Ndue Dedaj: Protesta vulos fundin e tranzicionit

PROTESTA VULOS FUNDIN E TRANZICIONIT
-
Kryeministrit britanik Keir Starmer ka dhënë dorëheqjen, pa protesta -

Të
gjithë kemi pritur të mbyllej tranzicioni dhe kur u pa se ai nuk po binte, me
këtë klasë politike thellësisht të korruptuar dhe pa idelale, atëherë u ngritën
qytetarët, ata që e kanë ndryshuar gjithmonë historinë. Ata janë dhe
protagonistët e kësaj proteste mahnitëse, që nuk i ngjet asnjë tjetre deri më
sot. Nuk është e rastit që organizatorët e saj janë të “padukshëm”, nuk dalin
në krye, nuk rrahin gjoksin, nuk bëjnë “heroin”. Aty e kishin politikën, por
nuk e deshën angazhimin politik, ndaj nuk janë në protestë për karrierë, por me
misionin për t’i thënë fund tranzicionit dhe kësaj klase politike të dalëboje.
Ky është rasti kur publikja ngrihet mbi politikën, duke i diktuar kësaj të
fundit një rol të ri në shtet dhe shoqëri.
Puna
është të kuptohet sot protesta dhe të mos fshikullohet padrejtësisht, mbi të
gjitha të dëgjohet, si zë i revoltës së njerëzve të lirë. Asnjëlloj
konspiracioni nuk mund t’i ngre shqiptarët e këtushëm të tubohen ditëpërditë në
Tiranë dhe ata të mërgatës të udhëtojnë në fundjavë mbi 30 orë me makinat e
tyre me flamurin kuqezi, që nga Londra, apo të marrin avionët nga e gjithë
bota, për të dëshmuar në Sheshin “Skënderbej” dhe para Kryeministrisë, se kjo
mënyrë qeverisje ka dështuar, për më tepër e kriminalizuar, qoftë dhe për faktin
se në asnjë vend tjetër të Europës nuk ka më shumë qeveritarë “klientë” të
drejtësisë sesa tek ne.
Protesta
i ka bërë të qarta synimet e saj, ajo kërkon që të vendosë një marrëdhënie të
re mes pushtetarëve dhe qytetarëve, që qeveritarët të nënshkruajnë më parë se
marrjen e pushtetit, lënien e tij, kur ai nuk është më i frytshëm, pa e
paraqitur largimin nga qeveria si diçka dramatike, gjë që është në natyrën e
diktaturave. Demokracitë janë ndryshe. Rasti më i freskët është ai i
kryeministrit britanik Keir Starmer, që ka dhënë dorëheqjen, edhe pse ka vetëm
dy vjet në detyrë, duke qenë i shtati kryeministër i vendit të tij në pak më
shumë se një dhjetëvjeçar. Dhe tërheqjen nga partia dhe qeveria ia ka kërkuar
partia e tij laburiste. Ai nuk përmendi atë kontratën katërvjeçare me
zgjedhësit anglezë, pasi kontratat politike nuk janë një tabú, kur ato nuk
përmbushën në sytë e publikut, ky i fundit i prish dhe krijon të reja, duke e
çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Nga
ana tjetër, protesta masive tek ne ndodhi edhe pse opozita nuk arriti t’i
përmbushë detyrimet e veta politike, të frymëzojë e mobilizojë energjinë
opozitare, për shkak të një kolapsi që ajo ka pësuar, që lidhet me mungesën e
reformimit të saj etj.
Protesta është e drejtë,
por i duheshin gjetur ca “bishta”...
E
pati thënë Gjergj Fishta vetë dhe s'e luan topi: po ta kesh bishtin ta presin,
po të mos e kesh ta ngjesin. Kështu dhe protesta që po zhvillohet prej më se
tri javësh para Kryeministrisë dhe jo vetëm, bishtin nuk e ka, por janë
përpjekur t'ia gjejnë, kush një bish e kush një tjetër. Vetë kryeministri ka
thënë në fillim se protesta nisi me të drejtë, për shkak të dhunës që u ushtrua
ditën për diell në Zvërnec ndaj një qytetari që u tërhoq zvarrë, por sipas tij
vazhdoi me pa të drejtë, pasi është kundra investimit që pritet të bëhet atje.
