Albert Zholi: Polifonia nuk shitet
POLIFONIA NUK SHITET
Duke
lexuar mendimet dhe shqetësimet e kompozitorit Aleksandër Peçi

Polifonia
shqiptare nuk është thjesht një mënyrë të kënduari. Ajo është një univers më
vete, një monument i gjallë i shpirtit kombëtar, një ADN kulturore që ka
udhëtuar brez pas brezi deri në ditët tona. Ajo lindi dhe u rrit në trojet
shqiptare, veçanërisht në Labëri, duke u bërë zemra dhe shpirti i maleve, i
luginave, i jetës dhe i historisë sonë. Në këngën polifonike jetojnë kujtesa,
dhimbja, krenaria, trimëria dhe mençuria e të parëve tanë. Prandaj polifonia
nuk është vetëm muzikë; ajo është identitet. Kompozitori Aleksandër Peçi e
konsideron polifoninë shqiptare si "mbretëreshën e Evropës dhe të
botës". Sipas tij, vlera e saj qëndron jo vetëm në lashtësinë, por edhe në
kompleksitetin e jashtëzakonshëm artistik. Shtresat dhe mbishtresat melodike të
saj ngjajnë me thellësinë e detit, me kontrapunktin e natyrës shqiptare, me
dialogun e reve, maleve dhe tokës. Por pikërisht për këtë arsye lind pyetja: a
mund të tjetërsohet një pasuri e tillë? A mund të shitet, të zbehet apo të
mohohet atësia e saj?
Për
shumë studiues, artistë dhe mbrojtës të trashëgimisë kulturore shqiptare, çdo
përpjekje për të relativizuar origjinën e polifonisë përbën një cenim të kujtesës
historike. Ata argumentojnë se ashtu si gjuha shqipe ka mbijetuar ndër shekuj,
edhe polifonia ka ruajtur tiparet e saj autentike, duke mbetur një nga shenjat
më të forta dalluese të kulturës sonë kombëtare. Është e vërtetë që popuj të
tjerë kanë forma të ndryshme të këndimit shumëzëror. Kjo pasuron kulturën
botërore dhe meriton respekt. Por origjinali mbetet origjinal. Kopja, sado e
arrirë, nuk mund të zëvendësojë burimin. Në këtë kuptim, polifonia shqiptare
mbetet një vlerë e trashëguar nga tradita ilire, arbërore dhe shqiptare, e
ruajtur me fanatizëm në Labëri, Çamëri, në trevat arbëreshe dhe kudo ku kanë
jetuar shqiptarët. Sot kërkohet më shumë kujdes institucional, më shumë studime
shkencore dhe më shumë promovim ndërkombëtar për këtë pasuri unike. Polifonia
nuk ka nevojë për sloganë, por për mbrojtje serioze, dokumentim shkencor dhe
përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare. Sepse polifonia nuk është vetëm
këngë. Ajo është histori që këndohet, është lot që bëhet melodi, është kujtesë
që shndërrohet në art. Dhe mbi të gjitha, është zëri i një kombi që prej mijëra
vitesh ka folur, ka kënduar dhe ka vajtuar shqip. Një nga debatet që vazhdon
prej vitesh lidhet me mënyrën se si është paraqitur kënga jonë shumëzërëshe në
dokumentacionin ndërkombëtar. Sipas kompozitorit Aleksandër Peçi, problemi
qëndron te përdorimi i termit "iso-polifoni", i cili, sipas tij,
krijon hapësira për interpretime që e lidhin këtë pasuri me tradita të tjera
muzikore, si kori bizantin apo mitologjia e sirenave greke. Peçi argumenton se
polifonia shqiptare është shumë më e lashtë se periudha bizantine dhe se
rrënjët e saj duhen kërkuar në kulturën pagane të popullsive iliro-arbërore.
Për të, ajo nuk është produkt i ndikimeve të mëvonshme fetare apo kulturore,
por një krijim autokton i lindur në trojet shqiptare, i transmetuar brez pas
brezi përmes kujtesës kolektive. Pikërisht për këtë arsye ai kërkon që
institucionet shkencore dhe kulturore shqiptare të ngrenë zërin më fuqishëm për
të sqaruar origjinën historike të polifonisë shqiptare dhe për të mbrojtur
identitetin e saj të veçantë në forumet ndërkombëtare. Sipas tij, polifonia
shqiptare nuk mund të shpjegohet përmes modeleve bizantine apo greke, sepse ajo
ekzistonte shumë përpara tyre dhe mbetet një nga dëshmitë më të hershme të
qytetërimit shpirtëror shqiptar kryesisht atij lab.

Foto nga Kozeta Zylo



