogut
bregun e detit. Të dy le të hipim në një barkë me rrema, bark me rrema e me vela, t’i vozit dhe unë drejtoj velat. Do
zoti na çon një fllad të lehtë, na i shtyn varkën për krahinë. Aty gjogu në
breg na pret.
Nuk
ka vonuar e shumë nuk ka zgjatur, kur qielli ka gjëmuar e bubullirë,në themele
kulla është trandur, rrufetë flakë e zjarr qiellin kanë ndezur.Era vërshëllen nëpër mazgalla e
rrebeshi i shiut përmbyt gjithçka si në ditë të gazepit. Sall në atë kohë,
Krajlica që një ëndërr të keqe ka parë , te e bija në kullë ka mbrritur e në
derë ka trokitur:
-
Tanushë, bijë, lum nana, çilma derën ta shoh synin, se malli për ty m’ ka
pikur!
Tanusha e befasuar dhe e frikur pyet Halilin: “Si më
thua Halil t’ia bajmë?”- ”Çilja derën, në dorë të Zotit, nana nanë, ty të don
dhe kët dashuri mbase e bekon”
Nana
ps dere ngulmon:
-Hajt
pra çilma derën, mos më ler me prit, se jam lagur e po mërdhi.
Tanusha
u bind dhe e çeli derën. Nana hyri Brenda dhe në qaf e rroku t’bijën, po kur pa
Halilin u zbraps dhe rreptë iu turr:
-Zoti
t’vraftë moj bijë si të paska vra! Po
qysh mori bij me cuba Jutbine kullën e paske mbushë!? Si mua si babës, derën me
ferrë ja ke mbyllur e fytyrën na e ke vruguar.- dhe Halilit:-Cub Jutbine, erzin
na e more dhe çikën e çnjerëzove. Nji tash ora e vdekjes të paska ardhë! -Dhe
vrik për te Krajli bëri të dalë.
Halili
i vuri shpatullat derës.”Askund s’ke për të shkuar- Fort për duarsh krajlicën e
ka mbërthyer dhe me rubën e kokës duart ja ka lidhur e me shami gojën ja ka
shtuposur dhe thell ne një kthinë e ka mbyllur.
Të
zënë përdore nisën të zbresin shkallët në gjysmë errësirë. Aty rojen e parë
kanë hasur. Halili rreptë e ka sulmuar,mund t’a vriste por nuk deshi , dashuria e tij nuk duhet tw lagej me gjak e të merrte
jetë. I tha të hapte rrugën, por ai
vringëlliu shpatën. I dha goditje të forta, e çarmatosi dhe të alivanosur në vend e ka plandosur. Roja tjetër e xhveshi
shpatën. Shpatat janë përplasur, shkëndija e zjarr kanë qitur, shpata e rojes u
thye dhe Halili e rroku për beli dhe e
përplasi, por tjetri prapë u çua dhe
rreptë njeri-tjetrin po e sulmojnë.Aq sa
duan me dhambë njeni -tjetrin me e
ngranë. Mandej, me grushta e shkelma të fortë, nga shkallët pa ndjenja e
rrokullisi. Në vënd shakull e ka lanë.
Tanusha
e frikur për jetën e të dashurit, vrik me ‘të, të dy buzë detit kanë zbritur , me kujdes që të mos i diktojnë
dhe në varkën me vela kanë hypur.Litarin e kanë zgjidhur. Era fryn për kah jugu,
shiu kithët rigon, nata nxin, qielli bubullin dhezjarret e vetëtimave ndriçojnë
retë. Halili me vrull vozit, Tanusha drejton velat, varka rrëshqet, por vala e
ngre dhe e ul si lëvozhgë dhe dallga me ujë po i rreh.Tanusha lut det e qiell :
Lum ti zot që na ke dhanë, udhën e detit na e bëj të lehtë, bashkë me Halilin
të dalim në breg! Era dhe deti i kanë dëgjuar dhe varka larg në breg i ka dërguar.
Atje
në breg, në ranishten e sheshtë, gjogu i Mujit i ka pritur.Kur i ka parë fort
ka hingëllirë, truallin me këmbë e ka çukërritur. Në gjunjë është ulur dhe vrik
në të djali dhe çika kanë hypur. Flak nga patkojt, tym nga goja dy herë në vend
gjogu s’është parë , rrugën për në Jutbinë ka marrë.
* *
*
Lum
e lum o I madhi Zot! Për ditën e lume që na fale sot.
Një
javë dasëm po na ban ago gjeto Basho Muji. Lum asht derdh vera dhe rakia, kan
gjimuar tupanat, curlat, lahuta e çiftelia.Kanga e vallja der n’kup të
qiellit. Gjithë agot në dasmë i ka
ftuar, se po marton Halilin me Tanushën, që për bukuri se ka shoqen, i thot
hanës dil të dal, e gjith luleve të fushës kur vjen pranvera. Lum për Loken dhe
Ajkunën, e për mbarë Jutbinën për kët nuse, Tanushën q’erdhi për të ndritur kullën e ago Gjeto basho Mujit dhe Sokole
Halilit.
U
Martuan e u trashëguan.
Atje
un nuk kam qënë, po kështu ma kanë thënë.
Kush
e lexoftë, zemra ju gëzogtë!
11 maj i motit 2026