Kjo gjysma e dytë e deklaratës së tij me "por" është ai bishti. Dhe
nuk e la me kaq anatemimin e protestës shefi i qeverisë, por shkoi gjer te
shpikja e algoritmit të saj, apo “shpjegimi” se shqiptarët e trojeve nuk janë
mërgatë etj!? Shumë e mirë është protesta qytetare e Tiranës, pasi ajo
zhvillohet kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e saj, thuhet nga selia
blu, por (këtu fillon bishti) e meta e saj është se ajo nuk mund të jetë dhe
opozitë e opozitës.
Siç
shihet, bishti është ose rozë, ose blu, bisht tjetër nuk ka.
Thonë
e ç’nuk thonë patronazhistët e lodhur, ndonjëherë dhe analistë të “pavarur”, se
protestuesit nuk i duan investimet e huaja (kur ata kanë thënë i duam, por me
rregulla, transparencë dhe jo rrethuar me tela me gjemba si “Spaçi” i djeshëm),
se demek me protestën po i bëjmë karshillëk Trump-it dhe Amerikës (për të qarë
e për të qeshur), se kështu dëmtohet imazhi i vendit dhe frenohen turistët e
huaj (edhe pse këta ta fundit i hasim në protestë), se disa nga folësit e
protestës nuk janë persona aq të njohur (ndërkohë që aty ka gazetarë, artistë,
studentë, deputetë, akademikë, veprimtarë të shoqërisë civile, mbi të gjitha
rini me ideale), se vonohet anëtarësimi në BE (e kundërta është e vërtetë, aty
ku ka zë të fortë publik kundër korrupsionit ka demokraci), të tjerë e mendojnë
si shëtitje në bulevard, duke kërkuar që protesta të jetë agresive (a thua se
nuk ia kemi parë hajrin kësaj disa herë). Ka dhe VIP-a që kanë shtrydhur trurin
t’i gjejnë një bisht me të qenë se të tjerët, kinse duke marrë ne mbrotje
bizneset, investitorët, strategjikë ose jo, që nuk kanë asnjë hall për t’iu
qarë, por duhet dhe ata të punojnë në standartet e BE-së dhe jo sipas
“melodisë” së shpifur të tranzicionit shqiptar.
Mund
të vazhdonim gjatë, sa për një komedi të tërë, me bishtngjitësit jo të paktë,
por me që protestës aq i bën për ta, nuk po zgjatemi.
Protestohet kundër
korrupsionit të ngritur në sistem
Protesta
e qytetarëve shqiptarë, në Tiranë dhe në rrethe, si dhe në shumë qytete të
mëdha europiane e amerikane, që kulmoi të shtunën me ardhjet masive nga
mërgata, ka pasur aq shumë “gjykime” lloj-lloj, sa asnjë tjetër, vetëm se nuk
është as e majtë e as e djathtë. Rinia e sotme protestuese, e lindur pas 90-ës,
nuk është e mësuar me qasjen bardhë e zi të së kaluarës dhe të tranzicionit.
Ajo, kur e pa se tranzicioni nuk po kalonte, por, përkundrazi po ngrihej në
sistem, u ngrit për ta ndryshuar mënyrën abuzive e korruptive të funksionimit
të shoqërisë, politikës, qeverisjes. Kjo është e gjitha. Dhe si e tillë ajo po
sjell ndryshimin. Sa sa e gjetur ishte simbolika e protestës, flamingo, e
tregoi dizenjimi shpejt e shpejt më të i bluzës festive të kryeministrit në
kalanë e Shkodrës! Tek e fundit shpendët e bukur, të fortë e krenar kanë qenë
gjithëherë simbole të flamujve të popujve e paqes, sidomos të ne shqiptarëve,
kështu që s’ka vend për të përqeshur. Ndryshon puna nëse simboli do të ishte
grushti.
Protestuesit
nuk kanë lënë vend për retotika boshe, hamendje, medyshje, frikëra
“agjenturore” me iranianë, grekë, serbë, turq, pse jo dhe kosovarë të
vetvendosjes, pasi i kanë shpallur arsyet pse janë në protestë, duke kërkuar
një dhe vetëm një gjë, ikjen e klasës së vjetër politike të vendit dhe
dorëheqjen e qeverisë, duke argumentuar shkaqet e shumta, ku ndër më kryesoret
është se me ikjen e njerëzve jashtë dhe zbrasjen e vendit ndodhi dukuria e
tmerrshme e kapjes së tokave dhe pasurive të tjera publike nga pushtetarët dhe
oligarkët si mall pa zot, duke pasur gjithnjë mungesë transparence të
projekteve, kamufluar me propagandë qeveritare, se investimet janë të rregullta
etj., kur ambasada e SHBA-ve tërheq vemendjen për transparencë me investimet,
pronat etj. Dihet se cilët janë investitorët e brendshëm të ashtuquajtur strategjikë,
miq të favorizuar të qeverisë, që i thurin kësaj ditirambe.
Prona publike nuk mund
të nxirret në “ankand”!...
Ka
pasur aq shumë përplasje mes banorëve dhe oligarkëve këto vite të tranzicionit,
ku qeveria gjithnjë ka qenë në anën e pasunarëve, përndryshe “ortakëve” dhe
kështu do të kishte vazhduar nëse nuk do të plaste Zvërneci. Duket se aty u
mbush kupa. Nuk u dëgjua Rrjolli. Nuk u dëgjuan shumë kambana “të vogla”, në të
katër anët e Shqipërisë, pa ngjau protesta e pakthyeshme.
Qeverisë
i është deleguar pushteti nga banorët për t’i qeverisur dhe jo për të bërë ajo
pranaren mbi pasuritë publike. Njerëzit duan të dëgjohen realisht për
qeverisjen, t’iu merret mendimi jo në dëgjesa të stisura me punonjës
administrate, por si qytetarë të lirë. Pastaj mjaft më me sjellje harbute,
megallomane, fyese, përçmuese e përçudnuese të liderëve politikë, qeveritarëve,
që nga zemërimi shpesh iu shthuret goja. Po bëhen vite e vite që në skenën
shqiptare dy-tre liderët kryesorë i bëjnë “zbor” këtij populli, duke qenë ata
dhe vetëm ata të përditshmit, të përvitshmit, të përjertshmit sundues të këtij
vendi, ndonëse njëri hyr e tjetri dil nga dyert e SPAK-ut. Çfarë mund të thuhet
kur në grupin parlamentar të mazhorancës nuk dëgjohet asnjë zë, njëlloj si në
plenumet e dikurshme të Komitetit Qendror. Nëse aty do të ishte folur me
kurajo, shumë gjëra sot do të ishin ndryshe. Ashtu si një e katërta e
parlamentarëve laburistë anglezë i kërkuan largimin liderit të tyre. Megjithatë
ia vlen oponenca brenda të majtës, që nga Dade, Malaj e Bushati te Koçeku e
Spiropali, përkundër servilizmit të disa të tjerëve që nxitojnë të postojnë
fotot e sotme te Ramës me Makronin, a thua se ato janë shpëtimi nga vala e
protestës në rritje.
Mënyra
paqësore e të protestuarit dëshmon qytetari e pjekuri, çka dhe ka shkaktuar
tension dhe zemërim te qeveritarët gojëlidhur, ku dëgjohet vetëm një zë, sa
mbrojtës aq dhe sulmues, ai i kryeqeveritarit. Protesta po ashtu dëshmoi se nuk
ishte një shaka, por e vendosur për t’i shkuar deri në fund, në rrugë demokratike,
synimit të saj për ta mbyllur njëherë e mirë “kapitullin” tronditës të
tranzicionit dhe përmbushjen e kapitujve të integrimit europian.
Provoi
gjithashtu se është e mundur rënia e patronazhistëve, specie e rrezikshme në
një shoqëri demokratike, se nuk mund të mbahet asnjë pushtet a politikë vetëm
me militantët, të përdorurit, mbështetësit e shpërblyer në forma të ndryshme.
Sa
shumë arsye për të protestuar dhe asnjë arsye për të paragjykuar, aq më pak për
të vënë “bishta”, një zakon i vjetër yni!...



